Speciale/ Kozma Gjini: Flet Naje Kondakçiu, e para vajzë myzeqare që mësoi biçikletën, kitarën dhe fizarmonikën. Si u ngrit grupi i parë artistik, delegacionet e huaja në Kongresin e 10 të BGSH dhe takimet me Enverin

30
Sigal

Ishte një rastësi e këndshme që këto ditë, në prag të 8 Marsit, festës së Gruas, të dëgjoja nga goja e autores së intervistës historitë e së kaluarës, atëhere kur vajza ishte në plan të dytë dhe në të vërtetë dilte me vepra përpara djemve dhe do të mblidhte rreth vetes rininë e fshatit Këmishtaj, për ta bërë më pas të ardhmen më të bukur dhe jetën e vajzave më të emancipuar. Takimet me Enver Hoxhën dhe kujtimet e autores rreth vlerave të organizatës së gruas në shkallë vendi, aksionet për revolucionarizimin e jetës së vendit, përmirësimin e kushteve të jetesës në familje…duke qënë për më shumë se 15 vjet kryetare e Org. së Gruas, në Lushnjë. Çfarëi i tha Enveri Najes në plazhin e Pogradecit, në  Kongres dhe pas çfaqjes në kinoteatrin ”Vaçe Zela”, kur Naje Allkanjari do të drejtonte me fizarmonikë grupin artistik të fshatit dhe artistët amatorë të veshur me kostumet popullore do të përshëndeteshin duke duartrokitur e buzëqeshur nga ai. Pse Enveri nuk doli në skenë t’i përgëzonte artistët? –Zonja Naje, përshëndetje! Si shpjegohet që gjithë këtë jetë me plot kujtime, veprimtari, takime e punë të palodhur nuk keni rrëfyer përpara medias së shkruar apo audiovizive, ndërkohë që zotëroni një arkiv dokumentash, gazeta, shkrime, fotografi e kujtime…, që janë një arkiv i gjallë, një vlerë juaja, e ekzistencës së asaj kohe, e plus-minuseve të anatemuara, e mbijetesës, por që ka peshën e saj dhe është mësim për disa të rinj, që jo vetëm të mos përsëritet e kaluara, por edhe të mos harrohet, sepse, siç shprehej Sollzhenici: “…Po u morëm vetëm me të kaluarën, kemi nxjerë njërin sy, por po e harruam atë, i kemi nxjerrë të dy “, pasi shohim disa episode që të rinj e të moshuar, i janë futur me kokë lirisë së “shfrenuar” të etikës në marrëdhëniet e komunikimit mes vetes dhe në ekranet televizive, që kulmojnë me “shthurje” të vlerave e traditave familjare, apo të “ushqimit” të një dite parazitare për të jetuar në kurriz të prindërve, e të pakalitur para vështirësive dhe harrojnë se leku del me vështirësi.

– Së pari gëzuar festën e 7 dhe 8 Marsit të gjitha vajzave dhe nënave shqiptare! Ju falenderoj për interesimin. Jeni i pari gazetar që interesoheni për të zgjuar kujtimet e mia, por edhe të shoqeve të brezit tim, të moshës sime, atë kohë…kur vërtet kishim shumë probleme të mbijetesës…por që bënim sakrifica të shumta që të sfidonim mentalitetin e kohës dhe të emanciponim veten dhe shoqërinë rinore e familjare. Shiko. Të edukosh veten, të mos përshtatesh me të metat, të flakësh një mentalitet e të ndërtosh një të ri, të flasësh për emancipimin e vetvetes është shumë më e vështirë sesa të tregosh se si punohej për emancipimin e shoqërisë në atë kohë. Dy epokat duhet t’i vlerësojmë në hapësirë dhe në kohë. Nga kjo pikpamje, po të pranonim se e kaluara ka patur vetëm anë negative, do të thotë të mohojmë prejardhjen tonë, se s’paskemi pasur një bazë të shëndetshme nga ku jemi mbështetur për t’u  ngjitur në lartesitë e sotme optimiste, në realitetin e sotëm shpresëdhënës e një të ardhmeje të padiskutueshme krahasuese evropiane, çka e tregojnë me vepra fëmijët e shqiptarëve që jetojnë jashtë dhe që kur kthehen këtu, sjellin një botë të re dhe shikojnë këtu se po mbin një realitet ndryshe. -Atëhere, mund ta nisim intervistën nga origjina juaj, si vajza e Papa Jovanit dhe familja e tij, një prifti të njohur në trevën e Myzeqesë, që ka lënë gjurmë në kujtesën e besimtarëve të dy kohëve!

