-Zija Saraçi njeriu i këngës, që në rininë e tij kishte çarë me zë, pasi ishte quajtur ekstravagant, me prirje të huaja
-Nuk e kishin lejuar të shkollohej, edhe pse nxënës i mirë, por djalë i njerit që nuk u pajtua me ish-regjimin që shkoi, rritur “jetim” me babë gjallë
– Durrësaku i këngës “Marinar, marinar” u ngjit në skenë në vitin 1966, dhe qysh atëherë nuk iu nda më muzikës me zërin e tij të bukur, njohu kulme, kritika…
– Djalë prej një geni të fortë atdhetarie, trimërie, kënge e vargëzimi popullor, babai i tij Azem Saraçi kishte marrë pjesë në disa luftëra që prej 1913 në Janinë.
ËSHTË KOHA TË THËRRASIM: NJERËZ, ULNI ARMËT! PSE KRYEFJALË VETËM LUFTA?!
PSE KRYEFJALË VETËM LUFTA?!
Lufta është si humnera, po ndenje shpeshë pranë saj, po pe shumë nga ajo, bën vaki që edhe ajo një ditë të kthehet e të shikojë nga ty.
Mjerisht, ky është një konstatim dhe konkluzion i kohës, historinë e popujve po e bëjmë vetëm histori luftërash dhe harrojmë fushat e tjera të aktivitetit njerëzor, që janë shumë. E ndërsa luftërat janë të padëshirueshme, të dëmshme e të këqia; arti, kultura, muzika, sporti, etj, janë të domosdoshme dhe të mira. Natyrisht, luftërat janë momente të mëdha në jetën e një populli, kur të zënë derën, por nuk janë vetëm ato gjithë jeta e tij. Nëse në luftë vdesin një pjesë, pa ekonominë vdesin të gjithë, pa kulturën popujt tjetërsohen, vyshken, atrofizohen, humbasin identitetin. Pa strehën për të jetuar, pa kulturën, pa muzikën, pa artin, sportin; do të kishim mbetur të egër e do të kishim “ngrënë njëri-tjetrin të gjallë.”
Kultura gojore, shpirtërore dhe ajo materiale, etnokultura; janë pjesë e historisë, por edhe domosdoshmëri, edhe profilaksi e nevojë për të jetuar. Njeriu duhet të luftojë kur i duhet, por ka edhe punë të tjera, ai duhet të ndërtojë, të qeshë, të qajë, të këndojë, të vejë e të vijë, të prodhojë, madje edhe të prishë e prap të rindërtojë. Historia nuk duhet të flasë, as të nënkuptojë luftën, as lufta të dominojë duke qenë kryefjalë, duke u rrëmbyer bukën nga magjia e historisë të tjerave, sepse kështu ndërtojmë një urë jo me disa pikëmbështetje, por vetëm me një këmbë. Aq më keq, kur flemë me fantazmën e luftës, kur ato nuk i shikojmë me objektivitet, me realizëm, me të mirat dhe të këqiat e secilës palë, e, kur bëjmë kështu, mbetemi tërë jetën me egërsinë e urrejtjen ndaj tjetrit. Aq më keq, kur u frym zjarreve për t’u ndarë, shqyer, vrarë e copëtuar, jo për t’u bashkuar. Dje, thoshin jam familje dëshmori e sot, thonë jam i persekutuar, unë e dua atë e këtë favor, “vra” atë që të “rroj” unë. Kësaj i thonë të flesh me etjen e urrejtjes, luftën, gjakun, me fantazmën e Dankos. Edhe evokimet, paksa të tepëruara të luftërave, më duken sikur shikojmë shumë nga humnera.
Nuk se duhen harruar edhe lufta edhe persekutimi, përkundrazi, ato kanë ndodhur; por t’i kërkosh si favore edhe kur janë shtyrë, t’i promovosh, madje shumë, duket paksa e vjetëruar, e kapërcyer, dalëmode. Dalngadalë po dalin nga moda të dyja. Është koha t’i kapërcejmë ndasitë, të ulemi bashkë e të ecim më tej po bashkë, është koha “të mos hamë të gjallë njëri-tjetrin.” “Franca u çlirua- e pyetën gjeneral Degolin,-çdo të bëni më tej? Do të gjykojmë gjithë kolaboracionistët- tha ai,- deri te Vishia, Peteni, dhe do ta ndalim luftën.” Sikur njerëzit që vinin nga lufta e nuk do të uleshin në oda miqsh, nuk do të ngrinin dolli, nuk do të këndonin, kërcenin, loznin, qeshnin, nuk do të bënin shaka, nuk do lëshonin rromuze të këndshme e të argëtoheshin; të paktën gjysmët do të ishin çmendur e do kishin vdekur nga psikologjia e vetmisë ose do të kishin mbetur kafshë të egëra atje tej, mes xhunglës.
