Lasgush Poradeci: O Flamur,Flamur, shënj’e shenjtë, tek ty betohemi këtu… më aktuale se kurrë

823
Sigal

O Flamur, Flamur, shënj’ e shenjtë, tek ty betonemi këtu…

Nuk përshkruhet dot hovi i zjarrshëm i zemrave, me të cilin u prit ky lajm i bukur i pregatitjes së himnit. Pa e mbaruar së recituari me gojë Asdreni, një anëtar i rrëmbyer i-a hoqi vjershën me padurim nga duart e vuri shpejt mi një trikëmbsh në mes të sallës, dhe së-bashku me koristët e tjerë, me të ndodhurit e mbledhjes dhe me profesorin Ionesku në orgë, e ekzekutuan himnin herë të panëmëruara dyke u familiarizuar me fjalët e reja të muzikës së mirënjohur që në përsëritjen më të parë. I-u ndihmonte shumë në këtë veshi i mësuar me notat e mallëngjyera të melodisë rumune, me anën e së cilës kompozitori i bujshëm dhe i famshëm ka përmbledhur dhe përqëndruar gjithë interpretimin e shpirtit të kombit të vet nër vetëm dy fraza muzikore kryesore me vetëm një ngritje dhe një rënie të drejtpërdrejtëshme dhe të rëndë, ashtu sikundër e kërkon, përgjithërisht, psikologjija simpliste e popujve ballkanikë të kryengritur pas qindëra vjetësh robërije së përvajtuarshme.

Dhe himni harin të bëhet kësisoj Himni Kombëtar i Kollonisë së Bukureshtit, që përfaqësonte Shqipërinë në atë vënd mërgimi aq të djegur për atdhe, dyke u bërë zakon të këndohet regullisht përpara dhe pas çdo ushtërimi të korit.

Pa dyshim, vërtet pa dyshim- sepse nuk duam këtu të bisedojmë, po duam të nxjerim përfaqesh thelbin, thelbin origjinal shqiptar që na intereson në këtë çështje- pa fare dyshim pra dhe bisedimi që himni i Asdrenit pati patur si shtytje të përjashtme të gjenezës së tij fjalët e Barsan-it dhe muzikën e Porumbesku-t. I-u përgjigjeshin ato shprehje dhe ajo melodi drejt-për-së-drejti ndjenjave patriotike të të gjithë koristëve shqiptarë si eksponentë për bukuri që këta ishin, jo vetëm të Kollonisë së Bukureshtit, po vetëkuptimërisht dhe të çdo shoqërije ose bërthame tjetër shqiptare nër qytetet e ndryshmë rumunë; këto lidheshin shpirtërisht, dhe, kurrë pa asnjë përjashtim, dhe aq më shumë lëndërisht, me qëndrën e tyre përfaqësonjëse të kryeqytetit, ku mirnin pjesë aktive me delegatë të veçantë nër gjithë manifestimet e rëndësishme- manifestim i rëndësishmë për ta dyke qënë dhe më i vogëli vendim i Kollonisë për ndonjë punë të pëlqyer atdhetare. I përgjigjej kënga e poetit Bërsan ndjenjës së shqiptarëve, dukej sikur të ish bërë ajo enkas për mallin e zemrës së tyre, mirë kështu, kësisoj ngjante pamja së-jashtmi- po në të vërtet si ishte gjindja shpirtërore e atyre veteranëve në brëndësirën e saj, në fundin e fellë të saj përpara dëgjimit të asaj kënge, përpara dhe shtirjes së themeleve të shoqërisë së Kollonisë shqiptare të Bukureshtit?

Përpara së të ish kënga, ish ndjenja e mëmëdhetarëve dhe ish nevoja e tyre për organizim, për çdo mjet që mund t’a shtynte një hap më përpara veprën e filluar. Ajo ndjenjë shqiptare përmblodhi atë kolloni, ajo kolloni bëri atë shoqëri shqiptare, ajo shoqëri atë shtypshkronjë shqiptare, atë fletore shqiptare, atë shkollë shqiptare, atë kishë dhe xhami shqiptare, atë Kor Kishëtar shqiptar, dhe ky kor desh tashi, midis himneve dhe përlavdurimeve të Zotit në gjuhën shqipe, edhe këngën e tij kombëtare, Himnin e Shqipërisë, Himnin e flamurit shqiptar.

Ndjenjat e djalërisë janë të shpejta, të zjarta, të forta, të papërmbajtura, ato s’janë ndjenja po janë hov enthusiazme që buçet dhe që do përnjëherësh sendësimin e qëllimeve të saj. Sendësimi i njërit nga qëllimet e saj të shenjta që ish himni shqiptar, fjalët shqip të himnit të mirënjohur, trumba djaloshare e korit i-a kërkoj në një ças flakërimi shpejt Asdrenit, i ri dhe ay atëhere në lulen dhe në fuqinë këngëtore të jetës, dhe vjershëtori kombëtar i kollonisë e dorëzoj himnin e punuar mirë-e-bukur shqip pa asnjë vonim, që në njërën nga mbledhjet më të para të pastajme të shoqërisë.

