Nëpër Ballkan dhe më tej

1098
Sigal

Viktor BAKILLARI

(Reportazh / udhë-përshkrim / mbresa)

PJESA I

Eh, pushimet! Të ëmblat pushime, që njeriu i do dhe i pret si ujin në vapën e korrikut kur ngjit një të përpjetë të egër si ajo e Pirogosh – Radëshit të Skraparit! Ashtu i prita edhe unë… Nga gjysma e korrikut (2018) bashkë me një nga fëmijët e mi u nisëm me pushime për në landin e Vestfalisë së Rinit Verior (Nordrhein-Westfalen (Nordrajn-Vestfalen), Deutschland / Germany / Allemagne / Gjermani).

***

I ramë nga “Kina”: Tiranë – Prishtinë – Shkup – Dortmund.

Po përse kështu?

Së pari, sepse bileta nga Rinasi ynë ishte më se dy herë e shtrenjtë se sa t’i bije nga “Kina”: ishte 600 €., nga Prishtina rreth 350 dhe… 230 nga Shkupi.

Se dyti, dëshironim të sodisnim Shkupin. Kemi dëgjuar, por nuk e kishim parë ende…

Dhe ora 15 e nisjes së autobusit nga stacioni, i cili ndodhet prapa 15-katëshit – Tiranë, erdhi.

Dhe nisja u bë në orën 15:15.

Dokumentacionin e plotë: Pasaportë, biletë, siguracion udhëtimi, prokurë noteriale për fëmijët nën 18 vjeç ku njëri nga prindërit lejon tjetrin që të udhëtojë me fëmijën dhe të kthehen po bashkë, aparatin për fotografi dhe, sigurisht, shellat /llovet evropiane, € me vete.

***

Autobusi ecën, autobusi nxiton. Turirin drejt veriut, drejt rrugës së gjerë, drejt tunelit të Kalimashit (rreth 5.5 km i gjatë, përshkuar për 5’5”), drejt Kukësit, drejt Qafës së Morinit për të kaluar mandej në shtetin tjetër shqiptar, në territorin e Kosovës, në udhën e gjerë pagëzuar me emrin Rruga “Ibrahim Rugova”.

(Mos e ngatërro Qafën e Morinit me Qafën e Morinës! Shqipëria me Kosovën kanë 123 km. kufi. Ky kufi mund të kalohet ligjërisht në 6 pika të cilat gjenden në Kukës (Morini, Orgjosti, Shishtaveci dhe Borja), në Has (Qafa e Prushit) dhe në Tropojë (Qafa e Morinës). Hyrja kryesore është ajo e Qafës së Morinit / Kukës, ku kalon edhe rruga e madhe e pagëzuar me emrin patriotik “Rruga e Kombit”.

Në pikën kufitare të Morinit, kontroll i imtë dokumentacioni. Fillimisht dhamë vetëm pasaportat. Më pas, punonjësi i policisë më kërkoi edhe prokurën (lejen nga ime shoqe për të kaluar kufirin bashkë me djalin nën 18 vjeç). Pasi kreu verifikimet e nevojshme, na uroi udhën e mbarë.

***

Autobani (Autostrada) dr. “Ibrahim Rugova” ka terren më të ëmbël, më të qeshur, rruga më e drejtë, më e mirëmbajtur, peizazhi më miqësor, fshatrat së largu duken më të sistemuar nga tanët, shtëpi – vila të reja, të bukura rrethuar nga gjelbërim i azdisur…

Në ecje e sipër, im bir po i hidhte një sy prokurës. Më thotë i shtangur me zë të ulët:
– O ba, kur kam lindur unë?

Ja, hapi sytë, aty e ke, ia ktheva kokulur duke hapur çantën për të futur dokumentet.

O ba, pa shiko: “… lindur me 30. 02. 2…”

Nuk u besova veshëve. Zgurdullova sytë si bufi, hapa llambushkat sa një kokërr arre greve… dhe: u besova edhe veshëve edhe syve.

Po përtypja me vete lloj-lloj mendimesh, sharjesh. Kam konstatuar se kur diçka nuk shkon si duhet, si në këtë rast, burrat i “zgjedhin” punët me sharje, gratë me mallkime të tipit “I raftë një pikë! etj.,”. Eh, sistemi paçavure kokë e këmbë i drejtësisë sonë! Nuk funksionon gati asnjë hallkë. Gjithçka e ndryshkur. Edhe një prokurë shkruar me gabime fatale… Noterja na e kishte nxjerrë muajin shkurt me 30 ditë. Prokura ishte përkthyer edhe në gjermanishte.

