Historia befasuese e qeverive shqiptare duke filluar nga Qeveria e Parë e Ismail Qemalit dhe 32 kryeministrat që kanë drejtuar shtetin shqiptar që prej themelimit

258
Sigal

Historia befasuese e Qeverive Shqiptare

Janë 32 kryeministra që kanë drejtuar shtetin shqiptar që prej themelimit

 Fillimi i shekullit XX e gjen Shqipërinë nën administrimin e Perandorisë Osmane. Por, përmes kryengritjeve antiosmane, sidomos ato të viteve 1909 – 1912, në Shqipëri, ky administrim kishte nisur të tkurrej. Më 14 tetor 1912, një grup politikanësh shqiptar organizuan në Shkup një mbledhje nga ku njoftuan fuqitë e mëdha se shqiptarët nuk pranonin pushtimin e tokave të tyre nga fqinjët ballkanikë. Ndërkohë, Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi kryesuan nismën për krijimin e një komiteti drejtues që të merrte në dorë qeverisjen e vendit. Kulmi i i këtyre ngjarjeve ishte Kuvendi i Vlorës, në shtëpinë e Xhemil Vlorës, ku do të ngrihej më pas në 28 Nëntor flamuri kombëtar. Kryetari i Kuvendit të Vlorës, Ismail Qemali, propozoi të shpallej Shqipëria e pavarur, me një qeveri të përkohshme; të zgjidhej një Pleqësi në ndihmë e kontroll të qeverisë, si dhe të dërgohej një komision në Europë, për të mbrojtur çështjen shqiptare para mbretërive. Me ngritjen e flamurit në Vlorë, në 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali zgjidhet kryeministër dhe i jepet e drejta nga delegatët të krijojë qeverinë e re. Kjo qeveri u shpall në 4 dhjetor 1912 – 22 janar 1914.

Qeveria e parë shqiptare e kryesuar nga Ismail Qemali, 4 dhjetor 1912 – 22 janar 1914

Fillimi i vitit 1914 solli për qeverisjen e Vlorës vështirësi, kohë kur do të dilte çështja e Beqir Grebenesë, një oficer shqiptar në shërbim të perandorisë osmane, i cili organizoi një komplot, në të cilin bëri protagonist të bisedave të fshehta edhe Ismail Qemalin. Si pasojë, Ismail Qemali dhe qeveria e Vlorës jep dorëheqjen. Pas rënies së qeverisë së Vlorës, Esat Pashë Toptani krijon një qeveri, e cila nuk u njoh nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit (KNK). KNK përfaqësonte pushtetin ekzekutiv të dërguar nga Fuqitë e mëdha, i krijuar në 29 korrik 1913 nga Konferenca e Ambasadorëve, me synim organizimin e shtetit shqiptar. KNK-ja njohu një unifikim të administratës, ku spikasnin 2 drejtorë Fejzi Alizoti, Drejtor i administratës për pjesën e ish qeverisë së Vlorës dhe Azis Pashë Vrioni, për pjesën e ish qeverisë së Esat Pashë Toptanit. Me këto zhvillime po afronte dhe koha e ardhjes së mbretit. KNK-ja përgatiti ardhjen e mbretit Ëilhelm Von Ëied, i cili mbërriti në Durrës, bashkë me familjen mbretërore në 7 mars 1914.

Qeveria e parë e Turhan Pashës, 15 mars 1914 – 20 maj 1914

Pak ditë pas mbërritjes, mbreti Ëiedi dekretoi kryeministrin e ri, Turhan Pashën, figurë e rëndësishme politike në perandorinë osmane. Këto zhvillime përkojnë me njohjen e Shqipërisë si shtet nga të 6 superfuqitë.

Qeveria e dytë mbretërore e Turhan Pashës, 28 maj 1914 – 3 shtator 1914

Rikonfigurimi i qeverisë erdhi pas largimit nga qeveria i numrit dy të saj, Esat Pashë Toptanit, si pasojë e konfliktit të tij me mbretërinë, përgjatë periudhës së kryengritjes në jug të Shqipërisë, zonë e kërcënuar nga pushtimi grek. Në 3 shtator 1914 largohet mbreti Ëied. Vjena nuk e mbështeti atë, me justifikimin se nuk kishte arritur të drejtonte vendin mirë dhe kishte krijuar përçarjen mes shqiptarëve dhe krahinave të saj. Në këto kushte, atij i mbetej vetëm largimi.