Me ç’kriter e bëri Asdreni himnin, ç’përkëtheu, ç’përshtati, ç’lokalizoj, ç’krijoj- këtë do t’a shohim në radhët e arthme. Tashi këtu më parë duhet të sjellim në riprodhim të dy himnet, për t’u udhëzuar themeltarisht pas teksteve gjatë këtij vështrimi mburimor.

Mi flamurin t’onë

(përkëthim)                  Ioan Barsan

 

Mi flamurin t’onë është shkruar bashkim,

Bashkim në vetëdije dhe në ndjenja,

Dhe nënë hijen e tij të madhërishme

                        Do përballim çdo goditje.

 

            Në luftën e rëndë trembet ay,

Që vetë është mëndje-arratisur,

Po ne të bashkuar në çdo kohë

                        Do jemi, do jemi mundës.

            E armatosmë dorën t’onë

            Që të mpruajmë një vënd të shtrenjtë,

                        E drejta jonë është zotëronjëse,

                        Dhe qëllimi ynë i shenjtë.

 

                        Dhe në librën e përjetësisë shkruan

                        Se shumë kombe do humbasin,

                        Po Rumanija jonë e shtrenjtë

                        Përjetë, përjetë do lulëzojë.

Rreth flamurit të përbashkuar

Asdren

 

Rreth flamurit të përbashkuar

                        Me një dëshirë-e një qëllim,

                        Të gjith atje duk’ i-u betuar

                        Të lidhim besën për shpëtim.

 

                        Prej lufte veç ay largohet

                        Që është lindur tradhëtor

                        Kush është burrë nuk frikohet,

                        Po vdes, po vdes si një dëshmor.

 

                        Në dorë armët do t’i mbajmë,

                        Të mprojmë-atdhenë më çdo kënd,

                        Të drejtat t’ona ne s’i ndajmë,

                        Këtu armiqtë s’kanë vënd.

            Se zoti vetë tha me gojë

                        Që kombe shuhen përmi dhè,

                        Po Shqipërija do të rrojë,

                        Për të, për të luftojmë ne.

 

                        O flamur, flamur, shënjë- e shtrenjtë,

Tek ty betohemi këtu

                        Për Shqipërinë- atdhenë-e shtrenjtë,

                        Për nderë- edhe lavdimn’ e tu.

 

                        Trim burrë quhet e nderohet

                        Atdheut kush i-u bë therror,

                        Përjetë ay do të kujtohet

                        Mi dhet, mi dhet si një dëshmor.

 

Dyke patur para syve tekstet e himneve, origjinalin dhe të Asdrenit, shpëtojmë piksëpari nga një rezik ngatërronjës për atë që i bje mi krye dhe të cilin, për sa i përket rrahjes së kësaj çështjeje në Shqipëri, po e quaj me këtë rast rezik letrar shqiptar.

Ç’është ky rezik letrar shqiptar, rezik ngatërronjës?

Është reziku që e ze pa asnjë shpresë shpëtimi bisedonjësin e sipërfaqshëm të problemeve mburimore letrare në Shqipëri; bisedonjësin, që i përvishet një problemi pa qënë më parë se të gjitha i orientuar plotërisht mi orizontet e gjëra dhe mburimet e fella të atij problemi- pa e zotëruar siç i thonë problemin. Dhe përfundimi është i pamunguar sepse i arësyeshëm: ngatërresa e njeriut pa kompetencë.

Tekstet e krahasuara, na flasin me një gjuhë të kulluar.

Nga të gjashtëmbëdhjet vargjet që përbëjnë katër strofat e origjinalit, vetëm tre vargje të plota dhe dy të tetat e dy vargjeve të tjera janë përkëthyer shqip drejt-për-drejt me fjalë përgjigjëse, vargjet e mbetura jashtë këtyre, domethënë pesë nër trembëdhjetë, dyke qënë të shkrira në lokalizim ose të përshtatura brenda ndjenjësisë dhe mendimësisë së posaçme shqiptare. Anasjelltas dhe përgjithërisht, pothuajse krejt gjysma e poezisë rumune: dy strofa pa një varg nga të katrat që e përbëjnë, ka humbur fare, e ka lënë fare pas dore, fare prapa dore modelin e vet nënë pëndën e Asdrenit, dhe aq nga fjalët sa dhe nga brëndësira dhe toni shpirtëror poeti veteran e ka shqipëruar vetëm dyke marë parasysh atmosferën e atëherëshme të Rilindjes; dyke nxjerrë në dukje vlerat e shpirtit të gjithë një kombi të kapur dhe të dehur nga ndjenja e lirisë, nga afshi i math i atdhedashurisë; dyke përdorur gjuhën e kryengritjes, shprehjet, fjalët, parolat tipike të fshehura dhe të çfaqura të shoqërive dhe të çetave kombëtare.

