Dashuria të zbukuron, të fisnikëron, mes detit, valëve, mimozave kjo ditë sikur bëhet më hyjnore
Sot është dita e dashurisë! Shën Valentini ka trokitur ! Pse festa e Shën Valentinit bie pikërisht më 14 shkurt? (E keni pyetur ndonjëherë veten?…) Është një rastësi apo ka një kuptim të veçantë? Në kalendarin romak, shkurti është konsideruar si muaji në të cilin njerëzit përgatiteshin për mbërritjen e pranverës, stinën e rilindjes. Kështu fillonin ritet e pastrimit: shtëpitë pastroheshin dhe ju hidhej kripë si dhe një farë e veçantë. Por në veçanti, në mes të muajit fillonin festimet në nder të zotërve, që i mbanin ujqërit larg nga fushat e kultivuara. Urdhri i priftërinjve të ngarkuar me këtë kult, i afrohej gropës ku sipas legjendës, ujkonja kishte rritur Romolon dhe Remon dhe ku kryenin sakrificat zbutëse. Gjaku i kafshëve përhapej pastaj në vendin përreth rrugëve të qytetit, si shenjë e pjellorisë. Ngjarja e vërtetë për rininë romake të asaj kohe ishte një tip lotarie dashurie. Çdo vajzë e re, në kohë për t’u martuar, vinte emrin e saj në një vazo dhe çdo beqar duhet të kapte një emër pa e parë, se për kë bëhej fjalë. Kështu formoheshin çifte, që shpesh përfundonin në martesë. Të gjithë i duam mendimet, vegimet, idetë, ku patjetër, duam të jemi pjesë e ëndrrës së dashurisë, e atij universi ku askush s’është i fuqishëm të depërtojë, por vetëm të ëndërrojë pafundësisht në kohën mes dy stinëve më të bukura jetësore…Dashuria të shtyn drejt madhështisë, sakrificës, guximit, marrëzisë. Në dashuri jemi si dy pika vese rënë nga petalet e një trëndafili rozë. Populli i ka thurur lavdet e tij kësaj ndjenje kaq të madhërishme duke e ngritur në tempujt e shpirtit dhe në zërin e zemrës. Dashuria është një zë nga brenda vetes, që kërkon të flasë, kërkon të dalë nga errësira, të thotë: Jetoj, për ty jam gjallë! Aty ku Hëna puth perëndimin dhe deti flladit mëngjesin me VAL. Ç’do ëndërr dashurie ka një dëshirë, ç’do dëshirë ka një realitet, dhe ç’do realitet ka një realizim. Dashuria është liri dhe lumturi. Në dashuri pemët, anës rrugës s’ngelen veçse spektatorë të qeshur të një kohe të bukur… Kështu le të jetë kjo ditë një shkëndijë fjale, për të ndezur vullkanin e madh njerëzor për ndjenjën më fisnike të të gjithë kohërave. ..

