Majlinda Kelmendi, një yll që do të bëhet kampione, por…

532
Sigal

Post-Olimpiada/Trajneri e braktis kampionen e garës pas humbjes?!

Një imcake e urtë, e heshtur, ku forca i duket tek sytë dhe buzëqeshja serioze të impononte respekt jo vetëm për rezultate e shkëlqyera, por edhe për t’u ndier mirë e krenar me shqiptare të tilla, ajo ishte një luleborë e ndritshme në atë ambient sportiv të ngatërruar me shumë persona dhe shumë interesa. Majlinda, parë në aspektin politik është simboli i “Shqipërisë së Madhe”, në përfaqësimin e parë zyrtar të Kosovës-Shqipëri në një aktivitet kaq madhor. Në fakt, Majlinda është kampione, do të dilte medaliste, e meritonte një medalje. Do të na i japë këtë medalje, të jeni të sigurt, por për të arritur aty nuk mjafton entuziazmi patriotik, atdhetar por duhet profesionalizmi sportiv, duhet një profesionalizëm serioz dhe i mirëmenduar, me program afatgjatë dhe shumë cilësor. Kam kohë që e ndjek nga afër Majlindën, por si në Londër dhe aq më shumë në  Ambasadën tonë, kam parë dhe ndier gabimin e parë  dhe më të madh të ushtruar ndaj saj. Ajo ishte e qetë, por ndihej se mbi shpatull i binte një përgjegjësi e madhe, të gjithë e bombardonin me ngarkesa psikologjike, disa me epitete kombëtare, të tjerë me festën e 100-vjetorit. Asnjë nuk mendonte se Majlinda është e re dhe nuk mund të ngarkohet pafundësisht psikologjikisht!

Natyrisht fjalimet e presidentes së Kosovës dhe Kryeministrit shqiptar ishin një mal me përgjegjësi për supet e njoma të kësaj sportiste në kufirin e fundit të një adoleshence, që e ka bërë më të rritur dhe më të përgjegjshme, aq sa ajo i përjetonte duke u dridhur fjalimet politike të tyre, pa kuptuar se ato ishin konsum për elektorat dhe jo një sportiste kalibri.

Ajo, u etiketua si sinonim i Pavarësisë, si heroina shqiptare, si guri themeltar i bashkimit të sportit mbarëshqiptar, si dallëndyshja e Kosovare e Olimpiadave etj., etj.! Sinqerisht duke dëgjuar dhe parë bombardimin e saj nga zyrtarë sportivë, politikë dhe qytetarë u tmerrova dhe unë dhe jo ajo dhe përse një kreshnike e vërtetë. (Po kështu edhe unë e fillova këtë shkrim plot patetizëm). Pra e gjithë kjo hyrje do të thotë: Majlinda Kelmendi nuk bëhet kampione se shkon në shkallët e stadiumit apo ndeshje Presidentja Jahjaga, kryeministrat Thaçi dhe Berisha, Ministrat e sporteve dhe Kryetarët e komiteteve olimpikë respektivë, por duke i krijuar asaj infrastrukturën sportive, psikike, stafin, mbështetjen financiare, të marrësh një medalje si ajo që pretendon Majlinda  dhe ja kërkojnë politika shqiptare e mbarë kombi duhen PARA! PARA! MJEK! PSIKOLOG! PËRGATITËS ATLETIKE! FORCE! Gjimnastike! Duhet metodikë dhe stërvitje moderne! Jo në një muaj, por në mënyrë konstante, jo me fjalë por me një suport real ambicioz dhe aspak politik.

