Prof. Zamira Çavo: Doni të dini të ardhmen e Shqipërisë? Shikoni arsimin, rininë dhe drejtësinë!

332

“Në këtë vend mblidhen pa fund forume e bëhen konferenca ku flet ministri e kur dikush ngre problem me “elegancë” nuk ftohet më askund! Bëhen takime ku flet kryeministri e tregon se ky vit ( kështu ndodh çdo vit) do të jetë viti i sukseseve të mëdha të arsimit. Rezultati? Një brez në rritje i analfabetizmit funksional (që nuk dinë kuptimin e asaj që shkruan apo lexon).”

“Ka mësues të talentuar që e kanë mision profesionin. Por këta janë pak. Shumë pak. Të tjerët janë prodhim skarco i 30 viteve që arsimi ka marrë të tatpjetën. Kam takuar mësues në zona jo fort të thella që vërtetë janë analfabetë funksionalë! Dhe kjo nuk është fantazi, por realiteti ynë arsimor! Arsyeja është e thjeshtë: çdo krah i politikës ka eksperimentuar me arsimin sipas interesave të veta politike. Askujt nuk i ka interesuar seriozisht arsimi. Madje historia ka treguar se sa më i paarsimuar të jetë një komb aq më lehtësisht “drejtohet”.”

“Drejtësia është baza e një shteti, e për këtë duhen profesionistë të cilësive të larta jo thjesht juridike, por mbi të gjitha qytetarë, duhen njerëz me integritet të lartë. Le të shpresojmë se edhe këta që janë tani në krye të drejtësisë do të zëvëndësohen së shpejti me të tjerë.”

Sigal



Migena Neli/

Sistemi arsimor është përballur me sfida të  mëdha në vitet e fundit, por se ku është aktualisht niveli i arsimit dhe si do të jetë e ardhmja e tij do të diskutojmë më gjatë me Prof. Dr. Zamira Çavo, e cila do të na japë një pamje më të qartë të situatës nga një këndvështrim akademik.

Shtatori po vjen dhe shkolla do nisë në javën e dytë. Si i gjen nxënësit ky shtator duke marrë parasysh që viti i shkuar ishte i ndarë mes të qenit prezent në klasë dhe online? Si ka ndikuar te nxënia e tyre ky alternim?

Të gjithë e dimë tashmë se arsimi në Shqipëri ka kohë që ka marrë të tatpjetën. Kështu që edhe shtatori nuk pres të na sjellë ndonjë ndryshim strategjik për arsimin. Në 30 vite arsimi shqiptar ka kaluar nga reforma në reformë dhe asnjëherë nuk ka pritur të analizojë rezultatet e ndonjërës prej tyre. Arsyeja është e thjeshtë: çdo krah i politikës ka eksperimentuar me arsimin sipas interesave të veta politike. Askujt nuk i ka interesuar seriozisht arsimi. Madje historia ka treguar se sa më i paarsimuar të jetë një komb aq më lehtësisht “drejtohet”. Ama shtatori i këtij viti sigurisht do të nisë si çdo shtator tjetër; me përshëndetje dhe urime kryeministrore apo ministrore. Politika edhe në këtë rast nuk do harrojë të bëjë qokat e veta e të duket se ky vit shkollor do të jetë më i miri në histori…. Por çfarë vlerësoj unë në këtë fillim viti shkollor? Së pari faktin se ka tashmë dy vite që shkolla është çorientuar për shkak të Pandemisë. E besoni dot që mësimet për gati dy vite në sistemin parauniversitar në shumicën e rasteve janë dhënë me whatsApp?  Pasoja? Provoni të pyesni nxënës mbi ndonjë dije të shkencës apo historisë. Atëherë do ta kuptoni se edhe testet e Pisas që organizohen (e që edhe aty dalim si mos më keq), bëhen me nxënës të zgjedhur dhe me praninë e mësuesve. Më ka rastisur vetëm disa ditë më parë me disa maturantë  të takohesha e të bisedoja. Asnjë interesim për shkollën. Fare! Zero! Interesi i tyre është tashmë tiktoku. Sigurisht që ka edhe nxënës të mirë e të përkushtuar, por që janë të tillë jo falë sistemit tonë arsimor, por falë interesimit maksimal të familjeve dhe vetë atyre. Por fatkeqësisht ky kontigjent i vogël e braktis vendin për të “studiuar” jashtë e për të mos u kthyer më.

Si parashikohet të zhvillohet ky vit mësimor? A do të jetë mësimi i alternuar mes online dhe në klasa e ardhmja e nxënies?