-Dakort. Unë jam vajza e Papa Jovanit, priftit të dikurshëm të Këmishtajt, babait të 3 djemve dhe 3 vajzave, me origjinë nga Rrethkoçaj, pranë Verrisë së Fierit, të përzënë nga beu dhe që u vendosëm në Këmishtaj, tek të afërmit tanë. Ambjenti i ngrohtë dhe i kulturuar, deri në atë masë që prezupozohet, bëri që jeta jonë të merrte një drejtim të mirë, gjë që u duk në përmirësimin e gjendjes ekonomike të familjes dhe etjen për kulturë e arsim të rinisë, por edhe të popullit në përgjithësi, sepse 80 % e njerëzve ishin analfabetë dhe dalja nga kjo gjendje, nuk u realizua me një të rënë të shkopit, por u desh një punë e madhe, durim dhe pse jo vetmohim. Shpesh disa të rinj qortojnë ecjen e ngadaltë të Shqipërisë dhe fajësojnë prindërit se i paskan lënë “prapa botës”! Po çfarë mund të bënin, po të ishin ata në vendin e prindërve dhe të mos harrojmë se në një kohë kur Serbia e hapi universitetin që në vitin 1808, kur ne kishim vetëm një shkollë në gjuhën shqipe, ndërsa universitetin e hapëm më 1957, thuajse 150 vjet më vonë?! Po le ta kalojmë këtë detaj. Unë jam e datëlindjes 1940. Fëmijërinë dhe rininë i kalova në varfëri, si tërë myzeqarët, por me përpjekje arritëm diçka duke qënë mendjehapur dhe besues te e ardhmja. Pas arsimit 7-vjeçar në vendlindje, punova disa vite në vatrën e kulturës të fshatit dhe më pas më çuan të mbaroja Liceun artistik, dega e kultures, në Tiranë. Liceun e mbarova në vitet 1958-1962. Kthehem në fshat , kuptohet, me një bagazh të gjerë informacioni dhe kulture çka e kisha për detyrë ta përhapja në masën e të rejave dhe shpejt kjo u përthith nga rinia. Kjo ishte një ndër arsyet që salla e shfaqjeve të fshatit tonë mbushej plot me burra e gra e të rinj e të reja që s’kishte vend ku të rrinin, kështuqë njerëzit i shihnin  shfaqjet në këmbë.

-Kur e ngritët grupin e parë artistik?

– Në fshatin Kryekuq kam ngritur grupin e parë artistik me të rinj e të reja nga fshati. Kur ishim në shkollë e bëmë praktikën kulturore në ekonominë e Kryekuqit. Me grupin e fshatit erdhëm e dhamë shfaqje në qytet. Duke kënduar, Ganiu improvizonte…Podiumi ishte te farmacia kryesore. Po këndonte këngën “Ç’deshi zonja në Kamenicë”? Po nuk po e vazhdoj deri në fund këtë rast, sepse na ndodhi një incident i pakëndshëm që u anashkalua me kujdes… Në një ftesë lexojmë: ” Me rastin e 20 vjetorit te Kongresit Antifashist Nacionalclirimtar, të Përmetit, Presidiumi i Kuvendit Popullor, Këshilli i Ministrave dhe Komiteti Ekzekutiv i K.P. të Rrethit të Përmetit, kanë nderin të ftojnë shoqen Naje Kondakçiu Allkanjari  në festimet që do të zhvillohen në qytetin e Përmetit në datën 23 dhe 24 maj 1964.”

