Gol, penallti e humbur dhe karton i kuq/ Ndodh gjithçka në derbin Partizani-Tirana

127
Sigal

Është mbyllur pjesa e parë e derbit Partizani-Tirana e vlefshme për javën e 6-të të Kategorisë Superiore.

Bardheblutë e kanë mbyllur fraksionin e parë të lojës në avantazh 1-0 edhe pse me një futbollist më pak. Një pjesë e parë me shumë ngjarje teksa gjithça nisi në minutën e 21-të. Patrick  hyn në zonë dhe merr një pasim në qendër por pastaj rrëzohet pas një kontakti me Matondo, Xhaja bën shenjë që loja të vazhdojë ndërsa më pas pret përgjigjen edhe nga VAR. Ai vendos që të shkojë të shohë vetë pamjet, teksa 2 minuta më vonë akordon penallti për bardheblutë.

Penalltinë e merr përsipër Xhixha, por portieri i të kuqve Rexhepi bën mrekullinë duke shmangur golin. Ndërkohë në minutën e 37-të Tirana mbetet me 10 futbollistë. Lulaj ndalon Skukën në kufijtë e zonës teksa po nisej drejt portës. Xhaja bën shenjë që loja të vazhdojë dhe vetëm pasi topi del jashtë, një minutë më vonë, shkon të shohë pamjet me VAR. Pas verifikimit të pamjeve, ai i nxjerr kartonin lojtarit të bardhebluve si i fundit në momentin e aksionit.

Megjithatë, teksa pritet fishkëllima e arbitrit, Tirana shënon me anë të Xhixhës pas një kundërsulmi perfekt dhe një dalje të gabuar të Rexhepit.