Kthimi i Esat Pashë Toptanit dhe qeveria e tij, 5 tetor 1914 – 27 janar 1916

Duke parë zhvillimet e favorshme për të, Toptani kthehet në Shqipëri dhe merr këtë detyrë. Pas kësaj periudhe vjen Lufta e parë Botërore. Është koha e pushtimit të Shqipërisë, si dhe mbajtja e Traktatit të Londrës, në 26 prill 1915. Në janar 1916, u bënë përpjekje për krijimin e një qeverie apo administrate shqiptare, pas hyrjes së ushtrisë austro-hungareze në vend. Përgjatë 1916 – 1918 krijohet dhe funksionon administrata e përkohshme shqiptare në Shkodër, e kryesuar nga Fejzi Alizoti, drejtor i përgjithshëm i Financave. Me përfundimin e Luftës së parë Botërore, pozitat e Italisë në Shqipëri ishin forcuar, duke patur trupa në shumicën e trojeve shqiptare. Italianëve iu kërkua krijimi i një qeverie shqiptare, me mbështetjen e Italisë. Kështu, vjen qeveria e kryesuar nga Turhan Pasha.

Qeveria e Turhan Pashës, 25 dhjetor 1918 – 29 janar 1920 Më pas vjen qeveria e Durrësit, por që nuk pati suksesin e duhur në pjesën më të madhe të vendit.

Qeveria e Sulejman Delvinës, 30 janar – 14 nëntor 1920

Kongresi i Lushnjës, i mbajtur në 21-30 janar 1920, emëroi një qeveri të re, ku u vendos që të kryesohej nga Sulejman Delvina. Qeveria e Tiranës kërkoi mosnjohjen e qeverisë së Durrësit. Në këtë qeveri u vendos për herë të parë nxjerrja e monedhës shqiptare. Pjesë e këtij kabineti ishte edhe Ahmet Zogu. Në 14 nëntor 1920 Sulejman Delvina jep dorëheqjen, pas konflikteve të mëdha në kabinetin qeveritar.

Qeveria e parë e Iliaz Vrionit, 15 nëntor 1920 – 1 korrik 1924

Pas dorëheqjes së Delvinës, në detyrë vjen Iliaz Vrioni.

Qeveria e koalicionit e Iliaz Vrionit, 11 korrik – 16 tetor 1921

Gjendja e vështirë e krijuar për shkak të ndërhyrjes jugosllave në 1921, bëri që qeveria e kryesuar nga Iliaz Vrioni të jepte dorëheqjen dhe të kërkonte formimin e një qeverie të koalicionit, e përbërë nga dy forca politike; Partia Popullore dhe Partia Përparimtare. Serish në krye të qeverisë mbetet Iliaz Vrioni.

Qeveria e Pandeli Evangjelit, 16 tetor 1921 – 6 dhjetor 1921

Duke qenë se as qeveria e koalicionit, edhe pse e bazuar në marrëveshjen që synonte të kënaqte interesat e të gjitha grupeve politike, nuk arriti ta bënte këtë, por shkaktoi pakënaqësi tek shumë politikanë, u formua “bashkimi i Shenjtë”, si shkrirje e partive kryesore politike.

Qeveria njëditore e Qazim Koculit, 6 dhjetor 1921 – 6 dhjetor 1921

Por as qeveria e “Bashkimit të shenjtë”, nuk mundi të vazhdonte punën gjatë, për shkak të konflikteve të brendshme. Ndaj pas dorëheqjes së Pandeli Evangjelit, një grup politikanësh si Hasan Prishtina, Mustafa Kruja, etj, bindën më pas Qazim Koculin të formonte një qeveri. Koculi pranoi, me kushtin që në kabinetin e kryesuar prej tij të mos ishte prezent Hasan Prishtina. Por Koculi jep dorëheqjen e papritur brenda ditës.

