Arkitekt Robert Kote: Përse po përçmohen monumentet e kulturës

266
Sigal

Trashëgimia jonë historike po fundoset nga betoni

Përse po përçmohen monumentet e kulturës?!

Shumë qytete antike dhe lagje të vjetra po humbasin identitetin

Natyrisht ndërtime shumë katëshe me arkitektura bashkëkohore ka kudo, në Firenze, Romë, Vienë, Barcelonë, Pragë… por ato nuk kanë cënuar të vjetrën historike monumentale…

Robert Kote, arkitekt

Para disa vitesh në një nga emisionet televizive i bënë një pyetje njërit prej të ftuarve të përhershëm: arkitekt, këshilltar i dy kryeministrave… mbi rolin e monumentave tek ne. Përgjigja ishte shumë e thatë dhe e hidhur: Tashmë i ka kaluar koha monumentave…

Mënyra se si u trajtua kjo temë nga drejtuesi i trasmetimit të një televizioni kombëtar dhe i ftuari nga qeveria dëshmoi edhe një herë një lloj përçmimi ndaj përkujtimoreve materiale të fakteve dhe personazheve të historisë sonë. Ky lloj mosvlerësimi dëshmon antikulturën tonë edhe në ditët e sotme kur e dimë se sa keq jemi sjellur ndër shekuj ndaj kulturës materiale. Po t’i bëjmë një vëzhgim turistik qëndrave tona të banimit vërejmë se kemi shumë pak objekte që paraqesin vlera dokumentare për historinë dhe kulturën tonë. Me përjashtim të disa zonave të banimit të qyteteve të Beratit dhe Gjirokastrës ku ende vezullojnë shumë bukur panorama dhe banesat karakteristike kemi dhe shumë raste që kemi shkatërruar duke ndërtuar.

Rastet:

Raste të shumta negative kemi te qytetet e Durrësit, Krujës… dhe pothuajse kudo… edhe meqënëse nga shteti investohet për një Akademi të Shkencave, për një institucion për mbrojtjen dhe mirëmbajtjen e monumenteve. Kultura jonë materiale në këto 75 vitet e fundit ka pësuar shumë dëme të parikuperueshme. Kur punoja në skicimin e varreve romake në Nekropolin e Apollonisë (1961-1962) vëreja se fshatarët e Pojanit kishin përdorur shumë copa prej guri nga ato të kolonave apo kapiteleve për ndërtimin e banesave të tyre… Për ndërtimin e lapidarit të Brigadës së Parë Partizane në Vithkuq u përdorën gurët e gdhendur të Katedrales së Shën Gjergjit të Korçës që qeveria diktatoriale komuniste e kishte shembur (si dhe pothuajse të gjitha tempujt e besimeve të ndryshme fetare). Para se të fillonin ndërtimet e mureve të Muzeut të Skëndërbeut në Krujë, më dërguan të kontrolloja për gurë diku në malet e Laçit. Më thanë të shikoja në Delbnisht. Kalova rreth një zone ushtarake plot me tanksa dhe pas një kodre dallova një godinë të madhe të shembur. Por që te rrënojat dalloheshin harqe me gurë të bardhë të gdhendur, dekoracione të tjera prej guri… Dallohej që kishte qenë me disa kate dhe ndoshta një nga objektet më të mëdha dhe të bukura në atë zonë të Shqipërisë. Kuptohej që kishte qenë një lloj kishe manastir e fesë katolike… Ju thashë se ato gurë nuk janë “të përshtatshëm” për ndërtimin e Muzeut…

