Namik Selmani: Xixëllima e fjalës shenjtërorë të Lefter Çipës

270
Sigal

Homazh kujtese për Mjeshtrin e Isopoliofonisë shqiptare

…Nëse një ditë damarët e krojeve mund të thahen, do zgjohet menjëherë ai, Bardi i paharruar i ligjërimit të këngës dhe shqiptarizmit Lefter Çipa. Vetëm kujtesa për të nuk do thahet. Do iu ngjajë pikëlimit të pishave që nga ajo Pishë-Flamur deri të çdo zemër shqiptari në botë. Sot e mot.

Na iku me trup e nuk do ta shijojmë të folurën e tij me kaq sqimatari. Me kaq ngjyra. Me kaq madhështi. Me atë majë ku të gjithë ia ëndërrojnë prekjen, po jo të gjithë e arijmë edhe ose mund të kemi ambicje.

E kam takuar në Gjirokastër Mbretin e këngës labe Lefter Çipa. Atje ku kënga ka marrë flatra e fjala e mençur e kryepoetit lab ka shoqëruar e ka mëkuar breza shqiptarësh. Bukur ia ka thënë dikur një gazetari që e kishte pyetur: “A do ta promovoje polifoninë labe po të jetoje jashtë Shqipërisë?”
-Jo, more burrë.- i kishte pasë thënë ai me atë inatin më të bukur që ka ai kur fliste, me atë nerv të bukur,- Se këngën nuk e bën vetëm njeriu, nuk e bën vetëm shpirti, po e bën dhe aroma e luleve, fëshfëritja e ullinjve valët e detit..

Bukur, Mjeshtër! E rrufitëm në kafe atje në Shesh të Çerçizit. E atë vetëm ta dëgjoje. Tymi i cigares dukej si një vello e bukur atje rrëzë Kalaje, u ka lashtësi ka leghenda ka gryka topash, po ka edhe gjyle këngësh. Si një tyl nusërie ku kujtonim dhëndërrinë e bukur shqiptare. Më vjen keq këtu që nuk mund ta vë foton që kisha dalë atje. Po promovoja një libër me tregime për këngën e kombit tim “Ujëvara e këngëve”. Edhe Lefter Çipa ishte është e do të jetë Ujëvarë e këngës labe. Nuk i kam zili ujëvarat e botës para ligjërimit të tij.
E aherë e sot kur nuk e kemi më thërras gjer në kupë të qiellit
“Rrofsh kujtimi yt sa malet e sa isoja e Labërisë Lefter Çipa! Është sa malet krenaria që të kemi sot e kah mot!

