Mbritëm, më në fund te dy festat tona Kombëtare, tek Dita e Flamurit dhe 80-Vjetori i Çlirimit. Janë dy ditë që i ngjajnë njëra tjetrës, që për nga forca shpirtërore magjike, që ndikojnë e përjetojnë shqiptarët, mbeten të jenë të veçanta, edhe sepse janë shenja që ndryshuan fatet e kombit, të Shqipërisë.
Krenaria jonë-Flamuri
Flamuri, ai që është krenaria jonë, ai që shqiponja me dy krena e ka bërë të jetë më i bukuri i të bukurve në botë, mbetet të jetë simboli i festave tona kombëtare, por edhe ai që na frymëzon e na trimëron për ta mbajtur ashtu si na i dorëzoi plaku i Vlorës, Ismail Qemali këtu e 112 vjet më parë, të pastër e të papërlyer, siç do t’i këndonte edhe shqiptari i madh, Fan Noli: O fushë-kuq, o shkabë-zi.
Ai flamur i bekuar, i trashëguar nga breza njerëzish e që jemi përbetuar e përulur për ta mbrojtur ashtu si në shekuj, e për t’i thënë me zemër e shpirt “O vend e vatr’ o nën’ e babë.”
Gjëmon historia. Gjëmon e na kujton për rrugën që ka bërë flamuri ynë kuq e zi, qysh nga ai 28 Nëntor i vitit 1912, qysh nga ai “1939 mos ardhsh kurrë” e deri në ditët e sotme që “Përpjetë pri-e Shqipërinë,” Kjo sepse Flamuri është “Ne”, sepse për atë Flamur shqiptarët kapedanë që u mblodhën në Vlorë e u bënë firmëtarë të betimit për Atdhe e për Flamur, për atë Flamur të “Lagur me lot, djegur me flagë,”
Ata 40 burra të mbledhur si me dorë nga të gjithë trojet shqiptare në atë mot të largët të vitit 1912, pra 112 vjet më parë, nuk ngritën thjesht një Flamur. Jo! Në emër të tij, të asaj shqiponje me dy krerë, dhanë edhe ca porosi, ca porosi që do t’u rezistonin shekujve.
“Dhe tani, tha në atë ditë të bekuar e të shenjtë Ismail bej Vlora, të gjithë bashkë, si një trup i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për t’a mburuar, për t’a përparuar e për t’a qytetëruar si i ka hije Atdheut t’onë të Lirë”.
Është po ai Flamur që solli 29 Nëntorin e vitit 1944
Pushtuesin fashist italian shqiptarët e pritën jo me buqeta me lule, por me pushkë. Sepse rraca jonë, sepse rraca e shqiptarit, si kurrkund në botë, është aq i virtytshëm sa di kur të dashurojë, e di kur të urrejë. Ndaj ashtu si për çdo pushtues apo çdo lakmitar për të zaptuar trojet, me domosdo e priti me pushkë. Ndaj atje në breg të detit sot qëndron një Mujo Ulqinak, një Mujo si ai i 7 Prillit të vitit 1939. Ai nuk qëndron aty vetëm si simbol i qëndresës, si simbol i shqiptarit, që për atë copë det e tokë jep jetën, por edhe si amanet për sot e sa të jetë bota, i cili mban brenda thirrjen: Atdheu, këto troje janë të shenjta, nuk luhet me ta kur bëhet fjalë për lirinë!
Dhe kur themi Atdhe, nënkuptohet Flamuri. Janë apsolutisht të barabartë, kanë të njëjtin çmim: Pa Atdhe nuk ka Flamur, e pa Flamur nuk ka Atdhe. Ndaj është ky flamur që ngriti në këmbë e dha fuqi rinisë shqiptare, e cila e vendosur rroku armët dhe u inkuadrua në formacione partizane, në çeta, batalione, brigada … e mori përsipër, pa ia bërë syri tërr, pa bërë “pazar” me jetën e të luftonte me pushtuesin gjerman, me atë fuqi e atë përbindësh ushtarak që i trembej bota mbarë. Për këtë popull nuk ekziston rastësi e as fat që mund të ndalojë apo të pengojë, apo të kontrollojë vendimin e prerë të një mendjeje të vendosur. Jo, rinia shqiptare nuk u tremb. E dini pse? Sepse asaj i jepte fuqi Flamuri, i jepte fuqi Shqiponja Dykrenore, ajo Shqiponjë e kohës së Skënderbeut.
