Frank Shkreli: Diktatura më e rrezikshme, është ajo që, paraqitet me maskën e demokracisë!

698
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Frank Shkreli*

NOA

Ish drejtori i VOA-s për Euro-Azinë

MJAFT U TALLËT ME ATË POPULL! 

“Diktatura ma e rrezikshme, asht ajo, që i paraqitet popullit me maskën e demokracisë!”, At Pjetër Meshkalla, Jezuit, martir i Kishës Katolike Shqiptare, gjigand i fesë dhe i kulturës shqiptare – në përvjetorin e arrestimit të tij më 29 prill të vitit 1967 nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.  Vërtet, “një pishtar i demokracisë” dhe simbol i inteligjencës së persekutuar katolike shqiptare nga komunizmi enverist, At Meshkalla ishte dënuar dy herë me 25 vjet burgim gjithsej, si kundërshtar i regjimit enverist, për “agjitacion e propagandë”, nga regjimi komunist i asaj kohe.

Duke lexuar disa shkrime për fatin e keq të tij nën komunizëm, në këtë përvjetor,(muajin që kaloi), të arrestimit të tij, përfshirë kujtimin që i bëri Radio Vatikani shqip, më ra në sy citimi i mësipërm i At Pjetër Meshkallës, i quajtur ndryshe “Engjëlli i birucave”, për predikimet e tij në burgjet komuniste. Një thënje kjo që më tërhoqi vëmendjen, sidomos, duke pasur parasysh zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit në Shqipëri, por edhe të gjithë historinë e tranzicionit të ashtuquajtur post-komunist në Shqipëri, këto tre dekadat e kaluara. Dihet se për 30-vjet tranzicion, nga një sistem në tjetrin, Shqipëria, asnjëherë deri më sot, nuk ka mbajtur zgjedhje të lira e të ndershme me standarde ndërkombëtare dhe të pakontestueshme. Si rrjedhim, Shqipëria, asnjëherë, nuk është renditur me shumicën e vendeve si motra post-komuniste, që organizatat ndërkombëtare të drejtave njeriut si dhe qeveritë perëndimore, i kanë cilësuar si vende “plotësisht të lira” gjatë tre dekadave të fundit, por gjithmonë Shqipëria është cilësuar dhe cilësohet edhe sot, si një shtet, “pjesërisht i lirë”.  Janë disa faktorë që organizatat dhe qeveritë perëndimore përdorin për të identifikuar vendet e botës se në cilin prej këtyre dy grupeve bëjnë pjesë ato ose edhe në grupin e tretë, si “vende jo të lira”, por një ndër faktorët e rëndësishëm që një vend të karakterizohet si “plotësisht i lirë”, si dhe baza e një shoqërie të lire, është natyrisht mbajtja e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe demokratike, bazuar në disa vlera, liri, parime dhe të drejta ndërkombëtare. Pa zgjedhje të lira, nuk mund të jesh vend i lirë e demokratik.

Fatkeqësisht, në këto 30-vjet tranzicioni, asgjë nuk ka ndryshuar për më mirë në Shqipëri, sidomos kur është fjala për mbajtjen e zgjedhjeve të lira, të drejta dhe të ndershme, bazuar në një numër faktorësh dhe parimesh ndërkombëtare, kryesisht të botës perëndimore. Për fat të keq, këtë po e provojnë edhe zgjedhjet e fundit, ndonëse procesi i të cilave nuk ka përfunduar ende.  Gjatë viteve kam shprehur mendimet e mia se pse ndodh kjo në Shqipëri, madje edhe tre dekada pas shembjes së Murit të Berlinit, se përse “zgjedhjet” në atë vend nuk sjellin asnjë ndryshim për më më mirë në shoqërinë shqiptare. Shpeshëherë kam thënë se problemet me të cilat është përballur Shqipëria, në të gjitha fushat shoqërore, politike, ekonomike, integruese e të tjera, e kanë bazën në të kaluarën komuniste të vendit si dhe, në refuzimin e kësaj klase politike 30-vjeçare që qeveris Shqipërinë, për t’u përballur seriozisht me atë histori të tmerrshme, ndryshe nga shumica e vendeve ish-komuniste të Evropës. Zgjedhjet e 25 prillit nuk bënë asgjë për të më bindur se diçka ka ndryshuar për më mirë në këtë mes. Falënderës Zotit që Shqipëria është në NATO, sepse mos të ishte anëtare e NATO-s, nuk jam i sigurt se cili do ishte fati i saj sot, e udhëhequr nga kjo klasë politike aq e papërgjegjëshme për fatet afatgjata dhe afatshkurtëra të Kombit.

Dikush mund të thotë, në rregull, po çfarë ka të bëjë i ndjeri At Pjetër  Meshkalla me aktualitetet politike të tranzicionit Shqipëri, përfshirë edhe zgjedhjet e tre dekadave të fundit në Shqipëri, një vend që 30-vjet si sot, vazhdon të cilësohet nga perendimorët si një shtet, “pjesërisht i lirë”?  Shumë veta, brenda dhe jashtë Shqipërisë, përfshirë opozitën, i pritën këto zgjedhje me shumë entuziazëm, si mundësinë për “ndryshimin e madh”, si “kthesën historike”, e tjera.  Unë nuk isha aspak entuziast për këto zgjedhje, (rezultati përfundimtar i të cilave mbetet ende për t’u parë falë ankesave për ç’rregullime, megjithë nxitimin e ndërkombëtarëve për të bërë urimet e rastit), dhe as nuk isha optimist se këto zgjedhje do të sjellin ndonjë ndryshim të madh në Shqipëri, sepse ndryshimi i vërtetë dhe i sinqertë kërkon në themel, ndër të tjera, zgjedhje vërtetë të lira e të ndershme dhe jo vetëm urimin e ndërkombëtarëve, për t’i bërë ato legjitime dhe një mjet që ato të sjellin “ndryshimin” aq të nevojshëm politik dhe ekonomik në Shqipëri dhe, që të ndalohet zbrazja e trojeve nga rinia shqiptare. Koha do e tregojë se kush ka të drejtë! Por një gjë nuk është e drejtë, as e pranueshme, që sot, pas tre dekadash tranzicion, Shqipëria në qendër të Evropës, vazhdon të konsiderohet një vend “pjesërisht i lirë”.