“Padroni i të dashuruarve”
Shën Valentini njihet në të gjithë botën si “Padroni i të dashuruarve”. Ky përcaktim lindi nga një sërë legjendash, të cilat janë shtuar me kalimin e kohës. Trëndafili i bashkimit, fëmijët, pëllumbat, dashuria sublime, të gjitha gjërat që e kanë bërë atë një festë model për të dashurit. Që të dashuruarit të duhen për të gjithë jetën, dhe më shumë në këtë ditë, nuk mjafton vetëm dita e “Shën Valentinit”. Janë disa elementë, që na vijnë nga shekujt e kaluar dhe janë shtuar në kohë, që e bëjnë këtë feste kaq të madhe dhe kaq popullore në të gjithë botën. Trëndafili i bashkimit Shën-Valentini ishte duke dëgjuar një ditë, teksa ziheshin dy të rinj të fejuar, të cilët po kalonin përtej kopshtit të tij. Valentini iu doli përpara sakaq, me një trëndafil të bukur në dorë. Me një fytyrë të qetë, e të shndritshme që rrezatonte. Plaku i mirë trëndafilin e mbajtur lart e dhuroi për çiftin. Ky veprim pati fuqinë magjike që të bënte paqe mes dy të rinjve të dashuruar. Kur ai u dhuroi të dyve lulen e purpurt, iu kërkoi të dyve të shtrëngonin bishtin e lules me kujdes për të mos u shpuar dhe shpjegoi lidhjen e dy personave të martuar. Pas kësaj, dashuria e tyre ishte kthyer si më parë. Të dy të rinjtë u kthyen menjëherë tek ai. Me dëshirën e tij dhe vullnetin e të rinjve, ishte pikërisht Shën Valentini, i cili bekoi martesën e tyre të lumtur. Me t’u bërë e njohur kjo gjë, u bë një proces ndaj Valentinos. Emri i Shenjtit përmendet për herë të parë në një dokument zyrtar të Kishës së shekujve V-VI; në një dokument tjetër të shekullit VIII, shënohet data e vdekjes së Shenjtit, përshkruhen torturat që pësoi, prerja e kokës në orët e vona të natës dhe varrosja.
Peshkopi Valentino
Një ditë, peshkopi Valentino dëgjoi përtej gardhit të kopshtit të tij, dy të rinj të fejuar që po ziheshin. Mori atëherë një trëndafil, doli nga kopshti dhe shkoi të takonte ata të dy, duke u ofruar trëndafilin duke u thënë fjalë mbi pajtimin. Kaq mjaftoi për të mbyllur në çast grindjen mes dy të dashuruarve që ashtu siç u tha shenjti, shtrënguan trëndafilin duke u lutur derisa dashuria e tyre u bë e përjetshme. Pak kohë më vonë, të dy u kthyen tek Valentino për t’i kërkuar t’u celebronte martesën… Martiri kërkohej në raste fatkeqësie dhe epilepsie. Sa për titullin e “padronit të të dashuruarve” duket se i është atribuar në Mesjetë, sepse dyshohej se më 14 shkurt, në ditën e festës së tij, zogjtë fillonin të cicëronin duke ndjekur rizgjimin e natyrës dhe të dashurisë.
Etimologji
Valentin tingëllon si “valorem tenens”,”që mban vlera”, domethënë “që duron në shenjtëri”, ose do të thotë “valens tyro, “ushtar me vlera”, domethënë “ushtar i Krishtit”. Thuhet se një ushtar është me vlera kur nuk prapset kurrë, kur plagos me forcë, mbrohet me rreptësi dhe fiton me pushtet. Në të njëjtën kohë, Valentini nuk u zmbraps kundrejt martirizimit, e goditi duke e shkatërruar idhujtarinë, u mbrojt duke përforcuar besimin.
Lutja e të dashuruarve
Në zemrën time, Zot, është ndezur dashuria për një krijesë që ti e njeh dhe e do. Bëj që unë të mos e humb këtë pasuri që ti më ke futur në zemër. Mësomë se dashuria është një dhuratë dhe nuk mund të përzihet me asnjë egoizëm, që dashuria është e pastër dhe nuk mund të rrijë pranë asnjë poshtërsie; që dashuria është pjellore dhe që duhet, duke filluar nga sot, të prodhojë një mënyrë të re të jetuari tek unë dhe tek ai që më ka zgjedhur. Të lutem Zot, për atë që më pret dhe më mendon, për kë më ka dhënë gjithë besimin e të ardhmes së vet, për kë më ec përkrah në shëtitjet tona, duke i dhënë njëri-tjetrit ndihmë dhe model. Dhe me ndërhyrjen e Shën Valentinit na ndihmo dhe na përgatit për martesën, për madhështinë e saj, për përgjegjësinë që të jep ajo, kështu që duke filluar nga sot, shpirtrat tona të pushtojnë trupat tanë dhe të mbretërojnë në dashuri.






















