Shoqata e ushtarakëve: A ekziston shteti për ne veteranët

622
Sigal

Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar aktin normativ dhe ka lënë në fuqi ligjin për trajtimin e ushtarakëve. Por qeveria dhe ISSH, vazhdojnë të grabisin mijëra ushtarakë të nxjerrë në rezervë, lirim, në pension të parakohshëm  dhe në pension të plotë pleqërie.

A ekziston shteti për ushtarakët veteranë?

Kryeherit  Shoqata Kombëtare “Lidhja e Ushtarakëve Atdhetarë” mendon se kryeministri aktual, z. Edi Rama, më datën 7 shtator 2006, kur ishte në opozitë, s’ka gabuar kur e konsideroi shtetin politik berishian si “republika e bananeve..” dhe deklaroi se: “Mafia po bëhet shteti”. Pas këtij prononcimi dinjitoz, ushtarakët besonin se kur të vinte në pushtet Partia Socialiste do të gjente zbatim statusi ligjor i ushtarakut, por koha vërtetoi të kundërtën..; sepse, njilloj si kryeministrat Aleksandër Meksi, Fatos Nano, Pandeli Majko, Sali Berisha, edhe Edi Rama për 7 vite rresht, nuk ka zbatuar statusin e ushtarakut, por ka lejuar Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Financave,  Institutin e Sigurimeve Shoqërore dhe 12 drejtoritë e saj rajonale të grabisin mijëra ushtarakë të nxjerrë në rezervë, lirim, në pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi dhe në pension të plotë pleqërie.

***

Dihet fakti historik se, për të parandaluar shkeljet eventuale të ligjit, Deklarata Angleze e të Drejtave të Shtetasve në vitin 1689 formuloi dhe miratoi nenin taksativ dhe urdhërues: “Monarku mbretëron i sunduar nga ligji”. Bazuar në këtë koncept juridik themelor, vetëkuptohet se kryeministri  Edi Rama ka për detyrë të qeverisë i sunduar nga ligji, pra duhet të zbatojë statusin ligjor të ushtarakut. Mbështetur te kjo mendësi, ne ushtarakët idealistë pritëm dhe shpresuam 7 vite rresht që politikani  Edi Rama të qeveriste i sunduar nga ligji “mbret”, por realiteti tregoi se edhe ky politikan, gjoja “modern”, nuk e zotëron ndërgjegjen dhe kulturën shtetërore të zbatimit të ligjit.

***

Në ligjin bazë të Republikës Federale të Gjermanisë, neni 1, mëtohet se: “1. Human dignity shall be  inviolable. To respect and protect it shall be the duty of all state authority.”..(“1. Dinjiteti human do të jetë i padhunueshëm. Respektimi dhe mbrojtja e dinjitetit human do të jetë detyrë për të gjithë autoritetin shtetëror.”)

Parlamenti juridikisht nuk mund t’i delegojë funksionet e veta legjislative te kryeministri, kurse  të drejtat civile dhe trajtimet e fituara sipas statusit ligjor nuk mund të ndërpriten përkohësisht pa ushtrimin e kontrollit të vazhdueshëm parlamentar ndaj pushtetit të pavarur shtetëror ekzekutiv, që drejtohet nga administrata e pushtetit të përkohshëm politik, që Sovrani Popull u delegon subjekteve partiake sipas verdiktit të vet elektoral. Referuar Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe disa ligjeve organike të miratuara në zbatim të Statusit të Ushtarakut, vihet re fakti se Kryeministri Edi Rama dhe qeveria e tij, me dashje dhe paramendim antiligjor, “fshehur pas trajtimit global”, de facto, u kanë mohuar ushtarakëve të dalë në rezervë, lirim dhe pension të plotë pleqërie të drejtat e fituara sipas statusit organik të ushtarakut.

