Rrefimet e Astrit Mihos: Ju tregoj bisedat me Boço Muho, aktorin që luajti rolin e Gjinit në filmin Skënderbeu

1114
Sigal

 

-Takimet interesante me aktorin, Akaki Khorava (Skënderbeu) dhe regjisorin e filmit Sergei Yutkevich, përgjegjës për të gjithë trupën ruse

Boço Muho, partizani trim dhe Gjini në rolin interesant  “dorëthyesi” i Skënderbeut

– Si i thirri Boço Muho dhe  Mihon, shoku Hysni Kapo me Shefqet Peçin për riorganizimin e luftës së Rrëzomës

Boço Muho, ose “Gjini” i filmit shumë të bukur “Skënderbeu” një nga kryeveprat e prodhuara nga Kinostudio “Shqipëria e Re”

– Te filmi  “Skënderbeu”,  përkthyesi nga rusishtja ishte, Boço Muho

– Ai punoi për një periudhë kohe si përkthyes i kësaj gjuhe në ATSH, në Kinostudio dhe në Komitetin e Arteve të Kulturës

– Skënderbeu i thotë:   -“Gjin, a don me i luftue turqit?”  -“po” -i përgjigjet djaloshi dhe arrin t’i thyej dorën prijësit.

ASTRIT MIHO

 Plot  9 -vjet më parë, në muajin Maj të Vitit 2011, gazetat do të shkruanin për ndarjen nga jeta të atdhetarit, të birit të nderuar te Labërisë, të Fushëbardhasit nga Gjirokastra, të njeriut të mirë e të dashur  Boço Muho.  Me gërma të mëdha u dha në disa gazeta artikulli – “Shuhet Gjini, “dorëthyesi” i Skënderbeut. U nda nga jeta personazhi i improvizuar, “Gjini” i filmit shumë të bukur , “Skënderbeu”,  një nga kryeveprat e prodhuara  nga Kinostudio “Shqipëria e Re”. Boço Muho njeriu më i dashur i familjes, por edhe për të gjithë ata njerëz që e njihnin këtë burrë ambicioz,  i cili kishte kaluar një jetë plotë dallgë dhe me zigzage, të përshkruar me shumë profesione: të komandantit, të përkthyesit, të artistit dhe profesorit, njeriu me kaq shumë energji është një nder i vendlindjes së tij, Fushëbardhës. Qetësia, mendja e kthjellët dhe zgjuarsia e këtij burri, ishin karakteri më i mirë në jetën plot peripeci, plot dallgë e vështirësi, që sot janë kujtime për njerëzit e familjes dhe për gjithë fushëbardhasit e tjerë, që e kanë njohur nga afër dhe kanë ndarë hallet me atë njeri. Ai gjithmonë do të shkruante: “Fushëbardha vendlindja ime, atje janë njerëzit e mi të dashur”.

Jetëshkrimi

Boço Muho lindi në Fushëbardhe më 1 Tetor të vitit 1924, në një familje me tradita patriotike. Ai në fillim studioi në shkollën e vogël të atjeshme ku dallohej për zgjuarsi dhe shkathtësi. Prindërit e tij ishin njerëz të varfër. Babai, Heshtemi dhe nëna Hatua, e edukuan me dashuri për njerëzit dhe vendlindjen. Para lufte ai vazhdoi studimet në një shkollë  policie në Tiranë, ku u lidh me lëvizjen antifashiste dhe i përkrahur nga bashkëfshatari i tij Adil Çarçani, i cili e aktivizoi me detyra të ndryshme dhe Boçua u pranua anëtar i grupit antifashist, detyrë të cilën e mbajti edhe në punë, në policinë e Xhandarmërisë së Gjirokastrës, deri në Maj të vitit 1943, nga ku e braktisi policinë. Shkoi në Fushëbardhë, merret me organizimin e lëvizjes së rinisë dhe caktohet direkt Komisar i Kompanisë në Batalionin e rinisë së Kurveleshit, ku komandant ishte patrioti trim Fushëbardhës,  Karafil Bello. Në krahë të tij duke luftuar kundër nazistëve gjermanë dhe forcave reaksionare,  në qafën e Ujkut në Rrëzomë, atje humbi jetën Komandanti i Batalionit, Karafil Bello, si dhe u vranë dhe u plagosen plot shokë  të tij. Boço  në  ditët e luftës  idealin e tyre e lartësoi me poezi:

Karafil, nishani,/ Në ballë shokësh,yll karvani,/ Karafili trim me huqe,/ Të lodhi pushka në supe…Batalioni, që drejtonte,/Dhe shokët që shumë i donte,/ Nëpër tym e nëpër flakë,/ Për Karafilin morën hak.

