Abuzimet në zgjedhje, shpopullimi dhe krimi i organizuar, raporti i KE ‘nxin’ qeverinë shqiptare

Progres-raporti për Shqipërinë/ BE: S’ka anëtarësim pa sundim të ligjit e luftës kundër trafikut të drogës e grupeve kriminale, garantimit të lirisë së medias, të drejtën e pronës dhe zbatimin e plotë të reformave kyçe drejt anëtarësimit në BE.

Komisioni Europian publikoi progres-raportin për Shqipërinë. BE është tejet kritike mbi ndërhyrjet e qeverisë në gjyqësor, që sipas saj përbëjnë shqetësime serioze Për 11 maji theksohet se partia në pushtet përdori gjerësisht burimet administrative dhe institucionale dhe rrjetin e patronazhit. Teksa qeveria shqiptare ka bërë “vesh të shurdhër” ndaj rekomandimeve të bëra nga ky institucion për forcimin e lirisë së shprehjes gjatë tre viteve të fundit

Komisioni Evropian (KE) ka publikuar këtë të martë progres-raportin për Shqipërinë, teksa ka nxjerrë në pah disa problematika serioze në fushën e funksionimit të institucioneve demokratike, ekonomisë dhe luftës kundër krimit të organizuar.Nga zgjedhjet e 11 Majit, te emigrimi masiv dhe sfidat sociale, raporti evidenton një sërë problematikash, teksa thekson se reformat kyçe mbeten të pjesshme dhe sfidat strukturore të pazgjidhura.

NOA

11 maji: Garë e pabarabartë, partia në pushtet përdori burimet e shtetit dhe patronazhistët

Komisioni Europian publikoi progres-raportin për Shqipërinë. Aty theksohet se partia në pushtet përdori gjerësisht burimet administrative dhe institucionale dhe rrjetin e patronazhit. Në raport

thuhet se terreni i garës ishte i pabarabartë. Më poshtë pjesë nga raporti i BE. Kuadri i përgjithshëm lejon zhvillimin e zgjedhjeve që janë përgjithësisht të lira dhe të ndershme. Zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 11 maj 2025, pas një reforme të pjesshme zgjedhore, rezultuan në një mandat të katërt radhazi për partinë qeverisëse. Përfundimet paraprake të misionit vëzhgues të Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE)/Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) vërejtën se zgjedhjet ishin konkurruese dhe u zhvilluan profesionalisht, por identifikuan disa mangësi, përfshirë mungesën e një terreni të barabartë dhe keqpërdorimin e burimeve publike. Reforma e pjesshme zgjedhore ndryshoi Kodin Zgjedhor, por nuk adresoi një numër rekomandimesh të vjetra të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias. Nevojitet një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse.

Kodi Zgjedhor u ndryshua në korrik 2024 dhe shkurt 2025, duke iu përgjigjur pjesërisht vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, dhe pasqyrohet në zgjedhjet parlamentare të majit 2025: ndryshimet mundësuan votimin jashtë vendit, ndryshuan sistemin e votimit preferencial, rritën kufijtë e shpenzimeve të fushatës, modifikuan afatet zgjedhore dhe trajtuan kohën e transmetimit për kandidatët. Megjithatë, nevojiten ndryshime të mëtejshme në kuadrin zgjedhor për të adresuar rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe për t’u përafruar më tej me standardet demokratike.

Zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 11 maj 2025 panë Partinë Socialiste të siguronte 53.2% të votave, që përkthehet në 83 ulëse në Parlament, nga 74 sa kishte në legjislaturën e mëparshme. Koalicioni i udhëhequr nga Partia Demokratike mori vetëm 32.9% të votave, duke rënë në 50 ulëse, nga 63 në legjislaturën e mëparshme. Ndër partitë më të vogla, Shqipëria Bëhet siguroi një ulëse, Partia e Mundësisë dy ulëse, Partia Socialdemokrate (PSD) tre ulëse, dhe Lëvizja Bashkë një ulëse.

Përfundimet paraprake të misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR treguan se zgjedhjet ishin konkurruese dhe u zhvilluan profesionalisht, por në një mjedis shumë të polarizuar dhe konkurrentët nuk shijuan një terren të barabartë. Megjithatë, kandidatët në përgjithësi ishin në gjendje të zhvillonin fushatat e tyre lirshëm. Prezantimi i votimit jashtë vendit u menaxhua mirë dhe u konsiderua gjerësisht si një zhvillim historik zgjedhor.