E ardhmja e arsimit? Më thoni nëse dini që problemi i arsimit e të ardhmes së tij është problem i diskutimit shkencor profesional? Unë nuk di! Sepse në këtë vend mblidhen pa fund forume e bëhen konferenca ku flet ministri e kur dikush ngre problem me” elegancë” nuk ftohet më askund! Bëhen takime ku flet kryeministri e tregon se ky vit ( kështu ndodh çdo vit) do të jetë viti i sukseseve të mëdha të arsimit. Rezultati? Një brez në rritje i analfabetizmit funksional. Shkolla ka nevojë për revolucion! Kam vite që po e theksoj këtë, sepse kohët po ndryshojnë me shpejtësi të madhe. Teknologjia po e nxjerr jashtë loje modelin shekullor të arsimit! Kjo kërkon detyrimisht studime e projeksione. Shkolla, sidomos arsimi parauniversitar. ka nevojë të prodhojë QYTETARË! Individë me mëndje të hapur e edukim të shëndetshëm civil. Ka nevojë të prodhojë një brez që t’i përgjigjet solidaritetit njerëzor, përgjegjshmërisë humane, e më tej i aftë për të menduar me mëndjen e vet! Dhe kjo nuk bëhet me reforma sipërfaqësore ose me portale për arsimin. Kjo bëhet me analiza që shkojnë deri në kërkimin e veçorive që karakterizojnë trashëgiminë tonë në fushën e arsimit dhe qytetarisë. Kjo kërkon që shkolla të konceptohet ndryshe thelbësisht në kurikula e në përgatitjen e mësuesve. Dhe meqë jemi te mësuesit. Askush nuk kontrollon se çfarë bën mësuesi në orën e mësimit. Ka mësues të talentuar që e kanë mision profesionin. Por këta janë pak. Shumë pak. Të tjerët janë prodhim skarco i 30 viteve që arsimi ka marrë të tatëpjetën. Kam takuar mësues në zona jo fort të thella që vërtetë janë analfabetë funksionalë! Dhe kjo nuk është fantazi, por realiteti ynë arsimor!

“Askush nuk ka menduar e nuk mendon për Shqipërinë. Askush! Korrupsioni është tashmë pjesë e ADN-s sonë politike! E shitëm atdheun copa- copa! Ia shitëm të “fortëve”  dhe kjo ka arsyen e vet. Këta të fortë kanë mbajtur në pushtet 30 vite këtë klasë politike.”

Rinia shqiptare ka qenë lajm kryesor në mediat e huaja për shkak të largimeve. Si mendoni se do të ndikojë kjo në të ardhmen e universiteteve në vend pas kësaj hemoragjie të trurit në vend? Si ndikon largimi i të rinjve nga vendi, po mbetet Shqipëria pa fuqinë e saj apo do të përkthehet në më shumë reminitanca në fundvit?

E kam thënë edhe herë të tjera: lëvizje do të ketë se njerëzit tentojnë për një jetë më të mirë. Ama të rinjtë shqiptarë janë të paarsimuar, të pamësuar e me mendje të trazuar. Janë ky brez që interesohet vetëm për tiktokun e që kujtojnë se janë të “ditur” e “të fortë”. Ndaj janë dhe kontigjenti më i përshtatshëm për t’u rekrutuar nga krimi. Kjo është arsyeja që vendet e perëndimit janë në alarm për emigrantët shqiptarë. Ka shumë shqiptarë që janë integruar kudo në botë e kanë shkëlqyer me perfomancën e tyre. Ama janë të mirëarsimuar e profesionistë të shkëlqyer! Të rinjtë e gomoneve janë më tej kontigjenti i mundshëm i vdekjeve. E keni vënë re se të rinj që kanë ikur rrugëve të botës janë ekzekutuar qoftë edhe sa kanë vënë kombën në Shqipëri? Kjo është vërtetë shumë, po, shumë shqetësuese. Pra ngado që ta kthesh çështjen vimë sërish te arsimi. Ndaj them se me këtë arsim që kemi ne e kemi të qartë edhe të ardhmen, e 2 dekadave që vijnë! U fol për arsimin professional. Sigurisht që është alternativë më e mirë por ç’po ndodh me të? Përveç ndonjë shkolle private arsimi professional është sërish në ditë të hallit si me kurikulat ashtu dhe me praktikat. Po t’i shtojmë këtij fakti dhe interesin gati 0 të të rinjve për të mësuar, rezultati është një Diplomë e pavlershme. Kështu ka të rinj që e quajnë veten me diplomë dhe përfundojnë rrugëve të botës duke u kujdesur për shtëpitë e barit apo shpërndarjen e tij. A ka nevojë bota për profesionistë të të gjitha fushave? Patjetër! Po a prodhon arsimi ynë të tillë? Kjo është çështja me të rinjtë shqiptarë, që largohen e po bëhen shqetësim si për vendet pritëse po ashtu edhe për vendin tonë. A do përfitojmë ne nga reminitancat e tyre? E them me bindje Jo! Për disa arsye që nuk është vendi t’i trajtojmë, pasi do duhet një intervistë tjetër!

