Komandant Rrapo Ali Aliaj, Figurë e Shquar e Luftës së Vlorës 1920

1005
Sigal

(Në kuadrin e 99-vjetorit të Luftës së Vlorës)

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Të bëhej i fortë si rrapi

Rrapo Aliaj ka lindur në pranverën e vitit 1878 në Kuç të Kurveleshit në një familje me tradita patriotike. Familja Aliaj ka qenë e shquar brez pas brezi për ndjenjat të thella atdhetare, për mendime e gjykime të shëndosha, si dhe për drejtësi. Burrat e kësaj familje kanë qenë vazhdimisht anëtarë të kryepleqësisë së fshatit dhe të krahinës, duke thënë me dinjitet dhe me vend fjalën e tyre në mjaft kuvende të krahinës dhe të fshatit. Rrapo ishte djalë i vetëm i Ali Canes Aliaj, figurë e rëndësishme patriotike e kohës.

E quajtën me emrin Rrapo, që të bëhej i fortë si rrapi dhe të jetonte më shumë, si rrapet shekullorë të Buronjave në Kuç. Rrapo Ali u rrit dhe u bë një ndër burrat më në zë të fshatit Kuçit. Rrapo në moshë të re do të gjendej në çdo kuvend e mbledhje që bëhej, ku u shqua për pjekuri, maturi dhe drejtësi në fjalët që thoshte dhe mendimeve që shprehte. Ndoshta kjo ishte dhe një arsyeja, sepse që në qysh në moshë të re e kanë thirrur “xha Rrapo” bashkëfshatarët e tij, për nga fjala dhe serioziteti në mendime dhe gjykime.

Bujaria dhe mikpritje qenë cilësitë e tij kryesore

Vetë natyra Rrapon e kish pajisur dhe me një zë shumë të bukur. Kanë qenë të paktë ata që mund t’ia kthenin (thyenin) me grykë këngës labçe. Bashkëkohësit e tij, kanë treguar se kur ia merrte këngës Qazim Ademi dhe ia kthente Rrapo Aliu në darka dhe dasma, ku ishin thirrur ndër të parë, thuhej se “grave u digjej gjella në zjarr”, pasi dëgjonin melodinë labe që ia kthente “xha Rrapo”. Rrapo Aliu kishte një virtyt që e respektoi gjatë gjithë jetës, të ishte bujar dhe mikpritës.

Mjaft miq, të njohur dhe luftëtarë ata shkonin në Kuç, gjithmonë do të gjendeshin për një kafe, për një drekë apo darkë në shtëpinë e tij. Dhomën e miqve, që labët e kanë të veçantë llamba do të qëndronte gjithë natën ndezur. Detyrat dhe punët që merrte përsipër, shtuar dhe bujarinë e mikpritjen e Rrapos mbështeteshin vazhdimisht nga bashkëshortja, Bedene Aliaj, grua e urtë, e thjeshtë, e dashur dhe amvisë mjaft e përkushtuar, për të nderuar burrin dhe shtëpinë. Rrapo kishte studiuar në shkollën qytetëse në Gjirokastër, dhe kishte miq atdhetar demokrat si Rauf Fico, Asaf Fico, Omer Nishani etj.

Komandant në dallgët e luftërave

Më 28 Nëntor 1912 kur u shpall Pavarësia e Shqipërisë në Vlorë nga Ismail Qemali, Rrapo Aliu, ishte i zgjedhur në përfaqësinë e Krahinës së Kurveleshit dhe mori pjesë në Ditën e Ngritjes të Flamurit. Në luftën kundër andartëve grekë në vitet 1913-1914, Rrapo Ali ishte komandant çete i Kuçit. Rrapo siç dinte të përdorte fjalën dhe gjykimin në kuvende dhe në pleqësi, po ashtu dinte të përdorte dhe pushkën, kur iu paraqit nevoja për të mbrojtur vendin.

Në luftën për çlirimin e Vlorës në vitin 1920, njëra nga pesë çetat e Kuçit, do të kishte komandant Rrapo Aliun. Në rrëzimin e aeroplanit italian në fushën e Peshkëpisë, ishte dhe pushka e Rrapos. Në ditë e hyrjes në Vlorën, më 3 shtator 1920, çeta me komandant Rrapo Aliun parakaloi ndër të parat me flamur në dorë në qytetin e çliruar. Dëshmi kjo e vendosur në pllakën përkujtimore në Muzeun Historik të Vlorës, që ndodhet në qendër të qytetit.

Në vitin 1921 ai u zgjodh delegat në grupin e parë të Partisë Popullore për zgjedhjen e organeve drejtuese parlamentare. Ai ishte anëtar dhe veprimtar aktiv i shoqatës “Bashkimi”, si dhe bashkëpunëtor me Halim Xhelon dhe Avni Rustemin.

Ka qenë nëpunës në Qeverinë e Fan Nolit dhe me patriotët e atdhetarë i ruajti marrëdhëniet dhe bashkëpunimin deri në përmbysjen e Revolucionin Demokratik të udhëhequr nga Fan Nolit deri në dhjetor 1924. Rrapo Aliu ishte njëri nga delegatët e Kuvendit Zakonor të Labërisë, të mbajtur në Kuç, nga 28 nëntori deri më 4 dhjetor 1924.

