Gëzim Llojdia: Te ura në Drashovicë…

Aty ku fillon kufiri i krahinës së Labërisë

Reportazh

Sot, ura e Drashovicës lidh ende dy brigje. Është një urë betoni, me rreth tetë këmbë që mbajnë mbi supe një masiv të rëndë, me parmakë, shenja të kohës që ka kaluar. Por pavarësisht kësaj, ajo qëndron. Siç ka qëndruar gjithmonë. Rreth tridhjetë metra përballë saj ngrihet monumenti “Drashovicë 1920-1943”, një masiv me hark dhe shtatore bronzi, ku paraqiten dy figura simbolike të luftërave.

NOA

1.Ku gjendet kufiri i Labërisë?
Askush nuk mund ta tregojë me gisht. Këtu nuk ka gurë kufiri, as shenja, që ndajnë tokën me vijë të ftohtë. Labëria nuk fillon me një tabelë dhe nuk mbaron me një gardh. Kufiri i saj nuk vizatohet në pranon të fikët. Diku e ruan profilin e vet, të mjegullt e krenar, diku tjetër humbet, duke u shkrirë me relievin, me erën dhe me kohën. Jeton në memuare, në legjenda të thëna pranë oxhakut, në rrëfenjat e zhubrosura të krijimit popullor e folklorik. Aty ku fjala ka kaluar brez pas brezi, kufiri merr frymë.Herë pas here, silueta e tij rishfaqet e plotë në studime të imta, në shkrime të duruara historianësh e studiuesish. Por shpesh ekziston vetëm si nocion: një ndjesi e përbashkët, një vetëdije që nuk ka nevojë për prova. Brenda këtyre kontureve të padukshme, lëviz fjala e ëmbël dhe e rëndë njëkohësisht: Labëri.

2.
Është e vështirë të përshkruash imazhin e atij rripi toke që shtrihet me qindra kilometra në jug të vendit, ku mali flet me detin dhe guri ruan kujtesën e njeriut. Kufiri i kësaj krahine jugore nuk është një vijë ndarëse, por një udhëkalim. Një hapësirë ku koha ecën ndryshe, ku historia nuk mbyllet, por rrjedh. Labëria nuk ka kufi të mbyllur ajo ka vetëm një prag, ku hyn pa e kuptuar dhe mbetesh pa dashur. Dhe prej aty, e përshkruan mot pas moti si truall shpirti, jo thjesht si krahinë.
3.
Në Labëri, historia nuk rrëfehet vetëm me fjalë. Ajo këndohet. Dhe kënga labe, me polifoninë e saj të thellë, është ura më e fortë që lidh kohët. Ajo ngrihet mbi shekuj ashtu si ura e Drashovicës mbi Shushicë: e patundur, e përbashkët, e përjetshme. Urat këtu nuk kanë lindur vetëm nga nevoja për të kaluar lumin, por nga nevoja për të mos u ndarë. Siç bashkohen zërat në këngë, ashtu bashkohen brigjet nën harkun e urës. Isoja, e rëndë dhe e pandërprerë, mban peshën e melodisë, ashtu si gurët e urës mbajnë peshën e hapave. Mbi to kalojnë breza, por struktura mbetet.Ura e Drashovicës është prag këngësh. Këtu fillon Labëria, dhe bashkë me të fillon një mënyrë tjetër të foluri e të kënduari. Kush e kalon këtë urë, hyn në një truall ku fjala nuk shqiptohet lehtë dhe kënga nuk lind pa dhimbje. Zëri i parë ngrihet si kushtrim, i dyti e ndjek si rrëfim, ndërsa isoja i mban të gjithë, si toka që mban këmbët e burrave. Rrapet e Drashovicës, monumente të natyrës shqiptare, kanë dëgjuar më shumë këngë sesa fjalë. Nën hijen e tyre janë ngritur zëra labe në gëzim e në mort, në dasmë e në ndarje. Këngë që s’kanë pasur nevojë për letër, sepse janë gdhendur në kujtesë. Si gurët e urës, ato nuk lëvizin, vetëm rëndojnë.