Po humbasin indetitetin rrugët kryesore të Tiranës

Kemi banuar prej shumë vitesh në rrugën “Him Kolli” (në rrugën e Kavajës në Tiranë)… Aty kam njohur, hyrë nëpër shtëpitë, luajtur… tek familjet e Aleksandër (Skënder) Dakos, të Marios, të Lajdinit, të Spases, të Frashërit, të Llagamëve… Në banesën përdhese tiranase me dysheme dërrase, por edhe me dhoma të shtruara me dhe të ngjeshur të familjes Dako (patriotit Kristo Dako) jetonte edhe e fashmja: Parashqevi Qiriazi (e motra e Sevasti Qiriazit Dako), që ishin nga të parat femra patriote që hapën të parën shkollë në shqip për vajzat shqiptare… Tek shtëpia e Marios ( që është edhe sot) admiroja një pikturë origjinale me portretin e patriotit Pashko Vasa, ku në gjoks kishte shumë medalje… Ajo familje me mbiemrin Vaso ishte pasardhëse më e afërt e patriotit tonë të madh. Lajdini jetonte në ato vite së bashku me dy motrat dhe nënën e tyre; ishte i vëllai i Qemal Stafës… Sterio Spase ishte një intelektual dhe shkrimtar i shquar, Naim Frashëri (ndoshta pasardhës i Frashëllinjve të famshëm) ishte një nga aktorët më të mirë të teatrit dhe kinematografisë sonë të parë kombëtare… Familjet e Llagamëve ishin të shumtë në atë rrugicë. Njëri prej tyre i burgosur politik Fiqiri Llagami kishte qenë një dijetar i shquar. Në atë rrugicë kanë jetuar edhe futbollisti i talentuar Enver Shehu (Krutani); balerina , (ndoshta më e mira shqiptare) Zoica Haxho… Banonte edhe një këngëtare me një zë bilbili: Drita Papajani. Në një rrugicë tjetër afër shkollës Luigj Gu­rakuqi në oborrin e familjes Fejzo në një ngrehinë të vogël jetonte këngëtarja e famshme e atyre viteve Luçie Miloti… Diku kanë jetuar nëna dhe motra e Nënë Terezës të Kal­kutës (Gonxhe Bojaxhiut) përballë ish- shtypshkronjës “Mihal Duri ”… Por përsa përshkrova nuk ka as edhe një lloj elementi (pllakë përkujtimore, skulpturë) që t’i faktojë përjetësisht këto vërtetësi. Këto janë elemente që ndikojnë shumë për trashëgiminë tonë historike, që njëkohësisht tregojnë respekt jo vetëm ndaj personazheve apo ngjarjeve, por edhe ndaj atyre që i “ndërtojnë” i mirëmbajnë dhe i përkujtojnë. Nga vitet 90 kishte ardhur në Tiranë një italian i moshuar. I patën thënë prindërit se ai kishte lindur dhe jetuar në një banesë diku në një rrugicë te rruga e Kavajës prapa kishës katolike… Kishte ardhur enkas për të mësuar vendlindjen e tij, por nuk e gjeti atë “vilë”, sepse ndërkohë mbi atë shtëpi të vogël plot me lule, kumbulla, fiq, rrush, kishin “mbirë” pallate shumë katëshe. Në këto vitet e fundit, kur m’u krijuan mundësitë të dilja jashtë shtetit, konstatova kudo (Austri, Itali, Gjermani, Francë, Spanjë, ShBA…) se sa me respekt ruajnë edhe banesat e vogla ku kanë jetuar, punuar jo vetëm personazhet më të shquara të përmasave botërore, por edhe atyre lokale… E dija që Drezdeni ishte rrafshuar nga bombardimet e Luftës së dytë Botërore po kështu edhe Mynihu… por aty jo vetëm që nuk dalloja ndonjë shenjë nga ato të luftës, por përkundrazi më dukej që çdo objekt dëshmonte me pamjet e tyre , historitë shekullore… Rikonstruksionet ishin perfekte, nuk kishte “modernizma” atje ku kishte objekte të antikitetit, të mesjetës, të rilindjes…

Në vitin 1996

Në vitin 1996 së bashku me pedagogët F.Biba dhe H.Jaho na ishte dhënë një bursë për t’u specializuar në Itali nga pedagogët e Universitetit të Firenzes. Faktikisht për italianët ne shqiptarët kishim krijuar një reputacion jo të mirë. Shpresonim që edhe si koleg që ishim do të na ftonin ndonjë herë për ndonjë kafe ose t’ju vizitonim studio apo të na shoqëronin për të parë ndonjë objekt arkitektonik apo muze… Por u çuditëm shumë kur njëri prej tyre , Prof. Semboloni na ftoi për darkë në shtëpinë e tij… Shkuam, siç e kemi zakon ne shqiptarët, me nga një peshqesh secili… Banonte larg Firenzes në periferi të Fiesoles në një banesë një katëshe e ndërtuar diku nga shekulli 14-15 , me dysheme prej tullash , trarë të vjetër në tavane, po ashtu edhe dyert dritaret… Gruan e kishte franceze, e cila kur kishte qenë studente kishte bashkëjetuar me një vajzë shqiptare e ardhur nga Tirana ( me sa më kujtohet me të bijën e Aleks Çaçit). Bashkëjetesa me vajzën shqiptare asaj i kishte lënë mbresa shumë të mira. Ajo ishte bërë “sebep” që t’i mbushte mendjen të shoqit që shqiptarët nuk janë të atillë siç i kujtoni ju italianët… prandaj t’i ftojmë në shtëpi… Por gjatë drekës dikush nga ne ju thotë pronarëve të banesës “rrëngallë” se në atë vend mund të ndërtojë një vilë moderne apo pallat shumë katësh… Por përgjigja e Sembolonit na turpëroi: Ne e blemë këtë shtëpi shumë shtrenjtë… jo vetëm që nuk lejohet me ligj të bëj ndonjë modifikim, të shtoj… por edhe t’i ngul një gozhdë … Dhe jo vetëm kaq, por as edhe të pres ndonjë selvi apo të prek panoramën… Ne na pëlqen të jetojmë në këtë mjedis “mesjetar.” Ai vinte deri në periferi të Firenzes me veturë, pastaj merrte biçikletën për të ardhur në Universitet (që ndodhej në qendër të qytetit) po kështu vepronte dhe në kthim. Në Firenze, për të mbrojtur vlerat monumentale panoramike të qytetit ende ishte në fuqi një vendim bashkiak i disa shekujve më parë, që ndalonte çdo lloj ndërtimi më të lartë se ajo e katedrales më kryesore të qytetit dhe të objekteve të tjera, që nuk ishin në përshtatje me arkitekturën tradicionale… Natyrisht ndërtime shumë katëshe me arkitektura bashkëkohore ka kudo, në Firenze, Romë, Vienë, Barcelonë, Pragë… por ato nuk kanë cënuar të vjetrën historike monumentale…