Kryebashkiaku Veliaj: Për herë të parë në Shqipëri mirëpresim Javën Kulturore Franceze, këto nisma janë urë e rëndësishme bashkëpunimi mes dy vendeve

21
Sigal

Në kryeqytet një mori aktivitetesh pritet të mbahen në kuadër të javës kulturore franceze. Aktivitetet do të zhvillohen nga datat 13 e deri në 19 maj dhe do të përfshijnë koncerte, ekspozitat, shfaqje, kulinari, lojëra, shfaqje cirku dhe argëtimi. Të hënën kryeqyteti hapi zyrtarisht javën e kulturës franceze ku fillimisht në mjediset e Piramidës u hap ekspozita me veprat e skulptorit të mirënjohur francez, Richard Orlinski. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ambasadorja franceze, Catherine Suard, etj. Ambasadorja Catherine Suard i shprehu mirënjohjen kryebashkiakut Veliaj dhe Bashkisë së Tiranës për gatishmërinë e treguar për të çuar përpara projektet e kësaj jave kulturore. Kryebashkiaku Veliaj tha se këto nisma janë një urë e rëndësishme në bashkëpunimin mes dy vendeve. “Ky ka qenë një vit shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe Francën. Përveç javës simbolike të Kulturës, i gjithë viti ka qenë një vit francez. Edhe kryeministri, u kthye nga Athina pas një vizite të jashtëzakonshme dhe shumë entuziaste dhe ndoshta që do të mbahet mend në histori shumë gjatë me diasporën atje, ne gjithashtu sapo u kthyem nga Venecia, ku patëm binjakëzimin e Tiranës me Venecian, kryeqytetin e artit, bienales, dhe shumë aktiviteteve të tjera. Java e Kulturës Franceze do të ketë përqendrimin më të madh të aktiviteteve, por ne do të kemi edhe mbjelljen e disa nismave të reja, që do të jenë urë mes Shqipërisë dhe Francës në afatgjatë. Hapim edhe Kubin Francez dhe mezi pres vijimin e Javëve të tjera të Kulturës. Këtë javë hapim kinemanë “Maks Velo”, për t’i dhënë vëmendje jo vetëm qendrës së Tiranës, por edhe periferisë, ashtu siç ndodh me Marubin në Kinostudio, ashtu siç po ndodh tani me qendrën tonë dixhitale, te kinema Agimi. Jam gjithmonë besimtar i faktit se fjalët e sherret i merr era, kurse në finale njerëzit do të thonë: puna, puna, puna”, tha Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.