Poshtë urës, Shushica rrjedh me ritmin e isos. Herë e ngadalshme, herë e vrullshme, por gjithnjë e vazhdueshme. Ujërat e saj zbresin nga Kurveleshi i Sipërm, nga thellësitë e masivit karstik, si zërat që dalin nga kraharori i burrave dhe mblidhen në një këngë të vetme. Rreth shtatëdhjetë e dy kilometra rrugëtim, që janë një këngë e gjatë, pa refren fundor.
3.Këtu, kufiri i Labërisë nuk matet me hapa, por me tinguj. Ai nuk shënohet në hartë, por në vesh. Dhe sa herë ngrihet isoja, qoftë në një dasmë apo në një mort, Labëria rishfaqet e plotë, si ura e Drashovicës mbi Shushicë: një lidhje, që nuk thyhet.Ura e Drashovicës ngrihet sot mbi Shushicë si një portë e lashtë. Ajo lidh brigje, por më shumë se kaq nuk , ndan botë. Këtu fillon Labëria, jo si tokë e zakonshme, por si truall nderi. Kush e kalon këtë urë, hyn në një hapësirë ku fjala peshon rëndë, ku kënga lind nga dhimbja dhe qëndresa nga nevoja.,Dhe poshtë kësaj ure…
4.Rrapet e Drashovicës, monumente të natyrës shqiptare, qëndrojnë si pleq të moçëm në anë të pragut. Me trungje të gjerë dhe rrënjë të thella, ata kanë parë shekuj të tërë të kalojnë mbi trungjet e tyre. Kanë parë burra me pushkë në krah e gra me fëmijë në gji, kanë dëgjuar kushtrime lufte dhe psherëtima malli. Në hijen e tyre janë marrë vendime që kanë ndërruar fat.

Poshtë urës, Shushica vërshon si një këngë e egër. Herë e qetë si mendimi i plakut, herë e tërbuar si zemra e trimave. Ajo zbret nga Kurveleshi i Sipërm, nga thellësitë e gurit, duke mbledhur ujëra të fshehura e duke i çuar drejt detit, ashtu si Labëria ka mbledhur gjakun, djersën dhe këngën e saj, për t’i derdhur në historinë e kombit. Shtatëdhjetë e dy kilometra udhëtim lumi, që janë një epope më vete.Këtu, ura nuk është beton dhe hekur. Ajo është një shenjë e përjetshme.Një prag ku historia nuk pushon së foluri. Kufiri i Labërisë nuk shënohet me gurë të ftohtë, por me kujtesë. Dhe kjo kujtesë, si lumi poshtë urës, nuk ndalet kurrë.
5.
Në këtë kufi natyror, do të duhej të qëndronte një pllakë dëftuese. Jo si shenjë ndarjeje, por si dëshmi hyrjeje. Te këmbët e urës së Drashovicës. Labëria nuk ka nevojë për shpjegime të gjata; emri i saj është përmbledhje historie.

“Labëri, sa të dua…” Kjo thirrje, e thënë ose e kënduar, është pasqyrimi më i saktë i lidhjes mes njeriut dhe krahinës. Në gjuhën e folklorit, ajo del e plotë, e zhveshur nga retorika, por e mbushur me ndjenjë. Në studimet historike, shfaqet si një nocion i thellë, i ndërtuar mbi shtresa kohe, sakrifice dhe vetëdije kolektive.
6.Në këtë pikë, fjala Labëri nuk është thjesht emërtim gjeografik. Ajo është një përmbledhje përvoje njerëzore. Nën sipërfaqen e saj fshihen breza që kanë jetuar, luftuar, kënduar dhe qëndruar. Dhe pikërisht këtu, në këtë kufi të padukshëm, ku lumi rrjedh dhe ura qëndron, emri merr kuptimin e vet të plotë. Këtu fillon Labëria. Jo sepse kështu e thotë një hartë, por sepse kështu e dëshmon kujtesa. Kur fjala shkruhet, ajo ftohet. Kur këndohet, bëhet histori.Labëria ka pasur fatin e rrallë që përpara se të matej nga studiuesit, të këndohej nga poetët popullor. Dhe në çdo fshat kishte nga 2-3 të tillë,kronikanë të çdo kohe.Vërtet s’kishte gazetë.Por kronika lindte aty.

