Bledar Dura: Kampionati është bërë konkurrues, me rezultate të papritura

KATEGORIA E PARË/ Ish-portieri dhe kapiteni i Besës, Bledar Dura, analizon 10 javët e kësaj kategorie

Agron KAJA

NOA

Kategoria e Parë mbylli këtë fillim javë të gjitha ndeshjet e javës së 10-të, ku veçohen fitoret në transfertë të Besës në Gjirokastër, dhe ajo e Kastriotit në Kukës. Të gjitha këto sfida kishin brenda tyre edhe surprizën, apo edhe zhgënjimin, të veçanta këto që për ish kapitenin e portierin e Besës, Bledar Dura, janë dhe do të jenë të pranishme. Për gazetën “Telegraf”, specialisti i futbollit shqiptar u shpreh se kjo javë kishte ndeshje me rezultate që edhe nuk priteshin. “Mendoj se Kategoria e Parë është duke e ngritur nivelin e lojrave që po zhvillohen, përderi sa aty luajnë skuadra kampione të Superiores, fituese të Kupës dhe Superkupës së Shqipërisë. Në përbërjen e kësaj kategorie, për këtë sezon që luajti javën e 10-të, janë 11 skuadra që kanë luajtur në elitën e futbollit tonë. Ndaj do thoja se Kategoria e Parë është një kampionat i paparashikueshëm dhe konkurrues, si dhe me rezultate të papritura.. Këtu përmënd barazimin 2-2 të Ilirisë me Burrelin, dhe fitoren në Kukës nga Kastrioti. Ndoshta edhe humbja e Lushnjës në Laç në minutat e fundit nuk pritej. Shënimi i 17, një shifër e lartë kjo që tregon forcën konkluduese para portave kundërshtare”, kështu e nisi dje bisedën ish-kapiteni i skuadrës kavajase, i cili u ndal edhe tek ecuria e Besës pas disa rezultateve zhgënjyese në javët e para të kampionatit. “Unë mendoj se dora teknike e trajnerit Shpëtim Duro ka nisur të japë rezultate. Skuadrën ai e morri në javën e tretë, dhe tashmë dy fitoret rresht janë një sinjal i mirë për ngjitjen në tabelë. Me këtë ecuri, Besa nuk e nisi si skuadër që do të ngjitet në elitë, por do ketë ngjitje në tabelë. Prova më e mirë do jetë në ndeshjen e javës së 11-të me Laçin, e cila njëherësh do të mbyllë edhe fazën e parë të kampionatit. Kjo është ndeshje delikate, por do luhet në fushën e saj dhe këtu besoj se edhe tifozeria vëndase do ta tregojë mbështetjen në shërbim të fitores së skuadrës”. Pas ndeshjeve të javës së 11-të që do mbyllin edhe fazën e parë të Kategorisë së Parë, kampionati do të ndërpritet për dy javë, dhe këtë hapësirë Dura e mendon pozitive për të gjitha skuadrat. “Unë fillimisht do fokusohesha te ndeshja e radhës Besa-Laçi, e cila duhet fituar si për moralin, ashtu edhe për pikët dhe fitoren ndaj një kundërshtari të fortë për ngjitjen në Superiore. Dy javët që do të pushojnë skuadrat pa ndeshje zyrtare, do kenë mundësi të rikuperojnë dëmtimet, apo edhe rregullime brenda skuadrave”, kështu e analizoi dje Bledar Dura situatën e skuadrave në Kategorinë e Parë.

ATMOSFERË KUQEZI

Rrëfehet Silvinjo, ka porosi të veçanta për të rinjtë

Trajneri i Kombëtares sonë, Silvinjo, dje zhvilloi një takim me futbollistët e Elite Youth Development Academy, ku ndau rrugëtimin e tij si futbollist dhe si trajner.