Kryetar i Këshillit Nacionalçlirimtar i Kuçit

Pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste më 7 prill 1939, pleqësia e Kuçit u vendos në gatishmëri për të luftuar dhe ngriti popullin më këmbë, duke u derdhur në Vlorë, por shteti i kishte tradhtuar. Në vitin 1942 në Kuç erdhi trakti i parë i PKSH-së, ku bëhej thirrje për luftë të armatosur kundër okupatorit fashist.

Postëkomanda italiane në Kuç, u alarmua dhe i bëri thirrje e kërkesë ultimative pleqësisë të denonconin ata që prunë traktet. Kuçjotët e përbuzën kërkesën dhe presionin e postëkomandës italiane, por dhe u tallën me ta. Jaho Gjoligu, një patrit dhe burrë vendi e pyeti me shaka “xha Rrapon” se çfarë kanë këta fratellot që nuk u zënë këmbët dhe? Rrapo ju përgjigj me buzë në gaz se i ka zënë barku nga të ftohtët.

Rrapo Aliu, më 10 shkurt 1942, kur u krijua Këshilli i parë Antifashist Nacionalçlirimtar i Kuçit, u zgjodh kryetar i tij, si dhe anëtar i Këshillit ANÇL të krahinës të Kurveleshit. Rrapo gjatë gjithë Luftës mbajti qëndrim të vendosur dhe burrëror. Shtëpia e tij u bë një nga bazat e para dhe të sigurta për luftëtarët dhe njësitet partizane të Kuçit. Me dhjetëra luftëtarë u strehuan në shtëpinë e Rrapo Aliut në vitet e Luftës partizane, midis tyre dhe udhëheqës të LANÇ-it.

Qëndrim i Rrapos nuk u shkonte për shtat krerëve të Ballit Kombëtar, që kishin pasur marrëdhënie miqësore me të më përpara. Ata u përpoqën ta bindnin Rrapon të ishte me ta, për peshën dhe fjalën që i dëgjohej në Kuç e në Kurvelesh. Rrapo Aliu e kishte kaluar gjysmën e shekullit, kishte përvojë në luftëra, por jetën e tij dhe të gjithë familjes e kishte vënë në shërbim të interesave të atdheut dhe të popullit të tij. Qëndrimin e palëkundur dhe të vendosur të tij, ua kishte ngulitur gjithë vëllazërisë dhe fisit, miqësisë e të gjithë dashamirësve.

Ai në jetën e tij, kishte gëzuar respekt dhe simpati si në fshatin Kuç, ashtu dhe në fshatrat përreth, për gjykimet e pjekura dhe të drejta të halleve dhe problemeve njerëzore. Ndaj dhe bashkëfshatarët e tij e kishin zgjedhur Kryeplak të fshatit Kuç. Rrapo nuk i dinte të bënte lëshime para interesave të atdheut, për të cilin kishte bërë sakrifica dhe kishte luftuar me armë në dorë kundër pushtuesve të huaj. Këtë qëndrim mbajti familjarisht edhe gjatë LANÇ-it.

Të gjithë fëmijët e tij i ushqeu me ndjenja patriotike dhe më dashurinë për atdheun. Nën shembullin e babait dhanë kontributet e tyre, djali i madh i tij, Ali Aliaj u aktivizua që herët dhe mori pjesë aktive me armë në dorë. Ai u rreshtua partizan në radhët e Brigada VI Sulmuese. Në përpjekje me forcat armike më 14 korrik 1944 ra për të mos vdekur kurrë, për atdhenë. Edhe djali tjetër Faiku, doli partizan dhe luftoi me armë në dorë deri në çlirimin e vendit. Familja e Rrapos është familje dëshmori.

Vlerësime për luftëtarin e vjetër

Me çlirimin e vendit Rrapo Aliu u vendos të jetonte familjarisht në qytetin e Fierit. Këtu ai për kontributin e dhënë në luftëra për liri dhe pavarësi u zgjodh anëtar i Këshillit Popullor të Rrethit të Fierit dhe i Kryesisë së tij.

Për aktivitetin gjatë LANÇ-it ka marrë dekoratat “Urdhrin e Trimërisë”, Medaljet të “Kujtimit”, të “Trimërisë” dhe të “Çlirimit”. Me rastin e 50-vjetorit të Pavarësisë dhe në Luftën e Vlorës 1920 Rrapo Aliu (Aliaj) u dekorua me medaljen “Për veprimtari patriotike”. Ndërsa rrethi i Gjirokastrës e ka nderuar me titullin “Mirënjohje”.

Ky burrë i mençur dhe trim, që gjithë jetën punoi e luftoi për të mirën e atdheut, u nda fizikisht nga jeta më 30 nëntor 1960. Rrapo Ali Aliaj dha një kontribut të shquar në kohën që jetoi, që nga Shpallja e Pavarësisë së shtetit shqiptar prej Ismail Qemalit më 28 Nëntor 1912, në Luftën e Vlorës, më 1920, në Revolucionin Demokratik të vitit 1924, në LANÇ-in deri në çlirimin e vendit më 29 Nëntor 1944 dhe pas çlirimit derisa ndërroi jetë.