Sopranoja Feride Istogu Gillesberg sjell 49 këngë operistike të pianistes së parë shqiptare Lola Gjoka

572
Sigal

Esmeralda Pirra

Sopranoja Feride Istogu Gillesberg ka lindur në Kosovë. Në moshë të vogël familja e saj emigroi në Gjermani. Ajo tashmë jeton në Danimarkë me bashkëshortin dhe djalin. Ajo ka punuar prej shumë vitesh në Institutin Schiller dhe nëpërmjet kësaj pune ajo u njoh me muzikën klasike, dhe zbuloi një pasion të madh për të kënduarit operistik.

Muzikën Klasike Feride e cilëson si muzikën e shpirtit. Ajo shprehet se këtë pasion filloi ta ndiqte para 17 vitesh, ku filloi edhe të merrte mësime private në klasat Master me Matti Borgi Gitta, Marie Sjoberg, Stig Fogh Andersen dhe Tina Kiberg. Feride ka interpretuar lieder (këngëtare e shoqëruar me piano) pjesë të zgjedhura të Robert Schumann. Ajo ka kënduar në Shënjtërimin e Nënë Terezës dhe në Kishën Katolike të Kopenhagenit.

Ajo vjen së fundmi me një projekt ku janë ripërpunuar këngë popullore të vjetra të pianistes së parë shqiptare Lola Gjoka. Në një intervistë për Gazetën “Telegraf” Feride shprehet se qëllimi i këtij projekti është ruajtja e kulturës muzikore shqiptare.

Si u njohët me këto këngë popullore të vjetra, që datojnë në vitet 30?

Jam njohur nëpërmjet një libri të pianistes së mirënjohur Lola Aleksi Gjoka, të cilin ma solli vajza e saj. Këto janë këngë shumë të vjetra që Lola si pianiste i ka vënë notat në pentagram, ka bërë shoqërimin me piano dhe i ka lënë të gjitha të shtypura. Duke e shfletuar jam impresionuar me ato nota fantastike. Në këtë libër ka 51 këngë; 1 prej të cilave është kompozim i vete Lolës. Në mendje më kalonte vetëm mendimi pse nuk janë të njohura këto këngë.

Si ia dolët t’i jepni jetë këtyre këngëve?

Në fillim kam folur me Maestro Zhani Cikon, i cili e përkrahu qëllimin tim për t’i risjellë këto këngë, dhe falë tij bashkëpunova me artistë të tjerë të mrekullueshëm si: Sopranoja Marjana Leka, pianistja Ermira Lefort, Rudina Ciko, Ermira Agolli, Gerald Murrja, Antonio Zefi, Stig Fogh Andersen. CD është e ndarë në dy pjesë CD 1dhe CD 2. Gjithsej janë 49 këngë, shumica e të cilave nuk njiheshin fare.

Sa kohë ju mori ta realizonit këtë projekt dhe sa këngë përmban CD-ja?

Ishte një kohë e gjatë, por çdo gjë u realizua me shumë dashuri. Regjistrimet e të gjitha këngëve janë bërë në kishën Virum në Kopenhagen. Janë këngë popullore të vjera, të përpunuara për zë e piano nga pianistja jonë Lola Gjoka dhe për të gjithë ne ishte një nder i madh t’i risillnim në skenë.

Ju realizuat bashkë artistë nga të dyja vendet . Cili ishte mendimi i këngëtarëve danez për këtë bashkëpunim?

Ka qënë vërtet një arritje për mua ta bëja të njohur muzikën Klasike shqiptare edhe në Danimarkë. Danezët janë impresionuar nga këto këngë fantastike. Tani edhe ata këndojnë shqip. Ne gjithmonë përpiqemi të marim nga kulturat e huaja, por kultura e muzikës tonë po harrohet çdo ditë. Muzika Klasike është vlerë për zhvillimin e popullit.

Sa koncerte keni mbajtur deri tani?

Shumë plane ndryshuan për shkak të pandemisë. Por kemi mbajtur koncerte në Gjermani, Danimarkë dhe në kishën Virum. Në 5 maj kishim koncert në Stocholm dhe në 6 maj në kishë në Kopenhagen.

Kur do vini me një koncert në Shqipëri?

Uroj shumë që të realizojmë një koncert në Shqipëri, për t’i prezantuar të gjitha këngët përpara admiruesve të kësaj muzike. E fillova këtë udhëtim pa e ditur se çfarë do të ndodhte dhe shpresoj që edhe Ministria e Kulturës të rezervojë një hapësirë për ta bërë të mundur sa më parë promovimin e kësaj ëndrre të madhe të të gjithë artistëve, që punuan për këtë CD. Këto këngë nuk mund të “vdesin” duhet të dëgjohen sa më shumë nga shqiptarët në të gjitha trojet.

Çfarë sinjifikon për ju Muzika Klasike?

Muzika klasike e bën njeriun më të zgjuar, më të duruar dhe me zemër të madhe. Muzika klasike është vlerë, është rilindje për kulturën. Unë e cilësoj si muzikën e zemrës dhe trurit, dhe sidomos kur e dëgjon këtë CD, këngët të shkojnë drejt e në zemër.

Ku mund t’i dëgjojnë adhuruesit e Muzikës Klasike këto këngë?

Duke qenë se disa prej këtyre këngëve nuk njihen fare nga publiku dhe nuk mund të gjenden në youtube, nga data 5 qershor të gjitha këngët do të jenë në livestream ku mund të dëgjohen në të gjithë botën. Dhe më e bukura është se këto këngë janë edhe në anglisht, italisht, kinezisht dhe frëngjisht. Është bërë një punë vërtet kolosale.