Prof. Dr. Qemal Lame: Dënimi i gjenocidit serbë

13
Sigal

OKB ka në plan të miratojë në Asamblenë e Përgjithshme Parlamentare një rezolutë për gjenocidin në Sebrenicë. Formulimi i saktë i rezolutës nuk dihet ende. Ajo që dimë pjesërisht: 11 korriku do të vendoset në mbarë botën si një ditë kujtimi për masakrat. Rezoluta dënon “çdo përpjekje për të mohuar gjenocidin”. Ajo gjithashtu mbështet “të gjitha përpjekjet për të sjellë autorët e kësaj masakre para gjykatave ndërkombëtare”.

Dënimi i gjenocidit serb

Në verën e vitit 1995, trupat serbe të Bosnjës nën gjeneralin Ratko Mlladiç pushtuan zonën e mbrojtjes së OKB-së në Srebrenicë në Bosnjën lindore. Mbi 8,000 burra dhe djem boshnjakë (myslimanë) të moshës 13 vjeç e lart u vranë në masakrat që ndodhën nën sytë e trupave holandeze të OKB-së. Në vitin 2001, Gjykata e Krimeve të Luftës për ish-Jugosllavinë (ICTY) e klasifikoi vrasjen masive si gjenocid. Në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) doli në të njëjtin përfundim pas hetimeve shtesë. Krimineli kryesor Sllobodan Millosheviç vdiq në burg. Ratko Mlladiç, u dënua me burgim të përjetshëm nga ICTY në vitin 2017.

Hapat mbrapa në përballjen me të kaluarën

Në vitin 2005, në një mjedis tjetër gjeopolitik, kur pranimi në BE dukej i pashmangshëm, Milorad Dodik tha se e dinte saktësisht se çfarë kishte ndodhur në Srebrenicë. “Ishte gjenocid, i shpallur nga gjykata në Hagë”. Në atë kohë Dodik ishte një politikan i mbrojtur nga amerikanët. Pesë vjet më vonë, në mars 2010, Parlamenti serb në Beograd miratoi një rezolutë që dënonte “krimet kundër popullsisë muslimane boshnjake të Srebrenicës”, njëlloj siç është përcaktuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë”.

Politika serbe e sotme ka ndryshuar tërësisht. Presidenti Aleksandar Vuçiq e përshkruan rezolutën e OKB-së si “një sulm të poshtër” kundër të cilit ai po lufton me të gjitha mjetet e mundshme. Me të njejtin mendim, edhe Presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik, kundërshton gjenocidin. Një krim është kryer ndoshta në Srebrenicë në vitin 1995, tha ai në një festë në Banja Luka në prill. Ai nderoi viktimat dhe shprehu ngushëllimet e tij për të afërmit. Por nuk kishte gjenocid atje. Menjëherë pas momentit dinjitoz, ai iu rikthye stilit të tij të zakonshëm nxitës dhe bërtiti se nuk donte as të ndante ajrin me boshnjakët – dhe sigurisht jo një shtet. Ai bëri të ditur përmbajtjen e politikës së njejtë serbomadhe, se ai “nuk sheh ndonjë kuptim të mbetet në Bosnje”. Në vazhdim aryeton: “Ne do të vazhdojmë më tej të pavarur”.

Mohimi i gjenocidit bazohte në politikën agresive që mbështetet nga politikanët drejtues të Serbisë dhe nga Rusia.

Populli serb nuk njësohet me ata që kanë kryer gjenocid

Rezoluta nuk përmend Serbinë apo Republikën Srpska, pjesa e mbizotëruar nga serbët e Bosnje-Hercegovinës. Dhe sigurisht jo për “karakterin gjenocidal” të popullit serb. Është me vend të njihet përmbajtja e qëllimi i saj, se nuk damkoset populli serb, por ata që kanë kryer gjenocid, politika dhe regjimi, klerikët që mbajnë gjallë mitet serbomadhe. Demaskohen e dënohen ata që vazhdojnë të mbështesin politikën e vjetër duke shfrytëzuar dhe u maskuar me demokracinë dhe integrimin evropian.

Ultranacionalistët duan të shmangin përgjegjësinë për gjenocidin

Është rasti të kuptohen dhe të demaskohen sinjalet e alarmit që propogandohen nga nacionalistët që me veprat e tyre  rrezikojnë e duan të përsëritet historia. Politikanët serbë i frikësohen përgjegjësisë së tyre dhe në vend që të kërkojnë falje, kundërshtojnë e akuzojnë për një damkosje kolektive të popullit serb.

