Voltana Ademi kërkesë në Gjykatë: Vetëemërimi i Ndreut në krye të Shoqatës së bashkive, i paligjshëm

433
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, i ka kërkuar Gjykatës së Tiranës të mos njohë Pjerin Ndreun si kryetar të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë.

Lidhur me këtë vendim, Ademi e konsideron vendimin e marrë nga Shoqata e Bashkive për të vënë kryetar Pjerin Ndreun, si të paligjshëm.

Në një kërkesë drejtuar Gjykatës, Ademi, kërkon që të njihet si i vlefshëm vendimi i Asamblesë së Përgjithshme të Shoqatës së Bashkive marrë më 8 qershor 2021 dhe të Vendimit të Komitetit Drejtues të datës 4 maj 2021, ku ajo është zgjedhur dhe konfirmuar si kryetare e shoqatës.

Ajo gjithashtu kërkon që të refuzohet regjistrimi i Vendimit të Asamblesë së Përgjithshme të datës 8.6.2021, të thirrur nga Pjerin Ndreu dhe vendimi i Komitetit Drejtues të datës 8.6.2021 dhe çdo akti tjetër që mund të kërkohet të regjistrohet nga Ndreu dhe çdo person tjetër si vendime të marra në kundërshtim me ligjin dhe Statutin e kësaj shoqate.

Pas shpalljes së Pjerin Ndreut si kryetarin e ri të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, Ademi tha se kjo lëvizje u bë për të tërhequr padinë e bërë nga shoqata për mosnjohjen e zgjedhjeve vendore të vitit 2019, ku Partia Demokratike dhe Lëvizje Socialiste për Integrim nuk morën pjesë.