Jovan Bizhyti: Korçari që banonte në Sevastopul dhe 4 fshatra shqiptarë të Ukrainës, që duan të mbijetojnë!

Fshatrat me origjinë shqiptare në Ukrainë kanë mbijetuar përmes një lufte të ashpër klasore nga regjimi stalinist. Pas formimit të BRSS dhe vendosjes së sistemit komunist, anëtarëve të minoritetit shqiptar që ishin të kamur, iu morën gjithë pasurinë dhe u internuan në veri, në zona të largëta të Siberisë. Asnjë prej tyre nuk u kthye më. Nëpërkëmbja e atyre që qëndruan në Ukrainë, u bë në mënyrë graduale. Gjithçka në ato katër fshatra me etni shqiptare, që nga infrastruktura, shtëpitë, objektet publike, bujqësia, blegtoria dhe mënyra e jetesës, flasin për gjendjen e prapambetur të banorëve.


Ishte viti 1960, kur sapo kishin nisur kontradiktat e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik dhe me gjithë kampin e Lindjes Komuniste. Si në tërë BS dhe në Ukrainë, monumentet dhe bustet e Stalinit, ato kohë sapo ishin hequr nga mjediset e brendëshme dhe të jashtme të qytetit të Sevastopulit. Opinioni qëndronte i heshtur dhe kur bëhej ndonjë pyetje, për zhdukjen e monumenteve të Stalinit, ata ngrinin supet të heshtur!

Në Shqipëri, Stalini ende nderohej si udhëheqës legjendar i komunizmit botëror. Monumentet e Leninit dhe Stalinit, qëndronin si strateg në dy anët e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë. Figura e Stalinit dhe vlerësimi ndaj tij, ishte njera nga kontradiktat, në mos kryesorja, e prishjes së Shqipërisë me BS dhe me gjithë kampin e Lindjes Komuniste.

NOA

Ato kohë, në qytetin e Sevastopulit të Ukrainës, në portin më të madh detar të BS në detrat Azov dhe Detin e Zi, ishte baza më e madhe dhe më e rëndësishme ushtarake detare sovjetike, që kontrollonte Detin e Zi, deri dhe Mesdheun midis Lindjes së Mesme dhe Ballkanit. Në atë port të madh ushtarak me anije të mëdha luftarake, midis tyre ishin të ankoruara dhe 4 anije të Flotës Luftarake Detare Shqiptare, që kishin shkuar për remont, pasi kalibri i tyre nuk mund të kryhej në Shqipëri. Ato qëndronin në pritje të radhës, në mes të atij tensioni politik që zhvillohej në sfera të larta të dy shteteve, në një kohë që masa e popullit dhe sidomos efektivat e marinarëve, ende nuk ishin të informuar. Megjithatë, nga kjo tronditje e brendëshme, diçka kuptohej!

Një pasdite të bukur pranvere me diell, vjen në anijen shqiptare, një burrë disi i moshuar, i shoqëruar me një vajzë të vogël rreth 15 vjeçe prej dore dhe futet tek shkalla e anijes. Marinari që ishte roje, e ndali. Nga kati i dytë i anijes mbi kuvertë, doli komandanti dhe i dha urdhër rojes t’a lejonin mysafirin të futej brenda. Nën/oficeri i rojes e shoqëroi për në kabinën e komandantit.

Pas pak, komandanti dha urdhër, që i gjithë efektivi i marinarëve prej 30 veta të mblidheshin në kuvertë në bashin e anijes. Mysafiri që shoqërohej nga komandanti, ishte një burrë me trup mesatar që i kish kaluar të 60-tat, me flokë të rëna dhe i veshur komplet me të bardha, këmishë të bardhë, pantallona të bardha dhe këpucët gjithashtu të bardha. Në fytyrë dukej që ishte i gëzuar dhe i qeshur. Ndërsa vajza, mbesa e vogël, rrinte si e ndrojtur.

Komandanti e prezantoi:-“Eshtë patrioti i ynë, shqiptar, që jeton këtu në Sevastopul”. Quhet Taqo, me origjinë nga Korça. Pastaj ndërhyri mysafiri:

-Po, Taqo quhem, ose Taqka, si nga Korça, jam korçar, fliste ai me një shqipe pak të vështirë, por kuptohej që anonte nga dialekti korçar i vjetër. Hyri midis marinarëve dhe dukej që nuk ngopej duke i përqafuar. Pastaj tregoi historinë e tij dhe të shumë bashkëatdhetarëve të tij shqiptarë, që jetonin në shtetin e largët të Ukrainës.