Më pas, cila ishte rruga juaj drejt cilësive përzgjedhëse të elitës drejtuese në aparatin e Rinisë të rrethit? Pse u zgjodh pikërisht një vajzë si Naje Kondakçiu?

-Arsyeja ishte fare e thjeshtë, sepse numëroheshin me gishtat e njërës dorë vajzat që shpërfillën të parat zakonet prapanike dhe duke shkelur mbi  thashethemet, triumfuan mbi ambjentin mbytës të së kaluarës dhe rinia kureshtare vuri re se diçka më e mirë po trokiste dhe shihej më qartë perspektiva.

-C’ doni të thoni me këtë? Nuk rrezikonit ju nga personaliteti juaj duke punuar mes ambjentit mbytës, të molepsur me thashetheme, e njerëzve që bëheshin pengesë e progresit në fshat? Si u lejonin prindërit, që të “braktisnit” familjen e të futeshit me shoqet dyerve të fshatit për t’i tërhequr të rejat në aktivitetet emancipuese të jetës?

-E theksova pak më sipër, se nuk ishte e lehtë, por duke u bërë bashkë, është si puna e murit që gurë-gurë, bëhet kalaja. Ne punonim me një ndjenjë të pastër si të ishim motra e vëllezër të një familjeje. Kur merrja gazetën për ta lexuar në fushë ku punonin njerëzit, sapo më shikonin nga larg gra e burra, të rinj e të reja e linin punën dhe thoshin: “Ja, po vjen Naja. Të çlodhemi pak dhe ta dëgjojmë çfarë thotë gazeta dhe radioja për jetën dhe të rejat e rrethit dhe të vendit?” Unë merrja dhe një gramafon me vete dhe njerëzit mblidheshin kokë më kokë dhe dëgjonin me një kureshtje të madhe lajmet e gazetes dhe muzikë popullore dhe këngët e të madhes Vaçe Zela, e cila sapo kishte çelur si këngëtare e së ardhmes dhe e pëlqyer mjaft nga rinia. Vaçja ishte moshatare me mua pra kemi qenë shoqe e kemi bashkpunuar në aktivitetet kulturore e artistike. -Si e përshkoje largësinë për të shkuar fshat më fshat për të realizuar punën kulturore? A kishte vështirësi?

-Duke ndenjur e duke pritur s’bëhet asgjë. E kisha problem rrugëtimin, jo thjesht, sepse nuk ishin rrugët si janë sot, të shtruara me asfalt, por ishin me pluhur e baltë, çka do të thotë se duheshin edhe çizmet në këmbë që të kaloje përmes ujit dhe baltës. Ishte vërtet heroike të punoje në ato vite. Por, kur ishte moti i mirë, unë rrugën e bëja me biçikletë. Isha e para vajzë e fshatit dhe e zonës, që mësova të përdorja biçikletën, e cila ishte jo vetëm një mjet pune për të shkurtuar kohën, por edhe e vështirë për t’u përdorur nga një vajzë fshati. Nuk të linin konceptet frenuese që thamë pak më sipër. Por, babai im ishte prift dhe jo vetëm nuk ma prishi qejfin për të blerë një biçikletë, por edhe më nxiste që ta ngisja e bashkë me vëllezërit, arrita ta mësoja të ecja rrugëve të fshatit e më tej nga fshati në fshat për të përcjellë informacionin e shtypit dhe të radios brenda ditës.

-Kujt ia dedikoni suksesin në jetën kulturore dhe artistike?

– Familjes, prindërve që më inkurajonin, por pa dritën jeshile të kohës që po dukej në horizont ngadalë-ngadalë, por dukej si dita me diell që po përmirësohej jetesa dhe po hynte një kulturë e re e mbështetur edhe e stimuluar nga shteti.

-Por thatë, se ju morën në qytet, apo jo? Me çfarë detyre shkuat në rreth?