“Fatkeqësisht, në këto 30-vjet tranzicioni, asgjë nuk ka ndryshuar për më mirë në Shqipëri, sidomos kur është fjala për mbajtjen e zgjedhjeve të lira, të drejta dhe të ndershme, bazuar në një numër faktorësh dhe parimesh ndërkombëtare, kryesisht të botës perëndimore”

Gjatë viteve, jam shprehur, në përputhje me shumë kolegë të mi në perëndim, se është e domosdoshme që Shqipëria të përballet me historinë dhe krimet e diktaturës komuniste të Enver Hoxhës, para se në Shqipëri të mund të ketë ndonjë ndryshim domethënës të jetës politike dhe shoqërore. Kjo nuk ka ndodhur. Përkundrazi, gjatë fushatës së fundit në Shqipëri, udhëheqës të lartë të Partisë Socialiste në pushtet, përfshirë Kryeministrin dhe kandidatë me profil të lartë të kësaj partie, haptazi dhe publikisht, dhe me krenari, folën për “meritat” dhe për të “mirat” e diktaturës komuniste të Enver Hoxhës. Po si ndodh që në Shqipëri, ndryshe nga çdo vend tjetër i Evropës ish-komuniste, nuk po ndodh ndryshimi që miliona shqiptarë anë e mbanë trojeve dhe në mbarë botën prisnin dhe presin se do ndodhë?  Përgjigjen na e jep viktima e ish-regjimit komunist, At Pjetër Meshkalla, në përvjetorin e burgosjes së tij në prill të vitit 1967, i cili citohet të ketë thënë se, “pseudo-demokracia nuk sjell ndryshimin”.  Se një shtet “pjesërisht i lirë”, siç kategorizohet sot Shqipëria, nuk garanton as të drejtat më themeltare të njeriut dhe jo më të sjellë “ndryshimin”, me votën e lirë të shqiptarëve. Si të ketë ndryshim nëpërmjet zgjedhjeve ku haptas blihet vota dhe ku qeveria në fuqi, përdori burimet shtetërore në favor të vetin, sipas ODIHR-it?

Se pse në Shqipëri nuk mund të ndodhë ndryshimi që zakonisht pritet nga zgjedhjet e lira në një vend normal, përgjigjen na e jep një i ish-burgosur i komunizmit eneverist, At Pjetër Meshkalla, i cili është shprehur se asgjë e mirë nuk mund të vijë nga një pseudo-demokraci, ku, “Autokracia me makiazh demokratik, lëshon rrënjë më të shëndosha se sa vetë diktatura e shpallur tek një popull i lodhur e i demoralizuar, i cili bie në prehërin e saj symbyllas”.  At Pjetër Meshkalla, Pishtari i demokracisë shqiptare, ka paralajmëruar se pasojat e rënda të autokracisë me makiazh demokratik, “janë më afatgjata se ato të një diktature të ligjëruar, mbasi populli i shpresëhumbur gjunjëzohet prej dëshpërimit, duke u bërë një pré e lehtë për despotët e rinj me grim demokratik”.  Në një shkrim botuar në portalin, “Radi and Radi”, At Meshkalla citohet të ketë thenë se, “duke i lënë kastile të hapura dhe të pa mjekuara plagët e diktaturës, ato do të infektohen dhe, shoqëria shqiptare do të gangrenizohet duke u dobësuar dhe ç’orientuar progresivisht, derisa të katandiset në një turmë të hallakatur lypësarësh të nënshtruar.”   Për më tepër thekson At Meshkalla, “Pseudo-demokracia është një anarshi e organizuar me qëllim që pushtetarët despotë dhe bashkpunëtorët e tyre mëkatarë, të përfitojnë në mënyrë të paligjshme atë që ua ndalon ligji i tyre, fasadë mashtrimi!”

Shpresoj se si “fituesit”, ashtu edhe “humbësit” e zgjedhjeve të fundit në Shqipëri, janë edhe ndërkombëtarët, të cilët për 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit, vazhdojnë të mos njohin realitetin e “autokracisë shqiptare me makiazh demokratik”, si pengesën kryesore drejt një shoqërie vërtetë të lirë e demokratike, të reflektojnë edhe kësaj radhe, me rastin e zgjedhjeve të 25 prillit në Shqipëri, dhe të mbajnë përgjegjëse këtë autokraci shqiptare me makiazh demokratik për gjendjen aktuale politike dhe ekonomike në atë vend.

“Prej të parëve tanë pritëm nji Shqipni të lirë! Nipat presin prej nesh nji Shqipni të lumtun!”, citohet të jetë shprehur At Pjetër Meshkalla. Fatkeqësisht, unë e kam vështirë të besoj se zgjedhjet e 25 prillit, sido që të karakterizohen ato nga ndërkombëtarët, nuk japin asnjë perspective, as shpresë për një Shqipëri më të lumtur dhe vërtetë të lirë dhe demokratike perëndimore, siç e dëshironte brezi i At Pjetër Meshkallës, por as për brezat e tanishëm nuk kanë ndonjë arsye të jenë më optimistë për të ardhmen e Kombit shqiptar! Uroj të jem i gabuar. Zot ndihmoji shqiptarët në këtë periudhë të historisë së tyre!