Lamtumirë Mirjan Hakani

809
Jemi mbledhur, në një ditë të tillë të trishtuar, për t’i dhënë lamtumirën e fundit, mikut tonë dhe kampionit të madh Mirjan Hakani, që u nda nga jeta, pas një sëmundjeje të rëndë. Cili prej nesh, që ka njohur dhe ka jetuar me Mirin, do ta besonte një gjë të tillë, teksa ai ishte gjithmonë më i qeshuri, më i dashuri, më këmbëngulësi, më palodhuri. Por jeta me të papriturat e saj, ashtu siç i dha suksesin, e bombardoi vitet e fundit edhe me një seri sëmundjesh. Derisa më në fund ai, u dorëzua sot, 7 dhjetor 2015, ndaj gdhirë, duke lënë pas trishtim dhe boshllëk. Mirjan Hakani, lindi në prill të vitit 1961, në një familje të nderuar. Babai i tij, Hyseni ishte ndër regjisorët më të njohur të kinematografisë shqiptare dhe mëkoi tek Miri, këmbënguljen dhe kulturën ndërsa nëna Merushja, repektin dhe dashurinë ndaj miqve dhe shokëve. Gjatë gjithë jetës së tij, Miri iu përkushtua tre gjërave që i quante të rëndësishme: Familjes, sportit dhe miqve të panumërt, të cilët i deshte dhe respektonte si rrallëkush. Sportin e peshëngritjes Hakani e filloi në 1971 pranë klubit “Tirana”, ku ishte dhe kampion me pionierët dhe të rinjtë. Në 1979 theu 8 rekordet e para kombëtare me ekipin përfaqësues. Ka qenë kampion dhe rekordmen për 17 vjet, duke vendosur 164 rekorde kombëtare. Për 10 vjet ka fituar në anketën e 10 sportistëve më të mirë të klubit “Tirana”, ndërsa në anketën e 10 sportistëve më të mirë të Shqipërisë ka fituar në vitet 1982, ‘83 dhe ‘84. Ka marrë titujt e lartë “Mjeshtër Sporti” në 1983 dhe “Mjeshtër i Merituar i Sportit” në 1990. Ai është fitues i 8 medaljeve të arta në veprimtaritë ndërkombëtare dhe fitues i dy medaljeve të arta në spartakiadat kombëtare. Ka mbaruar Institutin e Lartë të Kulturës Fizike në 1983. Ka punuar për 2 vjet në Institutin e Arteve si pedagog dhe më pas vazhdoi punën për 10 vjet si mësues i edukimit fizik në shkollën “Mihal Grameno”, ku dhe përgatiti palestrën e parë të sportit. Në 1991 u emërua si mësues i edukimit fizik në shkollën e mesme të përgjithshme “Ismail Qemali”, ku arriti të realizojë kompleksin e parë sportiv në Shqipëri, me sallë force, aerobie, ping – pongu, salla e lojërave me dorë dhe kabinetin e fizioterapisë. Ndërsa në mjediset jashtë u ndërtuan fusha volejbolli, basketbolli, minifutbolli, tenisi, si dhe për herë të parë sistemin e ndriçimit për fushat jashtë. Për këto merita, i është dhënë titulli “Mësues i Merituar”. Në 1993 filloi punë pranë Bashkisë të Tiranës si Drejtor i Sportit dhe menjëherë realizoi palestrën e parë të peshëngritjes në klubin “Partizani”. Është marrë me rikonstruksionin e plotë të stadiumit “Selman Stermasi”, rikonstruksionin e sallës së lojërave me dorë “Fahrie Hoti” si dhe realizoi këndin e hedhjes në stadiumin “Qemal Stafa”. Ka realizuar të gjitha spektaklet artistiko-sportive si ndeshjet e futbollit “gazetarë – artistë”, “politikanë – artistë”, “pozitë – opozitë”, “Për ty Kosovë”, “Faleminderit NATO”, etj. Është ideator i spektakleve artistiko-sportive si “Nata e Yjeve”, “Sportistë, yje, njerëz”, “Lamtumirë, miqtë e mi”, “Yjet e basketbollit”, “Yjet e futbollit”, si dhe realizoi veprimtarinë e parë artistiko – spotive në Kosovë. Në 2000 u emërua drejtor në Agjensinë e Shërbimit të Sportit, ku ka dhënë gjithë kontributin e tij, në drejtim të ngritjes së nivelit të sportit shqiptar. Ështe dekoruar nga Presidenti Moisiu me titullin “Mjeshter i Madh”. Në 2009, ai u emërua Drejtor Ekzekutiv i klubit “Partizani”, ku dhe vazhdonte të jepte kontributin e tij në sport deri në fund të jetës së pasur sportive. Largimi i Mirjan Hakanit nga jeta do të lerë një boshllëk të madh për familjarët, bashkëshorten Linën që i qëndroi pranë dhe u kujdes për të gjatë gjithë kësaj periudhe të gjatë dhe të rëndë të sëmundjes dhe fëmijët. Kjo ishte një humbje e madhe për të afërmit dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë. Për shokët dhe miqtë e pafund që sot janë të trishtuar për të. Ai do të mbetet gjithmonë, në mendjen e të gjithëve si Mirjani i qeshur e i papërsëritshëm. Si një prind i dashur, bashkëshort shembullor, mik i shtrenjtë dhe shok besnik. Lamtumirë kampioni i papërsëritshëm! Lamtumirë njeriu i mirë Mirjan Hakani!
Tritan Kokona


Fjalë ngushëllim nga Agim Çiraku, botues i “Telegraf”
Largimi i Mirjan Hakanit nga jeta do të lerë një boshllëk të madh për familjarët, bashkëshorten Linën që i qëndroi pranë dhe u kujdes për të gjatë gjithë kësaj periudhe të gjatë dhe të rëndë të sëmundjes dhe fëmijët. Kjo ishte një humbje e madhe për të afërmit dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë. Për shokët dhe miqtë e pafund që sot janë të trishtuar për të. Ai do të mbetet gjithmonë, në mendjen e të gjithëve si Mirjani i qeshur e i papërsëritshëm. Si një prind i dashur, bashkëshort shembullor, mik i shtrenjtë dhe shok besnik.
Sigal