Intelektuali, publiçisti dhe veprimtari aktiv shoqëror Selfo Dino Allka në 80- vjetorin e lindjes

237
Sigal

“Kush nuk e vlerëson jetën, nuk e meriton atë “      

Leonardo Da Vinçi

Nga Kastriot Hadëri ^ Xhevat Lluri

Thënia e Davinçit  apo  fjala e urtë e eruditit  Sami Frashëri se : “ Njeriu më i pasur në botë  është ai që ka nderim  më shumë” , mendoj se i përshtaten  edhe personazhit të këtij shkrimi  siç është  Selfo  Allka,  bir i fshatit Dukaj Tepelenë.SelfoDino Allka  lindi më 21  Shkurt 1940 në fshatin Dukaj, Rrethi Tepelenë në një familje të varfër, por me tradita atdhetare e patriotike  dhe e lidhur tërësisht   me LANÇ, Babai i tij ka  qenë luftëtar në çetën territoriale të fshatit  dhe ka marrë pjesë në të gjitha luftimet që ka zhvilluar kjo çetë në territorin e fshatrave  Turan –Dukaj – Salari sidhe në betejën e përgjakshme  kundër forcave naziste  në Shkallën e zezë Gjirokastër, në aksionin   e  Qafës  së  Miricës në Memaliaj. Më 17 Janar   1944  forcat naziste  dhe bashkëpunëtorët e tyre ballisto-zogistë  në fshatin Duks kryen masakrën e madhe  ku vranë 13 burra e djem mes tyre  edhe 13 vjeçari Hakik Barjam Varfaj  dhe dogjën  shumë shtëpi  mes tyre edhe shtëpinë e DINOS  në shenjë hakmarrje  se nuk pranuan t’u bashkoheshin  atyre për të luftuar kundër forcave partizane. Edhe në luftimet e zhvilluara me  2 korrik 1944,  bashkë me çetën  u ngrit tërë populli për çlirimin e fshatit. Selfua i lindur e rritur në  këtë familje  u edukua me frymën  e atdhe dashurisë dhe punoi  me përkushtim  në vitet pasardhëse për t’i shërbyer Atdheut.  Mbas  çlirimit të vendit   vazhdoi shkollën 7—vjeçare në fshat dhe  me bursë shteti kryen shkollën profesionale për mekanik në industrinë  e  naftës. Ku punopi për disa vite.Etja për dije dhe për të zgjeruar më tej nivelin e tij intelektual e profesional mbaroi edhe arsimin e mesëm  ekonomik dhe arsimin e lartë. Për vetë përgatitjen e tij dhe aftësitë organizuese ka kryer detyra të ndryshme  në disa sektorë si në industrinë  e naftës , në sektorin e shërbimit tregtar në Fier, në drejtorinë e përgjithshme  të ndërtimit të Hekurudhave në  Elbasan dhe  rrethin e Tepelenës: ka qenë kuadër drejtues në disa institucione  dhe së fundi në sektorin e naftës në  Patos- Fier  derisa doli në pension. Gjatë kohës në Fier është aktivizuar në organizatën e veteranëve  dhe  ka qenë zgjedhur  nën/kryetar  i kësaj organizate  sidhe në organizatën e dëshmorëve  i zgjedhur në  forumet e saj. Gjithashtu ka drejtuar shoqatën atdhetare –kulturore “Labëria “ i zgjedhur  në kryesinë e përgjithshme të kësa organizate në dy mandate. Kudo ku ka punuar  ka demonstruar kulturë  dhe edukatë qytetare dhe  komunikim e marrëdhënie  shembullore me eprorë e vartës dhe është karakterizuar nga  disiplina në punë , thjeshtësia dhe urtësia ku ka merituar respektin e dashurinë e njerëzve  kudo ku ka punuar  dhe  ka marrë edhe vlerësime të ndryshme. Krahas punëve të ndryshme që ka kryer njihet edhe si publicistë  dhe anëtar i Degës së lidhjes tëshkrimtarëve në qytetin e Fierit. Ka  shkruar e pasqyruar veprimtaritë ekonomiko- shoqërore në disa organe shtypi para viteve 90.Në vitet e demokracisë  ka shkruar në disa organe shtypi me problematika të ndryshme  si në gazetën ‘Telegraf’,  ‘Ndryshe ‘, gazetat periodike  ‘Labëria ‘ dhe ‘|Kushtrim Brezash, nërevistën ‘Pavdekësia’ dhe në disa gazeta lokale  ku vazhdon të jetë ende aktiv. Si botues është autor i 8 librave  me publicistikë.Si nostalgjik  dhe me shumë dashuri  ka shkruar për vendlindjen librin letraro-historik ‘Dukaj shkëmbi i Lavdisë’ku pasqyron objektivisht  një periudhë gati dy shekullore mbi historinë dhe jetën e disa figurave atdhetare e patriotike të fshatit  të përfshirë në çeta luftëtarësh kundër pushtimit osman, si dhe në dy luftrat botërore, ku ka portretizuar edhe 28 dëshmorët që dhanë jetën për lirinë e atdheut: mes tyre  për figurën e heroit të popullit Memo Nexhip Bejko, vrarë në provokacionet e 2 gushtit 1949 nga monarko-fashistët grekë.Ka botuar monografinë për dëshmoren Liri GERO heroinë e popullit ,Leko Muçaraku dëshmor i parë i batalionit partizan ‘Semani’ apo “  Tre brezat e lavdishëm”,  bijtë e një familje dukjote  me tre vëllezër dëshmorë,librin me kujtime “ Në dallgët e jetës “ dhe  dy vëllime  “Publicistika  1 dhe 2 me  820 faqe ku përfshihen shkrime dhe artikuj të ndryshëm  me tematikë të larmishme  për periudhën pas viteve  1990  dhe po përgatit edhe vëllimin e tretë.Për  gjithë kontributin dhe aktivitetin e tij shtetëror e shoqëror  ndër vite  në rrethet ku ka kontribuar ka  marrë edhe vlerësimet përkatëse. Komuna qendër Tepelenë i ka dhënë titullin. “Qytetar Nderi”; Bashkia Fier e ka vlerësuar punën e tij me “Certifikatë Mirënjohjeje”, Lidhja Ndërkombëtare e Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve: PEGASI Albania, me titullin “Anëtar nderi” i degës së lidhjes së krijuesve Tepelenë. Në Fier Selfo Allka është anëtar i degës se Lidhjes së Shkrimtarëve. Organizata Kombëtare e Dëshmorëve të Atdheut Tiranë i ka dhënë titullin “Nderi i Organizatës së Dëshmorëve të LANÇ e Dëshmorëve të tjerë të Atdheut”. Forumi i Shoqatës Kulturore- Atdhetare “Labëria” me qendër në Tiranë e ka nderuar me diplomën “Mirënjohja e Labërisë”, Shoqata Kulturore Atdhetare “Myzeqeja” me certifikatën “Krenaria e Myzeqesë” etj. Pra, e gjithë jeta dhe veprimtaria e z. Selfo Allka si intelektual e kuadër në punë dhe në pension është e mbushur me veprimtari, aktivitete e kontribut të madh shoqëror. Edhe si kryefamiljar ai ka një familje model me fëmijë e pjesëtarët e saj të arsimuar e të edukuar. Aktualisht dy mbesat e rritura dhe të edukuara nën kujdesin e vazhdueshëm të gjysh Selfos në muajin maj 2020 u diplomuan në universitetin e Nju Jorkut, SHBA me vlerësim të lartë, Stela Gogaj u  certifikua studente ekselence në degën“Matematikë shkencore”, ndërsa motra e saj, Anisa Gogaj është pjesë e stafit të Kompanisë “Amazon” LLP I Nju Jork, ndër më të mëdhatë në botë me detyrë: Menaxhere operacionesh, që drejton e mbikëqyr një staf me 1000 punonjës, në këto arritje gjysh Selfua ka rolin e tij dhe meriton respekt të veçantë për përkushtimin e kontributin e dhënë për edukimin e dy mbesave. Në shenjë respekti për njerëzit e  punës dhe arritjet admiruese të mikut tonë Selfo Allka kemi kënaqësinë që në kuadër të 80vjetorit të lindjes t’i urojmë jetë të gjatë, shëndet dhe sa më shumë gëzime familjare!