Sporti ka ndryshuar, ai nuk bëhet me fjalë, premtime elektorale, militantizmi dhe burokracira por me një stërvitje afatgjatë. Natyrisht, jam i prirur të respektoj trajnerin e saj nga ana profesionale, por do ta përjashtoja përgjithnjë me atë veprim antisportiv, antiprind, aspak profesional, jo vetëm që nuk ndërhyri ta këshillonte pas avantazhit prej 10pikësh, por kur Majlinda  humbi ai u largua duke e lenë në dëshpërimin e saj të thellë, të madh, falë një objektiv të parealizuar, ai u largua! Dhe e tradhtoi  kampionen  madhe, për minuta të tëra atje në tapet, duke rrezikuar dhe ndonjë ndëshkim? Nuk e di se çfarë trajneri është ky, dhe as kam pyetur, por një luftëtare e madhe si Majlinda, se humbi një ndeshje nuk tradhtohet për çfarë do lloj emocioni, angazhimi, sepse  përgjegjësia shumëplanëshe e tij ishte vetëm në raport me Maljinda Kelmendin! Dikush më tha se e ka familjar të vetin? Aq më keq pro jo vetëm në aspektin sportiv por edhe atë familjar gabim i madh. Përtej kësaj them, se shpesh kemi parë kualitete fisnore, bashkëshortësh nëpër sportin shqiptar, personalisht nuk jam për stafe familjare, por për stafe teknike të specializuar, aq më shumë në grumbullime, ku krijohet një  trajtim dhe regjim krejt i veçantë, aspak familjar.

Majlinda ndoshta humbi edhe për faktin se në radhën e parë ku ajo do garonte,  u ulën personalitetet më të larta politike dhe sportive, dhe kjo një ndikim negativ, jo vetëm në aspektin psikologjik, por edhe ndoshta i kanë tërhequr vëmendjen dhe  çorientuar në momentin e garës. Ishin 208 vende garuese , nuk pamë nga as një vend Presidentë e Kryeministra, ministra e drejtorë pranë një garuese si tek Majlinda? Çfarë të them? Kështu jemi ne, kështu janë politikanët shqiptar? Shkurt, Majlinda humbi sepse delegacioni i saj sportiv ishte politik, familjar, atdhetar dhe aspak i sportiv i specializuar, që do të thotë në Olimpiadë duhet shumë, por shumë fare vizion e metodikë, stërvitje e infrastrukturë, stafe dhe para dhe shumë më pak politikanë që duan dhjamë edhe nga “pleshti-sport”.

Përse Majlinda nuk realizoi objektivin sportiv? Personalisht them se ajo fitoi e vetme duke na bërë krenar për dinjitetin dhe  besimin se shumë shpejtë, apo në Brazilin e sambës dhe futbollit ajo do bëhet medaliste, por i krijoni kushte dhe e lini  të qetë, por i siguroni staf që të dijë ta ngrejë mbi humbjen, ta analizojë atë  dhe ti mësoi se çfarë mundësish ka, por  jo staf, që kur ka sukses ja marrin pjesën e Luanit dhe kur humbet një betejë, qoftë dhe si kjo humbje e rëndë e Olimpiadës e  braktisin të tradhtuar në tapet. Majlinda është një kampionë e madhe, ajo nuk ka luksin dhe talentin Isinbajevës, as kompaninë e marketingut të saj, që për të takuar Isinbajevën m’u desh prenotimi përpara tre muajsh nëpërmjet agjencisë, Majlindën e takojmë të gjithë e mbushim me lajka dhe ngarkojmë psikologjikisht, por ajo nuk ka stafin që do ta bëjë kampione! Dhe tek staf jemi të gjithë, por më shumë se kushdo Qeveria e Kosovës, personalitetet e sportit të Kosovës, sponsorët e Kosovës me Behxhet Pacollin në krye dhe media etj.

Epoka e medaljes së Majlinda Kelmendit ka filluar që përpara dy javësh, ajo duhet të jete e përditshme, në çdo moment dhe me mjaft profesionalizëm, por e them në radhë të parë personat përgjegjës duhet të ndërrojnë mentalitet për ta bërë kampione jo me patetizma dhe ideologjizma, me politikanë e farefis por me sportivitet!