Njohja kanonike e Autoqefalisë së Kishës Ortodokse të Shqipërisë nga Patriakana e Stambollit

377
Sigal

Kjo erdhi pas punës këmbëngulëse që bënë klerikët shqiptarë me Kongresin e Beratit, të Korçës dhe pasi formuan Sinodin e tyre

Njohja kanonike e Autoqefalisë së Kishës Ortodokse së Shqipërisë nga Patriarkana Ekumenike, në Stamboll

-Me rastin e 84-vjetorit-

Dëshira e ortodoksëve shqiptarë për të pasur një Kishë të pavarur është e hershme. Atë e morën me vete ata që mërguan jashtë atdheut, në Amerikë, Rumani, Bullgari, Egjipt, ku gjetën truall të përshtatshëm shenjat e gjallërimit. Me shpalljen e pavarësisë 1912 dhe me formimin dhe konsolidimin e shtetit të pavarur shqiptar më 1920 (Kongresi i Lushnjës), kjo dëshirë erdhi duke u gjallëruar, forcuar dhe mori trajta më konkrete. Ortodoksët shqiptarë, të udhëhequr nga kanoni kryesor “Kishë e lirë në shtet të lirë”, kërkojnë që të gjitha ritualet fetare të bëhen në gjuhën shqipe, në gjuhën amtare. Organizimin shpirtëror në bazë të kanoneve të shenjta, zyrtarizimin dhe miratimin e tij është e nevojshme ta bëjë në radhë të parë shteti. Këtë nismë e mori Kostë Paftali, prefekti i Durrësit. Ai njoftoi telegrafisht prefekturat në vitin 1922 për domosdoshmërinë e organizimit të një tubimi për këtë qëllim të rëndësishëm. Çdo prefekturë do të zgjidhte nga dy delegatë, midis tyre kishte edhe klerikë shumë të njohur, si Arkimandrit Visarion Xhuvani, Arkimandrit Agathangjel Çamçja, Ikonom Vasil Marku, Papa Harallambi, Papa Josifi, etj.

Stambolli nuk e njeh kishën shqiptare

Këshilli i Naltë i zgjedhur në Kongres njoftoi të gjitha patriarkanat dhe kërkoi miratimin e Patriarkanës Ekumenike të Stambollit, e cila nuk e miratoi autoqefalinë e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Dy delegacione njëri pas tjetrit shkuan në Stamboll dhe u takuan me Patriarkun. Në delegacionin e dytë morën pjesë deputetë, klerikë të shquar, personalitete të njohura të vendit, si At Vasil Marko, Dhosi Havjari, Vasil Avrami, deputeti Thoma Orolloga, At Harallamb Torka, Dhimitër Kacimbra, Simon Shuteriqi e Kristo Kirka. Me gjithë kërkesën e argumentuar bindshëm, Patriarku nuk u tërhoq nga qëndrimi i tij i mëparshëm, duke vepruar me diplomaci për njohjen e pavarësisë së Kishës dhe jo për njohjen e autoqefalisë. Për njohjen e pavarësisë, pra theksojmë jo të autoqefalisë, Patriarku i Stambollit vuri këto kushte: (1) Peshkopët që do të zgjidhen prej popullit shqiptar duhet të jenë miratuar më parë prej tij; (2) Patriarkana ka të drejtën e vetos në miratimin e Kryepeshkopit; (3) Gjuha e vjetër e dëshirueshme e kishës, greqishtja, të zërë vendin e parë në Kishë.

Këto kërkesa të Patriarkanës së Stambollit hidhnin poshtë vendimet kryesore të Kongresit Kishtar të Beratit dhe opinioni atdhetar nuk u pajtua me këto kërkesa. Ndërkohë diskutimet u bënë të ashpra dhe kontradiktat ndërmjet atyre që ishin për autoqefalinë dhe atyre që i quanin të mjaftueshme propozimet e Patriarkut të Stambollit erdhën duke u thelluar. Zbatimi i vendimeve të Kongresit të Beratit u bë ngadalë sepse edhe dioqezat kryesore ishin pa titullarët e vet. Gjithashtu edhe gjendja financiare e kishave ishte shumë e dobët. Për të krijuar një gjendje më të favorshme Visarion Xhuvani më 1923, që atëherë ishte deputet dhe anëtar i Këshillit të Naltë, kërkoi nga Parlamenti ndihmë financiare prej 50000 franga ari. Ai iu drejtua Parlamentit me këto fjalë: ” Kështu edhe nji herë ky Parlament t’i marri parasysh gjithë nevojat dhe gjendjen delikate të Kishës Autoqefale Kombëtare dhe të mos kursejë nje dhuratë të vogël që ka me prumun njisimin dhe shqiptarizimin e ortodoksëve, punë që ka aq vlerë për interesimin ma të naltë të shtetit në kohën e ardhme, sa nuk mund ta shpjegoj me kohën e pakët që kemi”.( Bisedime të Këshillit Kombëtar, faqe 221, viti 1923). Mbas disa diskutimesh Ahmet Zogu tha: “Asht e ditun se këto ndihma do të jepen jashtë buxhetit dhe nji shumë prej 50.000 frangash ari nuk asht gja e madhe. Qeveria pra, me gëzim e pranon dëshirën e komisionit të financave, që kjo shumë t’i dhurohet Këshillit të Naltë të Kishës Kombëtare”. Në këtë rast Ahmet Zogu shprehu për herë të dytë vullnetin e mirë për të ndihmuar Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Ai mbajti po këtë qëndrim në përkrahje të Kishës Ortodokse Autoqefale shqiptare edhe në raste të tjera që do t’i shohim më poshtë. Ndihma e miratuar në Parlament i dha udhë zgjidhjes së problemeve të ngutshme të kishës sonë, por mungesa e Sinodit të Shenjtë me dhespotë kanonikë, të cilët do të drejtonin veprimtarinë kishtare për të vënë në jetë vendimet e Kongresit të Beratit, ishte pengesë e madhe. Mitropolitët kanë qenë: Jerotheu në Korçë, Kristofori në Berat dhe Noli në Durrës. Me veprimet e tyre këta titullarë u treguan të mefshtë dhe nuk plotësuan kërkesën e Kongresit të Beratit për të dorëzuar dy kandidaturat e mundshme, që atëherë ishin V. Xhuvani dhe A. Çamçja. Kaluan tre vjet nga Kongresi Kishtar i Beratit dhe zgjidhja po dukej disi e largët. Ndërkohë dioqeza e Durrësit mbeti pa Mitropolit.