7.Çajupi e ka thënë i pari, pa hartë dhe pa kufij, por me zemër të hapur:

“Labëri sa i dua,
pyjet e kodrat e tua,
ato gryka, ato male,
ku dhe zogu shkon ngadalë…”

Te Çajupi, Labëria nuk është territor, por përjetim. Grykat, malet, shkëmbinjtë “si thikë”, rrugët e dhive dhe frika që lind nga madhështia e natyrës janë portreti i një krahine që nuk të jepet lehtë. Ai e përshkruan siç është: e ashpër, e bukur dhe e rrezikshme për këdo që nuk e njeh. Kjo poezi, e shkruar në Egjipt më 1887, është një këngë malli, por edhe një hartë shpirtërore e Labërisë.

Sami Frashëri e sheh Labërinë nga brenda shpirtit të saj krijues, kur thotë shkurt e prerë:
Lebërit janë improvizatorë të rrallë.”
Një fjali e vetme që shpjegon këngën labe, fjalën e shpejtë, mendimin e mprehtë dhe aftësinë për ta kthyer jetën në varg, edhe në kushte të vështira. Por Samiu shkon më tej, duke i dhënë Labërisë shtrirje të gjerë gjeografike: nga Vjosa në lindje e verilindje, deri në brigjet e Jonit dhe Adriatikut në perëndim, e në jug deri te lumi Pavëll. Këtu Labëria del nga poezia dhe hyn në histori. Rrok Zojzi, etnograf i terrenit dhe i kujtesës popullore, në vitin 1962 e përkufizon Labërinë si trevë të shtrirë brenda tri urave: Drashovicës, Tepelenës dhe Kalasës pranë Delvinës. Ky përkufizim nuk është rastësor. Urat, sërish urat, si pragje identitare. Nga veriu, kufiri ndjek krahun e majtë të Vjosës, si një vijë natyrore që ndan, por edhe lidh. Studiues të tjerë e çojnë më thellë origjinën e emrit. Labëria, sipas tyre, lidhet me emrin e hershëm etnik arbër, përmes një ndryshimi fonetik që koha e ka gdhendur ngadalë. Arbër – Labër. Një shndërrim,që nuk e humb thelbin. Kjo trevë është toka e Kaonëve ilirë, e përmendur që në antikitet nga Tukididi, dhe më pas e fiseve arbëreshe mesjetare: Krisejve, Kurveleshëve të sotëm, Plesejve të Kardhiqit. N. Myrta e sheh Labërinë si një parabolë historike, një tkurrje e madhe territoriale nga epokat e trazuara ballkanike, por me vazhdimësi etnike dhe kulturore. Nga labeatët ilirë deri te labët e sotëm, ai sheh një vijë që nuk është këputur. Edhe Eqrem Çabej, me qartësinë e tij shkencore, e vendos Labërinë në Shqipërinë jugperëndimore, duke i përcaktuar kufijtë nga Lazarati, përgjatë Malit të Gjerë, Picarit, Tepelenës, Mesaplikut e deri në det. Dhe në këtë ndarje, ai e veçon Labërinë edhe si njërën nga ndarjet themelore të iso-polifonisë shqiptare. Kurveleshi, Mesapliku, Drashovica, Kudhësi, Lopësi, Kardhiqi, Bregdeti, Dukati – këto nuk janë thjesht zona etnografike. Janë zëra. Janë këngë, që mbajnë iso të përbashkët.Kështu, Labëria del përpara nesh jo si një krahinë e mbyllur në kufij administrativë, por si një hapësirë ku historia, kënga, fjala dhe qëndresa janë bërë një. Një trevë që është kënduar përpara se të shkruhej dhe që do të këndohet edhe kur hartat të ndryshojnë.
5.
Kënga labe nuk ndalet në kufijtë e ngushtë të krahinës.Ajo rrjedh përtej tyre, si një jehonë e thellë që gjen strehë në Zagorie, Lunxhëri, Malëshovë, në Rrëzë të Tepelenës, në Dragot, Kras, Izvor, Buz e deri në Mallakastër. Janë rrethinat e Labërisë, hapësira ku zëri i saj nuk është i huaj, por i njohur, i pranuar dhe i kënduar me të njëjtën frymë.Brenda kësaj bote këngësh dhe zakonesh, popullsia labe shfaqet e ndarë në besime, por e bashkuar në identitet: labë të krishterë në Rrëzën e Tepelenës, Zagori dhe në Bregdet, dhe labë myslimanë në bllokun qendror të krahinës. Këtu feja nuk e ka ndarë këngën. Isoja ka qenë gjithnjë më e fortë se çdo dallim.

