“As njera, as tjetra pasi janë në pikë të hallit”
-Disa të dhëna historike për Kadastrën në Shqipëri- në vitet 1670-1990
– Në nëntor të vitit 1670 Elvia Çelebi mbërriti në Elbasan duke e cilësuar këtë qytet si më madhështorin e Shqipërisë së kohës.
– Si akt normativ shumë i rëndësishëm, i cili ka shërbyer si bazë themeli për kuadrin normative, të cilin do ta miratonte shteti I ri shqiptar pas 1912, ka qënë “Erazi Kanuni” ose Kodi Rural Osman
Paqësor Kajmaku, Arkitekt
Në këtë shkrim për “Kadastrën” do të shpjegoj disa qëndrime, që duhet të mbajmë ndaj kësaj çështje kryesore për të ardhmen e zhvillimit të vendit. “Kadastër për zhvillim” do të thotë, formimi dhe përpunimi njëkohësisht i të dhënave të specifikuara për pasuritë e paluajtshme bujqësore, natyrore e ujore, të cilat na i ka falur natyra, dhe pasuritë e paluajtshme urbane e infrastrukturore, të cilat i ka krijuar shoqëria njerëzore mbi bazën e studimit dhe vlerësimit shkencor të parave. Në këtë rast, koncepti është universal dhe veprimtaria njerëzore për formimin dhe përpunimin e tyre është universitet më vete. “Kadastër për magazinim” do të thotë, pranimi nga një zyrë e ngarkuar me ligj e çdo të dhëne për pasuritë e paluajtshme urbane, bujqësore, infrastrukturore, natyrore dhe ujore, të formuara nga institucione të tjera, të cilat futen në këtë “magazinë” nëpërmjet aritmetikës së defterëve të peshores. Qëndrimi i mbajtur në dy vlerësimet e mësipërme të rolit të kadastrës, përcakton pozicionin në konceptet e vizionet për zhvillimin në tërësi të territorit dhe të vendit. Në botimin e dytë të veprës “Fjalor i shqipes së sotme”, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ka një shpjegim interesant për fjalën “Kadastër”. Fjalia e parë shpjeguese është; “Regjistër zyrtar, ku shënohen të dhëna për sipërfaqet e tokave bujqësore, të pyjeve, të kullotave etj”., është përgjithësisht dhe tradicionalisht siç ka qënë pranuar nga institucionet shtetërore para viteve 1990. Fjalia e dytë shpjeguese është; “Kadastra e ujrave, regjistër ku mbahen shënimet e nevojshme për lumenjtë dhe për vlerat e tyre ekonomike”. Kjo e dyta është specifike, siç duhet të jetë në kohën e sotme për të gjithë sektorët e kadastrës. Fjalia e parë shpjeguese e fjalorit lidhet me konceptin e magazinimit të thjeshtë të të dhënave kadastrale, kurse fjalia e dytë shpjeguese lidhet me konceptin e përpunimit dhe përdorimit të tyre, për zhvillimin e territorit dhe të vendit në përgjithësi. Hartuesit e fjalorit, në këtë rast, kanë qënë më të saktë se teknicienët dhe juristët e sotëm që merren me këtë çështje. Konceptimi i cekët, sjell mjegullim në organizimin e strukturave tekniko-ligjore dhe veprimtarinë e tyre, për ngritjen e një kadastre moderne në shërbim të zhvillimit. Përvoja jonë mbi 30 vjeçare e ka vërtetuar plotësisht këtë konstatim. Që këtu duhet të fillojë piketimi i zgjidhjes së këtij problemi madhor, për zhvillimin e territorit dhe vendit.
