/Gazeta TELEGRAF
nga Moisi Dalipi
Më 28 shtator 1979, në kampionatin evropian të zhvilluar në Frankfurt mbi Main të Gjermanisë, qitësja shqiptare, Elisabeta Karabolli, u shpall kampione e Europës, në garën standard me pistolet 30×30 me 587 pikë, duke lënë pas saj, dy rivale tepër të forta ruse, përfaqësueset e një prej gjigantëve të këtij sporti në botë në ato vite. Gjithsesi, Medalja e Artë e fituar nga kjo qitëse shqiptare në një event të nivelit të tillë evropian, ishte e para e këtij lloji për një sportiste femër nga Shqipëria. Por në këtë kampionat evropian, ekipi shqiptar, i përbërë nga Elisabeta Karabolli, Margarita Cingu e Diana Mata, realizon 1733 pikë, duke u shpallur nënkampion dhe merituar medaljet e argjendta. Edhe pse kanë kaluar 41 vjet nga ajo ditë e këtij suksesi evropian, lidhur me pritjen në Shqipëri, pas kthimit nga Gjermania, Elisabeta Karabolli kujton: “Pritja në Shqipëri ishte madhështore. Ishte një arritje e madhe për të gjithë kombin.
Nuk ishte vetëm arritja ime, ishte arritja e të gjithëve. Në rrugë të tërë donin të më takonin, donin të më përqafonin, të më uronin. Ishte vërtet një kënaqësi”. Por ky pod nderi i fituar me kaq dinjitet, nga kjo vajzë me origjinë nga fshati Kallarat i Vlorës, nuk e humbet asnjëherë aktualitetin e tij, për arsyen sepse, është pari i regjistuar nga sporti qitjes shqiptare. Dhe për kuriozitet, në atë vit sportistja shqiptare ishte vetëm 21 vjeç dhe, kishte plot 7 vjet që kishte filluar të ushtrohej me sportin e qitjes. Nisja e sportit të qitjes prej saj, ka qenë krejtësisht e rastësishme, edhe pse ishte vajza e një ish ushtarakut, Tare Karabolli. Në një prej intervistave për shtypin në ato vite, “shënjestra” jonë evropiane Elisabeta Karabolli, e ka rrëfyer kështu historinë e hyrjes së saj në botën e sportit, ku ajo do të linte një emër aq të madh: “Isha në klasë të gjashtë dhe atë kohë jetoja tek zona e Kinostudios. Një nga fqinjet e mia më tha: ‘Do të vish me mua, do të shkoj në stërvitje për qitje’. Ishte një poligon te shkolla ‘Skënderbej’. Shkova aty dhe po prisja shoqen të mbaronte stërvitjen. Trajner ishte Rexh Ndreu. Ai më pa dhe më tha: ‘Do ta provosh të gjuash një herë?’ Më dha pistoletën dhe gjuajta. Si duket i pëlqeu dhe, pas disa muajsh, erdhi e takoi prindërit e mi dhe u kërkoi leje, që unë të bëhesha pjesë e ekipit të të rejave të ‘Partizanit’.” Dhe karriera e Elisabeta Karabollit, nis në sportin e qitjes në vitin 1973, kur ishte në vitin e parë të shkollës së mesme.
Kështu, 15-vjeçarja mori pjesë në kampionatin e qitjes për të reja, si pjesë e ekipit të të rejave të “Partizanit”, duke vendosur rekord kombëtar në garën e pistoletës me ajër. Vetë kampionia kujton: “Ky rezultat u bë motivi shtytës që vazhdova punën sistematike për të arritur nivele më të larta.” Pastaj Elisabeta Karabolli u bë pjesë e ekipit të të rriturave, sigurisht po të “Partizanit”. Në vitin 1975, ende pa mbushur 17 vjeç, ajo arriti të dalë kampione e Shqipërisë, në garën e qitjes me pistoletë 25m/30+30. Bazuar në rezultatet e saj, Elisabeta Karabollit iu dha e drejta për të qenë anëtare e ekipit kombëtar të qitjes për femra. Shpejt Elisabeta Karabolli u bë pjesë e ekipit të të rriturave, e klubit të “Partizanit”. Në vitin 1975, ende pa mbushur 17 vjeç, ajo arriti të dalë kampione e Shqipërisë, në garën e qitjes me pistoletë 25m/30+30. Bazuar në rezultatet e saj, Elisabeta Karabollit iu dha e drejta për të qenë anëtare e ekipit kombëtar të qitjes për femra. Dhe këtu e ka zanafillën ajo që është quajtur “epoka” Karabolli në arenën ndërkombëtare, kur qitësja e re arriti të marrë tre medalje në tre kampionate europiane, me rezultate në rritje nga viti në vit. Kronologjia e sukseseve kërkon të thotë, se në vitin 1977 në kampionatin evropian të zhvilluar në Romë të Italisë, në qitjen me pistoletë 30+30, Elisabeta Karabolli, fiton vendin e tretë me 584 pikë, vetëm 1 pikë larg vendit të dytë, përballë 48 qitëseve më të mira nga 24 vendet e kontinentit, duke marrë medaljen e bronzit. “Konkurrimi i parë në arenën ndërkombëtare ka qenë në Romë, në vitin 1977, ku zura vendin e tretë, pas dy ruseve,” -kujton Elisabeta Karabolli.