Kongresi i Korçës

Mbas formimit të Sinodit u shtua shumë zemërimi i Patriarkanës së Stambollit dhe i Patriarkanës greke. Të dyja bashkë dhe veç e veç ato e rritën trysninë dhe i shtuan sulmet ndaj Sinodit dhe veçanërisht ndaj Kryeepiskopit Visarion, ndaj mbretit Zog dhe Qeverisë shqiptare. Për të përballuar këto shpifje, të cilat mund të arrinin në formë ankese deri në Lidhjen e Kombeve, Këshilli i Ministrave me vendim Nr. 218 të datës 21.3.1929 vendosi të formojë një komision, të përbërë prej ministrit Fuqiplotë Mehdi Frashëri dhe Dhimitër Pogës, drejtor politik pranë kësaj Ministrie për të ndjekur veprimet e mundshme dhe për të mbrojtur interesat e shqiptarëve, për t’u bërë ballë situatave në rast se Qeveria greke do ta shtronte çështjen e Autoqefalisë së Kishës Ortodokse në Lidhjen e Kombeve. (AQSh. fondi 251, dosja 850, viti 1929) Pa u tutur ndaj presioneve të brendshme dhe shpifjeve të jashtme, Sinodi, me Visarionin në krye, punoi në mënyrë intensive për të përgatitur Kongresin e dytë të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare në Korçë. Edhe për këtë veprimtari kujdesi i Qeverisë dhe i Naltmadhnisë së Tij, Mbretit Zogu I, ishte në lartësinë e duhur, duke përballuar edhe një pjesë të shpenzimeve financiare. Kongresi do të miratonte Statutin definitiv dhe rregulloren e brendshme të administrimit të kishës. Më 19 qershor të vitit 1929 të 46 delegatët përfaqësues të klerit dhe të popullit të Shqipërisë u mblodhën në Korçë për punimet e Kongresit të Dytë Panortodoks. Kongresi historik i Korçës miratoi njëzëri dokumentet bazë të Kishës dhe mjaft vendime të tjera, duke e vendosur Kishën Shqiptare krahas kishave të tjera ortodokse ballkanike, evropiane e botërore.

Njohja e Autoqefalisë Shqiptare

Në vitin 1935 Naltmadhnia e Tij, Mbreti Zog, kërkoi njohjen e autoqefalisë nga Patriarkana, duke dërguar Koço Kotën e Josif Kedhin në krye të një delegacioni pranë Patriarkut për t’i dhënë Tomusin Kishës Ortodokse Shqiptare. Kërkesave të Patriarkanës iu shtua edhe një kusht tjetër: largimi i Visarionit nga detyra e Kryeepiskopit. Visarioni, që dha kaq shumë për kishën tonë, vendosi të vetëflijohej dhe në Sinodin VII pranoi të jepte dorëheqjen. Mbas 27 majit të vitit 1936, dita kur dha dorëheqjen Visarioni, e deri më 12 prill të vitit 1937, pati veprimtari të dendur diplomatike për të bindur Patriarkun e Stambollit që të miratonte Tomusin. Ai nuk lëvizi nga kërkesat e veta, vetëm se i zbuti ato dhe ia përshtati diplomacisë së kohës, miratoi Tomusin dhe në krye të Kishës Shqiptare erdhi Imzot Kristofor Kisi. Edhe më vonë Naltmadhnia e Tij, Ahmet Zogu, tregoi vëmendje të veçantë për mbarëvajtjen e Kishës Ortodokse Shqiptare. Dhënia e Tomusit nga Patriarkana e Stambollit për Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare u bë më 17 prill të vitit 1937. Kjo erdhi pas punës këmbëngulëse që bënë klerikët shqiptarë me Kongresin e Beratit, të Korçës dhe pasi formuan Sinodin e tyre.