Sezoni i ri tashmë ka trokitur në “derën” e Abissnet Superiore, dhe FSHF-ja ka përveshur mëngët me masat e saj përgatitore.
Pasi prezantoi disenjatorin e ri të arbitrave, menjëherë shpalli edhe axhendën e ndeshjeve në 5 javët e para. Në calendar është përcaktuar që kampionati Abissnet Superiore 2026-2027 të fillojë më 21 gusht 2026 me ndeshjen Vllaznia-Skënderbeu.
Në këtë kampionat nuk do të kemi skemën e dështuar “Final 4” që u aplikua tre sezone rresht, por do kemi një skemë tjetër. Edhe në këtë sezon marrin pjesë 10 skuadra: KF Egnatia, KF Vllaznia, KF Partizani, FK Dinamo C, AF Elbasani, KF Teuta, KF Tirana, KF Vora, KF Laçi dhe KF Skënderbeu.
Ky kampionat do të luhet me 3 faza me 27 javë, por me një skemë ndryshe nga sezoni i kaluar. Pas përfundimit të fazës së dytë, skuadrat do ndeshen sipas skemës së FSHF-së dhe pas javës së 27-të, skuadrat do të ndahen në dy grupe, bazuar në renditjen përfundimtare. Pikët e grumbulluara gjatë fazës së rregullt do të përgjysmohen përpara nisjes së fazave play-off dhe play-out.
Gjashtë skuadrat e renditura në vendet e para do të kualifikohen në fazën play-off, ku do të zhvillojnë ndeshje me sistem vajtje-ardhje, me një total prej 10 javësh garë. Skuadra që renditet në vendin e parë në përfundim të kësaj faze do të shpallet kampione e edicionit 2026/2027.
Katër skuadrat e renditura në vendet nga 7 deri në 10, do të marrin pjesë në fazën play-out ku do të luajnë me sistem vajtje-ardhje-vajtje, në një total prej 9 javësh garë. Skuadra e renditur në vendin e fundit në përfundim të fazës play-out do të bjerë automatikisht në Kategorinë e Parë. Dy vendet e para të Kategorisë së Parë në përfundim të këtij sezoni ngjiten automatikisht në “Abissnet Superiore”.
Ekipet e renditura në vendet e 3, 4, 5 dhe 6 të Kategorisë së Parë, në fazën play-off do të zhvillojnë ndeshje sipas skemës 3 vs 6 dhe 4 vs 5. Fituesit e këtyre dy çifteve do të përballen në një finale dhe fituesi i kësaj finaleje do të ngjitet në kampionatin “Abissnet Superiore” në sezonin e ardhshëm.
Ndërsa skuadra tjetër finaliste do të zhvillojë një finale me skuadrën e renditur e parafundit në fazën play-out të “Abissnet Superiore”. Fituesja do të sigurojë pjesëmarrjen në “Abissnet Superiore”. Dhe nisur nga historia mes këtyre 10 skuadrave, por edhe nga realiteti, ruleta e sezonit 2026-2027 që shënon edhe kampionatin e 88-të, do të nisë këtë rrugëtim i cili do të mbyllet më 9 maj 2027. Start të mbarë edicionit të ri!
Skema e re synon ta mbajë garën të hapur deri në javët e fundit, për titullin kampion dhe për mbijetesën. Disa risi e ndryshime do ta bëjnë edhe më konkurruese garën: 1.Nuk do jetë skema e “Final 4”; 2.Superiore do të luhet me një format të ri; 3.Hapësirë e detyruar për talentet e rinj; 4.Do luhet në orare të reja për organizim më efikas; 5.Klubi më pranë komunitetit
Asnjë skuadër në tre Prefekturat e Jugut të Shqipërisë nuk merr pjesë në Abissnet Superiore 2026-2027. Nga Prefektura e Fierit, e Vlorës dhe e Gjirokastrës, skuadrat janë “fshehur” në kampionatet inferiore, në Kategorinë e Parë dhe në të Dytën. Lushnja, Apolonia, Flamurtari dhe Luftëtari, sot mendojnë “… Na ishte një herë në Superiore …”. Skënderbeu mbetet “luftëtari” i vetëm i Shqipërisë së Jugut në Abissnet Superiore. Kjo është shtrirja gjeografike e Superiores 2026-2027.





