***

Lind pyetja tronditëse. Pse qeveria socialiste e kryeministrit Edi Rama, Ministria e Mbrojtjes, e Financave, ISSH dhe drejtoritë e saj rajonale nuk mbajnë parasysh Vendimin nr.33, dt.24.06. 2010  të Gjykatës Kushtetuese, ku mësohet: “Në asnjë rast nuk lejohet që të kryhet një rillogaritje që do të çonte në përkeqësimin e situatës pozitive, ose në cënimin e të drejtave të fituara” dhe as përmbajtjen e vendimit nr.691, datë 17.12.2015 të Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë..; ku gjendet arsyetimi se ligji nr.10142 datë 15.05.2009: “..nuk thotë se, përfitimet e mëparëshme të ushtarakëve mund të cënohen dhe rrjedhimisht ato të shpallen debitorë, pasi nëse do të ishte kështu do të cënohej rëndë një nga parimet bazë më të rëndësishme të së drejtës, që është parimi i sigurisë juridike, qëndrim ky i mbajtur në disa vendime të Saj edhe nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipëri-së .” (Shih: Vendimin nr.21, datë 16.4.2015 të Gjykatës Kushtetuese).

* Referuar konceptit shtetformues doktrinar, pushteti shtetëror ekzekutiv është linear, permanent e funksionon i pavarur nga vakanca e pushteteve të përkohshëm politikë, që delegon shoqëria civile, sipas verdiktit të vullnetit të saj elektoral.

Siç dihet publikisht, përgjithësisht komuniteti i ushtarakëve në Shqipëri ka votuar gjithmonë në favor të subjektit elektoral Partia Socialiste e Shqipërisë, duke besuar se gjatë qeverisjes së kësaj force politike do të zbatohej nen për nen statusi ligjor organik i ushtarakut, në përputhje me deklaratën solemne publike të shtypit të bërë nga Partia Socialiste në datën 11 prill të vitit 2013,  publikuar me zë dhe figurë nga deputetja Vasilika Hysi… e cila tha: “Partia Socialiste do t’u rikthejë ushtarakëve aktivë dhe ish-ushtarakëve dinjitetin e munguar. Ne do të zgjidhim përfundimisht  problemet e zvarritura të pensioneve të ushtarakëve në lirim. Ne do të ndërtojmë  skema të veçanta kontributi dhe përfitimesh, të kapitalizuara ose gjysmë të kapitalizuara, për sigurimin për pensione sipas vjetërsisë në shërbim. Ne do t’u japim ushtarakëve të liruar përfitimin e pensionit të parashikuar në ligjin nr.9418 datë 20.05.2005 dhe do të shfuqizojmë të gjitha ligjet, aktet normative, vendimet e qeverisë apo urdhëresat e qeverisë aktuale që janë në kundërshtim me ligjin nr.9418 datë 20.05.2005 “Për sigurimin shoqëror të ushtarakëve të Forcave të Armatosura  të Republikës së Shqipërisë.”

Dihet fakti se politikanin Edi Rama, nuk e ka zgjedhur drejtpërdrejt kryeministër Populli Sovran i Shqipërisë, por në bazë të nenit 96 të Kushtetutës, e ka propozuar  pushteti politik elektoral i Partisë Socialiste dhe emëruar në këtë post të lartë drejtues, dekreti i Presidentit të Republikës dhe më tej është miratuar në këtë detyrë nga Kuvendi Popullor. Referuar nenit 102 të Kushtetutës, Edi Rama është përgjegjës për veprimet dhe mosveprimet e kryera në detyrën dhe funksionin e kryeministrit, sepse: Kryeministri:

  1. a) Përfaqëson Këshillin e Ministrave dhe kryeson mbledhjet e tij;
  2. b) Siguron zbatimin e legjislacionit dhe të politikave të miratuara nga Këshilli i Ministrave;
  3. c) Bashkërendon dhe kontrollon punën e antarëve të Këshillit të Ministrave dhe të institucioneve të tjera të administratës qendrore të shtetit;

ç) Kryen detyra të tjera të parashikuara në Kushtetutë e në ligje;

  1. Kryeministri zgjidh mosmarrëveshjet ndërmjet ministrave
  2. Kryeministri, në zbatim të kompetencave të tij, nxjerr urdhëra
  3. Ministri, brenda drejtimeve kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore, drejton nën përgjegjësinë e tij veprimtarinë që ka në kompetencë. Ministri, në zbatim të kompetencave të tij, nxjerr urdhëra dhe udhëzime.”

   Referuar nenit 107 të Kushtetutës:

– Nëpunësit publikë zbatojnë ligjin dhe janë në shërbim të popullit; kurse, sipas nenit 118 të Kushtetutës:

-Aktet nënligjore nxirren në bazë dhe për zbatim të ligjeve nga organet e parashikuara në Kushtetutë.