Në vitin 1965 më emëruan në Lushnjë, sekretare e dytë e Komitetit të Rinisë së rrethit. Të banoje në fshat dhe të punoje në qytet ku rruga vajtje-ardhje ishte afer 20-25 km, do të thotë që duheshin sakrifica. Rrugën e kisha shumë problem, por qe fat, sepse kisha mësuar biçikleten dhe e bëja me biçiklete distancën. Isha jo vetëm e re në moshë, por edhe e parrahur me organizimin e rinisë në ato përmasa sa ç’këkohej, por ia dola. Atëhere, në krye të Komitetit të Rinisë ishte z. Edip Hajdari, kurse Komitetin Qendror të Rinisë në shkallë vendi e drejtonte z. Agim Mero. Pati ardhur disa herë në Lushnjë Agim Mero dhe kudo transmetonte bashkëpunim. Ai na ka  ndihmuar shumë me leteraturë për kryerjen e  veprimtarive informative e kulturore me rininë e rrethit.

-Ju keni qënë edhe jashtë shtetit, pjesë e  delegacioneve rinore, për shkëmbim eksperience. Ku keni qënë?

– Ishte viti 1964, në mos gaboj. Me një delegacion të rinisë shqiptare, me në krye z. Agim Mero, ishim për shkëmbim eksperience në Kinë. Kanë mbetur shumë kujtime në kujtesën time nga ajo vizitë. Ishim në Pekin, në Shangai, Huanxhou, etj. Vetëm, një rast, pamë në Shangai një çift të rinjsh që rrinin afër nën një ombrellë, se atje shikoje vetëm burra e gra të veshur si ushtar me pantallona e zhaketë doku, kurse çifte të rinjsh, si në vendet evropiane, s’bënte vaki. Thoshim me njëra-tjetrën: “ Këta qënkan më prapa vendit tonë, sa i takon civilizimit të shoqërisë”. Vizituam edhe qytetin Jenan, ku ishte strehuar Mao Ce Duni me grupin e tij gjatë kohës së luftës. Jenani kishte më tepër vlera muzeale. Ata janë popullsi e madhe dhe jetonin në kushte të vështira jetese. Në Huanxhou pamë disa lundra mbi lumë ku jetonin njerëzit. Madje brenda, tek këto  “lundra-shtëpi”, mbanin edhe pula e rosa uji. Në Huanxhou na çuan te ca vende ku rriteshin pula me shumicë. Vajtëm dhe nëpër shkolla ku takuam e biseduam me studentët. Ditët e fundit, para se të iknim, na mblodhën në një sallë të madhe ku erdhi dhe Mao Ce Duni. U organizua një miting madhështor me rastin e  festës së 1 Tetorit. Delegacioni i rinisë shqiptare ishte i “privilegjuar”, sepse na vendosën afër Mao Ce Dunit, gjë që tregonte për besimin dhe afërsinë e marrëdhënieve mes dy shteteve tona. Madje ata na mësuan edhe një këngë kineze. (Ndërkohë, reciton vargjet e këngës kineze…). Na çuan dhe në kooperativën: “Miqësia shqiptaro-kineze” . Atje ishte një stallë e madhe lopësh ku kemi dalë në fotografi pranë një lope e cila, thoshin se ishte ”fabrikë qumështi”, sepse jepte 71 kg. qumësht në 24 orë. Vizita jonë në Kinë zgjati afër dy muaj. Vizituam edhe disa sektorë të bujqësisë në fshatra të periferisë së Huanxhout.

– Ndërkohë ju keni qënë edhe një gjimnaste e dalluar në rrethin tonë?

