Mustafa Koçerri: Gjirokastritët, njerëz mikpritës dhe fisnikë

656

“Në vitin 1976 shkova për të matur pikën e klasit të parë të triangolacionit në majën e Çajupit, në vargmalin Shëndëlli-Lunxheri-Bureto”.

Sigal

Në moshë të re kur dëgjoja që flitej për gjirokastritet, i përfytyroja njerëz me cilësi dhe virtyte të veçanta, si fisnikë, burrërorë, patriotë, të gjendur, të dashur dhe të respektuar. Dhe ja, jeta e pruri që qysh në shkollën ushtarake më 1968 dhe deri në vitin 2019, për 51- vite, të njihem e miqësohem me një djalë nga fshati Zhej i Zagorisë së Gjirokastrës, Kostandinin ose Koços  siç e thërrisnim shkurt ne, shokët e tij. Duke filluar që në periudhën e stazhit 1968-1969, në repartin ushtarak 6802 ku ishim në një togë dhe deri në vitin 1983, kur isha oficer topograf, e që më pas unë u largova nga Instituti në MMP, ishim bashkë në punë, por edhe në kohën e lirë. Koçua ishte tipi shkathtë, i dashur, i shoqërisë, shakaxhi, i zgjuar, djalë me intelekt, me një fjalë ishte si gjirokastritët që unë  i kisha përfytyruar.Shkollën e mesme, gjimnazin, ai e kishte filluar në qytetin e Gjirokastrës dhe e kishte përfunduar në qytetin e Durrësit te halla e tij, pasi nuk kishte shkollë të mesme në fshat. Rezultatet e punës në repartet e topografisë, e më pas në Institutin e Topografisë i kishte të mira, në fillim ai punoi në matjen e pikave të triangolacionit dhe dallohej si një kuadër punëtor, i rregullt dhe i papërtuar në detyrat që i caktoheshin. Pas disa vitesh pune ai pati probleme me shikimin e syve dhe nuk mund të bënte matje me instrument në terren, por shërbeu në disa procese të tjera pune. Pas disa vitesh që unë isha larguar nga Instituti, atje u krijua mundësia e vendit bosh të shefit të kuadrit siç i thoshnin në atë kohë, pasi ai që ishte dilte në pension. Kuptohet kandidaturat do të ishin nga vetë Instituti, ku Koços ia kishte qejfi që të ishte një nga këto kandidatura. Bazuar në punën e Koços si dhe në vlerësimin pozitiv që kishte drejtoria e Institutit, kandidatura e tij u miratua dhe ai u emërua shef i kuadrit në Institut. Kështu që ne shokët e tij të ngushtë prej asaj kohe  I thërrisnim shef  Koçua. Në vitin 1988 në punën që kryeja unë, na u vu një detyrë voluminoze, e cila donte disa muaj për t’u realizuar. Për kryerjen e kësaj detyre duheshin marrë edhe persona të tjerë, kuptohet duhet të ishin të zgjedhur dhe me cilësi të mira. Midis këtyre personave,më shkoi mendja te Koçua dhe një ditë i them, a do të vish  në ministri të punojmë bashkë. Po çfarë thua, -m’u përgjigj. Kështu u miratuan të tre emrat, një punonjëse nga Instituti i Veprave Mbrojtëse, dy nga Topografia ku njëri ishte ai i  Koços. Punuam tre muaj së bashku me Koçon dhe dy punonjëset e tjera dhe kaluam shumë mirë. Në këtë punë që po bënim, më duhej që të shkoja në shumë reparte dhe institucione që vareshin direkt nga MMP-ja, duke filluar nga Tirana, Saranda,Vlora, Korça, Elbasani, Berati, Kukësi, Shkodra,  etj. Para se të shkoja në Sarandë, i thashë Koços, a do të vish me mua për dy- tre ditë. Ashtu bëmë morëm një makinë në parkun e veturave të MMP-së dhe u nisëm. Ishte muaji gusht dhe rrugës u kthyem në Babicë për të takuar prindërit dhe njerëzit e mi. Erdhi edhe Koçua me mua, njerëzit e shtëpisë time kur na panë, u gëzuan, babai im siç e kishte zakon për të respektuar mikun, i mbushi Koços edhe një gotë tjetër me rakinë e mirë që ai e bënte vetë. Ndenjëm rreth një orë dhe u nisëm për në Sarandë. Në Kotë  ndaluam për të marrë karburant për makinën në një pikë furnizimi të ushtrisë, por orari kishte kaluar dhe nënoficeri kishte ikur. I çuam një njeri në shtëpi dhe ai erdhi menjëherë. Furnizuam makinën sa merrnin serbatorët dhe nënoficeri na tha “ikni, rrugë të mbarë!”