Tabela “Lazërat” e vendosur në xhamin e njerës prej makinave që të çonte për në fshat, më krijoi një ndjenjë trishtimi. Kjo nuk kishte të bënte me llojin e makinës, dhe as me shoferin. Me fshatin jo e jo. Trishtimi më vinte nga shkrimi dhe shqiptimi i këtij emri. Isha familjarizuar me emrin Lazarat, që ne e përdornim në qytet. Të shkruarit ndryshe me (ë) i emrit të fshatit në tabelën e makinës ku më duhej të hypja, më krijoi përshtypjen e mungesës së njohurive drejtshkrimore të gjuhës shqipe tek drejtuesi i saj. Por do kalonte pak kohë, për ta kuptuar që në fakt arsyeja ishte krejt tjetër gjë.
FSHATI ARSIMDASHËS
Gjatë kohës që merresha me shkrimin e disa artikujve kushtuar 100 vjetorit të Liceut Francez të Gjirokastrës, ndesha disa detaje të panjohura, njeri prej të cilëve lidhej me Lazëratin. Gjatë ceremonisë së mbylljes së vitit mësimor 1926, nga stafi i drejtorisë së liceut u vlerësuan një grup nxënësish të dalluar, të cilëve ju shpërndanë libra si dhuratë. Por ceremonia sipas kronikës së kohës, u shoqërua edhe nga një detaj që bëri përshtypje të madhe:
…Një bari nga Lazarati i buzëqeshur dhe i mallëngjyer, plot shpresë e gaz i dorëzon djalit të tij, Muhedin Krishti, një libër dhuratë. Me një lëvizje të zakontë prej fshatari ai dukej sikur i tha: – merre o bir këtë dhuratë të vlefshme dhe ji kurdoherë përparim – dashës.
Çobani i mençur quhej Sherif Krishti.
LINDJA E NJË KËNGE

Gjatë studimit të disa librave me tekste të këngëve popullore, në librin e F. Rrapaj ndesha në një poezi popullore me titull “Cici moj murici”. Krijimi i saj ka marrë shkas nga një ngjarje reale. Në kohën e pushtimit otoman dhe gjatë aplikimit të reformave të tyre sociale, një ndër të cilat ishte edhe ndryshimi i fesë, një familje nga Lazërati emigroi në Kalabri. Gjatë largimit të tyre të ngutshëm, ata lanë në fshat njërin prej fëmijëve, vajzën e vogël. Përjetimet për shkak të vetmisë, shoqëruar me ndryshimet që po ndodhnin në besimin fetar, i lanë asaj mbresa të forta. Me ndjenjën e mallit për familjarët e larguar, ajo vajtoi trishtueshëm. Përmes kësaj kënge-vajtim jepet “krisja” shpirtërore ndaj reformave otomane, të cilat po e ndanin familjen e saj në dy besime; të krishterë ata që ikën, e muslimane ajo që mbeti.
Cici, moj murici
të marsha të keqen!
T’u bëfsha kurban:
Na hoqën Pashkën
na prunë Bajramë.
Na hoqën të dielën
na prunë të xhumanë.
Na hoqën Ungjillin
na prunë Kuranë.

Foljet “na hoqën” dhe “na prunë”, në këto vargje, lënë të kuptojmë se ndryshimi i fesë në fshat, nuk ishte çështje dëshire.
KRISHTI, MBIEMRI – AMANET
Ndoshta dhimbja që vajza përcillte mes kësaj kënge, dhe kthimi i saj në një personazh të rrallë kur në fshat ndrohej besimi fetar, mendoj se i ka shtyrë bashkëfshatarët ta identifikonin atë përmes mbiemrit KRISHTI. Pasi i “larguan” Krishtin, fshati mendoi në një farë mënyre ta “mbajë” përsëri atë në fshat. Sepse vetëm kështu do t’ju përcillej brezave informacioni mbi fenë e tyre paraotomane. Parë në këtë këndvështrim, KRISHTI nuk është një mbiemër i zakontë, ai është një mbiemër – amanet. Përmes tij përcillet njëkohësisht edhe lashtësia e banimit të kësaj zone, ndërkohë që sot ky mbiemër mbetet edhe një dëshmi e fortë e bashkëjetesës fetare tek ne.
EMANCIPIMI QË ZBRITI NGA STANI
Por le të kthehemi tek çobani nga Lazërati dhe tek djali i tij, Muhedin Krishti. Zgjuarsia e djalit dhe dashuria e tij ndaj dijes, e nxitën çobanin që një ditë fund-tetori, të linte stanin për të regjistruar Muhedinin në Liceun Francez të Gjirokastrës, i cili në 5 nëntor 1923 çeli dyert. Ky gjest kaq i thjeshtë në dukje, e ktheu Lazëratin në fshatin e parë që ju bashkua Liceut të Gjirokastrës. Por jo vetëm kaq. Vlerësimi që babai çoban i bëri të birit për rezultatet e larta në mësime, është gjesti i parë publik i një prindi në vlerësim të dijeve të fëmijës së vet. Gjatë ceremonisë së mbylljes së vitit mësimor 1924, në fjalën e rastit drejtori i Liceut Kutan mes të tjerash kishte deklaruar:
…Zotërinj, me grupin e të diturve dhe përparimtarëve të tij, Gjirokastra meriton të mbetet një nga qendrat e kulturës shqiptare. Sido që të jetë, këta djem që po shihni këtu, do të jenë një ditë nderi dhe fama e Gjirokastrës. Po nuk do të harrojnë atë që i detyrohen atdheut të tyre.
Kutan duket se e parashikoi deri diku fatin e ardhshëm të atyre brezave të liceistëve ku bënte pjesë edhe Muhedin Krishti.
DËSHMORI I LICEUT
Muhedin Krishti edhe pas mbarimit të Liceut, vijoi me dashurinë ndaj dijes, librit. Ai vazhdoi studimet në një shkollë ushtarake në Itali. Pas përfundimit të tyre, u punësua në rradhët e Xhandarmërisë Shqiptare. Pushtimi i Shqipërisë nga Italia, dhe më vonë nga Gjermania, zgjuan tek ky ushtarak trim, ndjenjën e përgjegjësisë individuale ndaj vendit; Atdheu mbi gjithçka! Muhedini u lidh me lëvizjen Nacional-Çlirimtare. Me formimin e Brigadës së III në tetor 1943, ai zgjidhet komandant i kompanisë së dytë. Por dy muaj më vonë, në 12 dhjetor 1943, Muhedini ra dëshmor në luftë për çlirimin e atdheut. Kjo ngjarje na risjell në kujtesë vetvetiu fjalët e Kutan;