Qeveria e Hasan Prishtinës, 7 – 12 dhjetor 1921

Dorëheqja e papritur e Koculit, detyroi Këshillin e Naltë t’ia besonte mandatin e kryesimit të qeverisë njërit prej protagonistëve të krizës, Hasan Prishtina. Emërimi i Prishtinës ngjalli pakënaqësi të shumta në të gjithë vendin, deputetët ikën nga Tirana, në Durrës e në qytete të tjera. Kryeministri Prishtina, që ditët e para, u dha urdhër Forcave të Armatosura të shtien në dorë “me se s’bën” deputetët. Në këto kushte, një grup deputetësh shtuan trysninë ndaj qeverisë Prishtina, duke e detyruar atë të japë dorëheqjen.

Qeveria kalimtare e Idhomeno Kosturit (12 – 24 dhjetor 1921)

Pas mbetjes bosh të vendit të kryeministrit, Këshilli i Naltë dekretoi një qeveri kalimtare, me drejtorë ose ndryshe sekretarë të përgjithshëm, deri në formimin e kabinetit të ri.

Qeveria e Xhafer Ypit, 24 dhjetor 1921 – 26 dhjetor 1922

Pas qeverisë kalimtare, Këshilli i Naltë, emëroi qeverinë e re, ku kryeministër u vendos të ishte Xhafer Ypi. Qeverisja e Xhafer Ypit përkon me zhvillime të reja, si dhe ndryshime të raporteve politike në vend.

Qeveria e parë e Ahmet Zogut, 2 dhjetor 1922 – 25 shkurt 1924

Në fund të vitit 1922, pozitat politike të Ahmet Zogut, ishin forcuar dukshëm. Si ministër i Punëve të Brendshme, ai kishte treguar vendosmëri dhe energji në detyrën e tij. Duke patur edhe përkrahjen e grupit të pronarëve të mëdhenj, Ahmet Zogu ishte gati të merrte drejtimin e qeverisë. Pas zgjedhjeve për Këshillin e Naltë, ku Xhafer Ypi u zgjodh Këshilltar, në vendin e tij si kryeministër, Këshilli emëroi Ahmet Zogun, i cili kryesonte edhe Partinë Popullore. Qeveria pati gjithmonë marrëdhënie të acaruara me Hasan Prishtinën dhe përkrahësit e tij. Madje, në zgjedhjet për Kuvendin Kushtetues, pati një atentat ndaj A. Zogut. Në këto kushte të acaruara, Ahmet Zogu tërhiqet nga drejtimi i qeverisë.

Qeveria e kryesuar nga Shefqet Verlaci, 30 mars 1924 – 27 maj 1924

Thellimi i krizës politike në vend dhe pamundësia për të qeverisur, e detyrojnë Verlacin të japë dorëheqjen.

Qeveria e kryesuar nga Ilias Vrioni, 27 maj 1924 – 10 qershor 1924

Kjo qeverisje përkon me ngjarjet e kryengritjes së Qershorit 1924. Madje dy prej udhëheqësve të kryengritjes Fan Noli dhe Luigj Gurakuqi, pranuan se nuk ishte thjesht një kryengritje, por një grusht shteti. Me short, u vendos që Fan Noli të zgjidhej Kryeministër.

Qeveria gjashtëmujore e Fan Nolit, 16 qershor – 24 dhjetor 1924

Kësaj qeverie i mungonte mbështetja e brendshme, për shkak të zhvillimeve të acaruara politike, por i mungonte edhe njohja ndërkombëtare, pasi shtetet e huaja nuk e quajtën kushtetuese. Në 24 dhjetor 1924 qeveria kryengritëse bie.

Qeveria disa ditëshe e Iliaz Vrionit, 24 dhjetor 1924 – 5 janar 1925

Iliaz Vrioni e mban vetëm pak ditë postin e kryeministrit dhe jep dorëheqjen në fillim të vitit 1925, si pasojë e konflikteve brenda kabinetit.

Rikthimi i Ahmet Zogut dhe qeveria e kryesuar prej tij, 6 – 31 janar 1925

Pas largimit të Iliaz Vrionit, Këshilli i Naltë emëron Ahmet Zogun si kryeministër. Në 21 janar 1925, Kuvendi Kushtetues shpall Republikën Shqiptare. Pas shpalljes së Republikës, në 31 janar 1925 Kuvendi Kushtetues zgjedh Ahmet Zogun të parin President (në atë kohë quhej Kryetari i Republikës)

Kabineti i parë republikan, i kryesuar nga Ahmet Zogu, 1 shkurt 1925 – 23 shtator 1925

Ndryshimi i formës së regjimit solli krijimin e një kabineti të ri qeveritar. Statusi i ri i shtetit i njihte Kryetarit të Republikës të drejtën për të formuar qeverinë. Kryetari nuk shkonte në çdo mbledhje të qeverisë, përveç rasteve të rëndësishme. Rolin e tij në drejtimin e mbledhjeve por edhe në punët kryesore, e mbulonte Ministri i Drejtësisë. Në këtë funksion, në kabinetin e parë te publikan ishte Petro Poga.

