Zëvendëspresidentja e Zambisë, Mutale Nalumango, ka shpëtuar pa lëndime pasi helikopteri me të cilin udhëtonte u rrëzua gjatë një turneu elektoral në verilindje të vendit.
Ngjarja ndodhi pranë qytetit Nakonde, ndërsa në bord ndodheshin tetë persona. Sipas zëvendëspresidentes, helikopteri u rrëzua vetëm një ose dy minuta pasi ishte ngritur në fluturim.
“Menjëherë pas ngritjes, një ose dy minuta më vonë, ai u rrëzua. Ishim tetë veta në bord dhe të gjithë jemi mirë”, tha Nalumango në një intervistë për televizionin online Diamond TV.
Pas incidentit, 71-vjeçarja iu nënshtrua kontrolleve mjekësore dhe, sipas qeverisë, nuk ka pësuar lëndime. Edhe shtatë personat e tjerë që ndodheshin në helikopter dolën pa dëmtime serioze.
Fotografitë e publikuara në rrjetet sociale tregojnë helikopterin e bardhë të përmbysur, pasi dyshohet se u përplas me një pemë menjëherë pas ngritjes.
Aksidenti ndodh pak javë përpara zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në Zambi, të planifikuara për 13 gusht. Presidenti në largim, Hakainde Hichilema, konsiderohet gjerësisht favorit për të siguruar një mandat të dytë në krye të vendit. Autoritetet pritet të nisin hetimet për të përcaktuar shkaqet e rrëzimit të helikopterit.




