Për luftën e Rrëzomës kujtoj një bisedë që kam bërë me zotin Boço:

Kujtoj me respekt atë bisedë me të: I them: -“Xhaxhi, ti ke luftuar bashkë me babain tim, ju keni qenë të titulluar oficerë me gradën toger, që prej Kongresit të Përmetit. Mbaj mend që ju keni patur  një miqësi të ngushtë. Ai kishte një respekt të veçantë për ju dhe prindërit tuaj. Ai menjëherë më shtrëngoi dorën, i shkëlqyen sytë dhe me atë qetësinë e veçantë të tij, u mendua, me një mendje të kthjellët dhe me një dashamirësi e ngazëllim më tregoi shumë gjëra interesante, nga koha e luftës për jetën e tij, plot peripeci në sistemin e kaluar totalitar.

Hysni Kapo dhe Shefqet Peçi, thirrje për riorganizimin e luftës së  Rrëzomës.

Më tha prerë: “-Unë babain tënd e kam patur afër më shumë se vëllain tim, dhe menjëherë nisi e më tregoi së pari, për një kohë shumë të vështirë, ku të dy bashkë i kishte thirrur Hysni Kapo bashkë me Shefqet Peçin, për riorganizimin e luftës së Rrëzomës. Në atë kohë kemi bërë plot mundime e sakrifica,  na u desh njëherë të kalonim një rrugë të gjatë e të vështirë për të arritur deri në bazën e largët, ku na priste Hysni Kapo e Shefqet Peçi. Pas një takimi të ngrohtë me ata, ne morëm plot detyra për luftën që do të ribënim përsëri, pak ditë më vonë në Rrëzomë.  Në një moment, në bisedë e sipër, heshti pak, në mendime e sipër, ai u përlot dhe tha: -“Unë jetën e kam kaluar plot pengesa, por këto pengesa i kam kaluar me njerëz të mirë që më janë gjendur pranë. Unë sot jam mes jush, flas e gëzoj bashkë me ju. Ishte një fat i madh për mua që nuk vazhdova karrierën time ushtarake. Me të vërtetë kuptohej qartë se mbas shkollës së lartë Ushtarake “Vorroshillov” në  Odesa të Bashkimit Sovjetik, fal zotësisë së tij, ai caktohet me detyra dhe poste drejtuese, të cilat i kreu me sukses. Ai arriti deri në detyrën e shefit të shtabit të Kursit të Lartë të oficerëve. Boçua ishte një kuadër i përgatitur, një njeri shumë komunikues. Ai u evidentua qartë, ishte një kuadër me perspektiv, por kjo veçori dalluese ishte një gjë jo e mire për njerëz xhelozë, intrigantë dhe të paftë, të cilët për interesa personale në vitin 1951, e largojnë përfundimisht nga kjo karrierë e vështirë, pikërisht në kulmin e formimit të tij profesional, intelektual dhe njerëzor. Nga ky ndëshkim, për të lindi një jetë e re, që do të ishte me të vërtetë një fat, që hapi në shkallë të reja jetën plot zigzage…” në të kundërtën,  unë do të isha një ndër ata njerëz, që mbas 30 –vjetësh, iu gjetën eshtrat dhe vendi i ekzekutimit”.

Shkolla dhe  jeta e Boços i dha një kulturë dhe një horizont, që e bëri njeri të pathyeshëm

Mbas karrierës së shkurtër ushtarake, puna dhe e ardhmja e tij, ishte për të ngjitur shkallë të tjera, drejtime të tjera. Ai kishte studiuar disa gjuhë të huaja dhe përkthente  shumë  mirë në gjuhën ruse, pasi kishte mbaruar studime në  Bashkimin Sovjetik. Mbas pak kohësh mbaron dhe Institutin e Lartë Pedagogjik, degën gjuhe-letërsi ruse. Profili i tij tani ishte diçka tjetër. Ai punon për një periudhe kohe si përkthyes i kësaj gjuhe në ATSH, në Kinostudio dhe në Komitetin e Arteve e të Kulturës. Kujtoj, kur isha fëmijë në moshën 14-15 vjeçare jam bërë krenar,  kur kam parë me germa kapitale të mëdha te filmi  “Skenderbeu”, se përkthyesi nga rusishtja në këtë film ishte – Boço Muho, pikërisht një Fushëbardhës, arrinte deri te kjo vepër filmi. Ai ishte direkt përkthyesi i personazhit kryesor të filmit, Akaki Khorava (Skënderbeu) dhe regjisorit të filmit Sergei Yutkevich  dhe përgjegjës për të gjithë trupën ruse. Çdo shqiptar kur e shikon  filmin “Skënderbeu”, do të ndjehet ndryshe, do të lartësohet, do të bëhet më krenar dhe menjëherë do të fiksojë  Boçon,  kur e thërret Skënderbeu dhe i thotë:-  “Gjin, a don me i luftue turqit?” – “po” -i përgjigjet djaloshi i improvizuar, ky njeri që do t’i tregojë forcën turqve, bëhet më i fortë në këtë duel dhe arrin t’i thyejë  dorën prijësit të shqiptarëve,  të madhit  Skënderbe.  Më ka treguar sa për punën e lodhshme në xhirimin e filmit “Skënderbeu”, dhe komunikimin  korrekt dhe  miqësor me regjisorin rus të filmit,  i cili e pa dhe lexoi menjëherë  në sytë e Boços që tregonin guxim dhe shkathtësi, ai pa frikë e vendos Boçon direkt në  sekuencat e çastit që i duheshin regjisorit, në realizim e sipër të filmit, ai i beson dhe në pjesën tjetër në rolin e të “Fortit” , duke iu përgjigjur  Skënderbeut  për  mbrojtjen e rrugëve të qytetit të Krujës. Ja si më shprehej ai në një bisedë:  -“ Ishte një film që më befasoi. Nuk kisha parë shesh xhirimi  të tillë. Dukej si luftë reale. Ishte një situatë në film që të mendoje se ndodheshe në betejë dhe të jepte krenari. Nuk do t’i harrojë kurrë ato ditë. Ishin ditë leksioni, si një universitet i ri”