Struktura e Specializuar Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) miratoi një strategji për të hetuar korrupsionin zgjedhor. Mekanizmi i ri i koordinimit mes SPAK, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe Prokurorisë së Përgjithshme çoi në ndarjen më të mirë të informacionit mbi krimet zgjedhore dhe u pa si një faktor i mundshëm pengues. Ndryshime të kufizuara në financimin e fushatës janë zbatuar që nga viti 2020, me rekomandimet kryesore të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias që mbeten të pazbatuara.

Megjithëse shumica e partive politike nënshkruan një kod vullnetar të sjelljes për fushatat digjitale para fushatës, disa konkurrentë shpërndanë përmbajtje ndarëse, diskriminuese dhe manipuluese. Përpjekjet e monitorimit mbetën të kufizuara në shkallë dhe efektivitet. U vërejtën gjithashtu zhvillime shqetësuese, veçanërisht fakti që partia qeverisëse përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve administrative dhe leverdi institucionale, si dhe shqetësime për ndikimin e rrjeteve të patronazhit.

Qeveria ka ushtruar presion ndaj drejtësisë

Në disa prej konstatimeve të progres-raportit, BE është tejet kritike mbi ndërhyrjet e qeverisë në gjyqësor, që sipas saj përbëjnë shqetësime serioze. Në disa prej konstatimeve të progres-raportit, BE është tejet kritike mbi ndërhyrjet e qeverisë në gjyqësor, që sipas saj përbëjnë shqetësime serioze, veçanërisht ‘reagimet e paprecedentë publike dhe përpjekjet për të ushtruar presion nga degët ekzekutive dhe legjislative kundër Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë’.Me tone të ashpra, progres-raporti flet edhe për Parlamentin, që sipas Komisionit Evropian, nuk arriti të zbatojë disa vendime të Gjykatës Kushtetuese brenda afatit të caktuar.‘Në një opinion mbi këtë çështje, Komisioni i Venecias konfirmoi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese ishin të detyrueshme për të gjitha organet shtetërore, përfshirë Parlamentin. Parlamenti ende nuk e ka ndjekur këtë opinion të Komisionit të Venecias’, thuhet në progres-raport.Problem BE-ja sheh pasigurinë ligjore, lidhur me përfundimin e mandatit të dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Sonila Bejtja dhe Holta Zaçaj.’Pasiguria ligjore mbeti në lidhje me përfundimin e mandatit të dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, për shkak të interpretimeve të ndryshme të dispozitave përkatëse nga Parlamenti dhe Gjykata e Lartë, përkatësisht. Pavarësisht mbrojtjeve të forta ligjore, emërimet dhe zhvillimi i karrierës në bazë të meritës dobësohen në praktikë nga ritmi i ngadaltë i vlerësimeve cilësore të magjistratëve nga KLP dhe KLGJ dhe përdorimi i vazhdueshëm i transferimeve si një alternativë ndaj promovimeve në bazë të meritës’, shkruhet në raport.Shqetësues për BE-në, mbetet fakti mbi kërkesën e kryeministrit për dorëheqjet apo rastet e shkarkimeve nga puna në administratat vendore.‘Vala e dorëheqjeve dhe në disa raste e shkarkimeve nga puna në administratat vendore që ndodhi në korrik 2025 pas kërkesës publike të qeverisë qendrore për ndryshime në menaxhim në bashki ngre shqetësime, duke përfshirë edhe në dritën e Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore’, citohet më tej në progres-raport.

Punësimi, emigracioni dhe sfidat sociale

Një tjetër shqetësim që raporti nxjerr në pah është emigrimi i të rinjve dhe informaliteti në tregun e punës.Në raport theksohet se “punësimi informal vazhdon të jetë një problem i madh, me shumë punëtorë që nuk kanë kontrata formale, sigurime shoqërore dhe mbrojtje ligjore.” Sipas raportit, mos raportimi i pagave reale është i përhapur, gjë që dëmton sistemin e pensioneve dhe ul besimin në tregun e punës.Një tjetër pikë kritike është emigracioni i vazhdueshëm i të rinjve dhe punëtorëve të kualifikuar, që, sipas raportit, “përkeqëson mungesën e fuqisë punëtore në sektorët kyç dhe kontribuon në një ikje të trurit”.

