Suplementi Pena Shqiptare/ Kastriot Malo: Të prek me zemër

Matanë malit ndodhesh ti!
Të dy thërrasim një ëndërr.
Nëse nuk arrij deri aty të vij,
ta dish që të prek me zemër.

Aty nis udhëtimin heshtja,
i lëndon dhimbjet e pritjes,
hyjnë e dalin brenda meje,
si troka kali gjurmët e ikjes.

NOA

Ti e di mirë legjendën e vjetër,
udhëkryqet e natës së Faraonit.
Flasim të dy me gjuhë të gurtë,
por zëri yt sërish vjen prej honit.

Eci rrugëve të latuara të qytetit,
malli e nis për aty shtegëtimin.
Ne të dy bërë shok me largësitë
prekim zemrat, prekim mendimin.

NDJESHMËRI

Tani pse më dhembin kaq plagët e shpirtit?
Ata që brengat kalojnë në heshtje gjithashtu.
Kur dikush i vendos shkelmin në fyt miqësisë,
dhe fjalët i nxjerr nga goja, pa doganë, kuturu.

Dhemb, kur dikush zbraz të gjithë mllefin,
dhe zë mendoj, sa ziliqare që është kjo botë!
Sa e lehtë është të gjykosh pa e njohur tjetrin,
por unë s’mund t’i mbaj ison një këngë të kotë.

Dhemb, kur përgojojnë vajzën e mikut,
pse ndjenjën e saj e përjeton ashtu të lirë?
Më bëjnë ndot jargët si litarë prej buzëve,
epitetet që lëshon si një rrebesh i pa mëshirë.

Ti e di o mik që ti s’ke lindur me moralin!
Më dhimbsesh, kur mbrapa përkulesh si urë.
Jeta jote qenka bajate, pa shije pa ngjyrë…
S’lodhesh kur tjetrin gjuan pa pushim me gurë.

Rrëzohesha shpesh dikur kur isha fëmijë!
Gjunjët gjakosja në tokë dhe gurëve në lumë,
Pluhurin me gjak pastroja lehtë me pëllëmbë,
dhe ikja sërish duke thënë: – S’u vrava shumë. Tani pse më

dhimsesh?