. Më tej vazhduam rrugës që shkon në Kuç, e që del në Borsh. Nata na zuri porsa kaluam qafën e Dërrasës, matanë Kuçit. Porsa arritëm në Sarandë, prenotuam hotelin dhe pasi hëngrëm darkë, dolëm një shëtitje në buzë të detit. Të nesërmen shkuam në repartin ku kishim punë, ai ndodhej afër Sarandës. U takuam me oficerët dhe ushtarët, ndenjëm 2-3 orë dhe pasi kryem punën që kishim, u nisëm për në Gjirokastër. Koçua mezi e priste këtë shërbim pasi i krijohej mundësia për të shkuar te prindërit e tij në Zhej të Zagorisë. Para se të shkonim në qytetin e Gjirokastrës u kthyem djathtas,rrugës që të çon në Poliçan. Kur arritëm në fshatin Nivan në rrëze të malit të Dhëmbelit, qëndruam  në lokalin e fshatit, i cili ishte i mobiluar bukur me një lule të punuar në dru me mjeshtëri dhe që mbulonte gjithë bankun. Pasi pimë kafe, u nisëm dhe në të errur arritëm në shtëpinë e prindërve të Koços. Ata nuk dinin gjë u habitën kur na panë te dera dhe u gëzuan për këtë vizite të papritur. Ata na pritën  shumë mirë e në mënyrë bujare. Shtëpinë e kishin bërë të re, e kishte ndihmuar Koçua me vëllain tjetër që edhe ai ishte në punë. Nga pakujdesia nëna e Kocos një ditë ishte futur me kandil në katoin që mbanin barin për bagëtitë dhe kishte marrë flakë bari i thatë dhe kështu u dogj e gjithë shtëpia. Shtëpia ishte ndërtuar më e mirë, pozicioni i saj në mes të pemëve të shumta dhe në rrëze të malit i jepte asaj një pamje edhe më të bukur. Këtë mbrëmje jo vetëm Koçua ishte i gëzuar, por edhe unë që i takoja për herë të dytë ata prindër të mirë, të dashur e të respektuar. Babai i Koços i ndjeri xha Stefani, kishte  punuar kuzhinier, profesion të cilin pas çlirimit fillimisht e kishte ushtruar këtu në qytetin e Tiranës, pastaj më pas ishte larguar në fshatin e tij. Ai ishte njeri tepër punëtor, të respektonte e të priste përzemërsisht, duke shfaqur kështu karakterin bujar e fisnik të gjirokastritit. Ai ishte një burrë i gjatë dhe që me kalimin e viteve edhe Koçua mori hijen dhe pamjen e tij. Siç e thashë më lartë unë ishte hera e dytë që shkoja në këtë shtëpi mikpritëse. Në vitin 1976,  isha duke matur pikën e klasit të parë të triangolacionit në majën e Strakavecit, e cila ndodhet në veri të qafës së Çajupit, në vargmalin Shëndëlli-Lunxheri-Bureto. Çadrën e kisha vendosur afër majës së  malit në një pozicion që ajo dukej nga pika që do të masja. Një pasdite  kur isha duke kryer matje me instrument, shikoj disa njerëz te çadra. Drejtova instrumentin dhe shoh se ishin dy oficerë që ma bënin me dorë  të  shkoja atje. Mbylla instrumentin dhe së bashku me punëtorët që kisha marrë nga fshati Labovë, zbrita për te çadra. Kur u afrova shikoj se kishin ardhur Mulla Mullai, shefi ynë i sektorit dhe shoku im Koço Londo. U takuam e u përshëndetëm, kishim disa muaj pa u parë se ishim të izoluar duke ndenjur  e punuar nëpër male. Ata më thanë hajde, do të vish me ne, na pret makina në qafën e Çajupit, do të