Prof. Dr. Ago Nezha: Poema Labëria Magjike e Neki Dredhës, një magji poetike

49
Sigal

/Telegraf.al/ Mosha e miqësisë me Dr. Nekiun  daton në rininë tonë, në vitet 60. Prej atëhere deri më sot ne kemi komunikuar vazhdimisht, edhe pse kemi pasur largësi gjeografike, por jo shpirtërore. I kam njohur shumë cilësi të Dr. Nekiut, si zgjuarsinë, korrektësinë, respektin shoqëror, kulturën e gjerë historike, letrare, aftësitë profesionale, si një pediatër më në zë në rrethin e Vlorës e më gjerë. Terri i njohjes ka qenë  te aftësitë për të shkruar dhe për më tepër poezinë që kërkon ndjenjë dhe talent., që siç thotë një filozof francez, poet lind nuk bëhesh. Dr. Nekiu cilësitë krijuese i shfaqi, pasi mbylli suksesshëm karrierën e vështirë profesionale  të mjekut në qytetin e Vlorës, që të skllavëron kohën dhe ndjenjat, pasi je në tension çdo ditë se ke në dorë jetë njerëzish, e aq më tepër kur je pediatër. Në periudhën e qetë në pension, filloi të shfaq talentin për poezinë që kishte fjetur gjatë në qenien e tij. Me ardhjen në Tiranë u zhduk distanca gjeografike dhe u afrua distanca shpirtërore. Takohemi shpesh. Tani na bashkon jo vetëm miqësia por dhe poezia  dhe Shoqata “Labëria”, ku Dr. Nekiu  është Anëtar i Forumit të  Shoqatës Labëria, që ka kontribuar dukshëm, me cilësitë e larta morale, shpirtërore dhe intelektuale. Rrugëtimin e poetit e ka nisur me botimin e librave poetik “ Lule përmbi Valë”, “Mall dhe brengë” dhe “Puthja josh dhe Hënën “ dhe ka vazhduar me poemat Rugjina Balsha “ dhe  Bregu kundrejt Jonit”, etj. Majëmalin e ka rrokur me poemën “Labëria Magjike”, që është një enciklopedi në vargje për historinë, gjeografinë, traditat, zakonet dhe shpirtin e njohur patriotik të kësaj krahine heroike. Kur e mbaroi së shkruari, pa e botuar ma afroi për ta lexuar, për të dhënë ndonjë mendim konfidencial. Nuk është pak, plot 200 faqe, por që lexohet me një frymë, pasi të mbërthen me episode, ngjarje, histori, personazhe, që vijnë nga thellësitë e kohës deri në ditët tona dhe që rrezatojnë karakteristikat dhe veçoritë e krahinës. Kur e mbaron së lexuari Poemën “Labëria magjike”,ke dëshirë ta rilexosh dhe mua kështu më ndodhi, pas një pauze frymëmarrëse e rilexova. Kjo ngjan me atë udhëtarin në vapën e Korrikut, që është lodhur nga rruga e gjatë dhe mezi pret që të hasë ndonjë burim dhe sa ndesh në të, vë buzët te burimi dhe  fillon të pijë me etje, saqë e ka vështirë të shkëputet prej tij pa shuar etjen.