Sot, sipas ndarjes administrative, Labëria përfshin rrethet e Vlorës, Sarandës, Delvinës, Gjirokastrës, Tepelenës dhe Mallakastrës.Por kjo është vetëm një ndarje zyrtare. Labëria e vërtetë shtrihet aty ku këndohet labçe, aty ku zëri merr hov nga kraharori dhe toka përgjigjet me jehonë. Polifonia labe mbetet një nga dukuritë më të mistershme të shpirtit popullor shqiptar. Ajo nuk mësohet në shkolla, por merret me frymë. Është instinktive, e lindur bashkë me njeriun e kësaj toke. Studiuesit e shpjegojnë me nota e struktura, por populli e di ndryshe: ajo vjen nga natyra, nga zërat e natës, nga gurët, nga mali dhe nga toka e Labërisë. Niko Zhupa, në librin “Fterra në shekuj, e përshkruan Labërinë si një botë të veçantë origjinaliteti folklorik: në veshje, në të folur, në qëndrim. Qylafi i bardhë me majë, tirqet e bardha, opingat me xhufka, fustanella me pala, llabania, sharku e guna e punuar me dorë -të gjitha këto nuk janë thjesht elemente veshjeje, por shenja identiteti. Ashtu si culat dyjare, fyelli, melodia baritore, guximi, besa, mikpritja, krenaria dhe ballëlartësia. Burra mal në këmbë dhe gra me shikim të thellë, të ashpër si shqiponja. Dhe kur historia kërkon zë, ajo e gjen te rapsodi. F. Brahimi i këndon Labërisë si tokë trimërie dhe qëndrese:

“Labëri të dua shumë,
si të gjithë Shqipërinë;
ti je bukë nga ai brumë
ku rriten trimat e mirë…”

Në këto vargje, malet, që rrinë si kala, lumenjtë që presin grykat, shqiponjat, dyfeku dhe emrat e Gjolekës, Zigurr Lelos e Sali, bëhen pjesë e një epopeje popullore. Një histori që nuk është shkruar vetëm në libra, por është kënduar në male, në oda dhe në luginat e Labërisë.

Kështu mbyllet ky udhëtim: Labëria nuk është thjesht një krahinë. Ajo është zë. Është këngë. Është kujtesë. Dhe sa herë ngrihet kënga , kufiri i saj rishfaqet, i gjallë dhe i paprekshëm, mbi urat, malet dhe zemrat e njerëzve.
6.
Ura e Drashovicës mban mbi vete histori që nuk janë shuar. Ajo nuk është vetëm kalim, por dëshmi. Duke rrëmuar në memuaret e historisë dhe duke shfletuar faqet e zverdhura të folklorit të krahinës, emri i saj del vazhdimisht përpara, si një gur i palëvizshëm në rrjedhën e kohës. Që nga Lufta e Parë Botërore, në Luftën e Vlorës, e më tej në Luftën e Dytë Botërore, ura e Drashovicës shënohet si tregues i qëndresës shqiptare përballë pushtuesve fashistë e nazistë. Ajo u bë pikë përplasjeje, prag lufte, vend ku historia u shkrua me barut dhe gjak. Në një material të shkruar para viteve ’90 thuhet se luftimet në Drashovicë filluan në orën 22:00 të datës 5 qershor 1920. Çeta e Sali Vranishtit rrethoi garnizonin armik. U kap rob një motoçiklist. U vra një kapiten. Urdhri ishte i prerë: “Sulmoni llogoret!”Gunat u shtruan mbi telat me gjemba. Trimat kapërcyen pengesat dhe u hodhën në llogore. Dy orë luftime të ashpra, dhe pushtuesi u dorëzua. Kjo ishte Drashovica e vitit 1920: një pikë ku vendosmëria mposhti armën.

