INTERVISTA/ Ilir Lame: Asnjë skuadër nuk ka bërë diferencën, në katër javë kemi një nivel mesatar në lojë

659
Sigal

Nga Agron KAJA

Flet për “Telegraf” ish-futbollisti i Partizanit dhe i Kombëtares, ja fokusi i tij për ndeshjet e javës së katërt në Superiore

Kategoria Superiore ka luajtur katër javët e para, çfarë kanë prezantuar 10 skuadrat në këto 360 minuta lojë?

Unë mendoj se të gjitha skuadrat nuk kanë prezantuar ndonjë ndryshim të veçantë nga sezoni i kaluar. Këtu vetëm Skënderbeu duket konstant dhe mbetet skuadra për tu mundur, me gjithë problematikën që ka. Skuadrat e tjera janë thuajse të njëjta si në sezonin e kaluar.

Cilat skuadra mendoni se janë në pritshmëri, dhe cilat kanë zhgënjyer në këto katër javë të para?

Nga skuadrat që renditen nga kreu, Flamurtari mund të quhet zhgënjyes, kryesisht në dy ndeshjet e fundit. Ndërkohë që në skuadrat që renditen në fund, Luftëtari më shumë e Tirana më pak kanë zhgënjyer. Në këtë grup, Teuta duket një skuadër e mirëorganizuar.

Java e 4-t u luajt në shtrirje tre-ditore dhe u shënuan 9 gola, është shifër e kënaqshme kjo?

Shënimi i 9 golave në 5 ndeshje të Kategorisë Superiore, është një shifër shumë e dobët. Kjo ndodh sepse në të gjitha skuadrat nuk ka lojtarë tipikë për shënimin e golit. Veç Rexhinaldos te Kukësi, të tjerët nuk janë sulmues “race”, sikundër edhe kërkon elita.

Në këto katër javë të luajtura, sa ndikim kanë dhënë te skuadrat afrimet e reja që ato kanë bërë gjatë merkatos së verës?

Të gjitha skuadrat kanë bërë afrime në këtë merkato vere, por në këto katër javët e para asnjë emër nuk ka bërë diferencën. Kjo tregon se përforcimet nuk janë shumë cilësore, por të nivelit mesatar, ndaj edhe ndikimi nuk është i ndjeshëm, Ndoshta duhet pritur edhe disa javë.

Sa ndikoi terreni i rënduar në stadiumin “Flamurtari” të Vlorës, në ndeshjen e fundit të javës së 4-t, Flamurtari-Skënderbeu 0-2?

Terreni ishte i njëjtë për të dyja skuadrat, dhe në këtë këndvështrim, mendoj se nuk pengoi asnjë skuadër në rezultat. Por, që ishte një fushë shumë e dobët, kjo duhet parë nga FSHF-ja, sepse nuk mund të pretendojmë për lojë cilësore, dhe lojtarët rrezikohen shumë nga dëmtimet.

Siguria në stadium është bërë një problematikë e re në këtë sezon, është e aftë Policia Private të menaxhojë ndeshjet pa Policinë e Shtetit?

Atmosfera në futbollin shqiptar, e tregoi në javën e parë në Korçë se nuk është gati me Policinë Private në stadium. Ne jemi vend me problematika të thella në shumë sektorë të jetës, dhe në stadiume nuk mundet ta mendojmë aktualisht mungesën e Policisë së Shtetit.

Ndeshjet e javës së 5-të nisin të premten me sfidën Partizani-Flamurtari, si ish-futbollist i të kuqve, ju si e parashikoni?

Pavarësisht rezultateve në javën e katërt, sfida mes Partizanit e Flamurtarit do të jetë e luftuar. Të dyja këto skuadra kanë prodhuar gjithmonë ndeshje interesante dhe me emocion, ndaj edhe këtë herë mendoj se tradita do të ndërthuret me realitetin, për të pritur një ndeshje të vërtetë elite.

Ndeshjet-Java e pestë

Datë 21 shtator 2018

Partizani-Flamurtari    19:45

Datë 22 shtator 2918

Luftëtari-Teuta            15:45

Skënderbeu-Tirana      18:45

Datë 23 shtator 2018

Kastrioti-Laçi              15:45

Kukësi-Kamza                        18:45

RENDITJA

Skuadrat        Nd       P

  1. Skënderbeu 4 10
  2. Kukësi 4 7
  3. Partizani 4 7
  4. Flamurtari 4 7
  5. Kamza 4 6
  6. Laçi 4 6
  7. Teuta 4 5
  8. Tirana 4 4
  9. Kastrioti 4 3
  10. Lufëtari 4 0