Si kanë ndikuar lajmet për boshatisjen e plazheve dhe çmimet e larta për turistët, të cilët duket se kanë qenë më pak?

Shiko unë mendoj se nuk ka boshatisje të plazheve. Kjo do jetë situata edhe në të ardhmen. Pra 2 vitet e pandemisë bënë që plazhet tona të kishin vitin e kaluar dyndje pushuesish. Tashmë bota është hapur dhe njerëzit lëvizin lirisht. Çmimet? Nuk mendoj se janë çmimet arsyeja e boshatisjes, por psikologjia e shqiptarit për të fituar pa shërbyer. Pra me pak fjalë: ti i ndryshon çmimet sipas qejfit pa i deklaruar apo afishuar diku. Kjo sepse kërkon të jesh “dinak” me klientin, por edhe me shtetin. E dyta, ne nuk do dimë të bëjmë turizëm për aq kohë sa nuk vlerësojmë shërbimin. Kamarierë që i merr me kohë pune të pjesshme e që bën sikur i paguan, nuk mund të japin shërbim që të afrojë turizmin cilësorë. Më thoni përse do vijë për të dytën herë një turist i huaj në Shqipëri? Për pastërtinë? Për shërbimet? Për natyrën? Këtë të fundit mjafton ta shikosh njëherë! Ndaj kjo situatë duhet ndryshuar rrënjësisht. Kamarieri duhet të jetë profesionist. Pra të ketë bërë shkollën e duhur, ndryshe do jemi kështu gjithnjë! Dhe nuk është vetëm problemi i kamarierit, por mbi të gjitha ndryshim cilësor në mentalitetin e të bërit turizëm.

“Tashmë bota është hapur dhe njerëzit lëvizin lirisht. Çmimet? Nuk mendoj se janë çmimet arsyeja e boshatisjes, por psikologjia e shqiptarit për të fituar pa shërbyer. Pra me pak fjalë: ti i ndryshon çmimet sipas qejfit pa i deklaruar apo afishuar diku. Kjo sepse kërkon të jesh “dinak” me klientin, por edhe me shtetin. E dyta, ne nuk do dimë të bëjmë turizëm për aq kohë sa nuk vlerësojmë shërbimin…”


Krimi, korrupsioni dhe oligarkia me mbështetjen e pushtetit apo ortakërinë e saj, po shqyejnë dhe grabisin gjithçka që u del para nga pasuria kombëtare. Pse krimi nuk ka frikë nga shteti dhe si e spjegoni faktin që persona në kërkim vazhdojnë të përfitojnë miliarda?

Korrupsioni është tashmë pjesë e ADN-s sonë politike! E shitëm atdheun copa- copa! Ia shitëm të “fortëve” dhe kjo ka arsyen e vet. Këta të fortë kanë mbajtur në pushtet 30 vite këtë klasë politike. Askush nuk ka menduar e nuk mendon për Shqipërinë. Askush! As ai që rreh gjoksin e thotë kam bërë çudira në këtë vend e as ai që thotë se kur të vij sërish në pushtet do t’ju mrekulloj me çudirat e mia! Në fakt nuk na kanë “çuditur” vetëm ne brenda vendit, por kanë “çuditur” edhe botën dhe pse kjo e fundit ka vetë episode korrupsioni po këtë nivel nuk e ka hasur. Korrupsioni është gangrenë e kësaj elite politike dhe prej saj do marrë fund. Ama ne do vuajmë si gjithnjë pasojat! Si shpjegohet? Sepse jemi popull joarsimdashës, sepse nuk arrijmë të mendojmë me mendjen tonë, sepse mashtrohemi për të njëmiliontën herë e nuk vemë mendt!

Institucione të BE, Eurodeputetë e konsiderojnë Reformën e shumëpritur të Drejtësisë si dështim. ( Ndaj u ndalua implemetimi edhe në Kosovë, Maqedoni, Moldavi, Poloni , Hungari etj). Madje para pak ditësh Televizioni numër 1 me famë botërore në SHBA FOX News, e konsideroi Reformën Shqiptare si klienteliste me qëllim kapjen e drejtësisë, që politika t’i shpëtojë ndëshkimit. Si e shikoni zgjidhjen, pasi pa Drejtësi nuk ka Shtet të së Drejtës..?

Reforma në Drejtësi! Është ende herët për të kuptuar nëse ia ka vlejtur gjithë ajo praktikë e tymnajë propogandistike ose jo. Ama sërish them: Drejtësia është baza e një shteti, e për këtë duhen profesionistë të cilësive të larta jo thjeshtë juridike, por mbi të gjitha qytetare. Duhen njerëz me integritet të lartë. Le të shpresojmë se edhe këta që janë tani në krye të drejtësisë do të zëvëndësohen së shpejti me të tjerë. Të shpresojmë për më mirë!