Shpendi Topollaj: Deputetë që duhet të merreshin me Estrada, e jo me politikë

529
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

…Vijon nga numri i djeshëm i gazetës “Telegraf”

Faik Konica ishte njëri nga intelektualët atdhetarë, shkrimtarët dhe diplomatët më të shquar që Shqipëria ka nxjerrë. Shumë, mundet të mos e kenë lexuar të tërin, ca dinë vetëm disa anekdota të tijat, por kjo nuk i pengon aspak, të mos e kujtojnë atë me respektin më të madh, për të mos thënë edhe me krenari, ashtu sikurse ndihej edhe ai vetë për të shkuarën tonë, për gjakun iliro – shqiptar të Diokletianit, filozofit Julian e Justinianit, të cilët i quante nga përfaqësuesit më dinjitozë të kombit tonë.

– Dhe jo vetëm kaq, por ju keni bërë edhe zbërthimin e vesit tonë shekullor që po na ndjek si mallkim edhe në këto kohët moderne: “Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve… Historia e Shqipërisë është e mbushur fund e krye me prova të tilla të përngjashme. Të përpiqemi me të gjitha forcat tona, të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo t`i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari”.

– A nuk e pësuam nga dashuria e verbër ndaj Enver Hoxhës. Ai vri e pri, për tekat e tij dhe sigurimin e pushtetit, populli i bënte duart gjak duke e brohoritur. Edhe sot, pak a shumë, kjo po ngjet. Kapemi pas parti prijësit dhe të nxjerrim sytë, po e kritikove atë. Nuk kam parë në ndonjë seancë të Parlamentit të diskutohet për doktrina, për ide, për ekonominë e për garantimin e jetës së shtetasve. Vetëm bërtasin, shahen dhe akuzojnë njëri – tjetrin. Deputetë që duhet të merreshin me estrada, e jo me politikë. Kurse vetë individi, kur hipën në pushtet, duhet të jetë i drejtë, për të gjithë njësoj dhe jo t`u krijojë favore të vetëve. Kështu do ta duan, respektojnë e ndjekin masat atë me meritë. Besoj e ke lexuar Salustin. Aty jepet një rast proverbial drejtësie, ndërsa ai përshkruan momentin kur Tit Manl Torkuati, në vitin 430 para erës sonë, ekzekutoi të birin, pasi ai theu urdhrin duke dalë nga radhët e ushtrisë, për t`u ndeshur me një luftëtar armik. Nga ana tjetër, në asnjë mënyrë drejtuesit nuk duhet të vinë me vota të blera a të falsifikuara. Dhe meqenëse iu referova periudhës romake, e di ti se atje ekzistonte Ligji Kalpurnia, sipas të cilit ai që manipulonte votat, përveç se merrte një gjobë të madhe, përjashtohej përjetësisht si nga mundësia e zgjedhjes në detyra shtetërore, ashtu edhe nga senati. Epo, të mbetet ende ky problem për ne shqiptarët, sikur nuk shkon.

“A nuk e pësuam nga dashuria e verbër ndaj Enver Hoxhës? Ai vri e pri, për tekat e tij dhe sigurimin e pushtetit, populli i bënte duart gjak duke e brohoritur. Edhe sot, pak a shumë, kjo po ngjet. Kapemi pas parti prijësit dhe të nxjerrim sytë, po e kritikove atë.”

– I nderuar, Faik be. Ju përmendët rastin e ekzekutimit të djalit nga Torkuati për një shembull të madh, në një moment vendimtar. Por kjo puna e vrasjeve në Shqipëri, sikur është bërë diçka normale. Edhe këtë kishim mangut.

– Po ju pyes unë: a nuk u bën përshtypje shpejtësia me të cilën gazetaria njofton publikun për krime. Mbushen faqe gazetash dhe ekrane televizionesh me vrasje, hakmarrje, përdhunime, vjedhje, burgosje, aksidente, grindje e ku di unë, kurse, sapo botohet ndonjë libër i ri apo zhvillohet ndonjë veprimtari kulturore, me pak përjashtime, askujt nuk i shkon mendja ta pasqyrojë. Pse ky është roli i mediave? Jo, ata duhet, siç thamë, të ndërgjegjësojnë njerëzit për të mirën e të bukurën. Ata duhet të mbjellin optimizëm e besim në popull. Edhe këtë e kam trajtuar dikur.

– Po. Keni thënë se: “Për një kec të grabitur, për një fjalë të shtrembër, dhe shumë herë pa ditur as vetë përse, shqiptarët marrin armët, hidhen, vriten”. Po si do kapërcehet kjo, megjithëse ju e keni dhënë përgjigjen. Jeni shprehur se: “Shumë duhet të punojmë ne shqiptarët, sot dhe për së shpejti; por më parë nga të gjitha, të shëndoshim dashurinë dhe vëllazërinë në mes tonë”.

– E kam thënë në rrethana të tjera. Por është e pafalshme që edhe pas një shekulli të mbesë i pazgjidhur problemi i dashurisë për njëri – tjerin. Ndjenja kombëtare që ka aq rrënjë të forta në zemrat e shqiptarëve, nuk mund të ketë sukses pa këtë bashkim e dashuri vëllazërore.

Nuk dua t`u lodh më gjatë Faik be, ndaj tani në fund të kësaj bisede veç falenderimit, lejomëni t`u them se nuk jeni treguar aq i rreptë dhe i ashpër në gjykimet tuaja, sa ç`u mbajnë mend. Ju ka zbutur koha?

– Jo, por koha ka sjellë ndryshime. Unë qortoj e bëj vërejtje se, dua që atdheu im të zerë vendin që i takon në familjen evropiane, pra të ndreqë patjetër disa gjëra, jo aq të vështira për t`u arrirë. Shqiptarët sot, nuk janë ata të kohës time, kur Noli i madh ua vinte në dukje aq bukur mangësitë. Këtu ka djem e vajza të shkolluar nëpër universitete. Drita, rrugë, ndërtime, makina shumë më tepër nga ç`kishin gomerë atëherë, teknologji e sofistikuar ngado, dyqanet plot… Por ende ka vend për përmirësime, për punësime në radhë të parë, rritje të mirëqenies me qëllim që njerëzit të mos e kenë mendjen të largohen rrugëve të botës. Ja, për këto meraqe nuk do të më tresë dheu.

– Nuk do t`u tresë dheu, se ju jeni gjithmonë i gjallë në mendjet dhe zemrat tona. Edhe një herë ju faleminderit për kohën që më kushtuat, duke folur si kolonjarë!

– Po. Si, shqiptarë.