-Po. Atëhere zhvilloheshin aktivitete masive ndërmjet fshatrave, jo vetëm gara kulturore-artistike, argëtuese, por edhe sportive. Unë kam marrë pjesë në garat e lojërave, në spartakiadën e rrethit. Si vrapuese, për distancën 400 metër, kam zënë vendin e dytë në shkallë rrethi. Organizoheshin sistematikisht spartakiadat e lojërave sportive. Bënim gara shpejtësie, lojëra volejboll, basketboll, kërcim së gjati e në lartësi, hedhje gjyle etj. Garat shoqëroheshin edhe me stimuj e kritere për të cilët palët pjesëmarrëse kishin rënë dakort që më parë. Meqënëse fituam garën në prodhimet bujqësore e blegtorale dhe në garat sportive me ekonominë e Krutjes, humbësit i dhanë një lopë skuadrës sonë. Skuadra e Këmishtajt e hipën lopën mbi një karrocë dhe e sollën në fshat duke kënduar këngë të gëzuara e humoristike, të entuziazmuar nga fitorja e garës.

-Po për kohën, kur ishit në pozicionin e Kryetares së Gruas të rrethit, çfarë kujtoni?

Më 1968 më zgjodhën Kryetare të Org. së Gruas të Lushnjës, deri më 1985. Pas një viti vajta me detyrë shefe e seksionit të organizimit të Komitetit Ekzekutiv të Kësh.Pop.të Lushnjës dhe e mbylla me detyrën Drejtore e  Sigurimeve shoqërore të rrethit, ku edhe dola në, pension të parakohshëm. Kur isha në drejtimin e Organizatës së Gruas të rrethit, zhvillonim një punë të programuar me synime të caktuara për ngritjen e nivelit arsimor, kulturor, shëndetësor, ngritjen e shkallës së përgatitjes së kuzhinës, luftën kundër mbeturinave të së kaluarës dhe afirmimin e së resë në çdo sektor të jetës. Kishte progres të dukshëm. Garat shtriheshin edhe midis rretheve. Kështu, ne jemi ndeshur edhe me rrethin e Beratit. Në garën për vjeljen e pambukut, e cila u bë në fushën e Savrës, me të gjitha vjelëset e dalluara të ekonomive të rrethit, erdhën për eksperience edhe nga rrethe të tjera të vendit dhe drejtueset e BGSH e nga ministria e Bujqësisë dhe televizioni shqiptar. Kjo garë më sjell ndërmend edhe një të tillë që u bë në fshatin Këmishtaj, ku unë fitova vendin e parë dhe si shpërblim më dhuruan një kostum. Ruaj edhe një fotografi nga dita e vjeljes së pambukut, 50 e ca vite më parë. Një punë konkrete bënim edhe për edukimin e të rejave me dashurinë për librin artistik. Organizonim konkurse e pasdite tematike-dëfrimi, ku të rejat referonin për librat e reja, kryesisht të autorëve tanë. Ishte detyrë e gruas dhe e të rejave, që në punët e shtëpisë të kishte një solidaritet e bashkëpunim mes burrave dhe grave, sepse gruas i kalonte dita me punë në bujqësi e blegtori dhe pafundësinë e punëve shtëpiake. Një vrull të madh mori puna jonë, pas fjalimit të sh.Enver për nëpërkëmbjen e personalitetit të vajzave dhe grave. Atëhere ai mbajti një fjalim më 6 shkurt 1967 kundër zakoneve prapanike dhe shprehimisht…tha:”…Si mund të jetë në pozita revolucionare një org. bazë e partisë në fshatin malor Zgjanë të lokalitetit Hysgjokaj të Lushnjës ku gati të gjitha vajzat që nga mosha 13-14 vjeç e poshtë janë të fejuara dhe disa të martuara të vogla nga prindërit jashtë ligjit. Gjithë partia dhe vendi duhet të ngrihen në këmbë të djegin me zjarr zakonet prapanike e t’i këputin kokën cilitdo që merr nëpër këmbë ligjin e shënjtë të Partisë për mbrojtjen e të drejtave të grave dhe vajzave”. Pas atij fjalimi na u hap një punë e madhe dhe duke biseduar me të rejat dhe familje më familje, u arrit që brenda një kohe të shkurtër të prishen 14 fejesa të lidhura që në djep dhe disa vajza të dilnin vullnetare në hekurudhë. Më kujtohet që T. Nezha nga Zgjana e prishi fejesën dhe shkoi në hekurudhë.

 

Vijon…