Kabineti i dytë republikan, i kryesuar nga Ahmet Zogu, 28 shtator 1925 – 10 shkurt 1927

Në këtë qeveri, Ministër i Drejtësisë u zgjodh Milto Tutulani, i cili do të kryente shpesh edhe detyrat e kryetarit të ekzekutivit.

Kabineti i tretë, i kryesuar nga Ahmet Zogu, 12 shkurt 1927 – 21 tetor 1927

Pas nënshkrimit të paktit me Italinë, kabineti qeveritar dha dorëheqjen për shkak të konflikteve në kabinet. Petro Poga thirret sërish në postin e Ministrit të Drejtësisë, si dhe të kryesimit të punëve të qeverisë.

Kabineti i katërt i kryesuar nga Ahmet Zogu, 24 tetor 1927 – 10 maj 1928

Për shkak të mosmarrëveshjeve, edhe ky kabinet me Ministër Drejtësie Petro Pogën, jep dorëheqjen

Kabineti i pestë, i kryesuar nga Ahmet Zogu, 11 maj 1928 – 1 shtator 1928

Në këtë qeveri, Ministër Drejtësie ishte Hiqmet Delvina.

Zhvillimet e mëpasshme sjellin Mbretërinë shqiptare të Ahmet Zogut, 1928- 1939

Në 17 gusht 1928 zhvillohen zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese. Pozitat e Ahmet Zogut fuqizohen. Në këtë mënyrë, ndryshon edhe forma e regjimit në vend. Asambleja Kushtetuese miraton statusin themeltar të mbretërisë shqiptare. Asambleja u kthye në Parlament dhe vendi shpallet mbretëri kushtetuese.

Qeveria e parë mbretërore e kryesuar nga Kostaq Kotta, 5 shtator 1928 – 5 mars 1930

Në këtë perudhë u ndërmorën reforma të mëdha të organizimit të mbretërisë, të shtetit shqiptar dhe të zhvillimit të vendit.

Qeveria e Pandeli Evangjelit, 6 mars 1930 – 11 prill 1931

Kabineti Kotta u dobësua dhe u detyrua të japë dorëheqjen në gjysmën e mandatit të tij.Në qeverisjen e re nis reforma agrare e vitit 1930.

Qeveria e dytë e Pandeli Evangjelit, 20 prill 1931 – 7 dhjetor 1932

Kabineti qeveritar dorëhiqet, pas vrasjes së Ministrit të Drejtësisë Vasil Avrami. Por sërish në detyrën e kryeministrit, edhe në kabinetin e ri, zgjidhet Pandeli Evangjeli.

Qeveria e fundit e Pandeli Evangjelit, 11 janar 1933 – 16 tetor 1935

Pas zgjedhjeve parlamentare të 11 nëntorit 1932 zgjidhet qeveria e re, ku sërish në këtë mandat të ri propozohet Pandeli Evagjeli.

Qeveria e kryesuar nga Mehdi Frashëri, 21 tetor 1935 – 7 nëntor 1936

Pandeli Evangjeli, kryeministri veteran, i paraqet Mbretit Zog dorëheqjen, i shtyrë edhe nga politikat e ndërmarra nga Mbreti Zog për rigjallërimin dhe dhënin e një impulsi të ri zhvillimeve. Madje kabineti pasardhës, i kryesuar nga Mehdi Frashëri u quajt ndryshe kabineti i të rinjve.

Qeveria e fundit e Kostaq Kottës, 9 nëntor 1936 – 7 prill 1939

Mehdi Frashëri paraqet dorëheqjen si kryeministër, pas situatës së krijuar ku shumë deputetë shprehen të pakënaqur nga politika e brendshme e ndjekur prej tij. Ndërkaq, edhe zhvillimet politike ishin të acaruara dhe në Shqipëri trokiti pushtimi fashist Italian.