shkojmë te shtëpia e prindërve të Koços. Zbritëm me makinë nëpër fushën e Çajupit dhe më tej nëpër një rrugë të mbuluar në të dyja anët me lajthi dhe dru blini deri sa vije në afërsi të shtëpisë së Koços. Prindërit e tij na pritën ngrohtë e buzagaz. Koçua kishte marrë me vete edhe të fejuarën e tij Xhulin, një vajzë me banim në Tiranë, me prindërit e së cilës kam patur rastin të takoheshim për sebepe në shtëpinë e tyre. Edhe ata ishin një familje e nderuar dhe njerëz të respektuar. Pasi ndenjëm pak, njerëzit e shtëpisë së Koços na dhanë diçka për të ngrënë. Babai i Koços na tha tani shtrihuni pak se jeni të lodhur dhe m’i jepni mua pistoletat t’ua sigurojë unë, duke  i futur në një sepete. Gjatë kohës që ne u shtriqëm, xha Stefani kishte therur një sheleg dhe e kishte vënë në hell për ta pjekur. Darka kaloi këndshëm, shija e mishit ishte e veçantë, ai kishte kullotur në fushën e Çajupit dhe kishte ngrënë tërfil dhe trëndelinë. Edhe rakia ishte e veçantë, ajo ishte nxjerrë nga manet e kuq dhe e zier me mjeshtri. Të nesërmen u nisëm për të ikur, duke u përshëndetur e  përqafuar me njerëzit e mirë të kësaj shtëpie. Kur dolëm në fushën e Çajupit qëndruam në një burim, ku hëngrëm edhe drekë me ato çka na kishin vënë me vete prindërit e Koços, një pako me mish dhe një shishe  me raki. Në qafën e Çajupit  u ndamë, ata ikën në detyrat që kishin dhe unë për në majën e Strakavecit për të përfunduar matjet në këtë pikë. Dhe ja  ashtu si vetë Zagoria  që është shumë e bukur, në mes të dy vargmaleve me kullota, me gjelbërim dhe llojshmëri të shumtë drurësh, ku do të theksoja drurin e blinit me erën e tij të veçantë, me peizazhe fantastike dhe ujëra të kristalta, ashtu i ka edhe njerëzit, po aq  të mirë, e me vlera të pushkës e të penës, të artit e të kulturës, arsimdashës e patriotë. Pjesë e këtyre vlerave kaq të mira të kësaj zone është edhe familja e Stefan Londos. Koçua shërbeu në topografi deri në vitin 1992 dhe në kuadër të reformave në ushtri u lirua. Punuam bashkë për disa kohë në treg ku mundëm të përballonim jetën në ato kushte të vështira që na u krijuan. Më pas ai iku familjarisht për të punuar në shtetin Grek dhe  u kthye përsëri në Shqipëri. Kishim vite që nuk ishim takuar dhe një ditë ai vjen dhe më takon në Tiranën e Re. Pas kthimit nga Greqia si njeri punëtor që ishte, ndërtoi një shtëpi në tokën e blerë te Fresku. Edhe pse ishim larg me shtëpi  mbanim lidhje dhe respektonim njëri tjetrin. Por vitet e fundit atij nuk po i ecte mirë shëndeti. Flisja shpesh në telefon, duke bërë shaka dhe duke e inkurajuar për ta mbajtur veten e për të mos u dorëzuar. Në tetor 2019 isha nisur për të vajtur në Vlorë, rrugës në urban më bie telefoni dhe përgjigjem: -“Urdhëro Koço,- kur në anën tjetër nuk dëgjoj zërin e atij që kisha 51- vjet që e dëgjoja, por të vajzës së vogël, Alma, e cila më tha: -“Xhaxhi Mustafai, babai na la”. U befasova dhe u shqetësova, zbrita nga autobusi dhe u ktheva për të lajmëruar edhe shokun e mikun tjetër të mirë, Asim Bejen dhe së bashku me të dhe disa shokë të tjerë shkuam në shtëpinë dhe në ceremoninë e varrimit të tij. Edhe pse ai u nda nga jeta unë do të kujtoj dhe respektoj emrin e  tij. Unë humba një shok e mik të mirë gjirokastrite, por ai do të mbetet i paharruar. Zoti u dhëntë jetë të gjatë dhe shëndet familjes së tij, që ka lënë pas.