Ai u ndal te fillimet e tij si futbollist, momentet e rëndësishme me klubet që ka luajtur, vështirësitë e hasura, si dhe eksperiencën e drejtimit të Kombëtares këto tre vite. “Në futboll kam bërë një rrugëtim të gjatë, me trajnerë të ndryshëm, nga të cilët kam mësuar shumë. Për mua, pjesa më e vështirë si futbollist ishte menaxhimi i momenteve kur nuk luaja mirë, ose jo, dhe kur nuk luaja fare. Nuk është e lehtë, sepse ndjen një frustrim të brendshëm, e rëndësishme është të mos e transferosh te shokët e skuadrës, trajneri apo pjesëtarët e tjerë të stafit. Besoni te vetja juaj, nëse duhet të qani, qani, nëse duhet të qeshni, qeshni, bëni më të mirën e mundshme. Ka ditë ku gjërat nuk shkojnë mirë, është njerëzore. Por duhet të përgatitesh për ditën tjetër, pa u ankuar kurrë”, ishin këto disa nga porositë e Silvinjos në këtë takim.

Botërori “Brazil 2027” për vajza, Shqipëria njeh kundërshtaret

Kombëtarja e vajzave njohu dje rivalet në kualifikueset e Botërorit “Brazil 2027”. Në shortin e hedhur, Shqipëria është pozicionuar në grupin B1, ku do të përballet me Uellsin, Çekinë dhe Malin e Zi. Ndeshjet kualifikuese do të zhvillohen sipas sistemit vajtje-ardhje dhe sipas kalendarit të UEFA-s. Takimet kualifikuese do të nisin në shkurt 2025 dhe sfidat përmbyllëse do të luhen në qershor. Pas ndeshjeve kualifikuese, do të nisë faza Play-off. Trajneri Armir Grima do ketë këto vajza përbërje: Portiere: Viona Rexhepi, Antigoni Hyska; Mbrojtëse: Alma Hilaj, Arbenita Curraj, Endrina Elezaj, Arbiona Bajraktari, Sara Maliqi, Katerina Simoni, Aglia Iliadhi, Matilda Gjergji, Armera Tukaj; Mesfushore: Qëndresa Krasniqi, Megi Doçi, Esmeralda Franja, Mikaela Metalla, Luçije Gjini, Gresa Berisha, Fortesa Berisha, Vesa Paqarizi; Sulmuese: Diellza Istrefaj, Kristina Maksuti, Mimoza Hamidi, Valentina Troka, Klea Hamonikaj. Suksese vajzave kuqezi!

 

Trajneri Bicaj i bindur: Veprime tendecioze nga arbitrat

Pas ndeshjes me Laçin, trajneri i Lushnjës, Ditmar Bicaj, deklaroi se barazimi do të ishte rezultati më i drejtë i takimit. Tekniku u shpreh se Laçi fitoi me ndihmën e gjyqtarëve, dhe këtë ai e pohoi dje për gazetën “Telegraf”. “Po, sepse si rrodhi takimi, më vjen keq për mënyrën e gjykimit. Në karrierën time nuk jam marrë dhe nuk do merrem me arbitrat, por më vjen shumë keq për ato veprime tendencioze ndaj ekipit të Lushnjës. Barazimi do të ishte rezultati më i drejtë”.

KATEGORIA E PARË

Ndeshjet-Java e 10-të  

E hënë, 3 nëntor 2025

AF Luftëtari-Besa                   1-2

Iliria-Burreli                            2-2

Kukësi-Kastrioti                      0-1

Laçi-Lushnja                           2-1

Pogradeci-Apolonia                1-0

Skënderbeu-Korabi                 3-2

RENDITJA    

Skuadrat                    Nd       P

1.Skënderbeu              10        25

2.Laçi                          10        20

3.Pogradeci                 10        18

4.Iliria                          10        16

5.Burreli                      10        13

6.Apolonia                  10        13

7.Kastrioti                   10        10

8.Besa                         10        10

9.Korabi                      10        10

10.AF Luftëtari           10        9

11.Lushnja                  10        9

12.Kukësi                    10        5