Ditë kuqezi në Izrael, “hakmarrje” që sjell qetësinë

621
Nga Agron KAJA
IZRAEL-SHQIPËRI 0-3/ Mbyllet ndeshja me një dopietë të Sadikut dhe golin e Memushajt, autokritikë e ndeshjes në Elbasan
Dje ishte data 11 qershor 2017, por një vit më parë, pikërisht më 11 qershor 2016, Kombëtarja shqiptare debutoi në Evropianin e Francës me një humbje 0-1 ndaj Zvicrës, ndeshje që u luajt në stadiumin e Lensit. Dhe si për koincidencë të datave, kur kanë kaluar 12 muaj nga ajo ndeshje, Shqipëria zbriti dje në fushë, por këtë herë ndaj Izraelit dhe në një situatë krejt ndryshe. Vinte pas pesë humbjeve resht dhe me një situatë aspak pozitive, ndërsa e fitoi këtë sfidë me një rezultat bindës 3-0. Kështu, Shqipëria ka arritur të marrë një fitore fantastike 0-3 në Haifa, duke u hakmarrë ndaj Izraelit pas humbjes së pësuar me të njëjtin rezultat, në nëntor 2016 në Elbasan. Kuqezinjtë e drejtuar nga Xhani De Biazi kanë zhvilluar një ndeshje të shkëlqyer teksa e kanë dominuar kundërshtarin që nga fillimi i takimit. Nëse e krahasojmë këtë fitore me atë humbje në “Elbasan Arena”, pse të mos aludojmë se diçka mund të ketë lëvizur nga faktorë të tjerë. Ndoshta skeptikët mund të aludojnë edhe për këtë fitore të Kombëtares sonë, por duke ju referuar kronikës, ajo foli për të dyja skuadrat, duke mos lënë shumë shtigje për të “qëmtuar” minuta që bënin diferencën ndryshe në lojë. Ndërkohë, duke ju referuar efikasitetit në finalizim, me rastet e krijuara skuadra jonë u tregua më e saktë, u tregua edhe më e qetë, duke treguar se ka brenda profesionalizëm që di të kalojë situata të vështira. Pas pjesëmarrjes në Evropian vitin e kaluar, Shqipëria i nisi mirë këto kualifikuese, duke fituar dy ndeshje radhazi, 2-1 me Maqedoninë në Shkodër dhe në Luksemburg 2-0. Por, nga data 9 nëntor kur na “shkeli” Izraeli, gjurma e tij ishte e rëndë, duke krijuar një situatë ku dyshimet më të mëdha u hodhën mbi trajnerin De Biazi. Kështu, me këtë fitore, Shqipëria mbyll ecurinë negative prej 5 humbjesh radhazi dhe ngjitet në vendin e 3-të në grup me 9 pikë, njësoj sa Izraeli, por me golavarazh më të mirë. Po dje, Spanja dhe Italia bënë detyrën duke fituar ndeshjet e radhës. Spanjollët mundën në shtëpi Maqedoninë 2-1, ndërkohë që Italia u tregua e pamëshirshme ndaj Litehshteinit duke e mundur 5-0. Ndeshjet e radhës do të luhen më 2 shtator 2017, ku Shqipëria pret Litehsheinin, një ndeshje teorikisht të fituar, ndërsa rivali për vendin e tretë në Grupin G, Izraeli pret Maqedoninë
E diel 11 qershor 2017, ora 20:45 në stadiumin “Sammy Ofer” të Haifas në Izrael
IZRAEL-SHQIPËRI 0-3
Shënues: Sadiku 22’, 44’, Memushaj 71’
IZRAELI (1-4-4-2): Goresh, Dasa, Tibi, Tzedek, Tvatha, Naço, Golasa (Shehter 53’), Kohen, Rafaelov (Vered 57’), Sahar (Benajun 67’), Zahavi. Trajner: Elisha Levi 
SHQIPËRIA (1- 4-1-4-1): Strakosha, Hysaj, Gjimshiti, Mavraj, Aliji, Kukeli (Veseli 82’), Roshi (Lila 53’), Abrashi, Memushaj, Hyka, Sadiku (Cikalleshi 70’). Trajner: Xhani De Biazi
GJYQTAR: Aleksei Kulbakov (Bjellorusi) 
KARTONË: Lila 57’
MINUTA TË VEÇANTA
12′ Rast i rrezikshëm nga Naço, i cili tenton portën me një gjuajtje nga larg larg, por Strakosha arrin ta devijojë topin në goditje këndi.

15′ Paralajmëron Sadiku, me një goditje të rrezikshme nga jashtë zonës, topi i elbasanlliut pritet nga portieri izraelit.

22′ GOL 0-1. Kombëtarja e Shqipërisë kalon në avantazh. Roshi i pason Sadikut një top te hyrja e zonës së rreptësisë, ky godet fort drejt portës duke e përfunduar topin në rrjetën e Goresh.