Krimi i organizuar dhe pastrimi i parave

Përsa i përket krimit dhe hetimit financiar, raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë nënvizon se vendi ynë rrezikohet nga pastrimi i parave me anë të kriptomonedhave.

“Teknikat e hetimit financiar duhet të përmirësohen, duke përfshirë identifikimin, analizën dhe ruajtjen e provave digjitale për kriptovaluta dhe asete virtuale. Duhet të sigurohet përdorimi sistematik i hetimeve financiare paralelisht me rastet e krimit të organizuar dhe të rëndë dhe pastrimit të parave. Niveli i sekuestrimeve dhe konfiskimeve të pasurive mbeti i qëndrueshëm midis 2023 dhe 2024. Shqipëria raportoi rreth 21 milionë euro pasuri të sekuestruara (21 milionë euro në 2023) dhe 10 milionë euro pasuri të konfiskuara (11 milionë euro në 2023)”.

Raporti thekson se “ekziston nevoja për të garantuar menaxhimin në kohë dhe të duhur të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, përfshirë asetet virtuale dhe kriptovalutat, pasi nuk ekziston ende një portofol digjital shtetëror”.Sipas raportit “ende nuk ekziston një qasje strategjike apo sistematike për identifikimin dhe konfiskimin e pasurive kriminale që ndodhen jashtë vendit ose janë të paarritshme”.“Në vitin 2024, SPAK ka dhënë shtatë vendime për sekuestrime parandaluese të pasurive që lidhen me veprimtari të krimit të organizuar. Megjithatë, Shqipëria duhet të zbatojë në mënyrë të qëndrueshme rregullat për konfiskim të zgjeruar dhe ngrirje paraprake të pasurive, për të shmangur humbjen e vlerës ekonomike të tyre. Rishfrytëzimi i pasurive të konfiskuara për qëllime sociale mbetet kryesisht joefektiv”, vijon raporti.Një tjetër udhëzim i raportit është që “autoritetet shqiptare duhet të forcojnë kapacitetet për zbulimin, hetimin dhe ndjekjen penale të trafikantëve të qenieve njerëzore dhe të zbatojnë plotësisht Mekanizmin Kombëtar të Referimit për viktimat e trafikut. Në vitin 2024, u identifikuan 178 viktima, përfshirë 113 gra e vajza dhe 96 fëmijë”.

Komisioni Evropian: Shqipëria nuk është gati për zhbllokimin e fondeve të bujqësisë IPARD III

Komisioni Evropian, në Raportin e Progresit 2025 për Shqipërinë, vlerëson se vendi nuk është ende i gatshëm për zbatimin e plotë të programit IPARD III, instrumentit kryesor të Bashkimit Europian për zhvillimin rural dhe mbështetjen e bujqësisë në vendet kandidate. Sipas raportit, mungesa e kapaciteteve administrative, dobësitë në mbikëqyrje dhe zbatimi i ngadaltë i standardeve të BE-së në menaxhimin financiar kanë penguar zhbllokimin e fondeve.Në kapitullin mbi bujqësinë dhe zhvillimin rural, Komisioni thekson se Shqipëria ka arritur “vetëm një nivel të pjesshëm përgatitjeje” dhe nuk ka bërë përparim gjatë periudhës raportuese në përmbushjen e kritereve për të marrë në administrim fondet IPARD III.“Është e nevojshme të rritet kapaciteti dhe mbikëqyrja për të nisur dorëzimin dhe zbatimin efikas të IPARD III, në përputhje të plotë me parimet e menaxhimit të shëndoshë financiar,” – thuhet në raportin e Komisionit Evropian .BE kërkon që autoritetet shqiptare të përmbushin parakushtet për besimin e menaxhimit të buxhetit (entrustment), një mekanizëm që lejon vendet kandidate të administrojnë drejtpërdrejt fondet e para-anëtarësimit për zhvillimin rural.Aktualisht, sipas Komisionit, struktura e akreditimit dhe mbikëqyrjes nuk garanton ende zbatim të plotë të standardeve të kontrollit financiar.