Problemet e përkthimit unë i njoh mirë, po ç’mund të thuash për një përkthyes/e automat të tipit google translation, pa mend e sy në ballë. Mirë, noteres që i ka shpëtuar ky gabim mëqafëmarrës, po përkthyesja që përkthen si robot?

Gafë e pafalshme për të dy…

Po kështu është, na pëlqen, s’na pëlqen, çalaman është krejt gjyqësori shqiptar.

Është e ububushme: Nuk ka zezonë, nuk ka gjëmë, nuk ka mynxyrë, nuk ka fatkeqësi më të madhe për një popull, kur shikon se duhen gjykuar, duhen dëbuar a duhen çuar në “Hotel pa para” gati-gati gjithë gjyqësori kalbaq i tij.

Fati ynë që shpëtuam… Nuk e vunë re këtë gafë… Veç në çdo pikë kufitare…panik i kuq…

Domosdo, biletat ishin paguar. Hoteli ishte paguar.

Përfytyroni të të kthejnë në kufi në raste të tilla për paçavuren e noteres, e cila ishte paguar; ajo dhe teRRxhymenia a teRRxhymeni i saj…
Asnjë gjë nuk ke se ç’të bësh; te fjala noter fshihet fjala “not”. Ata janë notarë të aftë, dalin nga çdo situatë, dinë si t’ia dalin, te fjala teRRxhymen, domosdo, ai/ajo do të fshihej nëpër terr dhe ne do të digjeshim…
Veç edhe pak fat duhet të ketë robi… Dhe ky nuk na mungoi…
***

Autobusi vrapon si jaguar…Mbërrijmë në Prishtinë rreth orës 19. Atje na pret një VW – taksi 8-vendëshe e cila do të ishte zgjatim i autobusit gjer në Shkup. Rrugës shoferi qëndron në një lokal (Art, Sallë dasmash) se…kuptoni ju, na e paskësh marrë shumë uria. Aty, një mjedis i gjerë luksoz shërbente edhe si sallë dasmash. Zhvillohej një dasmë shqiptare dhe ne patëm fatin të shikonim nga larg për rreth një orë, gjer sa mbushi brirët dhe mullën shoferi, duke u afruar pranë hyrjes, një dasmë kosovare. Veshje të bukura, të imta, luks, llamburitje, tregime linjash pa kthesa të forta nga çikat shqiptare perri shtatselvi, të rinj e burra me plisa e me veshje kombëtare, fëmijët gjithashtu të veshur bukur e pastër, simbole tona kombëtare, muzikë që elektrizonte sallën, tek-tuk ndonjë veshje me ferexhe (shami)…

Nga njëra anë donim të rrinim sa më gjatë për ta soditur dasmën shqiptare, nga ana tjetër na bënte përshtypje pushimi i gjatë i shoferit të taksisë. Diç luante. Dikush i tha që të çohej…

– Ani, ja edhe pak se ju nesër do të fluturoni me ballon, he burrë – qe përgjigja e tij.

Rreth orës 21.30 vjen shoferi.

-A po ikim burra?

– Poooo, ne, njëzëri…

Pas pak, kalojmë Kaçanikun.

Tek po kalonim këtë qytet shqiptar me histori, m’u kujtuan vargjet e një kënge që këndohej tek ne para viteve 1990:
Hej Kaçaniku shkëmb e gurë,

Vritesh-pritesh për flamur,

Për Flamurin e Skënderit

Luftojnë trimat e Idriz Seferit…

Pas pak mbërrijmë në Hani i Elezit, pika kufitare me Maqedoninë.

Aty kontroll pasaportash…

Teksa ne prisnim të na kthehej pasaporta, taksisti hapi krahun duke ndaluar rreth 50 m. larg kabinës së kontrollit. Zbret shkathtësisht dhe merr drejtimin për nga kabina e kontrollit…

Prit pasaportë e pasaportë s’ka. Prit shofer, e shofer s’ka…

Kthehet shqipja…

(Këtu nis e ndërlikohet gjendja.)

Duhet me pagu – belbëzoi shoferi duke kruar rrashtën…

Çfarë me pagu, dokumentet janë të rregullta, ia priti njëri nga pasagjerët….

Këtë nuk mund ta ndanim nëse ishte loja e ndyrë e shqipos sonë, korrupsioni i policit të turnit të vonë (çka ne nuk e besojmë, por dorën në zjarr nuk e vëmë dot!) apo bashkëpunimi i pistë e i neveritshëm i tyre.