Irrituese dhe me kërcënime të hapta janë po ashtu spekulimet verbale të Milorad Dodik, se si duhet të veprojë me 150.000 të kthyerit boshnjakë, pra ata myslimanë boshnjakë që u dëbuan gjatë luftës në vitet 1992-1995 dhe pas luftës u rikthyen. Pasi ai deklaroi, se boshnjakët që janë më shumë se 50% e territorit në Bosnje-Hercegovinë duhet të jetojnë në 25% të territorit, ai paralajmëroi, se në rast të pranimit të rezolutës, opcioni i vetëm është ndarja paqësore nga Bosnje-Hercegovina. “Njerëzit në Republikën Srpska janë të zemëruar dhe nuk do të pranojnë të jetojnë me myslimanët boshnjakë.”

Këto janë deklarime të një ultranacionalisti që kërkon ti kundërvihet të vërtetës tragjike e të përgjakshme, si dhe zgjidhjes së bërë nga bashkësia ndërkombëtare për Bosnje-Herzegovinën. Boshnjakët janë kthyer në tokën dhe shtëpitë e tyre dhe kanë të drejtën legjitime për të jetuar të lirë.

Këto deklarata na rikujtojnë në mënyrë shumë të qartë retorikën që u parapriu spastrimeve etnike në Bosnje-Hercegovinë. Krimet sistematike të planifikuara kishin si qëllim të eliminonin në pjesë të mëdha të Bosnje-Hercegovinës gjithçka jo serbe.

Bashkësia ndërkombëtare do të dëshmojë mbrojtjen e të drejtave të lirisë e paqes

Nuk do të lejohen manovrat e politikanëve serbë për skenarin më të keq. Trupat e EUFOR-it të vendosura nga BE e që sigurojnë Marrëveshjen e Dejtonit, do duhet të shtojnë patrullimet në zonat e të kthyerve, gjë që kërkon edhe rritjen e numrit të tyre. Perëndimi duhet të veprojë në mënyrë preventive, si përmes zonave të mbrojtura të siguruara ushtarakisht, aksione të mundshme evakuimi dhe zona të ndaluara fluturimi. Kërkohet të dënohen shoqatat e çetnikëve serbë që çdo vit e kujtojnë me festime masakrën e tyre në Vishegrad dhe mbeten të pandëshkuar, për sa kohë që bandat nacionaliste të çiklistëve “Ujqit e natës” kalojnë nëpër Republikën Srpska dhe presidenti i RS mohon gjenocidin.

Kryekomandanti i trupave të NATO-s për Europën (SACEUR), gjeneralin Christopher Cavoli, para kongresit amerikan më 17 prill ai tha: “Situata në Ballkanin Perëndimor është ashpërsuar. Tensionet etnike në Bosnje e kanë potencialin të shkallëzohen. Republika Srpska, sipas Cavoli, përpiqet të “dobësojë autoritetin shtetëror” dhe marrëdhënien me BE dhe NATO-n dhe njëkohësisht të mbajë lidhje të forta me Rusinë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha, se është “thellësisht i shqetësuar” për vazhdimin e “politikës secesioniste” në Bosnje-Hercegovinë.

Politikania serbe, Ana Brnabic i quajti deklaratat e Cavolit “një mesazh shqetësues” dhe kërcënoi, se “do të krijohej një rast precedent, nëse ata kalojnë rezolutën e Srebrenicës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Ata do të hapin kutinë e Pandorës. T’i ruajë zoti pastaj me atë që do të shkaktojnë pas kësaj.”

Është detyrë me përparësi ndërgjegjësimi i serbëve e popujt e tjerë që të shpëtojnë nga mitet e shovinizmit e gjenocidi. Kërkohet të merren masa kundër nacionalizmit shovinist për të shpëtuar një nga projektet më të suksesshme të paqes që nga Plani Marshall. Shembulli poziiv me ndërhyrjen e NATO në Kosovë, në shtatorin e vitit 2023, se brenda pak ditësh mund të shuajë një konflikt që rindizet, ndihmon për të shpëtuar edhe Bosnje-Hercegovinën.

Gjenocidi serb është e domosdoshme të dënohet plotësisht.Gjatë luftës në Kosovë, 10 mijë vetë kanë humbur jetën, mbi 5 mijë rezultojnë të zhdukur, më shumë se 20000 gra janë përdhunuar nga ushtarët serbë, etj. 25 vjet pas saj ende nuk dihet asgjë për fatin e mbi 1 mijë e 600 personave.Nga të gjitha gjykatat deri tani, duke përfshirë edhe Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Tribunalin e Hagës, gjykatat në Kosovë, deri tani janë dënuar më pak se 80 persona për krimet e kryera gjatë Luftës në Kosovë.