INSTAT raportoi se gjatë vitit 2021 ishin të punësuar në të gjithë vendin 1,248,749 persona sipas të dhënave që u grumbulluan nga Anketa e Forcave të punës, por gati gjysma e tyre, 44 për qind ishin të punësuar në sektorin bujqësor, pyjeve dhe peshkimit.
Duke krahasuar përqindjen e të punësuarve në bujqësi me punësimin total rezulton se rreth mbi 540 mijë persona janë të aktivizuar me punë në bujqësi, pyje e peshkim. Por pavarësisht se bujqësia është punëdhënësi më i madh në vend, vetëm 10 për qind e të punësuarve marrin pagë.
Shqipëria është nga vendet e pakta në Europë që pothuajse gjysma e të punësuarve në vend nuk marrin pagë, kjo për shkak të strukturës së punësimit në sektorin bujqësor.
Sipas vlerësimeve të anketës për vitin 2021, rezulton se 47,9 % e të punësuarve janë të punësuar me pagë, 32,0 % janë të vetë-punësuar (punëdhënës ose të vetëpunësuar pa të punësuar të tjerë) dhe 20,1 % janë punëtorë pa pagesë në biznesin e familjes.
Teksa tregu i punës në zonat urbane ka filluar të ketë mungesa të mëdha për punonjës shihet se hapësirat janë të mëdha për alokimin e punonjësve në sektorin bujqësor drejt sektorëve me produktiv.
Sektori bujqësor i Shqipërisë mbizotërohet nga një fragmentin i lartë i tokës me ferma mesatarisht 1 hektar. Pjesë të mëdha të sektorit vazhdojnë të jenë informale dhe gratë që përfaqësojnë 80 për qind të punësimit në bujqësi.
Të dhëna më të detajuara tregojnë nen-punësim, pasi puna është e përqendruar në sezone. Në shumicën e qarqeve të vendit punonjësit e bujqësie punojnë 60 për qind të orareve zyrtare në Kodin e Punës, ndonëse INSTAT raporton se punonjësit që harxhojë më shumë kohë në punë janë bujqit.
Banka Botërore në një studim të posaçëm për tregun e punës në Shqipëri që u publikua këtë vit sugjeroi se më shumë trajnime janë të nevojshme për forcën e punës që jeton në fshat në mënyrë që të integrohen në sektorë të tjerë ku ka më shumë nevoja dhe produktiviteti është më i lartë.
Në Shqipëri, bujqësia dhe turizmi janë një kontribuues të mëdhenj në ekonomi dhe një burim i rëndësishëm punësimi, por kanë ende hapësira të mëdha për produktivitetin e punonjësve.