Sigal

Sulmuesi i PSG-së, Neymar mund të përballet me 6 vite heqje lirie nga Gjykata Kriminale e Spanjës për shkak se akuzohet për mashtrim gjatë transferimit të tij në Barcelonë në vitin 2013 nga Santosi, sipas asaj që shkruan e përditshmja spanjolle “La Vanguardia”.

Braziliani aktualisht luan për kampionët në fuqi të Francës, ku u bashkua nga Barcelona verën e vitit të kaluar për shumën rekord 222 milionë euro. Në vitin 2017, në Spanjë kishte filluar procesi gjyqësor për të hetuar transferimin e tij nga klubi i të rinjvë në Santos ishte i rregullt apo jo, teksa ky kalim kishte ndodhur në vitin 2013 pas katër viteve në Santos si lojtar i ri.

Por, tani procesi gjyqësor ka kaluar nga Gjykata Kombëtare në Gjykatën Kriminale, ndaj kësaj herë, sulmuesi do të ulet para tre magjistratëve, ku nënkupton se dënimi do të jetë serioz, dhe La Vanguardia zbulon se braziliani do të mund të dënohet nga katër deri në gjashtë vjet nëse lojtari shpallet fajtor.

Klubi katalanas fillimisht pretendonte se kishte paguar vetëm 17.1 milionë euro për Neymar, megjithatë gjyqtari Jose Maria Vazquez Honrubia ka hapur një proces gjyqësor për këtë rast, teksa seanca gjyqësore zbuloi se Barcelona kishte paguar rreth 40 milionë euro në paga duke e arritur kështu një marrëveshje jashtë Gjykatës, raporton SportPlus.

Megjithatë, Josep Maria Bartomeu, ka zbuluar se katalonasit kishin paguar 86.2 milionë euro për të. Kjo deklaratë bëri që kompania braziliane DIS të pretendonte se Barcelona e kishte blerë Neymarin me 40% zbritje, shumë kjo që kompania thotë se ende nuk e ka marrë të gjithën.

Gjykata e Lartë e Spanjës kërkon që Bartomeu të mbajë përgjegjësi menaxheriale së bashku me ish-presidentin e klubit të atëhershëm, Rosell, edhe pse atëherë kishte qenë vetëm zëvendës-president.

Gjithashtu, një fakt që bie në kundërshtim me rregullat e transferimit është se atë kohë zyra e prokurorit ka thënë se marrëveshja mes Barcelonës dhe kompanisë braziliane ua kishte mohuar mundësinë klubeve të tjera që ta blejnë futbollistin.