Kjo ngritje, ky çlirim i shqipëronjësit shqiptar nga origjinali- që nga vargjet e para të përkëthyera gjer në vjershërimin patriotik të fundit- ishte aq e naturëshme, aq e thjeshtë- pra dhe vetvetiu e pakuptuar, sa ay e përvetësoj instinktërisht gjithë idenë dhe çfaqjen e himnit të transpozuar dhe të transformuar si më sipër, dhe krijoj nga vetëvetja e tij, pas rrjedhjes dhe rithmit dhe kadencës ndjenjore të atij himni po dyke i dhënë një dinamizmë përfundimtare të të nevojshme në mbarim, të dy strofat krejt asdrenore të këngës për hirin e të cilave ajo duhej qojtur edhe tashi pasonjësisht, sikundër u qojt me mirënjojtje që në fillim nga brezi bashkëkohas: Himni i Asdrenit:

 

O Flamur, Flamur, shënj’ e shenjtë,

                        Tek ty betonemi këtu,

                        Për Shqipërinë- Atdhenë-e shtrenjtë,

                        Për nder’ edhe lavdimn’ e tu!

 

                        Trim, burrë quhet e nderohet

                        Atdheut kush i-u bë therror,

Përjetë- ay do të kujtohet

                        Mi dhet, mi dhet si një shenjtor!

(Betimi mi flamur– Asdren, Ëndra e Lote,                                                                  Bukuresht 1912).

 

Unë -më thotë Asdreni me fjalën e tij shumë të thjeshtë- passi pashë se i përgjigjet ky himn ndjenjave t’ona patriotike, edhe dyke mos pasur ay përfundimin e duhur të fuqishmë, krijova dy strofa të tjera, të fundit, që atij i mungojnë dhe që i-a shtova për t’i dhënë një mbarim më dinamik.

Sa rëndësi i-u ka dhënë Asdreni këtyre dy strofave të fundit të krijuara me qëllim prej tij dhe që duket sikur mbajnë tërë thelbin kryengritës që ay i dëshëronte modelit të pamjaftuarshëm për rastin shqiptar, ne mund t’a kuptojmë nga titulli kuptim-plot, Betimi mi flamur, nënë të cilin e botoj shqipërimin e himnit në librën Ëndra e Lote. Ky titull, betimi mi flamur, na kujton që në leximin e parë të dy vargjet fillonjës të pjesës origjinale të himnit, me të cilat na lidh drejtas, pa asnjë ndërmjetësim, si me mburesën e vetëkuptuarshme të tij:

 

O Flamur, Flamur, shënj’ e shenjtë,

                        Tek ty betonemi këtu…

Vargjet dhe strofat e para që i përgjasin modelit kanë arësyen e tyre më vetëhe, ato u pranuan pa vajtur mëndja fare për kontrollim dhe shoshitje jo vetëm nga ana e këngëtorëve të korit që e dëshiruan himnin, po gjithashtu dhe me më shumë kuptim prej Asdrenit vetë, me qënë që fryma e tyre, si e tërë himnit, i përshtateshe përpikërisht gjendjes s’onë së atëherëshme të robërisë, zënies fill me aq dritë dhe me aq hov patriotik për të shpëtuar nga vargonjtë e asaj robërije.

 

 

Neswr do lexoni:

– Duke mos qënë Shqipërija më-vetëhe, kuptohet sheshit se himni nuk u shqipërua prej Asdrenit

– Grupi djaloshar i Bukureshtit e përvetësoj himnin ashtu siç e gjeti, siç i-u parashtrua

– Himni në këtë mënyrë i shqipëruar, i ngjitur dhe mi krahët e lehta të muzikës fluturonjëse, u vendos të shpihet me qëllim përhapjeje në Korçë

– Zgjedhja e Korçës si qyteti kryesor ku duhej bërë i njohur dhe përhapur himni, ka domethënien e saj

– Të mërguarit shqiptarë të Rumanisë, ata në Egjipt, Bullgari, Europë, Amerikë dhe Rusi, ishin nga vetë qëndra e qytetit të Korçës

-Nikoll Naçua, nga prindër prej maleve të Pogradecit, pronjar  sipërmarrës i math dhe patriot i flaktë i Misirit, që kish vrarë me dorën e të – nipt-konsullin grek në Mansurë për çështje kundërshtimi kombëtar