Paris-Barcelonë, shpërthen lufta për Lionel Messin, rebelohen katalanasit

132
Sigal

Lufta ka filluar. Duhen edhe 2 javë për eliminatoren në Ligën e Kampionëve mes Barcelonës dhe PSG-së, por skuadrat kanë nisur betejën mes tyre. Sa më shumë afrohet data e ndeshjes, aq më shumë shtohen deklaratat, të cilat e kanë origjinën në Paris. Ronald Kuman e ka humbur qetësinë dhe u tha “mjaft” francezëve, të cilët po nxehin akoma më shumë situatën në prag të eliminatores së Champions-it në fazën e 1/8-ave. Trajneri holandez i konsideroi këto deklarata si mungesë respekti ndaj katalanasve.

Gjithçka e ka fillim në dëshirën që PSG-ja ka shfaqur për të transferuar Lionel Mesin në fundin e sezonit. Që nga momenti kur “Pleshti” dhe katalanasit u krisën, Parisi po bën gjithçka që ta bindë për të luajtur sezonin e ardhshëm në Francë. Deklaratat, ftesat dhe joshjet nuk kanë të ndalur dhe i kanë hapur dyert për numrin 10 të Barcelonës. I pari që foli në mënyrë të hapur ishte Nejmar, i cili siguroi se vitin që vjen do të luajnë bashkë. Në atë moment u interpretua si një kalim i Nejmarit në Barcelonë, por braziliani është duke rinovuar kontratën me PSG-në.

Pastaj drejtori Leonardo rezervoi një karrige në tavolinën e bisedimeve me Mesin dhe trajneri Poçetino foli për Leon. “Futbollistë si Mesi janë gjithmonë në listën e PSG-së. Do të ishte bukur ta stërvitja”, tha argjentinasi. Madje mediat franceze si “Le Parisien” thonë se Poçetino pranoi të drejtonte klubin vetëm sepse vuri në listën e dëshirave Mesin dhe drejtuesit thanë se do të bënin gjithçka. Paredes gjithashtu ftoi Mesin, ndërsa i fundit ishte Di Maria, mik i Leos. “Ka shumë mundësi që Leo të vijë te PSG-ja”, tha ish-lojtari i Realit. Kjo deklaratë bëri që Kuman ta humbte qetësinë dhe të mbronte interesat e klubit të tij përpara PSG-së. Më parë e ka bërë edhe kandidati Joan Laporta, i cili ka akuzuar francezët për mungesë respekti ndaj Barcelonës.

Por kjo histori është thjesht kapitulli i radhës në një “konflikt” që ka nisur shumë larg. Kjo armiqësi është ndërtuar si brenda ashtu edhe jashtë fushave të lojës. Në fushë, kur Barcelona arriti të bënte një nga përmbysjet më epike në Champions. Pas humbjes 4- 0 në Francë arriti të fitonte 6- 1 në Barcelonë. Në zyra rivaliteti ka nisur me transferimin e Nejmarit nga Barça drejt PSG-së dhe këta të fundit krenohen me blerjen më të shtrenjtë të historisë së futbollit. Ishte fundi i MSNsë së famshme dhe një goditje për krenarinë katalanase. Për këtë arsye këta të fundit janë të trembur sepse e dinë çfarë mund të bëjë Al Khelaifi. Gjithçka do të bëhet më e nxehtë kur të zhvillohen 2 ndeshjet.