Boço Muho kaloi një jete plot dallgë, por ai me kuraje i mposhti ato.

Një nga fatkeqësitë e rënda për Boçon,  ishte vdekja e djalit të tij Sokolit,  Kryetar i Lidhjes Pluraliste të  Gazetarëve të Shqipërisë.  Në vitin 1992,  Sokoli ishte edhe kandidat për  Deputet ne Kuvendin Popullor  të Shqipërisë, në Qarkun e Durrësit,  për Partinë Republikane, një i i ri i përgatitur me një perspektivë   dhe horizont për të ardhmen. Në vitin 1992,  ndahet nga jeta nga një sëmundje e papritur. Kjo ishte një goditje shumë e rëndë për Boçon. Vdekja e parakohshme e djalit e mërziti shumë. Ai e vuan thellësisht këtë humbje. Ja si e shpreh në vargje këtë humbje e dhimbje të rëndë:

Birit tim, Sokol Muho

Lot i kripur më djeg faqen,/Malli mblidhet komb në grykë,/shpirti i lodhur plot maraze,/ca nga ca më plak përditë,/ Ku je Koli, ku je Bir!

Poezia e shoqëroi Boçon nga fëmijëria deri në fund të jetës së tij.

Që në moshën 16 –vjeçare,  Boço Muho, ka shkruar  poezitë e para. Në rininë e tij në luftën çlirimtare ai frymëzohej nga sakrificat dhe trimëritë e shokëve, frymëzohej për ata njerëz që po sakrifikonin jetën e tyre dhe binin në emër të idealit për të cilin ishin betuar, për ata njerëz që nuk kursenin asgjë dhe çdo gjë e tyre ishte vetëm për një Shqipëri të lirë dhe Demokratike. Ai ka shkruar gjatë gjithë jetës së vet, por duke punuar në arsim, në detyra e poste drejtuese: Drejtor i Gjimnazit  në  Qytetin e Peshkopisë dhe më vonë në Durrës, Drejtor  Gjimnazi deri sa doli në pension.  Ai ka botuar artikuj në plot gazeta lokale dhe revista të ndryshme letrare. Poezia e Z. Boço Muho, është një frymëzim i bukur, të tërheq sa ta lexosh ajo ka brenda një lidhje që të tregon një stil në të shkruar, që shpreh gjithandej plot mall e krenari. Ajo është një realitet, ajo është e lidhur fortë me ndjenja atdhetare, me kulturën dhe traditën Shqiptare në breza. Ai shkruan në vargje edhe për jetën e vet:

“Jeta ime dallgë-dallgë,/Plot me brenga plot me plagë/ Më dhe shpresën dhe durimin,/Me kursim  ma dhe gëzimin./ Prandaj, dhe kështu si je,/ Unë të dua nuk të fsheh”. Ai ka përkthyer nga rusishtja, ka shkruar në gazetën “Ne pavdekësia”, “Kushtrim brezash”, si dhe në gazetën “FUSHËBARDHA”  nr.1 viti 2004

Portret Labi

Të flasësh për labin,/ të jem i sinqertë,/ xhins i talentuar,/plot inteligjencë./ Është i dashur dhe fisnik,/ ta kesh fat e ta kesh mik.

Ai ka shkruar bukur për njerëz të nderuar dhe për njerëz që kanë bërë legjenda dhe histori, për krijesa në trojet shqiptare në jug e në veri.  Po kështu në poezitë e tij dallohen bukur  poezi për Fushëbardhën, poezi për njerëz  të nderuar të  Fushëbardhës  si: Isuf Mullai, Kasem Golemi dhe Nishat Çarçani, Adil Çarcani, Siri Çarcani, Brahim Miho, Dilaver Poçi, Islam Poçi. Ai dialogon me jetën, ngre moralin, bën humor dhe  nuk harron të shkruajë edhe një poezi për pleqtë.

Pleqëria është e rëndë,/ Këtë gjë e dinë të gjithë,/ Të mbërthen, në gjunjë e këmbë,/ Si ulok të bën pa fuqi.

 

Me respekt, në mendje dhe në zemër, Boço Muho do të kujtohet përherë. Ai për vendlindjen e tij, Fushëbardhën, por edhe për Tiranën, Peshkopinë, dhe Durrësin, do të nderohet  si një burrë i ndershëm, i sinqertë i dashur, patriot dhe atdhedashës, -Boço Muho.