-Disa të dhëna historike për Kadastrën në Shqipëri- në vitet 1670-1990
Të dhënat e para nga pozicioni i historianit, fillojnë me kronikanin turk Elvia Çelebi në shekullin e XVII. Në nëntor të vitit 1670 Elvia Çelebi mbërriti në Elbasan pasi kishte përshkruar krahinat e Shqipërisë Jugore; Gjirokastrën, Vlorën, Beratin, Dumrenë dhe Kavajën. Përshkrimi i këtij qyteti është pika kulmore e shënimeve të tij gjatë udhëtimit në Shqipëri, duke e cilësuar këtë qytet si më madhështorin e Shqipërisë së kohës. Si shoqërues i një grupi zyrtarësh osmanë, që përcillnin dekretet perandorake të sulltanit përfaqësuesit të Rumelisë në Elbasan, kronikani përshkruan se mbas fisnikëve dhe zyrtarëve të lartë të qytetit vinin të zotët e administrimit të pronësisë mbi tokën sipas rregjistrit Osman. Ky përshkrim i pozicionit të administruesve të pronës, nga zyrtarë të pushtetit vendor në kontakt me përfaqësues të pushtetit qëndror, vërteton rëndësinë e akteve kadastrale për qeverisje ligjore, në shkallët e ndryshme të hierarkisë shtetërore, nga baza në qendër. Në pjesën civile të përfaqësuesve të pushtetit, kronikani vinte në dukje rolin e inspektorit të financës, nënpunësit të vjeljes së taksave për frymë, kryearkitektit. Roli i tre nënpunësve të lartë lokalë ishte i lidhur ngushtë me rolin e nënpunësve të kadastrës që administronin pronën. Një pjesë e popullsisë së varfër (raja) ishte e përjashtuar nga taksat. Ata qeveriseshin nga 20 kryepleq qyteti. Shumë fshatra ishin përjashtuar nga taksat dhe të tjerë ishin pronë shtetërore, kështu bejlerët nuk mund të ndërhyjnë në punët e tyre. Përshkrimi i shkurtër i urbanistikës në qytet, tregon për një qytet të rregullt, të administruar me ligj dhe të disiplinuar. Ky rregull ka favorizuar krijimin e traditës mikpritëse elbasanase. Ky fragment, i përmbledhur nga shkrimet e kronikanit të famshëm, nuk ka për qëllim të vlerësojë pushtetin osman edhe pse shumica e nënpunësve ishin shqiptarë. Një perandori e tërë, e shtrirë në tre kontinente, kishte disa pika bazë mbështetëse në ushtrimin e pushtetit të saj 500 vjeçar. Pavarësisht se ishte perandori pushtuese ushtarake e feudale, pjesën teknike të shtetit e trajtonte me ligje dhe rregulla të rrepta. Kjo pjesë e shtetit që ka lidhje me administrimin e pronave, taksave, financës dhe urbanistikës është maja e ajzbergut të pushtetit që duket nga larg dhe të orienton se si duhet të sillesh me të. Në kohët e sotme, nga kjo periudhë historike e zhvillimit të Shqipërisë, na kanë ngelur arkivat e kadastrës osmane, dhe qytetet e mrekullueshme të Elbasanit, Gjirokastrës dhe Beratit. Lagjet muzeale të këtyre qyteteve vërtetojnë saktësinë dhe respektimin e ligjeve urbane e kadastrale në qytetet shqiptare që në mesjetë. Në kontaktet që krijohen midis qytetarëve për çështjet e pronësisë dhe të kadastrës, diskutohet shpesh për saktësinë dhe kompletimin e kadastrës osmane. Meqënëse popullsia shqiptare, në kohën e kësaj perandorie, zotëronte tituj të shumtë dhe të rëndësishëm të pronësisë, të paktën në katër vilajetet e Rumelisë me shumicë shqiptare, historia e kësaj kadastre kujtohet me nostalgji. Krahina të tëra dhe qytete, sidomos në kryqëzimet e rrugëve tregëtare në Shqipërinë e jugut, të mesme dhe të veriut patën zhvillim ekonomik, bazuar në një rregjistër të konsoliduar të kadastrës dhe rregjim juridik të zbatuar rreptësisht të së drejtës së pronës.