– Ligji duhet të autorizojë nxjerrjen e akteve nënligjore, të përcaktojë organin kompetent, çështjet që duhen rregulluar, si dhe parimet në bazë të të cilave nxirren këto akte.

– Organi i autorizuar me ligj për të nxjerrë akte nënligjore, siç specifikohet në paragrafin 2 të këtij neni, nuk mund t’ia delegojë kompetencën e tij një organi tjetër.

Atëherë le të na thotë kryeministri  Edi Rama se ku e gjen kurajon antiligjore që shpërdoron 7 vite rresht detyrën e tij zyrtare dhe nuk jep llogari për moszatimin e statusit ligjor organik të ushtarakut?

Besojmë është e rëndësishme jo vetëm për ushtarakët atdhetarë, por dhe për kryeministrin

“sundimtar dhe sfidues të ligjit”,  z. Edi Rama, të dinë faktet dhe informacionet zyrtare vijuese:

– Rreth, 174 mijë familje është numri i komunitetit të shoqërisë sonë civile me origjinë ushtarak të digasterit të Ministrisë së Mbrojtjes.

– Janë gjithësej 22,863 ushtarakë që përfituan të drejta sipas ligjit 7496, datë 3.07.1991 “Për Statusin e Ushtarakut..”.

– Numri i ushtarakëve përfitues, të liruar para datës 3.07.1991, pra të pa trajtuar me statusin e ushtarakut është 8,000 vetë.

– Numri i ushtarakëve përfitues, të liruar më 3.07.1992 e të dalë në pension pleqërie në vitet 1993 deri 1998, është 2,300 vetë.

– Është 4,430 vetë numri i ushtarakëve përfitues, që kanë dalë në pension të plotë pleqërie në periudhën nga data 1.01.1999 deri në datën 15.06.2005.

– 7,076 është numri i ushtarakëve përfitues, që aktualisht trajtohen financiarisht  me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi.

– Është 6,370 numri i ushtarakëve përfitues, që marrin pension suplementar pleqërie, kurse, nëse ushtarakët do të përdorin si mjet për zgjidhjen politike të statusit të ushtarakut potencën e tyre elektorale, “partia e tyre eventuale” do të merrte minimumi mbi 300 mijë vota ose më tepër se 30 deputetë me “origjinë sociale ushtarakë të Ministrisë së Mbrojtjes”.

Për të qenë trasparentë dhe llogaridhënëse ndaj anëtarsisë së saj, “Shoqata Lidhja Kombëtare e Ushtarakëve Atdhetarë”, mëson faktet dhe provat publikisht të vërtetueshme, si më poshtë:

1- Kryesia e shoqatës më datën 22.11.2018 u ka dërguar memorien “Letër Publike”:

  1. Presidentit të Republikës, z. Ilir Meta;
  2. Kryetarit të Kuvendit Popullor, z. Gramoz Ruçi;
  3. Kryeministrit të Republikës, z. Edi Rama;
  4. Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës, z. Bashkim Dedja.

Brendia e kësaj letre analitike kërkon zbatimin ligjor të statusit të ushtarakut dhe përfundon me thirrjen: “presim përgjigje se kur do të mblidheni së bashku për të vendosur zbatimin e plotë ligjor të Statusit ekzistues të Ushtarakut.” Por, ndonëse kanë kaluar mbi 15 muaj, kërkesa jonë ka rënë në “vesh të shurdhër” dhe nuk kemi marrë asnjë përgjigje.

Kësisoj, duke shkelur haptazi, me dashje dhe paramendim antiligjor, nenin 23, (“1.E drejta e informimit është e garantuar.”) dhe nenin 48 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ku është sanksionuar: “Kushdo, vetë ose së bashku me të tjerët, mund t’u drejtojë kërkesa, ankesa ose vërejtje organeve publikë, të cilat janë të detyruara të përgjigjen në afatet dhe kushtet e caktuara me ligj. Tre burrat kryesorë të shtetit politik ekzistues, kanë shfaqur përbuzje dhe mospërfillje flagrante ndaj besimit ligjor që kishte shoqata jonë kundrejt Tyre.