34’-35’ Zahavi e Rafaelov kanë mundësi shënimi. I pari tenton me një goditje me kokë brenda zonës, por Strakosha kontrollon i qetë topin, dhe Rafaelov me një goditje brenda zonës, e kalon topin jashtë kuadratit të portës sonë.

44′ GOL 0-2. Përsëri shënon Armando Sadiku, këtë herë një gol pas një goditjeje të fortë jashtë zonës, topi pushon në këndin e poshtëm të portës.

55′ Izraeli e fillon fuqishëm pjesën e dytë, dhe është Sahar që me një goditje brenda zonës kërkon golin, por topi devijohet nga Mavraj, përplaset në shtyllë dhe përfundon në korne.

65′ Presioni i izraelitëve mbetet te zona jonë, Dasa tenton me një goditje diagonale nga hyrja e zonës, por pret Strakosha në zhytje e sipër.

71′ GOL 0-3. Shqipëria gjen golin e tretë. Ka qenë një kombinim i saktë mes Cikalleshit e Hysaj, ky i fundit pason saktë në zonë për Memushajn, i cili përcolli topin në rrjetën e portës së Izraelit.

83′ Strakosha bën një fluturim e një grushtim të bukur, pasi Zahavi me një goditje të rrezikshme nga hyrja e zonës, kërkoi golin. Portieri ynë e grushtoi topin, duke e devijuar në korrne.
Kupa e Botës Rusi 2018 
Grupi G-Shqipëria
Ndeshja e luajtura
Datë 5 shtator 2016
Shqipëri-Maqedoni 2-1
Datë 6 tetor 2016 
Lihteshtein-Shqipëri 0-2
Datë 9 tetor 2016
Shqipëri-Spanjë 0-2
Datë 12 nëntor 2016
Shqipëri-Izrael 0-3
Datë 24 mars 2017
Itali-Shqipëri 2-0
Ndeshje dje
Datë 11 qershor 2017
Izrael-Shqipëri 0-3 
Maqedoni-Spanjë 1-2
Itali-Litenshtein 5-0

RENDITJA
Nr. Skuadra N P 
1.Spanja 6 16
2.Italia 6 16
3.Shqipëria 6 9
4.Izraeli 6 9 
5.Maqedonia 6 3
6.Lihtenshtein 6 0
Ndeshje që do të luhen
Datë 2 shtator 2017
Shqipëri-Lihtenstein 18:00
Datë 5 shtator 2017
Maqedoni-Shqipëri 20:45
Datë 6 tetor 2017
Spanjë-Shqipëri 20:45
Datë 9 tetor 2017
Shqipëri-Itali 20:45
Ndeshje të tjera, dje
Finlandë-Ukrainë 1-2
Irlandë-Austri 1-1
Moldavi-Gjeorgji 2-2
Islandë-Kroaci 1-0
Kosovë-Turqi 1-4
Serbi-Uells 1-1
Psikologjia e De Biazit para ndeshjes!
Nëse dje, italianit të bankinës së Kombëtares sonë i duhej pak më shumë qetësi për ta menaxhuar sa më mirë fitoren kundër Izraelit, ndoshta ai nuk ka qenë në nivelin e duhur. Kjo kishte edhe një arsye, sepse në media u bë publik lajmi se, De Biazi e humbi shansin për t’u mbuluar me para, pasi skuadra kineze Jiangsu zyrtarizoi si trajner Fabio Kapelon, me 10 milion euro rrogë. Para disa ditësh, në mediat italiane u përfol se pronarët e Interit po planifikonin t’i besonin Xhani De Biazit drejtimin e skuadrës së tyre në Kinë, Jiangu Suning, ku trajneri i kombëtares shqiptare doli në skenë nga drejtori i përbashkët sportiv i Interit dhe Jiangusë, Valter Sabatini, i cili dëshironte një italian në krye të skuadrës, për ta pasur më të thjeshtë bashkëpunimin. Megjithatë, De Biazi vazhdon të qëndrojë në krye të kuqezinjve, teksa dje në mbrëmje e drejtoi ekipin në fitoren kundër Izraelit.
Fanellat e fatit, dhe të “hakmarrjes”!
Dje, Kombëtarja ndryshoi fanellën, ku e provoi realisht fatin me fanellat e bardha. Është për herë të parë me këtë fanellë, që pas prezantimit të modelit të ri të uniformave nga ana e Macron. Pas tre ndeshjesh me fanellën e parë kuqezi, ndaj Italisë, Bosnjës dhe Luksemburgut, të tria të humbura, dje ishte radha e fatit duke mbajtur mbi supe fanellën e dytë. Fanellat e fatit, dhe të “hakmarrjes”!
Në “Loro Boriçi”, Turqia shkatërron Kosovën
Mbrëmë, në stadiumin “Loro Boriçi”, sfida mes Kosovës dhe Turqisë e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës “Rusia 2018” ka sjellë një humbje të thellë për skuadrën kosovare. Turqit fituan 4-1, ku golin e vetëm për Kosovën e shënoi Ramadani, duke e mbajtur skuadrën të palëvizur në renditjen e Grupit I me vetëm 1 pikë.
Sigal