Si akt normativ shumë i rëndësishëm, i cili ka shërbyer si bazë themeli për kuadrin normative, të cilin do ta miratonte shteti I ri shqiptar pas 1912, ka qënë “Erazi Kanuni” ose Kodi Rural Osman. “Erazi Kanuni” ka qënë një nga degët më të rëndësishme në kompleksin e legjislacionit otoman. Përsa i përket këtij Kodi ai sanksionoi regjimin juridik të tokës, rregullat e të cilit në vendin tonë u bazuan mbi të njejtat parime si në gjithë vendet e tjera të Perandorisë Osmane. Ligji më i rëndësishëm në Perandorinë Osmane ka qënë “Sheriati”. Ky ligj pavarësisht nga petku fetar, ka qënë një sistem original i së drejtës feudale myslimane, ku një nga ndryshimet kryesore nga e drejta feudale e Europës Perëndimore ishte se nuk njihte klasa dhe bujkrobërinë, ndaj dhe i konsideroi të lirë fshatarët. Në lidhje më tokën, e drejta islame shpalli se toka i përkiste Perandorisë, të cilën ia jepte kujt të donte, për rrjedhojë vetëm Kalifi që ishte përfaqësues i Perëndisë në tokë dhe zëvendës i Profetit, dispononte liri për mënyrën e ndarjes së saj. Kalifi, tokat e pushtuara, ua jepte për shfrytëzim ekonomik besnikëve, ose ua linte pronarëve të tyre të mëparshëm, pasi t’i kishte nënshtruar në kushte të “caktuara të haraçit”. E drejta islame në lidhje me tokën e vendeve të pushtuara të gadishullit Ballkanik, njohu si subjekte që kishin statusin e pronarit vetëm besnikët e kombit sundues, ndërsa popujve të nënshtruar u njohu pronësinë, vetëm për mëshirë të Sundimtarit, duke u lënë toka në gëzim dhe posedim me detyrime më të komplikuara. Në këtë mënyrë e drejta e pronës private në Perandorinë Osmane kishte lidhje të ngushtë me fenë e kombit dominues, pavarësisht se Sheriati nuk e njihte bujkrobërinë.
Mbas krijimit të shtetit shqiptar, kjo traditë shekullore, e krijuar nga harmonizimi i efekteve ekonomike, që jepte një sistem pronësie e kadastre i mirëorganizuar dhe hapësirave të pamata të territoreve të perandorisë për zhvillim e tregëti, u reduktuan shumë.
Rëndësia e ngritjes së Kadastrës Urbane për zhvillim
Përpara vitit 1991, kadastra urbane pothuajse nuk ekzistonte sipas koncepteve të sotme të ekonomisë së tregut. Për nevojat e zhvillimit, sipas sistemit ekonomik të centralizuar, ajo i plotësonte të gjithë kërkesat e strukturave shtetërore, që merreshin me planifikimin e zhvillimit të vendit në tërësi. Ndryshimet kadastrale të titujve të pronësisë, nga shtetërore në private e përfunduan rolin e tyre në kontributin që dhanë në zhvillimin anarkik të ekonomise se re të tregut. Kjo gjendje statike e ciklit të zhvillimit të kadastrës urbane, nuk po i përgjigjet saktë drejtimeve të reja të zhvillimit ekonomik në të gjithë territorin e vendit. Reformat e reja ekonomike, të cilat kërkohen deri në përmirësimin, ose ndryshimin e sistemeve politike menazheriale të ekonomisë, nuk i japin rëndësinë e duhur reformimit themelor të kadastrës në përgjithësi. Paradoksale është se, gjithmonë themi që nëqoftëse nuk zgjidhet problemi i pronave nuk do të kemi perspektivë të qartë zhvillimi. Por asnjëherë nuk themi se sa i domosdoshëm është reformimi i plotë shkencor i kadastrës, në zgjidhjen e të gjitha problemeve të trashëguara nga e kaluara dhe qartësimit të horizontit të zhvillimit. Kemi investuar miliona dollarë në të kaluarën dhe po investojmë akoma më shumë, por përsëri nuk po arrijmë në objektivin e dëshiruar. Meqënëse gjendja e sistemit kadastral ndikon shumë në cilësinë e studimeve për planifikimin e territorit, urgjenca e zgjidhjes së këtij problemi është akoma më evidente. Këtë mangësi e ndjejnë më shumë urbanistët dhe planifikuesit e zhvillimit të territorit gjatë studimeve të tyre në rang kombëtar, rajonal dhe vendor. Cilësia e dobët e këtyre studimeve nuk vjen nga paaftësitë e profesionistëve të kësaj fushe, por nga mungesa e të dhënave bazë që merren nga sistemi kadastral, i cili lë shumë për të dëshiruar ose mungon plotësisht. Atëhere çfarë zhvillimi presim, kur nuk jemi të aftë të bëjmë studime për perspektivën e zhvillimit të vendit dhe të territorit të tij, që ka pasuri të mjaftueshme dhe të pashfrytëzuara pa fund? Përfundimisht, fillimi i