Prof. Dr. Bernard Zotaj: LANÇ dhe zëri i atyre që ranë për liri!

520
Sigal

LANÇ-i është një nga ngjarjet më të rëndësishme të Historisë së Shqipërisë dhe një nga tre luftërat e mëdha të organizuara në këto vite të shtetit shqiptar

 

Zëri i atyre që ranë për liri!

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

 

Popull që bën të pavdekshëm kujtimin e tyre…

 

Përvjetorët e çlirimit të Atdheut janë kujtesë për peshën e lirisë përballë sfidave të kohës, ndoshta është një ditë për atë gjithçka fisnike që bënë dëshmorët e martirët e vërtetë. Firmëtari i pavarësisë dhe ministri i parë i Arsimit të shtetit shqiptar do të theksonte se, “një popull që nderon burrat e vet, një popull që pavdekson kujtimin e tyre, jo vetëm në faqet e historisë, por edhe mbi rrasa e monumente, ai popull tregon se ka ndërgjegje, se ka ndjesi të holla, se njeh miradien e ka dëshirë me u sjellun e me u drejtue mbas shembullit të mëdhenjëve të vet.”

LANÇ-i është një nga ngjarjet më të rëndësishme të Historisë së Shqipërisë dhe një nga tre luftërat e mëdha të organizuara në këto vite të shtetit shqiptar. Populli shqiptar në këtë Luftë kapërceu ndarjet krahinore, kulturore e fetare dhe u bashkua i tëri, në një betejë, që ishte betejë e përbotshme, duke u vendosur në krahun e duhur të historisë.

  • Si kurrë më parë, gruaja u bë pjesë e historisë, duke u bashkuar në mënyrë masive me luftëtarët e lirisë.
  • Si kurrë më parë, shqiptarët u bënë zot të fateve të tyre, duke siguruar vetë lirinë, pavarësinë e integritetin e vendit.

Ndaj sot duke përshëndetur brezin që luftuan në Luftën e Dytë Botërore, nëpërmjet shkrimeve të vijueshme kthejmë portretet e tyre si pëllumba në fluturim, mbi shkëmbinjtë e bardhë të Smokthinës, ku merita i përket, këtij brezi të mrekullueshëm, luftëtarëve të Luftës së Dytë Botërore. Por pëllumbat nuk janë kthyer akoma, luftëtarët nuk kanë mundur t’i sjellin në Smokthinë, ndaj është detyrë ta bëjmë këtë.

Nga hyzmeqar në antifashist

 

Bezhan Hajro Nuredinaj lindi më 1929 në një familje të varfër në Belik të Vajzës. Aty kishte shkuar me familjen, pasi ishin larguar nga Ramica, për shkak të fukarallëkut. Bezhani e kaloi fëmijërinë në varfëri. Babai, Hajrua me punën e krahut mbante dhe ushqente familjen e cila përbëhej prej 7 njerëz. Bezhani u rrit mes varfërisë. Në vitin 1940 babai i Bezhanit ndërron jetë. Nëna File nuk mund të qëndronte më në Belik me fëmijët, por shkoi në vitin 1941 në Amonicë pranë vajzës së madhe, e cila ishte martuar me Ferik Memushin. Këtu ata u strehuan në një kasolle që u ndërtuan. Bezhani filloi punë si hyzmeqar në moshë të vogël për të ndihmuar familjen. Nën ndikimin e ideve komuniste, Bezhani u lidh me Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare që në dhjetor 1942, kur dëgjoheshin krismat e pushkëve të Luftës së Gjormit. Në nëntor 1943, në moshën 15 vjeçare, Bezhani doli partizan në batalionin “Perlat Rexhepi”. Ai mori pjesë në të gjitha luftimet që zhvilloi batalionit, kundër forcave naziste nga nëntori 1943 deri në qershor 1944, ku u dallua për guxim e trimëri. Kështu Bezhani në zjarrin e Luftës u rrit dhe u burrërua para kohe.

Kongresi i Përmetit dhe vendimet e tij, gëzuan edhe Bezhanin. Delegatët e tij njohën popullin me vendimet e tij. Në fillim të qershorit 1944 populli i Shullërit u mblodh në Ramicë në Rrëzë të Rrethit për të takuar delegatin e Kongresit të Përmetit, Esat Avdulla Haxhiun nga Mavrova. Takimi ishte i papërshkrueshëm nga gëzimi dhe hareja. Partizanë e fshatarë këndonin, kërcenin, brohoritnin dhe shtinin me pushkë. Një plumb qorr e goditi Bezhanin. Ai ra për liri, duke mbetur partizani 15 vjeçar i pavdekshëm. Bezhan Hajro Nuredini është shpallur Dëshmor i Atdheut vendim nr. 68, dt. 2.4.1981, të Komitetit Ekzekutiv të Vlorës.

