KLSH jep alarmin, vendimet e Strasburgut dhe Arbitrazhit rrezikojnë të ‘falimentojnë’ shtetin

37
Sigal

Sipas llogaritjeve të bëra nga KLSH, deri më datë 31.12.2022, kamatëvonesat që rëndojnë buxhetin e shtetit për mosekzekutimin e 3 vendimeve të GJEDNJ-së rezultojnë në vlerën 2,840,740 Euro…

Vendimet e Gjykatës së Strasburgut dhe të gjykatave të Arbitrazhit rrezikojnë të falimentojnë shtetin. Qeveria shqiptare ka marrë disa shuplaka nga drejtësia ndërkombëtare, shuplaka me kosto disa qindra milionë euro.

Por sipas një auditimi që Kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë në Ministrinë e Financave, rezulton se shumë detyrime nuk po shlyen duke rënduar ndjeshëm buxhetin e shtetit.

Sipas KLSH, detyrimet faktike dhe kontigjente për vendimet e Strasburgut paraqiten në vlerën gjithsej 21,717,665 milion Euro, për 7 vendime. Konstatohet se 3 vendime, konkretisht: D.. kundër Shqipërisë, R. dhe të tjerë kundër Shqipërisë, Sh. Kundër Shqipërisë që i përkasin viteve 2015, 2016 dhe 2018, rezultojnë ende të palikuiduara, në kundërshtim me nenin 19/4 të ligjit nr. 10018, datë 13.11.2008 “Për Avokaturën e Shtetit”, i ndryshuar.

KLSH konstaton se, Ministria e Financave për çështjen “Sh. kundër Shqipërisë” me shkresën nr. 2554/1 prot., citon se detyrimi nuk mund të përballohet nga buxheti i shtetit dhe sugjeron pagesë me këste, duke mbajtur një qëndrim bllokues. Ndërsa për çështjen “R. dhe të tjerë kundër Shqipërisë” MFE nuk ka kaluar fonde në një llogari të ngurtësuar, në kundërshtim me pikën 5 të nenit 19/5 të Ligjit nr. 10, datë 13.11.2008 “Për avokaturën e shtetit”, i ndryshuar.

Sipas llogaritjeve të bëra nga KLSH, deri më datë 31.12.2022, kamatëvonesat që rëndojnë buxhetin e shtetit për mosekzekutimin e 3 vendimeve të GJEDNJ-së rezultojnë në vlerën 2,840,740 Euro.

Nga auditimi mbi Vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit rezulton se vlera totale e kostove të vendimeve të arbitrazhit të paguara nga buxheti i shtetit raportohet në shumë 940.25 milion lekë.

Ndërkohë nga mbledhja e pagesave analitike të raportuara po në këtë raport rezulton se kjo vlerë është 1,004 milionë lekë, duke reflektuar mospërputhje raportimesh brenda këtij raporti.

Konstatohet se vlera e raportuar e kostove të arbitrazhit të paguara nga aparati i MFE në raportin e mësipërm është rreth 193 milion lekë. Ndërsa sipas të dhënave të sistemit ORACLE këto pagesa rezultojnë në vlerën 291 milion lekë, ose 98 milion lekë më tepër”, thuhet në raport.

Sipas KLSH, detyrimet e GJEDNJ-së dhe Arbitrazhit, si dhe mosekzekutimi i tyre në kohë, paraqesin një risk fiskal, jo vetëm për treguesit buxhetor të institucioneve përgjegjëse por edhe në nivel makroekonomik për financat publike, pasi pavarësisht se këto detyrime nuk llogariten dhe nuk regjistrohen në treguesit e borxhit publik, e implikojnë dhe e nënvlerësojnë këtë të fundit, pasi janë detyrime që do të shlyhen në të ardhmen.Pamfleti