Viti 1943 do ta gjente sërish urën në zjarr. Në Luftën e Dytë Botërore, përleshjet pranë saj shënuan përplasjen e parë frontale të formacioneve partizane shqiptare kundër pushtuesit nazist. Beteja e Drashovicës, e zhvilluar nga 15 shtatori deri më 4 tetor 1943, u kthye në një faqe të ndritur të historisë së rezistencës. Nazistët pësuan humbje në njerëz dhe armatime, ndërsa ura u bë sërish dëshmitare e një epoke të përgjakshme. Por Labëria nuk e la këtë histori vetëm në dokumente. Ajo e ktheu në këngë.Folklori lab e ruajti betejën me vargje që digjen ende:

“Çet’ e Rrëzës u vërvinë,
kapetan kishnë Salinë,
të keq trima, vetullëzinë,
majave, vreshtave hynë…”

Dhe më tej:

“Atje te Hani në grykë,
te ura në Drashovicë,
qëllon topi Italisë…”

Në këto vargje, ura nuk është më objekt. Ajo bëhet skenë lufte, vend ku topat gjëmojnë dhe trimëria ngrihet kundër perandorive.

Edhe poetët modernë e kanë parë Drashovicën si pikë reference të historisë. Koçi Petriti shkruan:

“Unë i shoh gjithë urat,
nga ura e Bushtricës,
ja, ura e Qabesë,
ja, e Drashovicës…”

Ndërsa rapsodi P. Barjamaj e ngre urën në nivel epopeje:

“O Drashovicë me derte,
o e gurta Drashovicë,
faqe historisë i mbete,
historisë së Shqipërisë…”

Ai e sheh të mbuluar me tym baruti, të krahasuar me Trojën e lashtë, dhe e shpall vend ku lavdia është skalitur ballë për ballë me kohën. Kështu, ura e Drashovicës del përpara nesh jo si beton e gur, por si monument i gjallë. Një urë ku kaluan jo vetëm njerëz, por epoka. Ku historia nuk u shkrua vetëm nga fitimtarët, por u këndua nga populli. Dhe sa herë përmendet emri i saj, Labëria e ndien veten më të fortë, më të plotë, më të pavdekshme.
7.
Labëria shtrihet brenda tri urave: Urës së Drashovicës, afër Vlorës; Urës së Kalasës, afër Delvinës; dhe Urës së Vjosës, afër Tepelenës.

Këto nuk janë thjesht pika gjeografike. Janë pragje kujtese. Janë vendkalime ku historia, kënga dhe njeriu takohen. Ura e Drashovicës, më e njohura ndër to, mban mbi vete shtresat e kohës. Në një fotografi të vjetër dallohen varrezat e ushtarëve italianë, varreza tipike katolike, me kryqin e madh dhe gurët e qemerit. Në atë imazh, lumi Shushicë duket i turbulluar dhe ujëshumë, sikur edhe uji të mbante brenda vetes trazimin e atyre viteve. Një dëshmi e heshtur e historisë së përgjakur që ka kaluar këtu. Në gjuhën popullore, kjo vepër quhet thjesht: Epopeja 2-3. Monumenti është projektuar nga Petrit Hazbiu, arkitekt dhe biri i Kadri Hazbiut, vetë pjesëmarrës në luftimet e Drashovicës, aty ku, sipas këngës popullore, u plagos edhe H. Kapo:

“Moj Mavrovë e Drashovicë,
ç’hata bëre atë ditë…”

E megjithatë, këtu, pranë urës dhe monumentit, mungon ende diçka e vogël, por domethënëse: një pllakë dëftuese. Një shenjë që t’i tregojë udhëtarit se aty, sapo ka shkelur, ka hyrë në krahinën më të madhe të jugut të vendit. Jo për të ndarë, por për të dëshmuar. Sepse ky shkrim nuk synoi të përshkruajë gjithë Labërinë. Ai preku vetëm kufirin e fillimit të saj. Një kufi simbolik, që nuk vizatohet me vijë, por me urë. Dhe kjo urë, si të tjerat, nuk ndan brigje por  i bashkon. Labëria fillon këtu. Dhe vazhdon kudo ku këndohet labce, ku fjala mbahet dhe ku historia nuk harrohet.