Luftuan e sakrifikuan partizanët, ditë pas dite e vit pas viti, deri më 29 Nëntorin e vitit 1944. Dhe ashtu si Ante, gjiganti i fuqisë së papërballueshme, ua jepte forcën Flamuri. Batalionet, Brigadat e formacionet më të mëdha ushtarake përpara se të ndërmerrnin aksionet luftarake e nxirrnin nga shpirti thirrjen “përpara partizanë!”. Së pari betoheshin “për flamur”! Sepse secili formacion kishte flamurin e tij, simbolin, që e ruanin si sytë, sepse ishte i vetmi që i bënte të hidheshin në zjarr e të kacafyteshin trup me trup me armikun. Ka shembuj pambarim në atë luftë të pashembullt sesi partizanët luftonin e rrezikonin edhe pse e dinin se mund të humbnin jetën. E dinin këtë gjë edhe ata 28 mijë që ranë “si me le”, e që sot i lartëson e i bën të shenjtëruar titulli që mbajnë, Heronj të Popullit apo Dëshmor të Atdheut. Kaluan plot 80 vjet dhe heroizmi i atyre djemve e vajzave nuk është harruar e nuk do të harrohet kurrë, në jetë të jetëve.
Dhe këtë vendosmëri e fuqi shpirtërore për të vazhduar rrugëtimin, pavarësisht pengesave, na i jep Ai, i bukuri Flamur! Ua jepte edhe një parti, Partia Komuniste, dhe një udhëheqës largpamës, Enver Hoxha, të cilët ishin bërë njësh me popullin liridashës, njësh me Flamurin, me të gjithë ata që nuk u harruan e nuk do të harrohen kurrë. Si mund të na ikë nga kujtesa emri i Heroit të Popullit Qemal Stafa? Po guximi i Vojo Kushit, i cili u hodh mbi tank, e i vuri gjoksin topit? Si mund të mbyllen sytë përpara trimërisë-legjendë të Myslim Shyrit, i cili qëndroi përpara litarit me një qetësi që e tmerroi ekzekutuesit? Më tej akoma. Si mund të mos na duket vetja e vogël kur mësojmë për vajzat qëndrestare Bule Naipi e Persefoni Kokëdhima, që nazistët të tërbuar i varën në litar në atë 17 korrik të vitit 1944. A mund të mos na trondisë fakti që Nemite Progonati ra në fushën e betejës ditën kur mbushi 15 vjeç? Met Hasa, partizani 14 vjeçar i Brigadës së XXII Sulmuese la pa mend vrasësit, ata që i morën jetën e që “i detyroi” ta përcillnin me breshëri armësh në shenjë nderimi! Ngriu në këmbë o njeri për të nderuar këta shqiptarë të “çuditshëm”, të cilët jetën e tyre e kanë bërë njësh me Atdheun, njësh me Flanurin.
“Dhe tani, të gjithë bashkë, si një trup i tërë dhe i pandarë, na e la amanet Plaku i Vlorës, le të punojmë për t’a mburuar, për t’a përparuar e për t’a qytetëruar si i ka hije Atdhenë t’onë të Lirë.” Ishte kjo porosi-amanet e Ismail Qemalit në atë Nëntor të lagët, Nëntor që ky i këtij viti mban të shkuar në matrikull nr. 112. Të gjithë këta vite, kush më shumë e kush më pak, kanë qënë vite mbijetese, por kurrë nuk kemi lënë shteg të rrezikohet Flamuri. Përkundrazi, ai ka qenë dhe mbetet sfidë, forca e përsosmërisë për të kapur e qëndruar në majat që meriton ky Flamur. Më shumë se një shekull kanë qënë vite lufte. Po luftrat i kemi fituar atë nga veç mendjelartët, që me përpjekje e mund, kanë mbetur të jenë roje për Flamur. Te dhjetra e dhjetra Heronj e Dëshmorë të Lirisë, emrat e të cilëve janë shkruar me gërma të arta mbi Flamur.
Flamuri, krenari për të ecur përpara
Flamuri ynë Kuq e Zi tashmë është ashtu si e kemi dashur, krenar e plot dinjitet dhe me plot siguri në duart tona për të kapur maja të paparashikuara më parë. Ai, për atë çka është, tashmë qëndron krah flamujve-simbol të kombeve të Europës, në selinë e NATOS e në të gjitha kancelaritë e mbarë Botës. Ky Flamur mbetet plot guxim e shpresë tek mijra bashkëkombas në “Shqipëritë e vogla” e tek mijëra e mijëra të tjerë të shpërndarë nëpër Botë, të cilët orë e çast përgjërohen për Flamuri Kuq e Zi.
Por, për fat të keq, Flamuri me Shqiponjën Dykrenar mbetet të jetë edhe objekt sulmi. Janë shqyer e bërë copë pinjollët kolaboracionistë për të bërë pis Krenarinë tonë, por nuk kanë mundur. Sulmet e dështuara i kanë marrosur e xhindosur, i kanë transformuar në kufoma që nxijnë e sterrojnë si nata. Pra historia e tyre, ashtu si etërit, është një varg i pafund dështimesh. Do të ndodhë gjithnjë kështu, sepse ata kanë marrë mallkimin e shqiponjës, të asaj që vigjilon mbi flamur.
Dhe patrioti i madh Fan Noli “bashkëbisedoi” me Flamurin e i tha: Përpjetë pri-e Shqipërinë,/Përlindja shpirtin dhe fuqinë,/Diell për vllanë, yrnek për fqinë/ Për botën ëndr’ e qjell i ri.