MESAZHON ATDHETARI

 SelfoAllka tungjatjeta,

Tungjatjeta shok me vlerë.

Shkruaj, shkruaj sa të jetë jeta

dhe, mos pusho asnjëherë!

 

Ne dhe brezave, që vijnë,

na duhet dhe pena jote,

të lexojmë historinë,

si ka rrjedhur nëpër mote.

 

Ngjarjet i pasqyron saktë,

me ndjenja atdhetarie,

Jep kontribut jo të paktë,

me mesazhe mirësie.

 

Sa fort e do këtë tokë,

s’e ndërron me asgjë tjetër!

Arkivin që ke në kokë,

për brezat e zbardh në letër.

 

Publicist i papërtuar

dhe, veprimtar shoqëror.

Me zell të madh në të shkruar

Seç të ndrin pena në dorë.

 

Mes njerëzve je përherë,

Motoja jote bashkimi.

Me atë zemër pranverë:

jep mesazhe paqësimi.

 

Je kuadër me përvojë,

na ndriçon e na mëlcon

dhe, me penë dhe me gojë,

si gur qosheje qëndron.

 

Selfo, je një kockë e fortë,

jo si shelegu nga fryn era.

Çdo dredhan e ka të kotë,

nuk bëhet dimër pranvera.

 

Dukaj me ty është krenar

dhe, Fieri domosdo,

Rri gjithnjë në vijë të parë,

për Atdhenë këndon kudo.

 

Tungjatjeta Selfo Allka,

Tungjatjeta more burrë.

Penës, që lezet të paska,

mos iu thaftë boja kurë!