…Vonë, shumë vonë edhe pas shumë shekujsh, përherë do na ngrohet e do na ndritojë buzën e zemrën xixëllima e fjalës së Lefter Çipës. Do na vijë vargu i 20 librave të tij poetikë në sofra apo në tryezat edhe më moderne se sot dhe me gjellë, mbase edhe më të shijshme se sot. Mbase, për të qenë të sinqertë, kur ata të marrin një ose disa këngë labe, edhe mund të mos e dinë ata vetë, fëmijët e fëmijëve të tyre se këngën “Bejkë e bardhë”, nuk do ta dinë se kush e ka shkruar. Sa do të donin sot historianët e letërsisë që të dinin autorin e eposit të kreshnikëve “Muji dhe Halili” një tjetër pasuri botërore e UNESKO-s. E ai Mjeshtri ynë do të jetë bërë frymë që ndez zjarret e fjalës dhe të shpirtit. Keni parë ndonjë rast në kohët tona kur ka njëmjë mënyra për të bërë shkëndijën apo për të bërë zjarrin, për të cilin e ndëshkuan aq shumë perënditë Prometeun? Është eshka e marrë nga trungjet e lisavve që kur bashkohet me atë gur të stërralltë lëshon atë aromë ziliqare për të gjithë na jep atë tundim që na japin magjistarët që gjithsesi bëjnë dhe trukun e tyre. E pra, Lefter Çipa ishte guri që ndizte eshkën e zemrës sonë. Që dukej herë si eshkë e herë si gur stërralli. Që do të na kujtojë e do të na thotë se cilëve brigje iu përkasim, me cilët zakone na mëkuan gjyshërit, në cilët male kemi thurur ëndrrat tona, kemi ngritur stanet e kemi gjetur dru për djepe e për fyejt, për lugët e magjet, për daullet e brirët. Ata, tribunarët e atyre viteve dhe shekujve që do të vijnë, do të kërrejnë mbase nga zyrat e tyre sa e sa ndere të kohëve moderne, dekorata mirësie e lavdie që kurrë nuk do ta fitojnë garën e lavdishme të kujtesës popullore për të. E për ta kujtuar sërish atë sot e ato kohëra le të kujtojmë se ç’ndodhi vite më parë në Paris. Ishte një grup i isopolifonisë gjirokastrite që ngjan edhe me ison labe. Vetë ata më tregonin se si ishte pritur isoja në mbarë botën. Aty pranë Sheshit të Çerçizit ku unë rrufisja kafenë me Mjeshtrin Çipa dëgjonim se si stisej kënga labe që në fëmijëri. Në atë ditë ata kishin dhënë një shfaqje me këngë polifonike në Parisin e operave, të Luvrit, të Ejfelit. Ishte një sallë ku dikur kishin ardhur grupe nga Japonia, Meksika, Argjentina dhe Amerika. Nga Spanja e Afrika. Mund të kishte qënë dhe vetë grupi i Bënçës, i Pilurit, i Himarës .. Pas këngëve që e bënë sallën një çast të heshtëte, pa pikën e drojës u ngritën dy- tre burra nga salla e nxituan në skenë. Mbase për t’i përqafuar për emocionin? Mbase për të dhënë lule? Joooo. Ishte prishur etika, emocioni. Asnjë gonxhe lulesh nuk kishin. Asnjë fjalë falenderimi, edhe se ato ishin thellë asaj nate të paharruar. Ai kujtonte:
-Pa pikën e drojes ata na kontrollonin në trup, në xhepa se mos kishim fshehur ndonjë aparat për akuistikën, se mbase ai zë sokëllitës që të kujton këngën që dukej si një shkëmb që del nga mali, vinte nga sajesa elektronike.”

Ç’të bënin këngëtarët që nuk kishin në duar violina, saksofonë, flaute, kitara, kontrabasë, base, etj?!!!! Të lodhur pak nga isoja që ishte një jehonë e çuditshme tingujsh, ata ende ishin mes gurgullimës, lulërimës, kuqëlimës. Ata nuk mund t’u thonin dot në atë moment se ajo, isoja magjike me ato vargje kristalorë, vinte nga brigje me dritë e me diell, nga male ku kishte ullinj e portokalle.

