Vrasja e Endri Mustafës në Shkodër, shpallet në kërkim autori i dyshuar Ibrahim Lici

261
Sigal

Është zbardhur vrasja e Endri Mustafës në Shkodër, i cili u gjet i vdekur në lagjen Guerrile buzë liqenit.

Sipas policisë është shpallur në kërkim Ibrahim Lici i cili akuzohet si autori kryesor i ekzekutimit të 32-vjeçarit.

Nga ana tjetër mësohet se në prangat e policisë ka rënë Ergys M., 15 vjeç i cili dyshohet se në bashkëpunim me Ibrahim Licin kanë vrarë me armë zjarri shtetasin Endri Mustafa. Po ashtu është arrestuar edhe Edison Arazi, 26 vjeç banues ne lagjen “Salo Halili”, Shkodër, i cili dyshohet se ka dijeni për ngjarjen.

Njoftimi i policisë:

Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur më datë 15.05.2021, në lagjen Guerrile, Shkodër, ku u gjet i vrarë me armë zjarri shtetasi Endri Mustafa.

Shpallet në kërkim autori kryesor i dyshuar për vrasjen e 32-vjeçarit.

Arrestohet në flagrancë bashkëpunëtori i autorit kryesor të dyshuar për vrasjen, si dhe vihet në pranga edhe një shtetas tjetër që dyshohet se ka dijeni për ngjarjen.

Në vijim të veprime të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, i përbërë nga specialistët të Hetimit të DVP Shkodër dhe të Drejtorisë Kundër Krimeve ndaj Personit dhe Pronës në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, në bazë të provave të grumbulluara u bë shpallja në kërkim e shtetasit Ibrahim Lici., 28 vjeç banues në lagjen Guerrile, Shkodër, i dyshuar si autor i vrasjes së shtetasit Endri Mustafa.

Gjithashtu, në lidhje me këtë ngjarje është arrestuar shtetasi i mitur Ergys M., 15 vjeç i cili dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin e lartpërmendur kanë vrarë me armë zjarri shtetasin Endri Mustafa.

Po gjatë veprimeve hetimore dhe si rezultat i kontrolleve të ushtruara për kapjen e autorit u arrestua në flagrancë edhe shtetasi Edison Arazi, 26 vjeç banues ne lagjen “Salo Halili”, Shkodër, i cili dyshohet se ka dijeni për ngjarjen. Gjatë kontrollit në banesën e tij është gjetur një sasi lënde narkotike cannabis sativa.

Materialet iu referuan Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje” në ngarkim të shtetasit Ibrahim Lici, në ngarkim të shtetasit Endri Mustafa për veprën penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim, si dhe në ngarkim të shtetasit Edison Arazi për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.