Kemi mbi 200 mote që jetojmë këndejza dhe e kemi humbur çdo lidhje me njerëzit tanë e me vatanin. Ishte kohë e Turqisë, që kërkonte me dhunë të na kthente në myslimanë. Të parët tanë ikën. Gjetën një kaike transporti dhe përfunduan në Stamboll. Stambolli ishte qytet i madh, që njihej atëherë. Por dhe në Stamboll kishte shumë trazira nga lufta Ruso-Turke. Luftonin kush e kush të dominonte Detin e Zi. Luftë kishte gjithëandej.

U bëmë shumë shqiptarë në Stamboll, turqit na thoshin, “Arrnaut”. Po të mos ishim mysliman, nuk na qasnin as në hane e as në mëhallë. U detyruam që dhe nga Stambolli morëm arratinë në Bullgari, pastajza në Rumani dhe vit pas viti, përfunduam në Ukrainë. Fillimisht u vendosëm larg në veri të Odesës, port i madh tregtar në Detin e Zi. Aty u vendosëm në fshatin Karakurt, ku veç shqiptarëve, kishte dhe ukrainas, bullgarë, rumunë e tjerë. Sot janë rreth 5000 shqiptarë në Ukrainë në 4 fshatra të ndryshëm.

Në fillim të vitit 1860, një pjesë e fshatit Karakurt, sot Zhovtnjovoje, u shpërngul në rajonin e brigjeve të Detit Azov, rreth 10 km larg brigjeve, ku u themeluan dhe tri fshatra të tjerë: Taz, sot Devnenskoje, Tyshki, sot  Gjeorgjevka, dhe  Xhandran, sot Gamovra, ku jetojmë edhe sot në këtë tokë që na e dhuroi Katerina e II-të e Rusisë. Jemi të gjithë Toskë,- sqaronte ai, të shpërngulur nga rajoni i Pogradecit dhe Korçës, si pasojë e përndjekjes Osmane. Gjuha që flitet sot në këto 4 fshatra, Karakurt, Taz, Tyshki dhe Xhandran, është një përzierje e shqipes toske me ukrainsen e rusishten. Por megjithatë, zakonet, veshjet dhe gjuha shqipe ruhen në breza. Të gjithë ne banorët e këtyre fshatrave e identifikojmë veten shqiptarë. Ai e njihte mirë historinë e komunitetit të tij, shqiptarë.

Taqua, megjithëse kishte lindur në Ukrainë, ai e fliste mirë shqipen, bile me pak vështirësi, e fliste dhe e kuptonte edhe mbesa. Nuk kish qenë asnjëherë në Shqipëri, megjithatë kishte mall për vatanin e të parëve dhe për shqiptarët. Kishte shumë vite që familja e tij jetonte në Sevastopul. Ishte martuar me një grua ukrainase dhe kishte dy djem e një vajzë.

-Fëmijët kanë emra shqiptarë,- shtoi më tej ai. Edhe ata e flasin shqipen, gjuhën tonë shqipen ua mësojmë edhe fëmijëve. Edhe gruaja ka mësuar shqip dhe meremi vesh mirë. Ai punonte pastiçer, trashëgonte profesionin e babait dhe të gjyshit, siç mbante dhe emrin e tij, Taqo. Tani ishte në prak të pensionit. Dikush nga marinarët e pyeti:

-Çfarë lidhje mbani ju me Shqipërinë?

-Asnjë lidhje, kanë kaluar mbi dy shekuj, disa breza! Kanë ardhur nga ambasada shqiptare një herë dhe kanë marrë takime me përfaqësues të 4 fshatrave shqiptare. Ata i kanë kërkuar, tekste shkolle shqip dhe ndonjë mësues për gjuhën shqipe. Deri tani nuk ka asnjë ndihmë. Në arkivat familjare, ruhen ende fotografi të vjetra dhe kostume prej rreth 200 vitesh, që kur jemi zhvendosur në këto anë.