E padyshim në atë frymë isopolifonie do të ketë qenë dhe vetë Mjeshtri Lefter Çipa. Bastuni i tij do të na kujtojë atë princërim bregu. E shikojeni pak dhe llullën e tij me një duhan të sertë që vetëm ai e di se ku e gjen dhe se si i rri npër merak ta thajë. Na duket se e ndez akoma llullën në shkrepëtimat e maleve të Labërisë. Atë burrë po ta shtrydhje, kërrente vetëm këngë, kërrente vetëm fjalë si gurët e latuar në Kalanë e Këngës Shqipe, e ka të gjithë shënjtërinë e tokës. Lexoni pak me vemendje tekstet e këngëve të tij që janë mbi 1200 ndërkohë që një tjetër poet si Gjokë Beci nga Mirdita kishte shkuar deri në 2000 këngë në Mirditë e në mbarë Shqipërinë. Aty përmendet shumë herë fjala “Perëndi”. Dhe ka të drejtë profesori. Vetëm te shenjtëria ai mund ta merrte tërë atë zjarr kënge. Kënga labe ka diçka shenjtërore brenda saj. Tek e shihja atë me atë shkopin e tij karakteristik sërish më kujtohej babai im, po dhe shumë burra çamë që në moshën pak të thyer mbanin dhe eshkën, edhe masatin por edhe ndonjë bastun. E babai im e kishte vënë në duar një bastun. Në një kohë kur në Shqipëri nuk dilte e nuk hynte as zogu e kishte gjetur atë bastun me një nga pyjet e Elbasanit. Po shumë herë ai e rrotollonte shkopin si një lodër si një busull ku ai shihte ditët e pajetuara. Si një xhentëlmen anglez edhe se në kokën e thinjur ai nuk kishte vënë kapelet me strehë trë anglezëve. E Leftër Çipa ishte arisokrati i këngës.
Edhe Lefter Cipa me atë trokëllimën e shkopit të tij në udhët e Himarës, të Pilurit, të Vlorës, të Gjirokatrës, seç kishte diçka të bukur, profetike. Me atë zë do ta ndanin lavdinë e tyre të këngës Vaçe Zela, Irini Qiriako pa folur për këngëtarët e grupeve të Bregut dhe ato të këngës qytetare të Vlorës. Që në krijimet e tij të para ai hapi portën e këngës. “Një flutur e vogël je” dhe “O ky Bregu i Detit” kënduar në vitin 1958 në Vlorë nga Meliha Doda, Reshat Osmani dhe Kostandin Thana, që u bënë treshja e famshme e Vlorës. Vetëm 16 vjeç ishte Që nga viti 1958 kur ai e nis rrugën e poezisë e të këngës kanë kaluar 60 e ca vite e për këtë rrugë ai ka mbetur një krua që nuk ështëtharë as në dimër e as në behar. Libra të tillë poetikë që ai ka shkruar si “Bejkë e bardhë”, “Shqipëri moj ballëhapur” “Kënga që tret lotin”, “Këngët e Akroqeranit”, ”Këngët e Ruzanës”, “Për Kosovën prapë do ngrihem” “Princi i dashurisë”, janë enciklopedia e shpirtit të tij dhe mbarë kombit. Këngët “Bejkë e bardhë”, ‘Nga kjo baltë e kësaj toke”, “More Naim Shqipëria”, “Vito pëllumbesha”, ”O shokë vdeksha nga kënga”,”Në të marrça manushaqe”, janë pjesa më e bukur e një shpirti shqiptar kudo ku flitet shqip. Janë të panumërt miqtë e tij në mbarë botën, por Kryemiku i tij është ai flamur kombëtar që valëvitet në kalanë e tij në kullën e tij, në odën e tij, në konakun e tij, në shtëpinë e tij atje në Himarë e ai përherë thotë: “Ja, jetoj këtu në Himarë, pranë flamurit tim” E bekuar qoftë ajo fjalë!

Kur flet guri, kur flet dhimbja
Çamëria ta puth pragun
Hej, poet zë mençuria
Gur të ri ia shtoke vargut
Vijnë vitet si palë deti
Ulur- në një breg Joni
Fol dhe fol Kryepoeti.

Jepi këngës damar kroi.
Vika fjala si dorë dallge
Që po thinj një vajzë në breg
Kush ia mban ison e madhe
Kur kurbetin sjell ndërmend?
Ta do vargun Çamëria
Si kulaç të dalë nga furra,
Te një krua Labëria,
Do të zgjojë prapë ninulla.
Se do niset kënga prapë,
Si një vajzë që s’thinjet shpejt.
Nëse shtegu humb në mal.
Le ta gjejë ky burrë i sertë.
Dhe të flasë mes Himare,
Me dhjetë dete përmbi supe.

Çamëria flamurtare,
T’i sjellë këngën – shportë me lule.
Në ballkon të këngës çame
Bëhu fllad që të thash dhimbje
Përmbi mal të isos labe
Mbretëro me ligjërime.
Bëji akujt lumenj drite
Sill ndër deje shtatë pranvera.
Na gostit me mjaltë lirie
Të na ngrohet në mot jeta.

Mirënjohje kujtimit të tij!
Ngushëllime familjes së nderuar Çipa