Aurela Lamepetro: 18 Maj, Dita Ndërkombëtare e Muzeumeve

428
Sigal

(Specialiste historie në Muzeun Kombëtar të Pavarësisë)

Prej vitit 1977, 18 maji përkujtohet në pjesën më të madhe të vendeve të botës si dita ndërkombëtare e muzeve. Çdo vit në  këtë datë muzetë në vende të ndryshme kanë një slogan të përcaktuar dhe në bazë të tij përgjatë gjithë ditës organizojnë veprimtari kulturore dhe festive si për të risjellë në vëmendje të publikut rëndësinë e këtyre institucioneve dhe rolin e tyre në shoqëri dhe në pranimin e diversitetit kulturor dhe të ndjesisë së të qenit të barabartë në këtë diversitet.

Muzeu si koncept, por edhe si ndërtesë daton që në periudhën e antikitetit greko-romak, por gjatë mesjetës botërore pati një kufizim të atyre që mund ta frekuentonin përveç shtresës aristokrate dhe vetëm me përfundimin e Revolucionit Francez, muzeu mundi të hapej si institucion edhe për publikun e gjerë duke mos seleksionuar më audiencën e tij.

Muzetë janë institucione kulturore, historike, por edhe shoqërore ato ruajnë dhe ekspozojnë pasurinë, të kaluarën dhe trashëgiminë kulturore të një populli përmes objekteve, relikteve dhe artefakteve të kohës. Në Shqipëri muzeologjia është një disiplinë relativisht e vonë si pasojë e ngritjes vonë të institucioneve muzeore, të cilat filluan të merrnin formën e plotë, duke u mbështetur edhe në kuadrin ligjor pas çlirimit të vendit, ku saktësisht hovin më të madh në hapjen e tyre e kemi midis viteve ‘60-‘70.

Në këtë 18 maj slogani do të jetë: “E ardhmja e muzeve, rimëkëmbja dhe përfytyrimi”. Bazuar në këtë temë duke iu referuar realitetit të muzeve në vendin tonë kuptojmë që ky institucion ka dalë nga konturet e tij, duke i bërë objektet dhe vetë të kaluarën më të prekshme madje duke  i dhënë muzeut një dimension global nëpërmjet tërheqjes së komunitetit vendas dhe më gjerë, por edhe duke shkuar pranë këtij komuniteti, në rastet kur ai nuk ka mundësi të vij fizikisht.

E ardhmja do ta shndërrojë muzeun në një hapsirë ku vizitori do të vij të kundrojë historinë, por edhe të bëhet pjesë aktive e saj. E tashmja, por edhe e ardhmja do të tregojë se hapsirat e muzeve jo domosdoshmërisht duhet të jenë të heshtura dhe duhet ti përkasin vetëm historisë vetëm në një dimension, por se në muze e shkuara mund të përçohet edhe në forma audiovizuale përveç atyre tradicionale dhe se në muze kanë vend edhe format e tjera të artit.

Pandemia ishte një faktor kthese në historinë e muzeve dhe mënyrës së të sjellurit të stafeve në kushte izolimi, por edhe në kushtet e numrit të limituar të vizitorëve. Megjithatë edhe në këtë situatë të jashtëzakonshme dhe të paparashikuar veçanërisht falë teknologjisë, për të cilën pjesa më e madhe e muzeologëve kanë qenë skeptikë, duke menduar që ajo i ka larguar njerëzit nga shpirtërorja dhe kujtesa e përbashkët, në fakt në këtë rast pandemie shënoi pikën e kthesës ku vizitori real u kthye në virtual dhe po ashtu ciceroni real u kthye në ciceron virtual, nëpërmjet realizimit të tureve 3D, audioguidave dhe ndërveprimit në mediat sociale, të cilat sigurisht kërkojnë kohë, seriozitet dhe aftësi shtesë nga ana e muzeologëve.

Në të ardhmen sigurisht që do të ketë vend për rimëkëmbjen dhe rijetëzimin e muzeve, jovetëm në hapësirat e brendëshme, por edhe në territorin përreth tyre. Muzetë më të hershëm në vend do të rikonceptohen nga ana shkencore e ndërsa të tjerë si pasojë e kohës dhe elementëve natyrorë do të restaurohen me po të njëjtin kujdes dhe me po të njëjtën imtësi sikundër ndodh edhe me objektet më të vogla historike.

Sfida më e madhe e të ardhmes së muzeve do të qëndrojë në rimëkëmbjen dhe në rikuperimin e numrit të vizitorëve dhe frekuentuesve të tyre si në periudhën para pandemisë. Realiteti i sotëm i diktuar prej kushteve shëndetësore po tregon se vizitueshmëria e muzeve është e limituar dhe nën kushte mbrojtëse. Vizitorët janë më të pakët dhe sigurisht vëmendja e tyre është tejet e tendosur, kjo është një vështirësi që sigurisht duhet ta kalojnë dashamirësit dhe vizitorët, por edhe vëtë stafet muzeore, pasi pandemia do të jetë duke u larguar, por trauma post pandemike do të vazhdojë edhe për disa kohë të shoqërojë njerëzimin edhe në rastin e frekuentimit të muzeve dhe në kthimin në normalitet të situatës.