Duke mos pasur asnjë përkujdesje shtetrore nga shteti amë, as dhe kushte të favorëshme ekonomike, kjo degë shqiptarësh në minoritet dhe kultura e tyre, po shkon drejtë asimilimit. Sigurisht, gjithë kjo kohë mbi dy shekuj, dihet e bëhet pak për ta, të mos themi që s’është bërë asgjë për këta bashkombas, që ndihen të braktisur!

Ata me patriotizmin e tyre në kaq vite e shekuj, i ruajnë me fanatizëm gjuhën, traditat dhe kulturën e origjinës së tyre. Flasin toskërishten e vjetër, ruajnë kostumet popullore qindravjeçare të zonës së Korçës dhe Pogradecit, festojnë Shën Gjergjin, në kujtim të Princit shqiptar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Ata kanë mbijetuar në këto shekuj në gjurmët e një historie që nuk duhet harruar. Ngjarjet e fundit në Ukrainë janë prej ditësh në faqet e para të medias botërore. Konflikti i hapur me Rusinë për shkak të Krimesë dhe të disa rajoneve me shumicë ruse, duket se po i drejtohet pikës së moskthimit me aksionet e dyanshme ushtarake, duke u kthyer në një luftë të ashpër me humbje të mëdha njerëzore e materiale.

Në fakt luftërat dhe pushtimet, kanë qenë historikisht shkaku që ka detyruar popullata të tëra të zhvendosen në krahina të tjera, e në rastin më të keq në shtete të largëta për t’i shpëtuar persekutimit dhe shfarosjeve. I tillë është dhe rasti i minoritetit shqiptar që jeton në Ukrainë prej rreth 200-250 vjetësh. Të shpërngulur nga Korça dhe Pogradeci si pasojë e përndjekjes osmane, u nisën në një rrugëtim të gjatë rreth dy-tre shekullorë, duke kaluar nëpër Bullgari e Rumani, deri sa në fillimet e shekullit të XIX-të, u vendosën në katër fshatra në jug të Ukrainës: Karakurt, Taz, Tyshki, dhe Xhandran.

Studiuesi kosovar, Baki Ymeri, rusi Aleksandër Novik, por edhe të tjerë shqiptarë që kanë hulumtuar mbi historinë e këtij komuniteti, pohojnë se rreth 5000 banorë të këtyre fshatrave e identifikojnë veten, shqiptarë. Gjuha që flitet sot në to është një përzierje e shqipes toske me ukrainasen dhe rusishten, ndërsa zakonet, folklori, gjuha dhe veshjet, janë ato të trashëguara nga stërgjyshërit e tyre të vendit të origjinës.

Në vitin 1911, patrioti ynë i shquar Fan Noli, vizitoi Odesën dhe u takua aty edhe me anëtarë të këtij minoriteti shqiptarë, njëkohësisht mbajti në kishën lokale të Karakurtit, dhe një meshë. Po kështu, në vitin 1979, në gjurmët e Nolit, shkoi aty dhe At Artur Liolini, kancelari i Kishës Ortodokse Shqiptare nga Bostoni i Amerikës, pasardhës i Nolit, ku dhe ai meshoi në të njëjtën kishë për ta. Përpos këtyre dy ngjarjeve të pazakonta për një komunitet të lënë në harresë, shumë pak është shkruar dhe shumë pak është bërë për këta shqiptarë, që prej mbi 200 vjetësh që jetojnë larg vendlindjes, mes 48 milionë ukrainasve në lindje të Europës.

Vetëm në vitin 2006, një shoqatë, “Lidhja e Shqiptarëve në Botë”, mori nismën për herë të parë t’a shohi e t’a takoj në realitet këtë komunitet shqiptar të Ukrainës. Përfaqësuesi i saj, Agim Xhemali, i dërguari për të vizituar këtë komunitet shqiptarësh në Odesë, mbeti i befasuar nga fanatizmi me të cilin ata kishin konservuar gjuhën dhe zakonet e vjetra të paraardhësve të tyre. Ai shkruan:

-“Duke studiuar mbi spostimin e popullsisë shqiptare të hershme, arritëm në përfundimin se kishte shqiptarë si në Bullgari dhe në Ukrainë. Kjo më shtyu mua dhe “Lidhjen e Shqiptarëve në Botë”, të shkonim në Ukrainë për t’i parë ata dhe për t’i afruar. Shqiptarët e Ukrainës flasin në masën 70% shqip dhe pjesën tjetër e plotësojnë me fjalët ruse, e ukrainase”, shkruan ai. Eshtë e domosdoshme ndërhyrja e qeverisë shqiptare, në mënyrë që identiteti i shqiptarëve të Ukrainës të mos shuhet. E drejta e mësimit të gjuhës amtare për pakicat, buron nga Karta e OKB-së për të drejtat e njeriut dhe janë pushtetarët e shtetit amë ata që duhet të venë pikat mbi i për këtë problem”.

