Edmond Kapllani, SMS nga Gjermania për De Biazin

419
Sigal

Ish-sulmuesi i Kombëtares shënoi dy gola në fitoren 2-0 të FSV Frankfurtit ndaj Ingolshtadtit

Sulmuesi shqiptar EdmondKapllani shënoi dy golat e fitores 2-0 të FSV Frankfurtit të tij në transfertën e Ingolshtadtit, në ndeshjen e vlefshme për javën e 3-të të Bundesligës së 2-të në Gjermani, duke i “dërguar një SMS” trajnerit të Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, pasi italiani nuk e ka pasur në planet e tij. “Ne ishim shumë efektiv në vijën e parë dhe qëndruam kompakt në fazën mbrojtëse. Kjo na dha shumë vetëbesim gjatë lojës”, – deklaroi Kapllani pas ndeshjes. Ish-lojtari i Kombëtares realizoi nga një gol në çdo pjesë loje: në minutën e 42-të dhe të 78-të, duke i dhënë fitoren e dytë skuadrës së tij, që tani ndodhet në kuotën e 7 pikëve pas tri ndeshjeve të para. Një javë më parë, FSV Frankfurti fitoi 3-1 me Hertën e Berlinit. FSV Frankfurti vërtetoi edhe në Ingolshtadt trendin pozitiv në fillim të këtij sezoni. Edmond Kapllani, i cili u ble këtë verë nga klubi, pas përfundimit të kontratës me Augsburgun, vendosi edhe duelin kundër skuadrës nga Bajerni i Sipërm, me dy golat e tij të parë për klubin e ri. Në fakt, Ingolshtadt e dominoi takimin, por nuhatja e Kapllanit, i cili shfrytëzoi dy rastet e krijuara nga ekipi i tij, i lanë vendasit pa pikë. Trajneri i FSV Frankfurtit e nisi takimin me dy ndryshime në formacion në raport me ndeshjen e fituar kundër në Kupën e Gjermanisë kundër Grosaspahut, ku Huber dhe Kapllani u hodhën në fushë në vend të Roshit dhe Verhoek. Sulmuesi shqiptar Edmond Kapllani ishte personazhi i ndeshjes, madje atij iu mohua edhe një 11-metërsh, kur u frenua në zonë nga Mijatoviç në minutën e 12-të. Pas disa rasteve të Ingolstadtit, FSV Frankfurti shkaktoi surprizën e parë: në minutën e 42-të, “xhokeri” Yelen ekzekutoi një goditje të lirë dhe, Kapllani nga një distancë prej shtatë metrash, i gjendur i pambuluar përdori armën e tij më të fortë, kokën, duke i çuar shifrat në 1-0, me të cilën u mbyll edhe pjesa e parë. Në pjesën e dytë, vendasit patën sërish shanse për të barazuar, Mijatoviç mund të kishte shënuar me kokë në minutën e 54-t, por Kapllani i bëri surprizën e dytë Ingolstadtit. Durrsaku realizoi në minutën e 78-të, pas një krosimi të Teikserës, duke mbyllur edhe llogaritë e takimit. Menjëherë pas golit të dytë, Kapllani u zëvendësua për arsye taktike nga trajneri Beno Mohlman, por ky u fundit i dha një përqafim të fortë, përpara se durrsaku të ulej në bankinë. Në këtë takim, mesfushori i Kombëtares shqiptare, fieraku Odise Roshi, luajti si zëvendësues nga minuta e 80-të. Javën e ardhshme, FSV Frankfurti do të presë në shtëpi Erzebirge Aue, me të cilën sezonin e kaluar aktivizohej kavajasit Skerdi Currit.