Dhe mjerisht, vetmia po na pushton si mjegulla, po harrojmë njëri-tjetrin, po mohojmë lidhjet e gjakut, po shplahemi nga dashuria e vërtetë, zbardhemi nga shpirti i madh dhe i pastër, s’ka më si u gdhive, si e kalove (thotë dibrani), si je, si i ke? Jo, jo, tani flasim vetëm me telefonin, madje përplasim edhe ballin për shtylle me të në dorë.
MUZIKA PJESA MË E ËMBËL E JETËS.
Popujt kanë nxjerrë jo vetëm njerëz të jataganit, por edhe njerëz të artit, të kulturës, të muzikës, të sportit, të shkencës, të penës, të librit. E këto të fundit janë pjesa më e qytetëruar e njerëzisë. “Madhështinë” e njerëzve tanë, mjerisht shpesh, e kemi parë vetëm rreth e rreth habitatit tonë, duke shpërndarë aromën shkurreve përqark për të mos na u afruar të tjerët, sikurse në xhungël kafshët e egra, praktikë instiktive vrasëse, me prirje gjaku dhe kemi harruar se shoqëria njerëzore është bashkëjetesë, është hapje, paqe, art, këngë, muzikë e jo vetëm luftë.
Muzika e zbukuron njeriun, e argëton atë, i zbut gjakrat, i afron njerëzit, ajo është një fushë kurative e shpirtrave njerëzore, që shëron edhe plagët e luftës. Thonë se muzika zbut edhe kafshët, madje edhe kobra e luanë. Muzikantë e këngëtarë janë pjesë e historisë sonë.
Zija Saraçi është njëri prej njerëzve të artit, në fushën e muzikës dhe të këngës, të kulturës, me të cilin kemi të drejtë të krenohemi, me atë dhe ata si ai.Pse të mos flasim për ta, pse të mos i kujtojmë, kënga është sekreti i lumturisë njerëzore.
Kishte njohur gjithë vështirësitë e kohës, gjithë zigzaget e uljengritjet e saj, turbullimet e kthjellimet, pranimet e prapsimet në përpjekjet për të ecur në muzikë, e kur kishte çarë, ishte quajtur ekstravagant, me prirje të huaja.
Nuk e kishin lejuar të shkollohej, edhe pse nxënës i mirë, por djalë i njërit që nuk u pajtua me ish regjimin që shkoi, rritur “jetim” me babë gjallë, bir i një nëne, e cila, që e re, e uli shaminë mbi vetulla, e lidhi fort, rriti dy djem, e vetme. Zijai, me forcën e shpirtit, me genin që kishte në gjak, me prirjet dhe me pasionin, çau, u ngjit e mbeti, me zërin e tij, me këngën e tij. E ky ishte durrsaku i këngës “Marinar- marinar”.
I lindur më 3 maj 1950, këngëtar i viteve ’70-’80 të shekullit që shkoi, u ngjit në skenë në vitin 1966 dhe prej andej nuk iu nda më muzikës me zërin e tij të bukur, njohu kulme, kritika, pezullime e ndalime si modernist me prirje perëndimore, me ndonjë problem politik, njohu kulmin me Këngën e marinarit, këngë me tekst të Moikom Zeqos, ish punëtor gjithë sistemin që shkoi në fabrikën e cigareve, deri në ndërrimin e sistemeve, pastaj emigrant në Itali si të tjerët, sot lëvron këngën shqipe dhe italiane, drejton një shtëpi muzike, nësee merr malli hidhet përkëtej detit e vjen në të bujtur, këndon në Durrës, në Tiranë, në Shkodër, këndon edhe në vendlindjen e tij, Vlorë,edhe pse i larguar fare i vogël prej andej. Është shumë interesante, se në vitin 1919, në vendlindje, këndoi pa orkestër e pa kolonë zanore, thjeshtë e “shqeto”, sepse organizatorët nuk e kishin patur mundësinë t’i siguronin ato për momentin. Kjo nuk e kishte sëkëlldisur fare Zijain dhe ia kishte lëshuar me zërin kumbues e plotë dallgëzime, si të parët e vet në dasma e gëzime, e kishin pëlqyer, i ishin mbledhur rreth si për iso e si batutë Zijai kishte thënë: “në Lumin e Vlorës gjithnjë “shqeto” është kënduar”.
– Lufta është si humnera, po ndenje shpesh pranë saj, bën vaki që edhe ajo një ditë të kthehet e të shikojë nga ty.