Siç thuhet nga Shoqata e “Lidhjes së Shqiptarëve në Botë”, kërkesat kryesore të tyre para luftës që po zhvillohet sot ishin:-“Mësimi i gjuhës shqipe nëpërmjet dërgimit të librave shqip, të fjalorëve dhe i një mësuesi. Po ashtu dhe ndihma për rindërtimin e kishës së Shën Gjergjit të fshatit, e rënuar dhe e shkatërruar ndër vite, si ndihmë dhe kujtim nga shteti amë”.

Popullsia shqiptare e këtyre fshatrave, i ruan traditat e veta, ka folklorin gojor dhe koreografik, ndërsa gratë tjerrin qilima me motive shqiptare. Në arkivin e shtëpisë së kulturës si dhe nëpër familje, ruhen një numër i madh fotografish të vjetra dhe kostume që jetojnë prej mbi 200 vjetësh. Eventi më i madh që shënohet çdo vit në ato fshatra, është festa e Shën Gjergjit, në kujtim të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Fshatrat me origjinë shqiptare në Ukrainë kanë mbijetuar përmes një lufte të ashpër klasore nga regjimi stalinist. Pas formimit të BRSS dhe vendosjes së sistemit komunist, anëtarëve të minoritetit shqiptar që ishin të kamur, iu morën gjithë pasurinë dhe u internuan në veri, në zona të largëta të Siberisë. Asnjë prej tyre nuk u kthye më. Nëpërkëmbja e atyre që qëndruan në Ukrainë, u bë në mënyrë graduale. Gjithçka në ato katër fshatra me etni shqiptare, që nga infrastruktura, shtëpitë, objektet publike, bujqësia, blegtoria dhe mënyra e jetesës, flasin për gjendjen e prapambetur të banorëve. Atyre, u është mohuar dhe origjina. Në pasaportat e dikurshme të banorëve shkruhej origjina, “albanski” (shqiptar), ndërsa gjatë viteve të fundit, ajo është fshirë totalishtë.

Gjithsesi, banorët me origjinë shqiptare në Ukrainë janë gjallë, ata e pohojnë me gojën e tyre:- “Jemi me origjinë nga Allbania… Pimë raki allbanskie… Kemi heroin tonë, Gjergj Kastrioti Skënderbeun”. Vitet kanë zbehur përdorimin e përditshëm të gjuhës amë, por nuk e kanë asimiluar plotësisht atë. Në tekstin e një kënge popullore që këndojnë një grup vajzash të veshura me kostum popullor, dallohen disa fjalë të gjuhës shqipe si: lule, oj nëne, kuptova, oborri, dashuri, dielli, dritare, Shqipëria e ime, e tjera.

Në situatën e sotme, Ukraina po kalon momente shumë të vështira nga sulmet e ushtrisë pushtuese ruse. Kjo luftë ka prekur dhe fshatrat shqiptare të Ukrainës, duke shkatërruar jetën e njerëzve dhe historinë e tyre. Aktualisht, edhe mediat tona kanë dhënë herëpashere lajme dhe pamje trishtuese, ku forcat ruse kanë bombarduar edhe fshatrat tona me shqiptarë, që banojnë prej shekujsh rreth Odesës, krahinës bregdetare të Detit të Zi. Qindra njerëz kanë dalë në rrugë dhe kanë braktisur banesat e tyre pas bombardimeve dhe po tentojnë të largohen nga zonat ku jetojnë. Nga të dhënat del se, shumë shqiptarë kanë emigruar nga lufta, në drejtim të Polonisë dhe Rumanisë, si dhe ka mjaftë të tjerë, të cilët i janë bashkuar rezistencës së ushtrisë ukrainase dhe po luftojnë kundër pushtuesve rusë.