Autori Dr. Neki Dredha duke fluturuar si Kalorës i historisë dhe fantazisë në detin e  kujtesës, ka shkelur monopatet dhe shtigjet e gjithë krahinës së Labërisë duke konkurruar me historian, gjeograf, kronikanë,  ambjentalistë, frutikulturistë, zoolog, botanist e  piktor. Duke pikturuar natyrën në vargje, ka evidentuar pasurinë natyrore dhe njerëzore në tërë dimensionet e tij, si traditat, zakonet dhe veçoritë e zonave të ndryshme.  Dr. Nekiu,me këtë poemë ngjan me një Enciklopedi, që rrok gjithësinë e Labërisë, me karakteristikat dhe veçoritë e zonave. Duke lexuar poemën “Labëria Magjike”, njihesh nga afër me bëmat e prijsave historik të kombit me origjinë nga Labëria që nga Mbretëresha e Arbërisë Rugjina, në qytetin e princave të Kaninës, Gjergj Aranitin, Donika Kastriotin, deri të Ali Pashë Veziri, që e donte si Epirin, të lirë kombin Arbëror. Është vështirë të rrokësh shtrirjen në kohë dhe hapësirë të ngjarjeve dhe heronjve të Labërisë, që penës së autorit si ka shpëtuar asnjë ngjarje dhe hero pa e pasqyruar me tërë cilësitë e tija morale dhe patriotike. Ka aftësi të veçanta njohëse dhe eksploruese, me një perceptim depërtues, falë sqimës së tij të hollë intelektuale, zbulon detaje befasuese. Kur mbaron së lexuari poemën “Labëria Magjike”, ku përballesh me një galeri ngjarjesh dhe personazhesh të shumtë,po të mos e njohësh autorin, natyrshëm pyet: cili profesioni i përket historianit, kronikanit,  gjeografit, agrokulturistit dhe nga cili rreth është, nga Vlora, Tepelena, Gjirokastra, Saranda, apo bregdeti dhe zbret si katarakt kurioziteti, se cili fshat mban vendlindjen e tij. Duke na i ndriçuar të gjithë qytetet dhe fshatrat me koloritin e tyre të veçantë, pa mëdyshje mund ta quash që ka për vendlindje gjithë Labërinë.  Falë kulturës së tij historike dhe artistike, ai ka sjellë në vargje cilësitë e Labërisë duke shpalosur vlerat patriotike, traditat, zakonet, bujarinë, trimërinë, mençurinë dhe  besnikërinë. Aty të kalojnë në revistë figurat më të shquara jo vetëm të Labërisë, por të kombit, në momentet më kruciale të historisë, me aktet e tyre  sublime, siç është rasti i Bilbilejve, Avni Rustemi, Balil Nezha, Hodo Nivica, Çelo Picari,  Zenel Gjoleka, Rrapo Hekali, Zigur Lelo, Sado Koshena,Kanan Maze, Selam Musai, Shahin Delvina, Jano Kumiu, e shumë të tjerë, që i ndesh në çdo faqe të poemës të tij. Duke udhëtuar në vite nga lashtësia në ditët e sotme njihesh me heroizmat e kapedanëve të Labërisë në luftërat për liri, pavarësi, çlirim kombëtar dhe shoqëror. Në vargjet e kësaj poeme njihesh dhe me antikitetin në krahinën e Labërisë, qytete të themeluara para Krishtit, si: Amantia, (shekulli i IV para Krishtit ) Ceria, Antigonea, ( qytet i Kaonisë në Epir, themeluar shek.III para Krishtit. ), Oriku,  ( themeluar shek. VI para Krishtit ) ku përshkruan dhe luftën e Cezarit me Pompeun, etj. Ka ditur të shpalos kontrastin natyror me moralin njerëzor,  me figuracion të pasur poetik. Ka rrokur tërë alfabetin nga A- ja te ZH-ja. Përshkruan si rrallëkush gjithë zonat e Labërisë me toponimet e veçanta me një figuracion novator. Vargun e ka veshur me një stof të butë, si faqefarfurinë shkëmbore, agrumnajat verdhullore, ndër lugajat bjeshkore, etj. Duke e parë Labërinë si një minierë të pasur në tërë dimensionet e saj, me shumë “gurë” të çmuar, autori ka ditur të vendos diagnozën për çdo qytet, fshat, ngjarje, e histori me veçoritë dalluese të zonave. Duke përshkruar gjithë hapësirën labërore, ai na shfaqet si historian, gjeograf, gjeolog, arkeolog, botanist, frutikulturist, me një inventar të gjithëgjëndshëm në zonën e Labërisë. Një kontribut të veçantë mund të “vjelësh” te ky lëm i madh poetik, ku është derdhur jo vetëm talenti, por ka prurje novatore të pasurisë gjuhësore, letrare, leksikore, gramatikore e sintaksës, që rrallë i gjen te poezia.

Ka një veçori që nuk e ndesh në krijimet  e tjera se ka krijuar shumë togfjalësh nga pasuria dialektore e Labërisë si te sythi “Lumi i Vlorës”, shkruan: “Këtej gjiri lagunor, Karaburuni rrufepritës, Andej vargu kështjellor, Lumi i Vlorës dallgëngritës. Ose te “Sazan e Karaburun”: “Te sheh vendin anembanë, Hundëziun gjer në Çikë, Sytë të mbeten mbi Sazan, Parzmin mbi Adriatik. Bukuritë labërore, Zoti i gdhendi me dorë. Këtej malet –sharqe bore, Andej Joni begator. Gjetje të shumta poetike dhe togfjalëshin dialektor e ndesh në gjithë hapësirën e poemës.

Kjo dukuri është e rrallë dhe më kujton kontributin unikal të Naim Frashërit, që ka futur te gjuha shqipe 10 parashtesa dhe 35 prapashtesa, duke krijuar togfjalëshin e shumtë si jetëgjatë, gojëmjaltë, zemërgjerë, shpirtzi, mëndjeshkurtër, gjëmëmadh, etj. Këtë pasuri të rrallë e kam ndeshur dhe te veprat e Akademikut të shquar Rexhep Qosja, që sjell një galeri të madhe shprehjesh të kësaj gjinie. Kjo poemë ngjan me një Pasaportë e identitetit të qenit Lab. Poema mbart brenda vetes një galeri personazhesh, që janë analizuar me opinionet e  shkruara. Pasi ke mbyllur së lexuari faqen e fundit të poemës “Labëria Magjike”, ndihesh i mirinformuar dhe i kompletuar me dije multidimensionale për gjithë krahinën e Labërisë. Këtë informacion tërësor nuk e siguron dot në asnjë libër apo Larus të kohës. Ndahesh me poemën, duke njohur “pemën” e Labërisë nga rrënjët te degët, lulet dhe frutat, me gjithë pjellorinë e saj historike, ekonomike dhe shoqërore.

Përshtypjet e mia për Dr. Nekiun dhe veprën e tij të ndritur “Labëria Magjike” me qenë se autori  është mjek, dua ta mbyll me fjalën e tregimtarit të madh Rus me famë botërore, Çehovit, po me profesion mjek, që kur e pyetën gazetarët në një takim promovues, se kë quan të bukur? Ai u përgjigj: “ Të Bukur duhet të kesh mendimin, shpirtin, fytyrën dhe rrobet”.  Dr. Nekiu i ka të katër këta elementë të harmonizuar dhe sendërtuar në qenien e tij.