Petro Zheji përkthyes dhe gjuhëtar mistik shqiptar, që sfidoi kohën

539
Sigal

Sfidonte kornizat e kohës, duke u zhytur në rreshtat e librave

 

I biri i Spiro Ballos i lindur më 16.11.1903 në Gjirokastër (me origjinë nga Zheji i Zagorisë) dhe i Theodorës së Niko Petridhit. I ati ka qenë oficer i shkolluar në Itali gjatë kohës së Mbretnisë, i graduar më vonë si major-kolonel. Në një bibliografi që pasqyron një libër që ka qenë i të atit të Petros, jepet grada dhe banesa, Adjutanti i Kumandës fuqisë Armate Tiranë, në rrugë të Durrësit. I ati u grish nga Spiro Moisiu për me marrë pjesë në rezistencën kundër gjermanëve. Përndiqet në fund të viteve 40 nga regjimi i brishtë komunist dhe i sekuestrohen pronat në Tiranë. Petrua studion matematikë-fizikë në nivel dyvjeçar në Tiranë, jep mësim në gjimnazin “Qemal Stafa”dhe vajti me dhanë mësim në gjimnazin e Gjirokastrës, më tej studion për gjuhë shqipe në Universitetin e Tiranës. Punon pranë ndërmarrjes së botimit “8 nëntori”, ku botoheshin libra politiko-shoqëror dhe si përkthyes me normë pranë shtëpisë botuese “Naim Frashëri” në kryeqytet. Martohet me aktoren gjakovare Besa Imami, martesë nga e cila më 1961 u lind djali i vetëm, Arturi. Petrua mbas viteve ’90 largohet drejt ShBA-së. Me kthimin e tij vendoset në Tiranë. Me mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 5 të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Kulturës: Këshilli i Ministrave vendosi dhënien e një shtese pensioni të posaçëm shtetëror në sferën e kulturës, disa personaliteteve, ndër ta edhe Petro Zheji.

Ashtu si djaloshi Verter

Ashtu si djaloshi Verter, që e kaloi gjithë vuajtjet e një dashurie fatale për Sharlotën në heshtje, ashtu dhe shqipëruesi i këtij libri në shqip (Vuajtjet e djaloshit Vërter) parapëlqeu ta kalonte në heshtje gjithë jetën e tij. Jo vetëm gjatë sistemit komunist kur në punën që bënte në shtëpinë botuese “8 Nëntori” i duhej të sfidonte kornizat e kohës, duke u zhytur në rreshtat e librave që i besohej për t’i sjellë në shqip, por edhe pas viteve ’90 atëherë kur mund të merrte flamurin siç bënë shumë kolegë të tij dhe të ngrinte lart punët e bëra, Petro Zheji parapëlqeu të heshtte. Në biblioteka, autorët e sjellë prej tij në shqip kishin hapur herët horizonte të reja për shqiptarët. Me portretin e një njeriu të rritur herët me filozofi, dhe që besonte tek ajo ashtu siç besonte te shkrimi, Zheji vijoi të bënte jetën që kishte bërë gjithnjë, duke “refuzuar” famën, reklamimin në ekrane televizorësh apo faqe gazetash. Emri i tij kujtohej këto vite sa herë në biseda profesionistësh. Flitej për modelin e përkthimit të mirë, për një “shkollë” që Zheji e ndërtoi ashtu me veprat e tij, apo kur mund të hapje faqen e parë të një libri ku ishte shkruar “Shqipëroi Petro Zheji”. As jeta në SHBA pas viteve ’90 dhe as rikthimi këto vitet e fundit nuk grishën tek ai ndjenjën e protagonizmit, i bindur se është puna ajo që duhet të flasë. Ashtu si me përkthimet, por edhe me jetën e thjeshtë Zheji dha një model për shoqërinë tonë të trazuar. Modelin e një intelektuali të vërtetë europian, pikërisht në një vend që vazhdon të ketë probleme me modelet. Zheji vijoi të jetonte në apartamentin e tij të thjeshtë, mes morive të librave dhe dorëshkrimeve për të çuar deri në fund një vepër të nisur. Librat dhe gjuha shqipe ishin shqetësimi i vetëm i këtij shtergu të madh të shqipes, që iu dorëzua asaj pa kushte. Lajmi për ndarjen e tij nga jeta (në moshën 86-vjeçare) është një lajm i hidhur pikërisht për gjuhën shqipe. Ajo ka humbur dje një nga mbrojtësit e saj më të mëdhenj, një stilist që e trajtoi me dinjitet dhe përkujdesje çdo shkronjë të saj. Është i çmuar kontributi i Petro Zhejit në kulturën shqiptare, një kontribut që koha do ta nxjerrë çdo ditë e më shumë në pah. “Vuajtjet e djaloshit Vërter” nga Gëte është një libër i ardhur vitet e fundit prej tij, ku ndihet eleganca me të cilën ka trajtuar gjuhën një mjeshtër. Vuajtjet e dashurisë së Vërterit të duken të bukura pikërisht nga gjuha. Zheji ishte një tjerrës i mrekullueshëm i saj, duke e shndërruar në të gjitha format për të sjellë ndjesinë më të mirë. Përkthimi i vëllimit të II të “Don Kishoti”, duke vijuar një sfidë të nisur nga Fan Noli, e bëri Zhejin një udhëheqës shpirtëror të këtij aventurieri të madh të botës letrare në shqip. Vetë Servantes do ishte ndier mirë të shihte sesi kjo krijesë e tij kishte mundur të pushtonte shqiptarët, të cilët e kishin lexuar këtë aventurë ashtu siç ishte. Don Kishoti do të na kujtojë gjithnjë atë, njeriun që i bindur se ky libër nuk ishte thjesht një përkthim, por një botim që do të hapte e trazonte ndërgjegjen njerëzore të vendit të tij, iu fut një pune titanike për ta përkthyer. Janë të pafundme përkthimet e ardhura prej tij në shqip si: “Fedor Panferov “Bruski”, të cilin e ka përkthyer bashkë me të vëllain Gjergjin, “Nipi i Ramonit”- Didëro, “Vitet e zemërimit”- Stajnbek, “Njeriu i padukshëm”- Herbert Uells, “Ringjalla”- Tolstoi, “Obllomovi” – Goncarov, “Zoti President”, “Papa jeshil” – Asturiasi etj. Zheji ka ndihmuar dhe për përkthimin në anglisht të librit “Rrno për me tregue” të At Zef Pllumit. Seria e përkthimeve e vendos si një nga
përkthyesit më elitarë, cilësia e tij është në përpjestim të drejtë me vëllimin e punës së bërë. Në një artikull kulturor më 2008, botuesi i përkthimit më të mbramë të tij (“Jeta e Galileit” e Bertolt Brehtit), Mehmet Gëzhilli, kumton se Zheji mund të ketë 13 mijë faqe përkthim të botuara. Përkthimi i tij i parë daton më 1958 dhe ka qenë vëllimi i parë i romanit “Bruski” të Fedor Panferov; përkthyer së bashku me të vëllanë, Gjergjin. Titujt më të shquar nga lista e gjatë e përkthimeve janë “Vuajtjet e djaloshit Verter” të Gëtes, “Sojliu mendjemprehtë – Don Kishoti i Mançës” nga Servantes, “Nipi i Ramonit” nga Didero, “Vitet e zemërimit” të Stajnbek, “Njeriu i padukshëm” i Herbert Uells; si dhe shumë e shumë tituj tjerë nga letërsia gjermane, spanjolle, australiane, estoneze, rumune, ruse, kineze, nordike[9]. Duke u radhitur me emrat e tjerë elitarë të përkthimit si Dhimitër Pasko, Klio Evangjeli, Jusuf Vrioni, Vedat Kokona, Gjon Shllaku, Pashk Gjeçi, etj. Përkthyesja amerikane e veprës “Rrno vetëm për me tregue”, Kathleen Schank, e ka falënderuar për ndihmën që i ka dhënë për prurjen në anglisht të dëshmisë së Át Zef Pllumit[10]. Përpjekje kjo që Zheji e kishte ndërmarrë qysh në të gjallë të fratit.