Më parë Miftar Alinë

Miftar Ali Bocaj lindi në fshatin Ramicë në gjirin e një familje të varfër fshatare. Nuk ndoqi shkollë por punoi shumë, sepse fukarallëku në atë kohë të vështirë ishte shtruar këmbëkryq në familjen e tij. Ai u lidh shpejt me Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe u rreshtua partizan në çetën partizane “Zigur Lelo” të Smokthinës më 5 qershor 1943. Miftari kishte temperament të qetë, ishte i bindur, u dallua për disiplinë dhe vendosmëri të lartë. Në nëntorin e vitit 1943, çeta u inkuadrua në Brigadën V Sulmuese. Luftimet e Brigadës ishin të rrepta si në luftën e Mesaplikut të janar-shkurtit 1944. Brigada kaloi në sektorin e Përmetit në ruajtje të Kongresit të Përmetit dhe gjatë muajt qershor 1944, me luftime arriti në Qafën e Gjarprit, ku bëhej luftë tek Guri i Prerë.

Forcave të brigadës, ku bënte pjesë dhe Miftari, u takoi të bënin gjatë natës së 6 – 7 qershorit disa sulme e kundërsulme me forcat naziste. Miftari kishte luftuar me nazistët gjermanë, por atë ditë lufta u bë në përleshje trup me trup. Dhe populli e përjetësoi në këngë:

Përpara o partizanë,

T’u hidhemi në istikame,

Kush s’e sheh Miftar Alinë,

Në ballë si vetëtimë.

Miftari mbeti i vrarë duke mos e lëshuar pozicionin e luftimit. Luftëtari trim e skuqi me gjakun e tij udhën e lirisë. Presidiumi i Kuvendit Popullor, Miftar Bocaj e ka dekoruar me medaljet e “Kujtimit”, “Trimërisë” dhe të “Çlirimit”.

 

dhe me Mulo çiliminë…

Mulo Dalan Dervishaj lindi në vitin 1928 në Ramicë në një familje me tradita patriotike. Ai mundi të mbaronte dy klasë fillore. Pastaj u muarr me punët e shumta të bujqësisë dhe blegtorisë të familjes Dervishaj. U lidh ngushtë me lëvizjen dhe më 5 qershor 1943, kur u formua çeta partizane “Zigur Lelo”, midis djemve smokthinjote, ishte dhe Mulo Dervishaj. Ai mori pjesë në të gjitha luftimet e zhvilluara nga çeta e Smokthinës. Më pas u bë luftëtar i Brigadës V Sulmuese. Mulo kishte pseudonimin “Çilimiu”, sepse kishte trup të vogël. Ai ishte i mësuar me punë, i gjallë e trim, lëvizte e gjendej kudo, gjithnjë i bindur dhe nuk u ankua për asgjë.

Qafa e Gjarpërit dhe Guri i Prerë në agimin e 7 qershorit 1944, gjëmoi nga topi e murtaja, nga mitralozat dhe nga thirrjet “Para partizane”!. Aty u kalua nga sulmi e kundërsulmi deri në përleshje trup me trup. Partizanët u detyruan të tërhiqen. Mulo ishte aty në mbulim të shokëve. Arma e tij u dëgjua gjatë, por nga rrethimi nuk mundi të dilte. Ai mbeti tek Guri i Prerë.

Një vetëtimë për Hajdinenë…

Hajdine Sinan Zogaj lindi në një familje të varfër më 1925 në Bashaj. I ati Sinan Pëllumbi kishte qenë luftëtarë në Luftën e Janinës më 1913-1914 dhe në Luftën e Vlorës 1920. Varfëria e kishte detyruar të shkonte çoban së bashku me të shoqen në Beun. Hajdineja fëmijërinë e kaloi me prindërit e saj në Beun. Më 1934 prindërit e Hajdinesë bashkë me vajzën, u larguan nga Beuni dhe shkuan të jetonin te dhëndëri Tare Kokallaj në Krajth të Ramicës. Hajdineja ishte e gëzuar. Bashkë me nënën e saj Bukuri, ajo merrej me punët e shtëpisë. Në vitin 1941 Hajdineja martohet me Hysen Lusho Zogaj, i cili ishte i lidhur me Lëvizjen Nacionalçlirimtare prej vitit 1942. Hajdineja u lidh me luftën në vitin 1943, me organizimin e gruas antifashiste për fshatin Ramicë. Ajo mori pjesë aktive në veprimtarinë e kësaj organizate, si priti, shtroi sofra e përcolli partizanë në shtëpinë e saj të varfër, përgatiti triko, fanella e çorape leshi dhe bëri bukë për partizanët. Kujdesi dhe ndihma e saj u dukën në operacionin e Dimrit, ku nëpër pyjet dhe shpellat e Çipinit ku ishin strehuar për t’u shpëtuar torturave dhe vrasjeve të nazistëve gjermanë.

Në pranverën e vitit 1944, Hajdineja lindi një vajzë, që e quajtën Lumturi. Në operacionin e qershorit 1944, të ndjekur nga lufta, një pjesë e pleqve, grave e fëmijëve të Ramicës, u larguan nga fshati për t’i shpëtuar reprezaljeve të armikut, duke kaluar nga mali i Tartarit për t’u fshehur në pyjet e Matohasanit. Gjatë rrugëtimit të vështirë të të gjithë grave, fëmijëve dhe pleqve të Ramicës, nisi një shi me shkreptima kur dolën në majë të malit të Tartarit. Një vetëtimë godet Hajdinenë duke e lënë të vrarë. Ndërsa Lumturia tre muajshe që ishte në djep e ngarkuar në kurrizën e Hajdinesë, vetëtima e hedh disa metra tutje dhe ajo shpëton. Kështu Hajdineja mbeti viktimë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare duke lënë Lumturinë.