Po na hupte durimi. Unë zbrita për të shpirë pak këmbët. Dola para makinës (me targë 0…-90…- D…) dhe i bëra një fotografi…

Ne të gjithë rezistuam dhe e bëmë me fjalë që nuk do të paguanim asnjë euro me bindjen se dokumentet i kishim të sakta, të kopsitura. U orvat dikush të telefononte Dikë (me D të madhe), por nuk arriti…

Kur shoferi pas 4-5 ecejakesh makinë – kabinë kontrolli e kuptoi se nuk po i dilte gjë, u kthye dhe na tha me ton serioz:
Nuk ju lejojnë të kaloni, do kthehena mbrapsht. Fajin e keni ju që i keni mësu me pagu…” dhe i dha gaz makinës duke çarë me inat tisin nator. Pas disa sekondash, i dha vandakun e pasaportave pasagjerit ulur mbanë për t’i shpërndarë dhe tha se kishte paguar nga xhepi për t’i vulosur: “pagova une leka nga gjepi jem për juve…” Për një çast heshtje…, pastaj, një lab e theu: Shumë mirë bëre. Ta kishe bërë qysh në fillim kur e dije se ç’kërkojnë… Shoferi shtrëngonte timonin dhe vap ndërronte marshet njeri pas tjetrit. Gazin në dërrasë. Kërri (Makina) kuiste e angullinte si qen i goditur me kopaçe. Në fytyrën e tij si fund muaji, kthyer tashmë në surrat, lexohej mërzi-mllefi, dukej sikur i ishin mbytur gjemitë…
O shqipe, nesër do fluturojmë me aeroplan, s’është nevoja të ngutemi, i tha një bashkudhëtar…

Para mesnatës mbërrijmë në aeroport. Normalisht, duhej të na çonte në Shkup dhe prej andej duhej të merrnim dy taksi (ishim 8 veta; taksia Shkup – aeroport kushtonte 20 €). Kërristi ynë i ra nëpërmjet një rruge shkurt, na solli në aeroport dhe na kërkoi nga 10 € për person. Tashmë, nuk kundërshtuam. Mbërritëm shëndosh e mirë, s’i thoshin shaka…
***

Nuk e pamë të arsyeshme të shkonim në ndonjë hotel për 3-4 orë, sepse në orën 5:30 nisej aeroplani. Ndenjëm në stola nën simfoninë “Kzzz-bzzzz” të mushkonjave aeroportuale shkupjane…

Mezi pritëm gjer sa erdhi ora 04 kur nisi check-in-i (regjistrimi).

Kur erdhi radha jonë, punonjësi na pyeti edhe për sasinë e eurove që kishim me vete… Sigurisht, i treguam të vërtetën…

Në avion, ngaqë kishim kaluar një natë të bardhë, na kaploi gjumi….

***

Ora 08:15. Ulje e avionit në pistën dortmundase…

Pasi kryem formalitetet pa asnjë shqetësim dalim në liri të plotë….
***

Ditët rrodhën me shpejtësi tejzanore nëpër Nordrajn-Vestfalen (Dortmund, Bokum, Gelzenkirshen, Esen, Dyseldorf), madje edhe më tej, në ish-kryeqytetin Bon dhe në qytetin madhështor katedralesk, buzë Rinit, Këln…

Kudo magji, madhështi, rregull, gjelbërim, pastërti, bukuri, hijeshi, punë ditë edhe natë, sirena zjarrfikësesh dhe ambulancash…

(Edhe pse kemi shumë për të treguar, ndoshta një herë tjetër), Ballkani është ai që prodhon ngjarje e historiza e që na intereson më së shumti…)

***

Erdhi dita e kthimit….

Sërish në aeroport. Kontroll i rreptë. Kontroll i imtësishëm… Hapni çantën, zotëri. Tubeti i pastës së dhëmbëve nuk lejohet…. kontrolluesja e merr dhe… plluq në kosh….

Kaloni, fluturim të mbarë!

Hipim në avion. Niset…. dë-dë-dë….duke u dridhur lehtë nëpër pistë me shpejtësi gjer sa shkëputet nga toka dhe nis të përpijë e të çajë qiejt e kaltër gjermanë.

Pas mbi një orë e gjysmë, u shfaqen re dhe avioni përsëri dë-dë-dë në ajër…. Nisi të fluturonte si gallof (stërqok), me hope si qukapik…. Dukej sikur u shqiste reve… Shqetësime…frikë, panik…Dridhje më të forta nga ç’ndiem kur po ngrihej nga pista gjermane. Ata rreth e kokorreth meje qëlluan shqiptarë. Mos u shqetësoni! Hymë në Ballkan – u thashë dy shokëve majtas-djathtas dhe tre shqiptarëve përpara nesh.