ndryshimit të konceptit tonë për zhvillimin duhet të fillojë nga ndryshimi i konceptit për rëndësinë e reformimit total të sistemit kadastral. Nga përvoja botërore e krizave të menjëhershme, në vendet e zhvilluara çdo gjë është kthyer “në dreq” ose është përmirësuar sipas humorit dhe gjendjes së pasurive të paluajtshme. Duke e pasur “për dreq” këtë pasuri të paluajtshme, nënkuptohet që jemi vazhdimisht në krizë dhe pa timon drejtimi për të dalë nga kjo situatë. Një analizë e thellë e shkencore e çështjeve të panumurta të kadastrës është në vetvete pjesë e analizës dhe studimit për prioritetet dhe drejtimet e zhvillimit të vendit. Në këtë kuptim, kjo është çështje jo vetëm e disa strukturave teknike, por e drejtuesve dhe strukturave të gjera të pushtetit lokal dhe qëndror. E vetmja përvojë pozitive në ndërtimin e kadastrës së re, ka qënë ajo e viteve të para të sistemit demokratik. Këto janë; privatizimi i banesave shtetërore, objekteve tregëtare dhe të shërbimit në zonat e banimit të qyteteve, objekteve industriale që i rezistuan ekonomisë së tregut, sepse kryenin shërbime tradicionale për të cilat kishte nevojë akoma tregu i pazhvilluar. Interesi dhe përfitimi i qytetarëve shqiptarë u rrit dhe u vlerësua në vitet e mëvonshme, kur tregu i banesave dhe këtyre objekteve tregëtare pati zhvillim të vrullshëm dhe vlera e tyre u rrit disafish. Kjo përvojë e mirë e viteve të shkuara, në kushtet e sotme të gjendjes kadastrale, është sfumuar. Elementët pozitivë të saj në zhvillimin e ekonomisë dhe të tregut nuk u studjuan për t’u përdorur në krijimin e përvojave të reja, që do të mbeshtetnin zhvillimin. Përgatitja dhe kualifikimi i administratës publike, e cila do të reformonte dhe administronte këtë proçes u ndërpre. Arsyet ishin; vështirësitë dhe kompleksiteti i problemeve në rritje të kadastrës, paqartësitë në vizionet dhe mungesa e vullnetit për reforma të thella në kadastrën e re, pamundësia subjektive e ndërtimit njëkohësisht të një administrate militante dhe profesionale, mungesa e investimeve nga institucione financiare ndërkombëtare, investimet e pakta në teknologjinë dixhitale dhe mungesa e bashkëpunimit institucional, midis agjensive të pavarura dhe strukturave të pushtetit vendor.
Mbasi kaloi faza e parë e emergjencës në rregjistrimin e pasurivë të paluajtshme, me ndihmën e fondeve të konsiderueshme të USAID-it deri në vitin 1995, faza e ndërmjetme e konsolidimit të kadastrës si magazinë nuk eci në shinat e fillimit të saj. Në këtë fazë nuk u korigjuan gabimet e fazës së parë, për arsye se nuk u evidentuan qartë problemet e krijuara nga faza e parë. Stafet teknike që do të vazhdonin reformën e thelluar në formimin e kadastrës moderne nuk përbënin ekipe profesionale të nivelit të duhur. Kualifikimet e vazhdueshme të tyre nuk mund të kishin sukses, sepse vizioni afatgjatë për reformimin e kadastrës është akoma i paqartë. Në këtë rast fondet e USAID-it nuk mund ta zgjidhin problemin, sepse proçesi është shumë i komplikuar, dhe nevojiten ekspertë dhe specialistë të nivelit të lartë profesional dhe me përgjegjshmëri në kryerjen e detyrës. Kjo forcë teknike mungon, sepse reformimi i sistemit të kadastrës nga ana institucionale nuk ka përfunduar akoma. Strukturat teknike të pushtetit lokal janë jashtë loje dhe funksioni i tyre është i paorganizuar siç duhet dhe i pambështetur nga sistemi juridik. Kjo mangësi e madhe e rakordimit të funksioneve të institucioneve shtetërore të kadastrës dhe pronave në përgjithësi, me funksionet e kadastrës në pushtetin lokal, nuk ka mundur të evidentojë saktë problemet, kurse për zgjidhjen e tyre në bashkëpunim jemi shumë larg. Duke i dhënë strukturave teknike të bashkisë rëndësinë e duhur në reformimin dhe ndërtimin e kadastrës moderne, njëkohësisht i kemi dhënë kompetencën e duhur për të ndërtuar strategji të plota për zhvillimin perspektiv të vendit. Deri tani kjo mangësi i ka nxjerrë jashtë formacionit të lojës për zhvillim. Detyrat dhe përgjegjësitë për zhvillimin dhe kontrollin e territorit nuk mund të kryhen pa të dhënat dhe informacionet që jep një sistem kadastral modern gjithëpërfshirës.