…Ata nuk do të harrojnë atë që i detyrohen Atdheut të tyre…
Muhedini bëri sakrificën sublime, dha jetën për Shqipërinë. Mesa duket mbiemri KRISHTI, përveç amanetit për besimin e dikurshëm të krishterë të banorëve, mbarte edhe fatin sakrifikues në dobi të lirisë së atdheut.
URA E KORDHOCËS

Një nga etydet filmike që realizova në kuadër të projektit “Kronikë në këngë”, ishte edhe ai që trajton legjendën e “Urës së Kordhocës”. Legjenda ishte evidentuar dhe marrë shënim në Gjirokastër në vitin 1945. Në qendër të saj është “Balada e murimit”. Por ndryshe nga veriu i vendit ku sakrifikimi njerëzor bëhet në themelin e kalasë, që ajo të qëndrojë në këmbë, në jug ai bëhet në themelin e një ure. Po e sjell në vëmendje të lexuesit atë moment të legjendës, që i shërben këtij shkrimi.
Atje poshtë bënej një urë!
Oj, oj e mjera unë.
– Tre vëllezër që punonin
dot urën se mbaronin.
Dita ditës punojnë kot
urë e shkretë s’qëndron dot!
– Ati shkon një nuse bukur!
Kjo s’qe nuse, po qe Zërë;
rrinte lart në Mal të Gjërë.
Ura e Kordhocës “Monument kulture” është një aset i çmuar i trashëgimisë sonë kulturore. Por vlera e saj monumentale mesa duket mbetet e “dyshimtë” përderisa ende institucionet përgjegjëse, nuk kanë vendosur një tabelë informative me të dhënat arkitekturore dhe historinë e ndërtimit të saj. Lëre më pastaj të pretendohet për ndriçimin, ç’ka do të nxirte në pah klasin e saj arkitekturor. Po le të kthehemi tek folklori. Vargjet e mësipërme do të mjaftonin për t’i rrëfyer vizitorëve legjendën e Urës së Kordhocës.
…Kjo s’qe nuse, po qe Zërë…
Në toskërisht Zana e malit quhet “zërë”. Zana e malit kjo krijesë mitologjike, nuk është e dukshme për syrin. Prezenca e saj, vërtetohej nga zëri.
TABELAT E MAKINAVE
Në një vizitë të mundshme në Gjirokastër, sigurisht që do përballem përsëri me makinat që të çojnë në fshatin rrëzë malit të Sopotit. Por ndryshe nga dikur, do të doja që në tabelat e tyre, emri i fshatit të jetë i shkruar me (ë), pra Lazërat. Megjithëse në përgjithësi banorët nuk dinë ta shpjegojnë prejardhjen e emrit të fshatit të tyre, kjo nuk i pengon që ata ta shqiptojnë atë me atë dashuri, që vendlindja zakonisht “mbjell” në zemrën e çdo njeriu. Por, unë jam i prirur të besoj se veç faktorëve të tjerë, një dozë të madhe në këtë dashuri, (sado e çuditshme të duket kjo), kanë edhe zanat e malit, apo “zërat” siç shqiptohen ato në toskërisht. Prania e tyre në formimin e emrit të fshatit, nuk mund të jetë thjesht një rastësi.
P.s.
Zana (Zanë në gegërisht ose Zërë në toskërisht, shumës. zana(t) / zërë(t), shih variantet e tjera më poshtë) është një figurë mitologjike shqiptare që zakonisht lidhet me malet, burimet dhe përrenjtë, pyjet, bimësinë dhe kafshët, e ndonjëherë me fatin. Zana mendohet të ketë qenë fillimisht një hyjni pararomake dhe një Perëndeshë ilire ekuivalente e Artemidës së Lashtë Greke dhe Dianës romake.
Ndihmuan: Gentiana Brahimi, Armando Rabi, Muhedin Krishti (i riu).





