Ku e di ti, me pyeti një tetovare me fytyrë të trandur.
Dridhje të tilla avioni ka vetëm në dy raste ia ktheva: o mbi trekëndëshin e Bermudës, o në qiejt e Ballkanit… Qeshën…. U ndien më të lehtësuar…Dridhjet në shumë pista tokësore janë, në mos të njëjta, më të dobëta se ato të ajrit qiellor ballkanas…

Avioni, pas pak minutash nisi të ulë sqepin drejt dheut maqedonas… Një brr-brr-brr kur preku pistën dhe një breshëri duartrokitjesh…

Fund shqetësimeve, fund frikës, fund panikut, fund edhe me formalitetet dhe dolëm jashtë për të hipur në autobusin e linjës Aeroport – Shkup.

***

Shkuam në sportel për të prerë biletat… Kishim vetëm euro…. Nuk na hynin drejtpërdrejt në punë… duheshin thyer; bileta pritej vetëm në monedhën vendase denar. 1 Euro = 54 denarë….

Bileta kushtonte afro 4 €. Shoferi i autobusit, shqiptar… I thamë që të zbrisnim në stacionin e autobusëve (Bus Station), stacioni i dytë nga aeroporti, një stacion i madh poshtë një ure gjigante, rreth 700 m. para se të mbërrish në qendrën e Shkupit). Donim të siguroheshim për nisjen e autobusit tonë në orën 18:10 për në Prishtinë. Në sportelin që u drejtuam qëlloi një zonjë maqedonase, shumë e sjellshme, e cila na përcolli te një kolege e saj shqiptare për t’u marrë vesh më mirë…

I thamë se kishim rreth 5 orë kohë të lirë. Dëshironim të shikonim Shkupin. Lavdi Zotit, atje kishte mundësi për të lënë bagazhet duke paguar nga 1 € për çantë. (Tek ne ende mungon një shërbim i tillë!!!)

Dhe u nisëm “të pushtojmë” Shkupin për disa orë…

***

Pasi kalojmë bri një qendre të madhe moderne tregtare (VERO Center), na pret gurgullima e lumit Vardar (disa herë më i madh se Lana kutërbuese e Tiranës), një lumë paqësor, i bukur, i disiplinuar që kalonte mes përmes Shkupit.

Dhe befasia na e paskësh pasur emrin… Shkup!

Diçka shumë e mirëpritur kur “nga ferra e vogël, del lepur i madh!”

***

Shkupi! Një margaritar ballkanik. Jehonë krishterimi në saje të një kryqi gjigant që ngrihej në majë të malit Vodno përmbi, dhe, atje ku mbaronte hija e tij teposhtë, nisnin gjuhët e hijeve të kishave të mirëmbajtura të brendaqytetit!

Shkupi! Me shkëlqim e vezullim mahnitës nën rrezet e arta të diellit, me pastërti kudo, me kafene të mbushura plot, me njerëz të qeshur, të rregullt, të pastër, shumë të gatshëm për të të ndihmuar (në tre raste që pyetëm shqip na e kthyen përgjigjen anglisht, duke e nisur me Sorry që nuk dinin shqip), me këmbësore (zonë e madhe ku nuk lejohet qarkullimi i automjeteve) të madhe, e cila tashmë shkelej edhe nga pllazet tona!

Shkupi perandorak, në qendrën e të cilit lartonte madhërisht, madhështisht dhe triumfalisht monumenti i rrallë e imponues i Aleksandrit të Madh (Александар Велики, Alexander the Great ) mbi Bucefalin (kalin e tij)!

Shkupi, kryeqyteti i Maqedonisë ku valëvitej e shpalosej kudo, mbi çdo ndërtesë të re me pamje madhështore e mbresëlënëse (vetëm!!!) flamuri maqedonas!

Shkupi rrezatues arti e kulture mbushur mbi ura e përreth me shtatore njerëzish të shquar (të panjohur për pjesën tonë më të madhe)! Shkupi i Vardarit me ura të bukura e të ndërtuara pranë e pranë, përgjatë të cilave lartojnë statuja, shtatore, skulptura të ndryshme personalitetesh maqedonas të artit, të kulturës, të kishës! Shkupi me vepra arti të ndryshme të bukura, me kuaj, me luanë, dema të denjë për t’u vendosur para bursës së Frankfurtit a Parisit.

Shkupi magjiplotë me kala, me muze, me teatër e operë moderne!

Shkupi me hotele luksoze si p.sh Marriott, hotel mjaft i njohur në botën perëndimore!

Shkupi me librari e me bukinistë mbanë Vardarit të krijonte përshtypjen se besonte në kryq dhe… te libri!

Vijon neser…