Ardit Beqiri: Tirana bllof i javës së 10-të, spektakël i bukur në Rrogozhinë

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-mbrojtësi e kapiteni i Partizanit, Ardit Beqiri. Ja analiza teknike e tij

Agron KAJA

NOA

Superiorja i zhvendosi ndeshjet për një ditë, kishte ndikim ky ndryshim programi te forma e lojtarëve?

Nuk mendoj se shtyrja me një ditë e këtyre ndeshjeve do kishte ndikim. Dhe me sa pamë në fushë, të gjitha ndeshjet u zhvilluan të forta dhe me ritëm, duke veçuar si kryendeshje Egnatia-Vllaznia 2-2.

Në këndvështrimin teknik, si i përshkruani të pesta ndeshjet e javës së 10-të, të pritshme apo surpriza?

Mendoj se ishin të gjitha ndeshje të luftuara, edhe pse me 7 gola të shënuar. Numri i golave tregon se skuadrat kujdesur mos pësojnë, por edhe të shënojnë. Një mesatare e ulët shënimi, por duhet thënë se kishte gola shumë të bukur.

Në gjykimin tuaj teknik, ku ishin pritshmëritë më të afërta në rezultatet e kësaj jave të 10-të?

Më shumë prisja tek Tirana, e cila doli bllof i javës së 10-të. Skuadra bardheblu tregoi se ka dobësi në të gjitha repartet, sepse me Bylisin që e kishte edhe rival në zonën ku ndodhet, duhej të fitonte. Mendoj se e ardhmja duket jo e mirë.

Pas rezultateve të javës së 10-të erdhën edhe disa lëvizje në renditje, priteshin të tilla?

Ndryshimet që u bënë këtë javë priteshin ndryshe. Sepse prisja që Partizani të bënte diçka më tepër ndaj Vorës dhe ta kalonte atë në renditje. Po kështu edhe Dinamo ndaj Teutës, një ndeshje që favorite mendohej skuadra dinamovite.

Këtë javë u shënuan 7 gola, e kanë treguar skuadrat portretin e tyre para portave kundërshtare?

Unë e përmënda më sipër se 7 golat e shënuar në 5 ndeshje tregojnë jo vetëm mangësitë në shënim, por edhe kujdesin për të mos pësuar. Por do veçoja sfidën Egnatia-Vllaznia, e cila përpos golave dhuroi edhe spektakël në fushë.

Nisur nga rezultatet në 10 javë, si e lexoni renditjen nga kreu në fundin e saj?

Kjo është renditja reale, sepse të gjitha ekipet janë shpërblyer për aq sa kanë dhënë në fushë. Duket se skuadrat janë ndarë në dy grupe, pesë të parat që synojnë “Final 4”, dhe pesë të tjerat që luftojnë për mbijetesën.

Në fundjavë, 8-9 nëntor, luhet java e 11-të, Vllaznia-Dinamo dhe AF Elbasani-Egnatia janë sfida të “Final 4”?

Mendoj se për “Final 4” do jetë edhe ndeshja e Teutës me Partizanin, e cila do kërkojë që të jetë në ritmin e katër skuadrave të tjera. Por Vllaznia-Dinamo dhe Elbasani-Egnatia vendos përballë katër skuadrat më të konsoliduara.

Po ndeshjet e tjera, çfarë statusi marrin nga këndvështrimi juaj teknik?

Sapo ka nisur faza e dytë dhe llogaritë kanë nisur të bëhen nga të gjitha skuadrat. Kësisoj, të gjitha ndeshjet e javës së 11-të do jenë delikate. Bylis-Flamurtari dhe Tirana-Vora, janë tërësisht sfida të zonës për mbijetesë.

Pas javës së 11-të do ndërpritet kampionati, si do shfrytëzohet kjo hapësirë nga trajnerët?

Është një periudhë pushimi, pasi janë luajtur 11 ndeshje. Mendoj se do të shërbejë në rekuperimin e të dëmtuarve, por edhe një pauzë e domosdoshme për t’u shlodhur lojtarët. Pra, pushime të tilla u shërbejnë gjëndjes fizike të skuadrave.

Partizani barazon ndaj Vorës, dëmtohet kapiteni Skuka

Në minutën e dytë shtesëtë pjesës së parë në sfidës Vora-Partizani, kapiteni Xhuliano Skuka pësoi një dëmtin të rëndë. Pasi mjekët e panë situatën, dukej se dëmtimi i Skukës te faulli është më i rëndë se sa mendohej, dhe lojtari del nga fusha me barrelë i përlotur, për t’i bërë vend Tomës. Kjo ndeshje u luajt në stadiumin “Arena e Demave”, pasi Vora ende nuk e ka të gatshëm stadiumin e saj për ndeshje. Kjo sfidë përfundoi me rezultatin e barabartë 0-0.

ABISSNET SUPERIORE

SEZONI 2025-2026     

Ndeshjet-Java e 10-të

E hënë, 3 nëntor 2025

Tirana-Bylis                             0-2

Dinamo City-Teuta                 0-0

Flamurtari-AF Elbasani          0-1

E martë, 4 nëntor 2025

Vora-Partizani                         0-0

Egnatia-Vllaznia                     2-2

RENDITJA     

Skuadrat                    Nd       P

1.Vllaznia                    10        20

2.AF Elbasani              10        20

3.Egnatia                     10        19

4.Dinamo City             10        18

5.Teuta                        10        15

6.Bylis                         10        12

7.Vora                         10        11

8.Partizani                   10        9

9.Tirana                       10        6

10.Flamurtari               10        5

 

NDESHJET DJE

Vora-Partizani 0-0

Partizani me nisiativë, por pa shënjestër të golit

Dje në “Arena e Demave”, ndeshja Vora-Partizani nuk shkoi më shumë se rezultati i bardhë 0-0. Të dyja skuadrat kanë ndarë pikët në një përballje mes dy skuadrash që luftojnë për të qëndruar larg zonës së ftohtë në tabelën e renditjes. Në tërësinë e saj, kjo ishte një ndeshje që dhuroi pak emocione, me Partizanin që në pjesën më të madhe të lojës kishte iniciativën, por jo shënjestrën e duhur për të rrezikuar me gjuajtjet e vazhdueshme nga jashtë zonës. Ndërsa rastet e vërteta të ndeshjes erdhën në pjesën e dytë, kur Janjeva goditi fillimisht shtyllën e më pas traversën për skuadrën e Partizanit. Por në fund rrjetat nuk u prekën dhe barazimi pa gola nuk solli ndryshime edhe në renditjen e tyre.

Egnatia-Vllaznia         2-2

Emocione, 4 gola e 10 kartonë për barazimin

Ndoshta sfida e djeshme Egnatia-Vllaznia 2-2 u zhvillua tërësisht mes dy rivalëve për titullin kampion. Sepse veç barazimit 2-2, në fushën e lojës kishte edhe tension, por edhe spektakël, një ndeshje që i pati të gjitha. Shkodranët e hapën serinë e golave, me një supergol të shënuar nga mesfushori Sherif Kallaku, duke mbyllur 45 minutat e para në avantazh, për ta lënë spektaklin në 45 minutat e dyta. Pjesa e dytë dhuroi emocione të forta nga të dyja skuadrat, me golat njëri pas tjetrit, me penallti dhe kartonë të verdhë e të kuq. Ishte një kryendeshje e javës së parë të fazës së dytë, e cila tregoi se niveli i skuadrave që synojnë kreun e zonës “Final 4” po vjen në ngjitje, dhe në javët e mbetura do të kemi të tilla sfida.