Sektori më jetik i vendit në kolaps, ndërsa Edi Rama vijon talljen me fermerët edhe pse ka 12 vite në pushtet duke u thënë se nuk i kemi ditur problematikat, kanë qenë jashtë vëmendjes së institucioneve.
Numri i blegtorisë në Shqipëri është në rënie të lirë.
Janë zhdukur edhe 400 mijë dele dhe 145 mijë dhi. Vetëm në vitin 2021, bagëtitë ranë me 7%. Ndërkohë, fermerët kanë mbyllur masivisht stalla dhe ferma intensive: nga 16 ferma të mëdha në 2014, vetëm 4 arritën të mbijetojnë deri në 2018.
Subvencionet? Qesharake. Vetëm 1 miliard lekë në 2021 – pra rreth 8% e buxhetit të Ministrisë për një sektor që zë afërsisht 20% të PBB-së. Në rajon jepen 40–70 euro për hektar, në Shqipëri vetëm… 3 euro. Me këto ritme, fermeri shqiptar duhet të jetë magjistar, jo bujk.
Pjesa më e madhe e fondeve u shpërndanë me kritere politike dhe lidhje klienteliste. Fondet e BE-së (IPARD) janë bllokuar në disa raste për shkak të skemave të famshme të inceneratorëve pa tym, pa pleh, pa asgjë – përveç lidhjes me pushtetin.
Dhe në këtë skenë të zymtë, del Edi Rama, pas tre mandatesh qeverisjeje, dhe thotë se “tani po e kuptojmë që bujqësia ka qenë jashtë vëmendjes”. Një moment i rrallë sinqeriteti… apo thjesht një tjetër spektakël për të zhbllokuar fonde nga BE?
Fermerët, ndërkohë, nuk kërkojnë më premtime – kanë dëgjuar mjaft. Kërkojnë një plan të vërtetë, mbështetje të drejtë dhe fundin e talljes që prej vitesh u ofrohet në emër të “dëgjimit nga afër”.