-Më dt. 27.03.2019, Zyra e bashkëqeverisjes “zyraebashkëqeverisjes@ shqipëriaqëdua.al” i ka dhënë Shoqatës “Lidhja Kombëtare e Ushtarakëve Atdhetarë” të Republikës së Shqipërisë, përgjigjen e saj lidhur me kërkesën që i ka dërguar. Kjo përgjigje hedh dritë dhe vërteton drejt përdrejt veprimtarinë e përvetësimit të pensioneve të mijëra ushtarakëve (të parakohshëm, për vjetërsi shërbimi, të pleqërisë dhe pensioneve suplementarë mbi pensionin e plotë të pleqërisë).

-Komiteti Drejtues i Shoqatës “Lidhja Kombëtare e Ushtarakëve Atdhetarë” të Republikës së Shqipërisë, për të sensibilizuar Qeverinë e Edi Ramës, ka bërë këto publikime mediatike:

  1. a) Më 31 Tetor dhe 1 Nëntor 2018 në formatin e katër faqeve A3 është botuar, në një gazetë të përditshme, letra me analizë ligjore dhe juridike, që Shoqata “Lidhja Kombëtare e Ushtarakëve Atdhetarë” i ka drejtuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të Vettingut Tiranë, i cili është botuar me titullin: “Shkarkoni Zaganjorin”. Siç dihet, ky kolegj e largoi nga strukturat e pushtetit të pavarur gjyqësor gjyqtarin e politizuar dhe shkelës së Kushtetutës, të quajtur Xhezair Zaganjori.
  2. b) Më datat 26 dhe 27 nëntor 2018 ka botuar për dy ditë rresht, në faqet 16, 17 të gazetës së përditshme, materialin “Letër e Hapur” drejtuar krerëve të Shtetit Shqiptar.
  3. c) Më datën 24 Dhjetor 2018 ka botuar në faqet 16, 17 të gazetës së përditshme artikullin: “Goditjet antiligjore kundër Statusit të Ushtarakut, që nga Qeveria Meksi”.
  4. d) Më 15 shkurt 2019 është botuar në gazetën e përditshme shkrimi: “Pse Komandanti i Përgjithshëm Meta, lejon moszbatimin e statusit të ushtarakut?”
  5. e) Më datën 23 Shkurt 2019 në ditoren “Telegraf” është botuar letra drejtuar kryeministrit Edi Rama me titull: “Pse Statusi i Ushtarakut nuk zbatohet nga kryeministri Rama..?”
  6. dh) Në datat 25 dhe 26 Mars 2019, për dy ditë rresht ka botuar në përmasat e katër faqeve A3 të gazetës ditore “Telegraf” artikujt: “Ish-ushtarakët marrin në dorë fatet e tyre” dhe “Diskriminimi i Ushtarakëve”.

* Gjatë muajve prill 2019 deri janar 2020 shoqata Lidhja e Ushtarakëve Atdhetarë ka zhvilluar takime me përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes, ka kërkuar takim zyrtar me ministren e “padukshme” të këtij digasteri dhe pritur prononcimin e saj në zbatim të statusit të ushtarakut, por ka vijuar heshtja, mosprononcimi i saj dhe vazhdimësia e veprimeve antiligjore.

* Tashmë ka mbërritur momenti oportun për të mëtuar publikisht faktet sinjifikative se shoqata jonë ka zhvilluar dhjetra konsulta me juristë të nivelit konstitucional dhe avokatë të shquar, si dhe, pas një pune të madhe studimore dhe përgatitore ka formuluar një akt-padi administrative  kundër shtetasit Edi Kristaq Rama, si dhe akt-padi të adresuar për gjykim përfudimtar në Gjykatën  Kushtetuese, me objekt detyrimin e kryeministrit Edi Rama për zbatimin nen për nen  të statusit të ushtarakut, si dhe shpalljen absolutisht të pavlefshëm të VKM-së nr.5/2010 dhe Vendimit  Antikushtetues  Unifikues  nr.3/2016  të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë. Materialet e lartpërmendura do të publikohen dhe botohen gjatë muajve Gusht dhe Shtator 2020 në medien e shkruar kombëtare.

 Komiteti Drejtues i Shoqatës “Lidhja Kombëtare e Ushtarakëve Atdhetarë”