Vepra
Në fillim nuk iu dha mundësia e botimit për krijimet e veta të përshkuara nga fryma e simbolizmit por më vonë iu botuan disa prej tyre, së fundi edhe studimi “Roli mesianik i gjuhës shqipe”. Punimet e Petros “Kristologjia”, “Hyrja në Algoritëm”, “Paraqitja e Algoritmit” përcaktojnë në raportin botëkuptimor dhe fizik të njeriut me natyrën, që është filluar e vazhduar nga Etërit e Kishës që nga Shën Pali e deri më sot, e që pasqyron në sferën racionale dhe shoqërore, atë përmbysje, plotësim e sintezë që bëri Krishti në anën shpirtërore dhe individuale. Bëhet i mundshëm logjikisht tërë kuptimi rivlerësues i trashëgimisë së qytetërimit, të epokës teknologjike, që del si relika e fundit e idolatrisë antike. Aty ndihet mrekullia e fillimit të realizimit të endrrës së heronjve të tillë të mendimit si Niçja dhe Frojdi, Ainshtajni, Hajzenbergu etj. Për gjuhën shqipe dhe për kombin shqiptar dhe rilindësit e tij, punime si “Shqipja dhe Sanskritishtja” (në dy vëll.; 1996, 2001, 2011), “Gjuhët e vjetra dhe shqipja”, “ Gjuhët moderne dhe shqipja”, “Universaliteti i gjuhës shqipe”, “Libri i Aforizmave” (2012) shënojnë një ringjallje dhe rivlerësim të Rilindjes Kombëtare. Me punën e tyre rilindasit tanë, bënë çvarrosjen e kombit tonë dhe rilindjen e kristalizimin e gjuhës shqipe. Punime si të mësipërmet, tej çvarrosjes, fillojnë të ngjallin realisht kombin shqiptar në përmasat e tij primordiale e pellazgjike dhe realizojnë ëndrrën e rilindësve tanë De Rada, S. Frashëri, Fan Noli, Át Sh. Gjeçovi, Át Gjergj Fishta etj, e madje e ndërkombëtarizojnë dhe e racionalizojnë tërësisht atë. Këto punime janë në botim e sipër. Figura si Martin Camaj, Robert Elsie etj., kanë vlerësuar lart përmbajtjen e këtyre punimeve