“Marrja e medaljes së bronztë ishte një krenari kombëtare. Qitëset e tjera të pistoletës kishin pasur edhe një eksperiencë të mëparshme, por jo të atij niveli. Prandaj ishte një krenari dhe një gëzim.” Një vit më pas, në vitin 1978, në kampionatin evropian të zhvilluar në Hameelina të Finlandës, Elisabeta Karabolli do të shënonte 586 pikë, vetëm dy pikë më pak se vendi i parë, duke dalë nënkampione e Evropës dhe duke marrë medaljen e argjendtë. Por pas një viti, do të vinte suksesi më i madh i Elisabeta Karabollit dhe një prej arritjeve më të mëdha të sportit shqiptar. Në vitin 1979, qitësja asokohe vetëm 21-vjeçare, në kampionatin evropian në Frankfurt mbi Main të Gjermanisë, me rezultatin 587 pikë po në disiplinën qitje me pistoletë 30+30 nga 25 m, fiton vendin e parë dhe medaljen e artë. Po në këtë kampionat, ekipi shqiptar, i përbërë nga Elisabeta Karabolli, Margarita Cingu e Diana Mata, realizon 1733 pikë, duke u shpallur nënkampion dhe duke merituar medaljet e argjendta. Rezultatet e shkëlqyera të kampiones së Evropës do të vazhdonin edhe në vitin 1980, kur në kampionatin shqiptar, me rezultatin 593 pikë, vendos një rekord të ri jo vetëm kombëtar, por edhe botëror, që në atë kohë ishte 592 pikë. Por ishte një rekord që nuk u njoh, pasi nuk u arrit në një veprimtari ndërkombëtare. Një gjë të tillë Elisabeta Karabolli e kishte realizuar edhe më pare, në vitin 1977, por që mbeti i panjohur si rekord botëror se ishte jashtë garave ndërkombëtare.
Po në vitin 1980, në kampionatin evropian, ekipi kombëtar shqiptar, i përbërë nga Karabolli, Cingu e Mata, u rendit i katërti, duke lënë pas ekipet e 19 vendeve të tjera. Një tjetër sukses i Elisabeta Karabollit ishte dhe ai i arritur në Lojërat e Mesdheut, në vitin 1993, ku mori dy medalje ari dhe dy medalje argjendi. Në këtë sukses për Lojërat e 12-ta Mesdhetare të vitit 1993, të organizuara në Langëdok-Rusijon në Francë, nga 16-27 qershor, e të hapura nga ish-presidenti i Francës, Fransua Miteran, ku Elisabeta fitoi medaljen e argjendtë në pistoletë me zjarr dhe atë më ajër, madje ato ishin dy medaljet e vetme të fituara nga ekipi shqiptar. Qitësja e nivelit evropian dhe atij botëror Elisabeta Karabolli, ka qenë edhe kapitene e ekipit përfaqësues shqiptar, për shumë vite, deri në Lojërat Olimpike të Atlantës më 1996. Që prej atij viti, ajo nisi të jetojë në ShBA, por gjithmonë pa hequr dorë nga sporti i saj i dashur i qitjes. Në vitin 1997, ajo nisi pjesëmarrjen me sukses në kampionatin amerikan të qitjes, ku për shumë vite u rendit mes më të mirave, në disiplinën e qitjes me pistoletë. “Kur mbërritëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, na e dhanë menjëherë shtetësinë amerikane, – tregon bashkëshorti saj, qitësi i njohur Ilir Nishica, – Komiteti Olimpik Amerikan dhe nënpresidenti i Federatës Botërore të Qitjes, Geri Anderson, fitues i medaljeve të arta në Lojërat Olimpike të Tokios (1964) dhe Meksikos (1968) në 300m pushkë në tri pozicione, na kanë ndihmuar jashtëzakonisht. Anderson ishte një përkrahës i madh i familjes sonë. Vinte në apartamentin tonë dhe gjithmonë habitej, se ku e gjente Shqipëria e vogël gjithë atë forcë të madhe për të nxjerrë kampionë në Europë. Na e dhanë shtetësinë amerikane me motivacionin: “Aftësi të jashtëzakonshme në sportin e qitjes”.
Skeda e Elisabeta Karabollit
Lindur: Në Tiranë, më 13 shkurt 1958.
Arsimi: I lartë, dega Financë në Fakultetin Ekonomik UT.
Sporti ushtruar: Qitëse në klubin “Partizani” dhe ekipin kombëtar në vitet 1973 deri 1996 dhe 1997 e në vazhdim në SHBA .
Sukseset në sport: Kampione kombëtare në ushtrimin pistolet 30×30 për të e reja dhe të rritura dhe kampione SHBA në vitin 2008.
Medalje ndërkombëtare të fituara: Medalje Bronzi në “Europiani 1977”, Romë, Itali; Medalje Argjendi “Europiani 1978”, Hameenlinna, Finlandë; dhe Medalje e Artë “Europiani 1979”,Frankfurt mbi Main, Gjermani; Medalje Ari dhe Medalje Argjendi në Lojrat e 12-ta Mesdhetare,1993, Langëdok-Rusijon, Francë.
Vlerësime: “Mjeshtre Merituar Sporti”, “Nderi Sportit Shqiptar”, “Mjeshtre Madhe”, fituese “Anketave Sportive”.