Pirdeni: Model i ri vendimmarrjeje në administratën publike, synojmë rekrutimin e profesionistëve

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni deklaroi se rritja e atraktivitetit të administratës publike dhe tërheqja e profesionistëve në fushat prioritare mbeten ndër objektivat kryesore të Qeverisë.

Në një konferencë me gazetarët, Pirdeni tha se administrata publike duhet të tërheqë jo vetëm kandidatë për pozicione vakante, por edhe profile profesionale të nevojshme për fazën e zhvillimit të vendit dhe procesin e integrimit evropian.

NOA

“Ne jo vetëm duam të rekrutojmë, por duhet të kemi edhe ata që duan t’i bashkohen administratës publike dhe të jenë pjesë e këtij rrugëtimi historik të Shqipërisë”, u shpreh Pirdeni.

Ajo bëri të ditur se aktualisht ka mesatarisht rreth 23 kandidatë për çdo pozicion pune në administratën publike, por theksoi se nevojitet forcimi i kapaciteteve në sektorët ku kërkohen ekspertiza të veçanta.

Sipas saj, Shqipëria po punon për evidentimin e profesioneve që janë në mungesë në administratë, me qëllim hartimin e një strategjie të dedikuar për rekrutimin e profesionistëve në fushat që lidhen me politikat publike dhe zbatimin e legjislacionit të Bashkimit Evropian.

“Synimi është që, në një periudhë afatmesme, të rekrutojmë në administratën publike profesionistë përgjatë gjithë spektrit të politikave që duhet të mbulojmë sot si vend aspirant për anëtarësim në BE dhe nesër si vend anëtar”, tha Pirdeni.

Sipas ministres Pirdeni, ligji synon të standardizojë funksionimin e institucioneve publike, por edhe të sjellë një ritëm dhe model të ri vendimmarrjeje në administratën publike.