– Popujt kanë nxjerrë jo vetëm njerëz të jataganit, por edhe njerëz të artit, të kulturës, të muzikës, të sportit, të shkencës, të penës, të librit.
-E ndërsa luftërat janë të padëshirueshme arti, kultura, muzika, sporti janë gëzimi më i madh shpirtëror.
Djalë prej një geni të fortë atdhetarie, trimërie, këngë e vargëzimi popullor, babai i tij Azem Saraçi kishte marrë pjesë në disa luftëra që prej 1913 në Janinë, 1914 kundër andartëve grekë në Tatzat, më 1920 kundër Italisë.
Ishte larguar i vogël pas nënës Zijai, në Durrës, bashkë me vëllanë e vet Elhamin e ishin rritur me vështirësitë e kohës.
Zijai ishte dalluar, që i vogël, për një zë të bukur, të ëmbël, melodioz dhe të fortë njëkohësisht, zë që kishte patur brenda vetes sa lëkundjet e dallgëzimet e detit aq edhe trazimën e reve, sa këlthitjen e pulëbardhave mbi detin e shkumuar, aq edhe zjarrin e bubullimave kur nxihej moti. Kishte brenda atij zëri diçka nga detet, Adriatik dallgët e Jon shkumëzimet, kishte ai zë edhe ushtimat e Çikës e Çipinit, të Qeramëngës e të Kanalit, kishte edhe vërshimet e Shushicës dimrave të egër kur “del”, sikurse thonë, rrap më rrap. Thonë se njeriu, në materien e tij është vetë mjedisi ku lindi. Ai mbart shumë prej atyre përbërësve.
Dhe e kishin aktivizuar kryesisht në këngët e pionierëve dhe në recitimet e rretheve letrare të shkollës në Durrës sa ishte i vogël, atje ishte lartuar si edhe të tjerë. Në të dyja fushat, edhe të këngës edhe të poezisë, kishte qëndruar lart, ishte evidentuar se e priste një e ardhme e madhe. Këtë e kishin thënë shumë, se atë djalë diçka e madhe e priste, kishte ndodhur, ai ishte bërë njeri i festivaleve të këngës.
SHERIF MERDANI E MORI PËR DORE SI VËLLAI VËLLANË.
Kishte shkuar ushtar në Librazhd e atje ishte njohur me të madhin e të paharruarin Sherif Merdani, i cili, duke qenë këngëtar, e kishte mbështetur Zijain duke i dhënë mundësinë të konkuronte për në festivalin e këngës në RTSH. Në anketat muzikore në RT kishte fituar nëntë herë vend të parë, pastaj çmime në festivalin e Radiotelevizionit shqiptar, në festivalet e këngës së muzikës së lehtë dhe kulmin e kishte patur me disa këngë e veçanërishtë në “Kënga e marinarit”. Në festivalin e 11 të këngës në Radiotelevizionin shqiptar 1975 kishte shpërthyer, por në Zërin e popullit ishte kritikuar me emër se “kënga e tij, ekzekutimi, veshja, flokët mbanin erë degjenerim, nuk ishin në tabanin kombëtar, se kishin demonstruar tendenca moderniste”.
DISA NGA KËNGËT E ZIJAIT.
Disa nga këngët e kënduara nga ai janë: “Vajza me fjongo”, “Si të quajnë”, “Krah për krah”, “Kënga e Marinarit”, “Bashkë ndërtojmë një urë”, “Si lule maji”, “Valentini.”E të tjera. Ka dhënë koncerte në Shqipëri, në Itali, punon për lëvrimin e këngës edhe andej edhe këtej.
Zija Saraçi mbetet një pelegrin i këngës, edhe pse me uljengritje dikur, jo për fajin e tij, kënga e tij mbijetoi e vazhdon të dëgjohet, nga nostalgjikët dhe të rinjtë. Ai është një vlerë në fushën e muzikës. Muzika dhe muzikantët, këngëtarët janë pjesë e historisë së një populli, sikurse edhe luftërat.
NË MBYLLJE.
E në mbyllje do të citoja të madhin Dritëro Agolli, i cili, në një kongres të Lidhjes së shkrimtarëve në vitet ’70, në prezencë të Zeusit, do të lëshonte bombën: ” Mjaftë më me këtë temën e luftës në letërsi e në art, sepse sikur po e teprojmë, jeta jonë është më e madhe se lufta, kemi plotë fusha të tjera me të cilat krenohemi sa edhe lufta, të cilat duhet t’i lëvrojmë.” Dhe Zeusi, i detyruar mbase, kishte thënë po, ” ka të drejtë Dritëroi, ka edhe tema të tjera veç luftës “. Jeta e një populli nuk është vetëm luftë.
Lufta është si humnera. Muzika shërim i shpirtit.